Blog

  • Vendimi i Hagës dhe raporti ynë me të vërtetën! – Nga Enver Bytyçi

    Vendimi i Hagës dhe raporti ynë me të vërtetën! – Nga Enver Bytyçi

    Vendimi i Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ka shkaktuar reagime kundërshtuese të mëdha ndër shqiptarët. Emocionet u shkarkuan këto ditë si kurrë më parë, ndërkohë që politika e shfrytëzoi këtë situatë për qëllimet e veta. Si gjithnjë, kur emocionet zevendësojnë të vërtetën, kur mitet hyjnë në lojën politike, kur kujtesa historike bëhet histori, edhe në këtë rast e vërteta rri në shpellat e errëta dhe nuk lakmon të bëhet e gjallë. Miti, kujtesa historike, fallsifikimet e së vërtetës, gënjeshtrat, pra anti- e vërteta është katakteristikë dhe vesi i kthyer në virtyt i shoqërisë serbe. Shqiptarët duhet të dëshmojnë të kundërtën.

    Megjithatë në rastin e shpalljes së vendimit të Hagës edhe shqiptarët po fshehin shumë të vërteta, me të cilat duhet të ballafaqohemi:

    Së pari, nuk është e vërtetë se Kuvendi i Kosovës mundet ta zhbëjë ose ta modifikojë ligjin kushtetues dhe të posaçëm për Gjykatën Speciale në fjalë. Kushtetuta e Kosovës e votuar nga tre nga katër prej atyre që morën dënime. Ky dokument nuk e lejon as zhbërjen, as modofikimin e ligjit.

    Mos ushqeni iluzione dhe mos e gënjeni qytetarin e painformuar me tezën se mund të ndodhë diçka e tillë. Edhe sikur të ishte e mundur ndryshimi kushtetues, këtë nuk do ta pranonte shumica e përcaktuar e minoriteteve.

    Së dyti, nuk është e vërtetë se të dënuarit janë të pafajshëm. Mund të diskutojmë gjithë ditën për masën e dënimit, por jo për pafajësinë e tyre.

    Edhe pse këtë kompetencë e ka në mënyrë përfundimtare Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara, sërishmi teza se ata janë dënuar pa faj nuk shpreh të vërtetën. Ballafaqohuni me të vërtetën. Vetëm ajo na ndihëmon të dimë se çfarë mund të arrihet më shumë në dobi të kësaj çeshtjeje. Manipulimi me të vërtetën, vetëm se e rëndon pozitën e ish-komandantëve të luftës. Nuk i ndihmon lehtësimit të kësaj pozite.

    Së treti, nuk është e saktë të thuash se të katër ish-komandantët u dënuan për shkak se luftuan kundër Serbisë dhe për çlirimin e Kosovës. Nëse thua këtë, ke thënë gjysmën e ndoshta çerekun e të vërtetës. E vërteta tjetër është se qeveria e përkohshme e Kosovës me Thaçin kryeministër e krijuar në prill 1999 ishte jo kushtetuese dhe jo legjitime. Kjo u bë në përpjekje që pas luftës këta krerë të UÇK-së të merrnin edhe pushtetin.

    E vërteta është se Behajdin Hallaçi është ekzekutuar për shkak të rivalitetit. Ata 13 deputetët e parlamentit të udhëhequr nga Rugova janë mbajtur 48 orë për shkak të luftës për pushtet. Vetë ish-presidenti Rugova është cilësuar “tradhtar” pa bërë asnjë tradhti. Kjo u bë me qëllim denigrimin e figurës së tij, si rival i pakonkurueshëm për ambicjet për pushtet të zotit Thaçi dhe të tjerëve.

    Atentati ndaj Rugovës dhe bashkëpunëtorëve të tij ka lidhje me ambiciet për pushtet. E vërteta është se Hashim Thaçi asokohe i kishte “buzët me qumësht” dhe ndoshta nuk kishte si ta kuptonte se kishte rënë në kurthin e Fatos Klosit, Rexhep Meidanit e Rexhep Qosjes.

    Së katërti, nëse i përmbahemi kriterit të së vërtetës, atëherë nuk do të kishte dënim të njëjtë të Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit. Sepse kurrë nuk mund të ketë përgjegjësi identike dhe rol identik të dy personave edhe në kryerjen e veprave të dënueshme. Mjafton fakti që zoti Thaçi organizoi presionin mbi dëshmitarët. Ndërkohë që zoti Krasniqi nuk kishte lidhje me këtë, për ta shënuar diferencën midis tyre. Nuk po jap dhe fakte të tjera.

    Së pesti, është shumë e vërtetë se jashtë dhe brenda qelisë së Hagës është bërë presion ndaj dëshmitarëve, që ata të ndërronin dëshminë ose të mos dëshmonin. Janë likuiduar gjithashtu dëshmitarë të tjerë. Kjo e vërtetë është turpëruese edhe për ne dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me dëshmitarë për krime kundër serbëve. Në këto rrethana merr vlerë që të njohim të drejtën e çdokujt për ta treguar e thënë të vërtetën e tij. Që bëhet përmes asaj që njerëzit kanë parë ose kanë dëshmuar. Kjo e drejtë i njihet, nëse ajo e ka dëshmuar, edhe Donika Gërvallës.

    T’i shpallësh luftë Donikës pse ka dëshmuar të vërtetat e saj në Hagë, nëse ajo e ka bërë këtë, do të thotë të përgatitesh për krime të tjera. Kriminelin e pengon vetëm zbulimi i të vërtetës. Mohimi i të vërtetës prodhon një krim të ri kriminal. Kjo metodë e ndëshkimit publik të dëshmitarëve në këtë gjyq më kujton demaskimin që shteti e shoqëria serbe u bëri atyre serbëve që kanë dëshmuar për lokacionet ku janë varrosur shqiptarët e masakruar nga makineria ushtarake dhe policore e Milosheviçit.

    Së gjashti, duhet pranuar e vërteta se Gjykatën Speciale, përveç Serbisë dhe Rusisë, e kanë ndihmuar të krijohet edhe politikanë shqiptarë. Këta politikanë kanë pasur dhe kanë agjendë anti-shqiptare. Madje këta të paudhë shkojnë deri atje sa të propozojnë t’i shpallin zyrtarisht heronj ata katër të dënuarit në Hagë.

    Dhe ne shqiptarët duhet ta dimë të vërtetën e madhe se ky propozim i të burgosurit Erion Veliaj nuk bëhet për të shpërblyer Hashim Thaçin e të tjerët, Qëllimi i tij është të evidentojë edhe njëherë pretendimin e tij si hajdut “i burgosur politik”! Nëse e pranojnë këtë vlerësim katër të dënuarit e Hagës do të meritojnë gjithashtu si të provuar edhe një tjetër të vërtetë, të thënë e të stërthënë, se ata bënë lufton jo vetëm për pushtet, por edhe që të pasuroheshin vetë.

    Së fundmi, shoqëria shqiptare e sidomos ajo kosovare duhet ta pranojë tashmë të vërtetën e padiskutueshme se vetëm Albin Kurti ka mbajtur qëndrime stoike në favor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke qëndruar edhe në favor të shtetit e vendit të tij. Koha provoi profecitë e tij.

    Prej këtej buron e vërteta tjetër, se Gjykata Speciale është ngritur edhe për ta përçarë shoqërinë tonë, sidomos në Kosovë dhe për t’i vënë shqiptarët kundër njëri-tjetrit. Ata që kanë gabuar duhet t’u kërkojnë ndjesë atyre që kanë vepruar me dinjitet dhe e kanë parë në sy të vërtetën e patjetërsueshme.

    Pa i pranuar këto e të tjera të vërteta, ne do vazhdojmë të gabojmë edhe në të ardhmen.

  • Nga Ramadan GJANAJ – Presidenca e Kosovës si garanci për koalicionin e ardhshëm LVV-LDK

    Nga Ramadan GJANAJ – Presidenca e Kosovës si garanci për koalicionin e ardhshëm LVV-LDK

    Në themel të bllokimit aktual për formimin e institucioneve të Kosovës mund të fshihet një çështje më e thellë se thjesht ndarja e posteve: si të ndërtohet një koalicion qeveritar, i cili mund t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare, pa u shpërbërë kur kostoja politike e angazhimeve të ndërmarra të bëhet tepër e lartë?

    Bllokimi aktual institucional paraqitet si çështje numrash dhe ndarje postesh. LVV-ja e Albin Kurtit doli e para në zgjedhje, por s’e ka e vetme shumicën e nevojshme. Prandaj, LDK-ja e Lumir Abdixhikut pritet të luajë rol vendimtar në formimin e shumicës së ardhshme.

    Bisedimet po zhvillohen, ndër të tjera, edhe për presidencën e Republikës. Teksa mund ta shohim si negociatë të zakonshme për ndarjen e pushtetit, kërkesa e LDK-së mund të interpretohet edhe si apel për garanci përpara një koalicioni të mundshëm me LVV-në.

    Problemi real me të cilin mund të përballet ky koalicion nuk ka të bëjë veç me ndarjen e posteve ministrore, por lidhet edhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht ato që burojnë nga procesi i Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

    Paradoksi i Brukselit dhe Ohrit

    Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar në vitin 2023 kornizën e propozuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjithë pasojat e saj janë të lehta për t’u përballuar në planin e brendshëm. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shembulli më i ndjeshëm.

    Për Bashkimin Evropian, detyrimet e marra në kuadër të dialogut duhet të zbatohen. Brukseli vijon ta konsiderojë normalizimin me Serbinë element thelbësor të rrugëtimit evropian të Kosovës. Aneksi i Ohrit, ndër të tjera, parashikon që Kosova të angazhohet në negociata për aranzhime që garantojnë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. Për LVV-në, kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme.

    Vetëvendosja ka çuar përpara në publik idenë e sovranitetit të fortë dhe shtetit unitar të Kosovës. Prandaj, një strukturë institucionale e veçantë për komunitetin serb ngjall mosbesim të thellë brenda kësaj lëvizjeje.

    Ndaj ekziston një kontradiktë të cilën qeveria e ardhshme do të duhet, herët a vonë, ta zgjidhë: korniza ndërkombëtare është pranuar, por disa prej pasojave që prodhon janë politikisht shumë të vështira, madje të pamundura, për t’u mbrojtur nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Dilemat e LDK-së

    LDK-ja ndodhet në një pozitë tjetër.

    Ajo i përket traditës politike më institucionaliste, me lidhje më të ngushta strategjike me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye ka më shumë gadishmëri t’i marrë në konsideratë dhe t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, edhe kur ato janë të vështira për t’u mbrojtur politikisht.

    Por kjo pikë mund të shndërrohet në kurth politik në të ardhmen. Le të marrim skenarin e koalicionit LVV-LDK. Qeveria formohet dhe Brukseli dhe Uashingtoni kërkojnë përparim konkret në zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Brukseli dhe Ohri.

    Kosova dhe besimi qytetar

    LDK-ja kërkon ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës dhe perspektivën evropiane. LVV-ja, nga ana tjetër, përballet me një pjesë të elektoratit të vet për një çështje që cek drejtpërdrejt identitetin e saj politik. Pikërisht këtu shfaqet rreziku i përçarjejes.

    Nevojitet të merret një vendim i vështirë. Kostoja politike rritet. LVV-ja përballet me presionin e bazës. Koalicioni fillon përçarjen, ndërsa partneri që ka marrë përsipër kompromisin mund të përfundojë duke e mbajtur i vetëm koston politike.

    Në këtë skenar, LDK-ja bëhet pjesë e qeverisë në emër të përgjegjësisë shtetërore dhe akuzohet nga partneri në koalicion për “shitje të interesave kombëtare” kur kompromiset e nevojshme bëhen të papëlqyeshme.

    Presidenca si sigurim politik

    Pikërisht në këtë këndvështrim kërkesa për presidencën merr kuptim tjetër.

    Ajo nuk është thjesht kërkesë për prestigj apo dëshirë për pjesëmarrje në pushtet, por për siguri politike. Nëse të dyja partitë duhet të qeverisin së bashku, duhet t’i bashkëndajnë edhe rreziqet politike të vendimeve që merren.

    Presidenca, natyrisht, nuk do t’i mundësonte LDK-së të kontrollonte qeverinë, por i jep asaj një pozitë institucionale autonome dhe kontribuon në balancimin e koalicionit, në të cilin LVV-ja ka kryeministrin dhe peshën më të madhe parlamentare.

    Logjika është kjo: nëse duhet t’i përballojmë së bashku pasojat e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, asnjëri prej partnerëve nuk duhet të ketë mundësi, në momentin kur kostoja politike bëhet tepër e lartë, ta paraqesë veten si spektator apo viktimë e vendimeve të marra nga koalicioni.

    Prandaj, LDK-ja e kërkon presidencën sepse e di se detyrimet ndërkombëtare do rikthehen në tryezë, duke qenë e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë dhe me besimin se nuk do akuzohet si përgjegjëse politikisht për vendimet e marra bashkërisht.

    Po sikur Prishtina të mos arrijë ta zgjidhë këtë kontradiktë?

    Kjo pyetje shkon përtej koalicionit të ardhshëm. Dialogun në Bruksel është instrumenti kryesor i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky mekanizëm presupozon që kompromiset e negociuara të shndërrohen në vendime politike.

    Ç’ndodh nëse institucionet e Kosovës mbeten të bllokuara për një kohë të gjatë, apo çdo përpjekje për zbatimin e detyrimeve shkakton një krizë të re politike?

    Partnerët perëndimorë mund të arrijnë në përfundimin se problemi nuk është vetëm vështirësia e dialogut me Beogradin, por edhe aftësia e Prishtinës për të zbatuar detyrimet që vetë i ka pranuar.

    Do të ishte e parakohshme të themi se Brukseli apo Uashingtoni po shqyrtojnë tashmë kthimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Raportet aktuale të forcave, veçanërisht pozicioni i Rusisë dhe Kinës, e bëjnë një perspektivë të tillë jashtëzakonisht komplekse.

    Një pikëpyetje në kontekstin e sotëm gjeopolitik

    Lufta në Ukrainë e ka rritur rëndësinë strategjike të stabilitetit të Ballkanit për Evropën. Nëse institucionet e Kosovës tregohen për një kohë të gjatë të paafta për t’i zgjidhur kontradiktat e tyre, presioni më i madh ndërkombëtar dhe përfshirja më e drejtpërdrejtë e partnerëve perëndimorë janë skenarë që nuk mund të përjashtohen plotësisht.

    Paradoksi do të ishte i madh: sa më shumë që Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin e saj politik, aq më shumë paaftësia për t’i zgjidhur kontradiktat e veta mund të shkaktojë rikthimin e ndërhyrjes së jashtme.

    Një koalicion i bazuar në ndërvarësi

    Ndoshta ekziston, pas negociatave të tanishme, një realitet që të dyja palët preferojnë të mos e shprehin hapur: LVV-ja dhe LDK-ja nuk i besojnë mjaftueshëm njëra-tjetrës që koalicioni i tyre i ardhshëm të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të liderëve të tyre. Por një koalicion demokratik nuk ka nevojë domosdoshmërish për besim absolut ndërmjet partnerëve.

    Ai ka nevojë për mekanizma që e bëjnë të kushtueshme prishjen e koalicionit dhe e vështirësojnë politikisht mungesën e besnikërisë ndaj partnerit.

    Nëse LDK-ja ka frikë se do braktiset pasi të ketë marrë përsipër vendimet e vështira që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ajo kërkon garanci. Nëse LVV-ja ka frikë se LDK-ja do ta shtyjë qeverinë në një drejtim që bie ndesh me mandatin e saj politik, edhe ajo kërkon garanci.

    Prandaj, zgjidhja, me gjasë, nuk është t’u kërkohet të dyja partive që t’i besojnë njëra-tjetrës, por të ndërtohet një sistem në të cilin asnjëra prej tyre të mos ketë interes ta “tradhtojë” tjetrën. Kjo mund të realizohet përmes presidencës, por edhe përmes një marrëveshjeje të qartë koalicioni, mekanizmave të konsultimit për çështjet e ndjeshme, një ndarjeje të qartë të përgjegjësive institucionale dhe garancive politike reciproke.

    Koalicioni i mirëbesimit

    Me fjalë të tjera, nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një koalicion të bazuar në besim, por një koalicion të bazuar në ndërvarësi. Ky mund të jetë kushti që një aleancë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së të mbijetojë përballë testit të parë të vërtetë politik.

    Sepse ky test nuk do të jetë ndarja e posteve. Ai do të vijë ditën kur Brukseli dhe Uashingtoni t’i kërkojnë Kosovës të marrë një vendim që njëri prej dy partnerëve do ta konsiderojë politikisht të rrezikshëm. Në atë moment Kosovës nuk do t’i duhet një koalicion që i beson njëri-tjetrit, por një koalicion, mekanizmat institucionalë të të cilit e pengojnë secilin të fitojë politikisht duke u distancuar nga tjetri.

    Çështja e presidencës mund të jetë, pra, shumë më e rëndësishme sesa betejat për një post. Ajo është përpjekja e parë për të ndërtuar garancitë që një koalicion i ardhshëm LVV-LDK do të ketë nevojë për të marrë së bashku vendimet e vështira që Kosova nuk mund t’i shtyjë pafundësisht.

    Pyetja një milion euro

    Në fund, mbetet një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a dëshiron LVV-ja, si partia e parë, një marrëveshje koalicioni të qëndrueshme, të aftë t’i mbijetojë kërkesave të vështira që do të vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni? Apo është e gatshme të shkojë në zgjedhje të përsëritura derisa të sigurojë një shumicë komode në Kuvend, edhe nëse mbetet përkohësisht në opozitë?

    Nëse nuk ndërtohen mekanizma të vërtetë ndërvarësie – si presidenca apo garanci të tjera institucionale – atëherë alternativa logjike që mbetet është mosmarrja e vendimeve përmes krizave të reja dhe zgjedhjeve të reja. Prandaj, kriza aktuale nuk është veç çështje për ndarjen e posteve, por e vullnetit të përbashkët politik për të qeverisur kur sfidat janë të vështira dhe vendimet bartin kosto të lartë.

    Ramadan Gjanaj, Politolog Bruksel 10.08.2026

  • Shqipërinë e pushtojnë protestat, qeveria nis të ketë frikë nga vetvetja

    Shqipërinë e pushtojnë protestat, qeveria nis të ketë frikë nga vetvetja

    Ka momente në historinë e çdo shoqërie kur pjesëmarrja në një protestë ndalon së qeni akt politik i kalkuluar dhe bëhet diçka shumë më thelbësore: nevoja njerëzore për t’u dëgjuar, për t’u parë, për t’u njohur si qytetar me dinjitet dhe jo thjesht si një votues me afat. Shqipëria e këtyre ditëve po kalon pikërisht nëpër atë moment dhe bën gabim të madh kushdo që e minimizon, e relativizon apo e kthen në çështje partiake atë që është, para së gjithash, një fenomen shoqëror i thellë.

    🌊 Rruga është zëri i fundit i atij që nuk dëgjohet

    Protestat e fundit, me shtrirje gjeografike që tejkalon Tiranën dhe shtrihet edhe në qytete të tjera brenda vendit e gjer në komunitetet shqiptare të Europës dhe Amerikës, kanë një karakteristikë që i bën të rëndësishme dhe të absolutisht të pangjashme me retorikë qeveritare: bashkojnë njerëz nga shtresa, mosha dhe bindje krejtësisht të ndryshme. Kjo nuk është shenjë manipulimi por shenjë e konvergjencës autentike të pakënaqësive reale.

    Kur sheshi mbushet plot pensionistë e studentë, me profesorë e punëtorë, me qytetarë pa flamur partie dhe me qytetarë me histori të gjatë militantizmi, atëherë kjo nuk është më çështje organizatorësh. Është çështja e realitetit që e ka prodhuar. Dhe ky realitet nuk mund të fshihet më, as me konferenca të pafundme për shtyp, as me kundërmitingje e as me statistika të fabrikuara me kujdes.

    🎭 Anatomia e një pushteti që luan me pasqyra

    Çdo qeveri që qëndron gjatë me metoda jodemokratike ndërton rreth vetes një ekosistem të tërë mbrojtës — institucione të varura, media miqësore, narrativa të kontrolluara, aparate administrative që funksionojnë si zgjatim i vullnetit qeveritar dhe jo si shërbim publik. Por kjo nuk është veçori shqiptare: është dinamika e njohur e çdo pushteti që ka qëndruar mjaftueshëm gjatë për të ngatërruar interesin e shtetit me interesin e vetë mbijetesës.

    Regjimi i Ramës po shfaq tani me të gjithë qartësinë e mundshme pikërisht këtë arsenal mbrojtës, pra shantazh ndaj individëve të ekspozuar dhe të cenueshëm, presion të tërthortë e të drejtpërdrejtë mbi çdo zë kritik, mobilizim të medias “miqësore” për të deformuar përmasat dhe thelbin e protestës, e deri te prodhimi i antimitingjeve si spektakël i forcës dhe i popullaritetit.

    Por ka një paradoks të thellë në të gjitha këto veprime: sepse një pushtet që ndjehet vërtet i sigurt nuk ka nevojë të dëshmojë çdo ditë se është i fortë. Demostrimi i vazhdueshëm i forces, mbledhja e turmave me autobusë, thirrjet e zhurmshme për besnikëri, rritja e volumit të propagandës nuk është shenjë qëndrueshmërie. Është shenjë frike. Dhe frika, siç e kanë dëshmuar historikisht të gjitha regjimet antipopullore, është shpesh simptoma më e qartë e fundit të afërt.

    Historia moderne na ka mësuar me durim, por fatkeqësisht edhe me gjak, se regjimet që hyjnë në fazën e konsumimit të tyre ndjekin një skenar pothuajse identik. Fillojnë të flasin gjithnjë e më shumë për stabilitetin dhe gjithnjë e më pak për lirinë. Fillojnë të promovojnë rendin dhe heshin për drejtësinë. Fillojnë të identifikojnë armiq të brendshëm dhe të jashtëm si shpjegimin e vetëm të gjithë problemeve, si mburojë ndaj çdo llogaridhënieje reale.

    Romani i Çausheskut — një shembulli i cituar shpesh dhe me të drejtë — është ilustrimi më klasik i kësaj gjëje: manifestimet madhështore të fundit të regjimit nuk ishin prova e forcës; por ato, pa dashje, ishin një dëshmi e palëkundshme e brishtësisë së tij. Dhe kur turma e mbledhur për ta brohoritur nisi të fërgëllojë, bota e kuptoi se ekuilibri kishte ndryshuar diku, kjo, para se vetë regjimi ta kishte kuptuar.

    Por, Shqipëria nuk është Rumania e ’89-ës dhe krahasimet nuk mund të jenë mekanike. Mirëpo dinamikat strukturore kanë ngjashmëri të tmerrshme: pushteti që nuk di të dëgjojë, pakënaqësia që mblidhet në heshtje dhe pastaj shpërthen, aparati propagandistik që vazhdon të prodhojë optimizëm ndërkohë që realiteti thotë diçka krejt tjetër. Historia nuk përsëritet pike për pike, por rimon rregullisht strukturat e saj.

    ⚡  Dy të vërteta përballë njëra-tjetrës

    Çdo krizë politike e thellë është, në fund të fundit, një përplasje midis dy realiteteve paralele. Njëra është realiteti i pushtetit: i ndërtuar mbi shifra dhe statistika të selektuara, mbi komunikime të studiuara, mbi konferenca shtypi triumfaliste dhe mbi narrativa që portretizojnë çdo arritje si historike e çdo dështim si sabotatje e armiqve. Tjetra është realiteti i njerëzve: i pagës së pamjaftueshme dhe kostos së jetesës në rritje, i spitaleve gjithnjë e më të shtrenjta, i arsimit të degraduar, i drejtësisë selektive dhe i ndjesisë, gjithnjë e më të fortë dhe gjithnjë e më shpërthyese, se shteti nuk po punon për ta, por kundër tyre.

    Edi Rama e ka zgjedhur qartë cilës të vërtetë t’i shërbejë. Ka zgjedhur spektaklin ndaj substancës, formulën ndaj dialogut, kontrollin ndaj besimit. Por kjo zgjedhje ka një çmim dhe çmimi rritet e rritet çdo ditë që shkon pa u paguar.

    Sepse tragjedia e pushteteve të lodhura është pikërisht kjo: ata besojnë se e kanë ende kontrollin, ndërkohë që ngjarjet kanë filluar t’i kontrollojnë ata. Ata vazhdojnë të japin urdhra dhe të mbledhin oborrtarë, të ndërtojnë plane dhe të prodhojnë iluzione, por në thellësi të dramës, fati tashmë është bërë i pavarur nga vullneti i tyre. Sikurse personazhet tragjikë të Shekspirit, ata e shohin të gjithë lojën, por nuk shohin se loja ka ndërruar rregulla.

    🔴 E vërteta mund të vonojë, por nuk mposhtet kurrë

    Çdo sundimtar në histori që ka menduar se mund ta zëvendësonte besimin me bindje të detyruar, dialogun me trysni dhe lirinë me frikë, ka marrë në fund të njëjtin mësim. Realiteti mund të turbullohet, mund të vonohet, mund të maskohej për një kohë të gjatë. Por nuk mposhtet kurrë përgjithmonë.

    Protestat shqiptare nuk janë dhe nuk mund të jenë fundi i historisë. Por ato janë, padyshim, një pikë kthese: momenti kur shoqëria ka vendosur ta thotë me zë të lartë atë që e ka mbajtur brenda me vite. Dhe vendimi se si përgjigjet pushteti ndaj këtij momenti nuk do të përcaktojë vetëm fatin e qeverisë aktuale por do të përcaktojë edhe natyrën e demokracisë shqiptare për dekadën që vjen.

    Shteti demokratik nuk ka armik qytetarin që proteston. Armiku i tij është paaftësia dhe mosdëshira për të dëgjuar. Dhe kur ky lloj shteti e harron këtë dallim themelor, nuk humbet vetëm legjitimitetin. Humbet drejtën morale për të vazhduar të qeverisë.

  • Kush po përpiqet t’ia vjedhë qytetarëve sheshin

    Kush po përpiqet t’ia vjedhë qytetarëve sheshin

    Ka diçka të pazakontë në mënyrën se si njerëzit po dalin në rrugë këto ditë në Shqipëri. Nuk është ajo protesta klasike e militantëve të mbledhur me autobusë, as marshimi ceremonial i partive që matin forcën me flamuj e parrulla të gatshme. Kjo frymë duket ndryshe, sepse ka lindur jashtë zyrave politike, larg tavolinave të marrëveshjeve dhe pa komandën e zakonshme të liderëve që prej dekadash sillen si pronarë të revoltës publike.

    ✊ Një zemërim që nuk lindi në zyra

    Në bulevard po shfaqen njerëz që deri dje nuk kishin protestuar kurrë. Pensionistë që mezi mbajnë frymën ekonomike të familjes, të rinj që jetojnë me idenë e largimit, prindër që nuk shohin më asnjë garanci për fëmijët e tyre, qytetarë që për vite të tëra heshtën nga frika, nga lodhja ose nga bindja se asgjë nuk ndryshon. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kjo protestë po tremb kaq shumë.

    Sepse ajo nuk ka lindur për të sjellë një parti tjetër në pushtet. Nuk ka lindur as për t’i hapur rrugën një lideri të ri. Ajo ka lindur si refuzim i të gjithë sistemit politik që për 35 vite ndërtoi një Shqipëri ku qytetari ndjehet gjithmonë i tradhtuar, i grabitur dhe i përjashtuar.

    🎭 Pushtimi i protestës nga “organizatorët”

    Por sapo një revoltë qytetare fillon të marrë frymë vetë, menjëherë afrohen ata që duan ta administrojnë. Në ekranet televizive dhe në rrjetet sociale kanë nisur të shfaqen figura që vetëshpallen organizatorë, strategë, udhëheqës moralë të protestës, njerëz që kërkojnë të vendosin vulën e tyre mbi një zemërim që nuk u përket.

    Disa mbajnë fjalime në mikrofon dhe më pas përfundojnë në lista “intelektualësh” që, sipas propagandës së re virtuale, duhet të udhëheqin revolucionin. Të tjerë përpiqen të ndërtojnë struktura, shtabe, koordinime dhe hierarki, sikur qytetarët të mos ishin individë të lirë, por turmë që pret komandë.

    Është pikërisht këtu ku nis rreziku real për protestën.

    Sepse në momentin që një lëvizje qytetare fillon të identifikohet me emra të caktuar, ajo humbet fuqinë e saj më të madhe: anonimitetin kolektiv të revoltës. Protesta nuk është e askujt dhe pikërisht për këtë arsye është e të gjithëve.

    As partitë tradicionale, as figurat e reja që kërkojnë protagonizëm politik, nuk mund ta marrin pronësinë e saj. As militantët e vjetër, as patronazhistët modernë, as figurat që përpiqen të ndërtojnë karrierë mbi zemërimin popullor nuk mund të flasin në emër të mijëra qytetarëve që dalin në rrugë për hallet e tyre personale.

    🔥 Frika e pushtetit nga turma pa lider

    Qeveritë nuk kanë frikë nga protestat e kontrolluara. Përkundrazi, ato shpesh dinë si t’i menaxhojnë, si t’i konsumojnë dhe si t’i përdorin politikisht. Frika e vërtetë lind kur turma nuk ka kokë të prerë, kur revolta nuk negocion dhe kur zemërimi nuk kanalizohet nga partitë.

    Pikërisht kjo duket se po shqetëson pushtetin.

    Që në ditët e para nisi evidentimi publik i figurave që mbështetën protestën. U përdorën etiketime, sulme, intimidime dhe tentativa për të frikësuar këdo që ngrinte zërin. Ishte një përpjekje klasike për të personalizuar revoltën, për ta kthyer atë nga një shpërthim popullor në një konflikt mes individësh të caktuar dhe pushtetit.

    Por kjo strategji nuk prodhoi efektin e pritur. Përkundrazi, sa më shumë u tentua të frikësoheshin njerëzit, aq më shumë u shtua nervi publik. Sepse shqiptarët kanë filluar të kuptojnë se problemi nuk është vetëm një qeveri, por një kulturë e tërë politike që prej dekadash sillet me shtetin si me pronë private.

    Dhe për këtë arsye pushteti kërkon organizatorë. Sepse organizatorët mund të goditen, mund të komprometohen, mund të blihen ose mund të eliminohen politikisht. Një popull i tërë është shumë më i vështirë të neutralizohet.

    🧱 Një protestë me një mijë plagë

    Ndryshe nga protestat klasike shqiptare, kjo lëvizje nuk bashkohet rreth një kauze të vetme. Në atë shesh takohen zemërime të ndryshme, histori të ndryshme dhe plagë që politika i ka lënë hapur prej dekadash.

    Dikush proteston sepse nuk përballon më çmimet. Një tjetër sepse sheh vendin të zbrazet çdo ditë. Dikush tjetër sepse ndihet i poshtëruar nga korrupsioni, nga arroganca e pushtetit, nga padrejtësia që ka hyrë në çdo qelizë të jetës publike.

    Ka njerëz që protestojnë për tokën, për pronën, për pagat, për dinjitetin, për mungesën e shpresës. Ka qytetarë që ndihen të tradhtuar nga çdo parti që kanë votuar ndër vite. Dhe pikërisht ky shumëllojshmëri motivesh e bën protestën të fortë, por edhe të pamundur për t’u kontrolluar.

    Askush nuk del aty për të shpëtuar një politikan. Askush nuk marshon për të ngritur në fron një lider të ri. Turma nuk kërkon thjesht ndërrim emrash, por rrëzim të një mentaliteti të tërë qeverisës që ka mbijetuar duke ricikluar fytyra dhe premtime.

    Kjo është arsyeja pse tentativa për të ndërtuar “udhëheqës” artificialë shihet nga shumë protestues si një kurth i pastër politik.

    🇦🇱 Revolucioni i njerëzve pa podium

    Në fund, ndoshta forca më e madhe e kësaj lëvizjeje qëndron pikërisht te mungesa e një pronari politik. Ajo nuk ka një podium të vetëm, nuk ka një emblemë të vetme dhe nuk ka një lider që mund të dalë nesër e të bëjë pazare në emër të turmës.

    Organizatori real është qytetari anonim. Ai që ecën në bulevard pa kamera pas vetes. Gruaja që del për herë të parë në protestë. I riu që nuk pranon më të jetojë me idenë e arratisjes. Pensionisti që ndjen se është braktisur nga shteti që pagoi gjithë jetën.

    Kjo është arsyeja pse protesta ka krijuar një energji që politika nuk po arrin ta lexojë plotësisht. Sepse nuk funksionon me logjikën tradicionale të opozitës dhe pushtetit. Nuk është një luftë për rotacion, por për refuzim.

    Dhe ndoshta për herë të parë pas shumë vitesh, një pjesë e shqiptarëve po ndjen se po del në rrugë jo për dikë tjetër, por për veten.

    Nëse kjo frymë do të mbijetojë pa u kapur nga partitë, pa u deformuar nga egoja e individëve dhe pa u shuar nga frika, atëherë kjo protestë mund të mbetet gjatë në kujtesën e vendit jo si një demonstratë e zakonshme, por si momenti kur qytetarët vendosën të mos presin më shpëtimtarë.

    Sepse revolucionet e vërteta nuk lindin nga podiumet. Ato lindin kur njerëzit e zakonshëm kuptojnë se askush tjetër nuk do ta shpëtojë vendin në vend të tyre.

  • Kosova 27 vjet pas luftës: Mes kujtesës së çlirimit dhe hijes së të zhdukurve pa gjurmë

    Kosova 27 vjet pas luftës: Mes kujtesës së çlirimit dhe hijes së të zhdukurve pa gjurmë

    Ka data që nuk janë thjesht ditë kalendarike. Janë kufij mes dy botëve. Për Kosovën, 12 qershori mbetet pikërisht ajo vijë dramatike që ndau errësirën nga shpresa, frikën nga kthimi, mbijetesën nga ideja e lirisë. Ishte dita kur kolonat ushtarake të NATO-s hynë në qytetet dhe fshatrat e Kosovës, ndërsa pas tyre ecte një popull i tërë i rraskapitur nga lufta, spastrimet etnike, bombardimet dhe eksodi masiv.

    Pamjet e asaj vere vazhdojnë të jetojnë ende në kujtesën kolektive: tanket britanike që lëviznin ngadalë në rrugët e shkatërruara, helikopterët amerikanë që mbushnin qiellin me zhurmën e një sigurie të shumëpritur dhe njerëzit që qanin buzë rrugëve, jo nga frika, por nga ndjesia e pabesueshme se makthi po merrte fund.

    Megjithatë, historia e çlirimit të Kosovës nuk është vetëm histori feste. Është edhe histori humbjesh, varresh masive, familjesh të copëtuara dhe emrash që ende mungojnë në tryezat e shtëpive shqiptare. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, çdo përvjetor i çlirimit mbart një emocion të dyfishtë: krenarinë për mbijetesën dhe dhimbjen që ende nuk është mbyllur.

    🕊️ Dita kur Kosova doli nga errësira

    Në qershorin e vitit 1999, pas 78 ditësh bombardimesh të NATO-s mbi objektivat ushtarake serbe, regjimi i Beogradit u detyrua të tërhiqej nga Kosova. Lufta që kishte përfshirë vendin prej muajsh, duke lënë pas mijëra të vrarë dhe qindra mijëra të dëbuar, po hynte në fazën e saj më dramatike dhe njëkohësisht më vendimtare.

    Marrëveshja Teknike e Kumanovës hapi rrugën për largimin e forcave serbe nga territori i Kosovës, ndërsa Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së krijoi bazën për administrimin ndërkombëtar të vendit dhe hyrjen e trupave paqeruajtëse.

    Për shumë kosovarë, ato ditë kishin një ndjesi pothuajse surreale. Pas muajsh bombardimesh, masakrash dhe ikjesh masive drejt Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, papritur në horizont po shfaqeshin ushtarë të huaj që simbolizonin fundin e një epoke terrori. Dhe ndërsa Serbia tërhiqej, Kosova filloi të marrë frymë ndryshe.

    🚁 NATO dhe operacioni që ndryshoi Ballkanin

    Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë mbetet një nga momentet më të rëndësishme ushtarake dhe politike në historinë moderne të Ballkanit. Pas viteve të gjata të diplomacisë së dështuar në ish-Jugosllavi dhe pas refuzimit të marrëveshjeve të Rambujesë nga pala serbe, aleanca perëndimore vendosi të ndërhyjë ushtarakisht.

    Operacioni ajror, që zgjati gati tre muaj, solli kapitullimin e aparatit ushtarak serb në Kosovë dhe vendosjen e një prej misioneve më të mëdha paqeruajtëse të NATO-s.

    Në terren hynë rreth 50 mijë trupa ndërkombëtare nga dhjetëra shtete të botës. Ushtarët norvegjezë ishin ndër të parët që prekën tokën kosovare, ndërsa më pas vendi u mbush me një prani masive ndërkombëtare që synonte të garantonte sigurinë dhe stabilitetin.

    Për një popull që kishte jetuar mes frikës dhe pasigurisë, prania e KFOR-it nuk ishte thjesht ushtarake. Ishte psikologjike. Ishte ndjesia se dikush më në fund po e shihte Kosovën.

    🧳 Eksodi, kthimi dhe drama e dy popujve

    Lufta e Kosovës nuk prodhoi vetëm fitues dhe humbës politikë. Ajo krijoi drama njerëzore që vazhdojnë të rëndojnë edhe sot mbi kujtesën e rajonit.

    Mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë konfliktit, duke përfunduar në kampe refugjatësh apo në rrugë të pasigurta drejt kufijve. Kur trupat ndërkombëtare hynë në Kosovë, nisi një nga kthimet më të mëdha të refugjatëve në Europën e pasluftës. Njerëzit u kthyen në qytete të djegura, në shtëpi të rrënuara dhe në lagje ku mungonin familjarët. Megjithatë, kthimi mbante brenda një forcë të jashtëzakonshme: idenë se jeta mund të rindërtohej.

    ⚖️ Krimet e luftës dhe drejtësia ende e papërfunduar

    Bilanci i luftës së viteve 1998-1999 mbetet tronditës. Mbi 13 mijë njerëz humbën jetën, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën gjatë operacioneve ushtarake dhe spastrimet etnike.

    Në vitet që pasuan luftën, zbulimi i varrezave masive në territorin e Serbisë tronditi opinionin ndërkombëtar dhe konfirmoi përmasat e përpjekjeve për fshehjen e krimeve.

    Tribunali i Hagës ngriti akuza ndaj figurave të larta politike dhe ushtarake serbe për krime kundër njerëzimit. Mes tyre ishte edhe Sllobodan Millosheviçi, simboli politik i një epoke gjaku në Ballkan.

    Por pavarësisht proceseve gjyqësore, shumë familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë pa përgjigje. Drejtësia për ta mbetet e paplotë, sepse mungon gjëja më e rëndësishme: e vërteta për fatin e të dashurve të tyre.

    🕯️ Plaga që ende nuk është mbyllur

    Edhe sot, 27 vjet pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Janë emra që nuk kanë varr, histori që nuk kanë fund dhe familje që jetojnë mes shpresës dhe dëshpërimit.

    Në çdo përvjetor të çlirimit, përveç flamujve dhe ceremonive shtetërore, rikthehen edhe fotografitë e të pagjeturve. Janë fytyrat që kujtojnë se lufta nuk mbaron ditën kur heshtin armët.

    Sot KFOR-i vazhdon të jetë prezent në Kosovë me mijëra trupa nga vende të ndryshme të botës, ndonëse në numër shumë më të reduktuar se në vitin 1999. Prania e tyre është simbol i faktit se paqja në Ballkan mbetet ende një proces që kërkon kujdes, kujtesë dhe vigjilencë.

    Sepse çlirimi i Kosovës nuk ishte fundi i historisë. Ishte fillimi i një rruge të gjatë, të mbushur me plagë, sakrifica dhe përpjekje për të ndërtuar një shtet mbi kujtesën e dhimbjes.

    Dhe ndoshta mesazhi më i fortë i kësaj date mbetet pikërisht ky: liria mund të fitohet në luftë, por paqja e vërtetë ndërtohet vetëm kur drejtësia arrin të trokasë në çdo derë që ende pret përgjigje.

  • Nga “Non Grata” te rikthimi amerikan: si u përmbys një nga betejat më të ashpra politike të dekadës në Shqipëri

    Nga “Non Grata” te rikthimi amerikan: si u përmbys një nga betejat më të ashpra politike të dekadës në Shqipëri

    Ka momente në politikë kur një vendim i vetëm nuk mbyll një histori, por hap plagë të reja, krijon aleanca të papritura dhe ndez beteja që zgjasin me vite. Për Shqipërinë, shpallja “Non Grata” e Sali Berishës në majin e vitit 2021 ishte pikërisht një nga ato momente që nuk mbeti thjesht një akt diplomatik, por u shndërrua në një tërmet politik që përfshiu opozitën, raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe vetë mënyrën se si ndërtohej narrativa publike në vend.

    Në atë kohë, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit u paraqit si një sinjal i prerë kundër korrupsionit dhe minimit të demokracisë, ndërsa mbështetësit e Berishës e interpretuan menjëherë si një lëvizje të motivuar politikisht, të ndikuar nga klima paszgjedhore në Shqipëri dhe nga interesat e qeverisë socialiste. Përplasja nuk mbeti vetëm në nivel institucional. Ajo u kthye në një luftë totale për kontrollin e Partisë Demokratike, për legjitimitetin e opozitës dhe për vetë raportin që shqiptarët kishin ndërtuar prej dekadash me Amerikën.

    Sot, kur në Uashington po shfaqet një qasje krejt tjetër ndaj çështjes Berisha, shumë prej deklaratave të dikurshme tingëllojnë si jehonë e një epoke që po shembet mbi kontradiktat e veta.

    🇺🇸 Nga vendimi i Blinken te kthesa e Rubio

    Kur Anthony Blinken shpalli publikisht sanksionimin e Sali Berishës në 19 maj 2021, mesazhi dukej i qartë dhe i pakthyeshëm. Uashingtoni pretendonte se kishte hyrë në një fazë të re të luftës kundër korrupsionit në Ballkan dhe Shqipëria do të ishte një nga laboratorët kryesorë të kësaj strategjie.

    Por që në ditët e para, dyshimet nisën të qarkullonin me forcë. Koha kur ndodhi vendimi, vetëm pak javë pas zgjedhjeve parlamentare, krijoi bindjen te shumë demokratë se objektivi real ishte destabilizimi i opozitës dhe izolimi politik i Berishës. Në Tiranë, klima u ndez menjëherë, ndërsa kujtoheshin deklaratat e mëhershme të Edi Ramës, i cili kishte paralajmëruar se rivali i tij politik nuk do ta kalonte më Atlantikun.

    Katër vite më vonë, panorama duket krejt tjetër. Departamenti i Shtetit i drejtuar nga Marco Rubio ka zgjedhur jo vetëm të zbusë qëndrimin, por praktikisht të rrëzojë filozofinë mbi të cilën ishte ndërtuar vendimi i vitit 2021. Deklarata e bërë publike në vitin 2025, ku flitej për “vendime të politizuara të epokës Biden”, ishte sinjali i parë i fortë se në Uashington kishte nisur një rishikim i madh politik.

    Tani, me lejimin e udhëtimit të Berishës drejt SHBA-së, ai ndryshim nuk mbetet më thjesht interpretim diplomatik. Ai është bërë akt konkret.

    ⚔️ Lufta për Partinë Demokratike dhe përplasja me diplomatët

    Asnjëherë më parë në historinë e pluralizmit shqiptar një vendim amerikan nuk kishte prodhuar një tërmet kaq të madh brenda opozitës. Presioni mbi Lulzim Bashën për të përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar u rrit në mënyrë dramatike dhe Partia Demokratike hyri në spiralen më të rëndë të përçarjes së saj.

    Në qendër të kësaj përplasjeje doli ambasadorja Yuri Kim, e cila braktisi shpesh tonin tradicional diplomatik dhe u shndërrua në protagoniste të debatit politik shqiptar. Deklarata e saj se kush mbështeste “Non Grata”-n “do hajë bar” u kthye në simbolin më të diskutuar të asaj periudhe, duke ushqyer revoltën e demokratëve që e shihnin ndërhyrjen amerikane si tejkalim të kufijve diplomatikë.

    Berisha reagoi duke e akuzuar ambasadoren si “guvernatore të paemëruar”, ndërsa beteja mes palëve mori përmasa personale dhe institucionale. Çdo zhvillim brenda PD-së interpretohej tashmë përmes filtrit amerikan. Çdo lëvizje politike dukej sikur kalonte fillimisht nga ambasada dhe vetëm më pas nga forumet e partisë.

    Në atë klimë tensioni, deklaratat e zyrtarëve amerikanë u bënë gjithnjë e më të ashpra. Mbështetja për Yuri Kim ishte totale dhe mesazhi që vinte nga Uashingtoni synonte të mbyllte çdo hapësirë rikthimi për Berishën.

    Por realiteti në terren nisi gradualisht të sfidonte narrativën zyrtare.

    🔥 Arena Kombëtare, 8 janari dhe beteja për legjitimitet

    Kur Berisha mblodhi Kuvendin në “Arena Kombëtare”, duke demonstruar mbështetje masive në bazën demokrate, shumë prej parashikimeve të diplomatëve amerikanë nisën të lëkunden. Ideja se ai ishte i izoluar politikisht nuk përputhej më me pamjet që vinin nga terreni.

    Megjithatë, linja amerikane nuk ndryshoi. Gabriel Escobar insistonte se Berisha nuk përfaqësonte shumicën reale të demokratëve dhe se mbështetja që ai mobilizonte nuk kishte peshë elektorale. Pas ngjarjeve dramatike të 8 janarit 2022, përplasja mori tone edhe më të ashpra.

    Nga njëra anë ishte grupi i Berishës që kërkonte rikthimin e kontrollit mbi partinë. Nga ana tjetër ishte establishmenti diplomatik amerikan që këmbëngulte të mbështeste strukturën e drejtuar nga Basha dhe më pas nga Enkelejd Alibeaj.

    Në atë periudhë u krijua përshtypja se beteja për vulën dhe siglën e PD-së nuk zhvillohej vetëm në gjykata apo në selinë blu, por edhe në korridoret diplomatike. Çdo deklaratë amerikane ndikonte drejtpërdrejt në krizën e opozitës, ndërsa retorika bëhej gjithnjë e më dramatike.

    Kulmi erdhi kur Yuri Kim u bëri thirrje shqiptarëve të mos votonin kandidatët e lidhur me “Non Grata”-n, një ndërhyrje që kritikët e konsideruan të papajtueshme me standardet tradicionale diplomatike.

    🌀 Një kthesë që ndryshon narrativën politike

    Sot, ajo që bie më shumë në sy nuk është vetëm ndryshimi i qëndrimit ndaj Berishës, por kontrasti brutal mes deklaratave të dikurshme dhe realitetit aktual.

    Për vite me radhë, publikut shqiptar iu tha se vendimi ishte institucional, i pakthyeshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në luftën kundër korrupsionit. U përsërit vazhdimisht se “Non Grata” nuk mund të ndryshohej nga dinamika politike dhe se nuk ekzistonte asnjë mundësi rishikimi.

    Por zhvillimet e fundit kanë krijuar pikërisht pyetjen që shumëkush e shmangu për vite: nëse gjithçka ishte kaq definitive, pse narrativa ndryshoi kaq rrënjësisht?

    Në Shqipëri, kjo kthesë pritet të ketë pasoja të forta politike. Për mbështetësit e Berishës, ajo konsiderohet si triumf moral dhe provë se beteja e tyre kundër vendimit amerikan kishte qenë e drejtë. Për kundërshtarët, është një sinjal se diplomacia amerikane po hyn në një fazë të re pragmatizmi, ku interesat strategjike peshojnë më shumë sesa narrativat morale të së kaluarës.

    Një gjë megjithatë duket e sigurt: historia e “Non Grata”-s nuk do të mbahet mend vetëm si një konflikt mes një politikani shqiptar dhe Departamentit Amerikan të Shtetit. Ajo do të mbetet si episodi që për pesë vite rresht përçau opozitën, polarizoi opinionin publik dhe vuri në provë vetë besimin që shqiptarët kishin ndërtuar ndaj aleatit të tyre më të madh.

    Dhe tani që era në Uashington ka ndryshuar drejtim, shumë prej protagonistëve të dikurshëm duken sikur po përballen me hijet e deklaratave që vetë kishin bërë absolute.

  • Paradoksi i “lirisë”: Batoni kundër Hasanit, ose, kur aktivizmi quhet “huliganizëm” dhe propaganda “gazetari”

    Paradoksi i “lirisë”: Batoni kundër Hasanit, ose, kur aktivizmi quhet “huliganizëm” dhe propaganda “gazetari”

    Nga Dardan MITROVICA

    Jetojmë në një hapësirë ku kufijtë gjeografikë mes Kosovës dhe Shqipërisë janë bërë pothuajse të padukshëm për kulturën, ekonominë dhe mbi të gjitha, për idetë. Si qytetarë të botës së lirë, njerëzit në të dyja anët e Drinit kanë të drejtën legjitime të rreshtohen politikisht, të kenë bindje dhe t’i shpalosin ato kudo që ndodhen. Megjithatë, sapo këto ide kalojnë kufirin, fillon e shfaqet një teatër i çuditshëm absurdizmi dhe standardsi të dyfishtë.

    Skenari është sa real, aq edhe ironik.

    M’u përforcuan këto mendime teksa po lexoja një shkrim në gazetën e Nacional: “I arrestuar dy herë në Kosovë, “huligani” i VV-së bën thirrje për revolucion nga protesta në Shqipëri” .

    Pra, nga njëra anë, kemi banorin e Kosovës, Veron Hasani, me një njeri të lirë, me bindje të qarta dhe siç ndodh rëndom në demokraci, edhe aktivist i një partie politike, në këtë rast i Lëvizjes Vetvendosje. Mirëpo, kur kur vjen në Shqipëri, nuk do të thotë që t’i lesh bindjet e tua në Prishtinë, sepse nuk i lejojnë në pikën kufitare të Morinës. Si një individ i lirë në një hapësirë të lirë kombëtare, ai flet, diskuton dhe shpalos idetë e tij politike.

    Ndërsa në krahun tjetër, na shfaqet një gazetar nga Kosova, pikërisht Batoni. Edhe ky gazetar ka rrugëtimin e tij, edhe pse në kahje të kundërt me qytetarin Veron: në Kosovë gazetari Baton njihet si kundërshtar i ashpër i Lëvizjes Vetvendosje të Albin Kurtit, shkurt, si kundërshtar i aktivistit Veron. Të kuptohemi, në të drejtën e tij profesionale apo qytetare – është me kampin kundërshtar politik. Asgjë të jashtëzakonshme deri këtu; ky është pluralizmi.

    Por, pikërisht këtu nis kthesa absurde e historisë.

    Gazetari i transferuar në Shqipëri, ashtu si në Prishtinë, edhe në Tiranë vazhdon me betejat e tij: edhe aktivisti Veron që pas ardhjes në Shqipëri, është në anën e kundërt të gazetarit Baton dhe po me zell mbron tezat e tij politike. Mirëpo, si për ironi të fatit dhe të logjikës, në Shqipëri gjithçka mund të ndodhë përtej çdo logjike, gazetari Baton vendos të ndryshojë rregullat e lojës. Ai ngre gishtin e akuzës dhe deklaron se partia politike e Kosovës po “ndërhyn” në Shqipëri, duke e shitur aktivizmin e banorit të thjeshtë si një agjendë të organizuar e dashakeqe.

    Këtu lind pyetja që rrëzon të gjithë këtë kështjellë prej letre të propagandës: Pse aktivizmi i një qytetari të thjeshtë na qenka “ndërhyrje” e Lëvizjes Vetvendosje, ndërsa betejat politike që bën gazetari Baton na qenkan “liri e shprehjes”?

    Pse aktivisti, edhe pse i Lëvizjes Vetvendosja në Kosovë, por që është një person i lirë, etiketohet menjëherë si “huligan” apo përfaqësues i telekomanduar, ndërsa gazetari, që bën ekzaktësisht të njëjtën gjë por për llogari të kampit tjetër, nuk na qenka përfaqësues i asaj partie në Shqipëri?

    Ky është një standard i dyfishtë që ulëret. Nëse një qytetar nuk paska të drejtë të mbështesë idetë e tij përtej kufirit administrativ pa u akuzuar për “huliganizë,”, atëherë me çfarë të drejte morale një gazetar mund të importojë të njëjtën luftë llogoresh politike?

    E vërteta është se liria nuk mund të ndahet me thika e as me interesa. Ose jemi të gjithë njerëz të lirë që artikulojmë ide në një hapësirë të përbashkët publike, ose po pranojmë që disa kanë “leje” të bëjnë propagandë, ndërsa të tjerëve u mohohet e drejta për të pasur një zë. Çdo gjë tjetër është thjesht një lojë e lodhshme me hije, ku akuza për “ndërhyrje” përdoret vetëm si maskë për të fshehur humbjen e argumentit në fushën e hapur të ideve.

  • Nga Prof. Dr. Enver BYTYÇI – Edi Rama nuk është thjesht një zhgënjim, ai është kërcënimi më i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve!

    Nga Prof. Dr. Enver BYTYÇI – Edi Rama nuk është thjesht një zhgënjim, ai është kërcënimi më i madh i Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve!

    Regjizori i njohur dhe me zë të padiskutueshëm, Mevlan Shanaj, ka lëshuar publikisht pyetjen për kryeministrin Rama, duke i kërkuar atij se “Pse na zhgënjeve ne që të besuam”! Nuk dyshoj aspak në sinqeritetin e artistit të madh. Nuk e paragjykoj për faktin pse ai i ka besuar deri më sot Edi Ramës. Në shumë raste edhe intelektualët e mëdhenj duan të jenë të sigurt, kur shprehin një pikëpamje ose një qëndrim. Madje duan që të jenë perfekt dhe të mos dyshojnë se qëndrimin e tyre do ta refuzojë një kohë tjetër. Krejt normale është kjo.

    Ndërsa për ne që Edi Ramën e kemi njohur në distancë është ndryshe. Njohja në distancë shpesh herë të zhvesh nga nostalgjia e fëmijërisë ose e rinisë. Të bën më të vëmendshëm dhe të besueshëm në mendimin që pjek për një ngjarje, fenomen apo personazh. Por njohja në distancë bëhet vetëm atëherë kur personazhin, në rastin konkret Edi Ramën, e ke ndjekur në çdo kohë, në çdo hap, në çdo deklarim, në secilin prej akteve që ai ka kryer. Sepse arsyetimi dhe gjykimi për ngjarjen, fenomenin e personazhin nuk mund të jenë objektive, nëse nuk mundesh të bësh krahasimin midis çdo etape të zhvillimeve dhe qëndrimeve, në rastin konkret atyre politike. I mirënjohuri Mevlan Shanaj nuk ka patur as kohë dhe aq mundësi ta bëjë këtë. Nuk ka patur shans që ai ta ndjekë në secilin hap dhe në secilën vendimmarrje kryeministrin e vendit. Ndaj dhe ai nuk ka mundur që ta shohë më sytë e moszhgënjimit atë.

    Në fakt Edi Rama ka zhgënjzer ëndërrat e gjithë qytetarëve shqiptarë që në vitet e para të qeverisjes së tij. Në vitin 2013, edhe unë që kam votuar të djathtën, ju thosha miqve të mij “Le të ndodhë ndryshimi se këta socialistët mund t’i bëjnë së paku nja dy gjëra më mirë se sa ne demokratët”! Ndonjë më shihte me dyshim, kur thosha këtë lloj shprehje të besimit te kundërshtari politik. Por nuk është faj të besosh te e mira për vendin. Për një vit isha i rezervuar të bëj kritika të hapura ndaj qeverisë Rama, sërishmi me shpresën se ai do të bënte diçka më të mirë sesa demokratët e Sali Berishës. Por pas një viti u binda për plotësisht se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi im, ishte dhe do të ishte zhgënjimi i të gjithë shqiptarëve, madje kërcënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.

    Për mua që ndjek çdo ditë e çdo orë zhvillimet në Ballkan dhe në Kosovë ishte e qartë që në nëntorin e vitit 2014 se qeveria shqiptare e Edi Ramës po shkonte drejt një aleance të ngushtë e të gjithanshme me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq. Dhe se këtë ai nuk po e bënte për interesin e Shqipërisë. Po e bënte që të shihej nga BE dhe SHBA si faktor stabiliteti në rajon dhe kësisoj të “bënte diferencën” me paraardhësin e tij, të cilin e konsideronin pengesë “për pajtimin shqiptaro-serb”! Pra, po e bënte që të fitonte besueshmërinë e partnerëve perendimorë, pa pyet aspak nëse sjelljet e tij politike dhe diplomatike i dëmtonin ose jo interesat e shqiptarëve dhe në veçanti të Kosovës. Nga kjo aleancë lindën dhe u mbështetën të gjitha projektet e Beogradit për Kosovën dhe Ballkanin. U mbështet ndarja e Kosovës, krijimi dhe përpjekja për ta imponuar Open Balkan, si dhe shumë iniciativa të tjera pro serbe.

    Duke përfituar nga mbështetja ndërkombëtare, Edi Rama e përdori këtë për të ndërtuar brenda vendit një shtet feudo-autokratik. Derisa sa erdhi te sjellja prej feudali në lidhje me pronat e shqiptarëve. E kam paralajmëruar faktin se një ditë kupa do të dredhej, sepse prekja e pronës, grabitja e saj për t’ua dhënë miqve të Edi Ramës, atyre që quhen oligarkë, do ta sensibilizonte opinionin publik. Kjo tashmë ka ndodhur. Por janë shumë 13-14 vite për ta toleruar një qeverisje që vetëm grabit, që varfëron pjesën më të madhe të shqiptarëve dhe me taksat tona pasuron një grusht njerëzish. Janë shumë kaq vite të mos e vëresh se si kryeministri i vendit tënd ndërton struktura korruptive e kriminale brenda strukturave të shtetit. Se si ai koordinon veprimtarinë e strukturave të korrupsionit me eksponentët e krimit të organizuar, me të cilët konsumon verë speciale me çmime prej 33 mijë eurosh, ose sa pensioni 15 vjeçar i një pensionisti. Se si ai pret e përcjell në zyrën e tij eksponentët e organizatave mafioze ndërkombëtare, siç ishte rasti i eksponentit të organizatës terroriste të Sinaloas në Meksikë.

    Koha ka qenë e mjaftueshme edhe para dhjetë vitesh për të dalluar se Edi Rama i ka zhgënjyer shqiptarët. Do të mjaftonte kanabizimi i Shqipërisë për këtë. Do të mjaftonin aktet e grabitjes së votës dhe gjithçka tjetër, që e ka çuar Shqipërinë në këtë situatë kaq të vështirë. Ndërkohë që qeverisja e Edi Ramës jo vetëm nuk bëri dy gjëra më mirë sesa ajo e mëparshmja, përkndrazi e bëri çdo gjë keq e më keq, si për inat të atyre që e besuan aq shumë kryeministrin e Shqipërisë. Megjithatë nuk është vonë. Asnjëherë nuk është vonë për ta parë dhe dëshmuar të vërtetën. Të vërtetën e hidhur se Edi Rama nuk është vetëm zhgënjimi, por edhe kërcënimi më i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët!

  • Nga Dardan MITROVICA: Kush e ushqen etjen për t’i dhënë mend opozitës shqiptare

    Nga Dardan MITROVICA: Kush e ushqen etjen për t’i dhënë mend opozitës shqiptare

    Në Shqipërinë politike, ku çdo lëvizje e një partie opozitare analizohet me lupë dhe komentohet me një intensitet që shpesh i ngjan një ndeshjeje futbolli të humbur me penallti, ka një fenomen që nuk shuhet kurrë: këshillat e atyre që nuk janë më pjesë e asaj partie, që nuk e duan, që e kanë braktisur, madje që e kanë sulmuar për vite me radhë. Ata shfaqen papritur në studio televizive, në rrjete sociale, në intervista të improvizuara, duke shpallur me ton profetik se opozita po gabon, se zgjedhjet e brendshme po bëhen keq, se strategjia është e gabuar, se drejtimi është i çoroditur. Dhe ndërsa e gjithë kjo zhurmë rrotullohet rreth një partie që përpiqet të gjejë veten, mbetet pezull një pyetje që askush nuk e shqipton me zë, por të gjithë e mendojnë: pse dikush që ka ikur, që është larguar me vetëdije, që e ka mbyllur derën pas vetes, vazhdon të sillet sikur ende ka çelësin e saj?

    🧩 Sindroma e “udhëheqësit të humbur” dhe etja për të mbetur në qendër të skenës

    Ka një lloj drame të heshtur që shfaqet sa herë dikush largohet nga një parti politike. Disa ikin me dinjitet, duke pranuar se rruga e tyre ka marrë drejtim tjetër. Por të tjerë ikin fizikisht, ndërsa mendërisht mbeten të lidhur me atë shtëpi politike, si ish-banori që endet rreth oborrit duke kontrolluar nëse dritat janë ndezur siç duhet.

    Këta ish-aktorë, të cilët dikur po, mund të kenë patur rol, ndikim, zë, sot shfaqen si komentues të paanshëm e të përhershëm të gabimeve të të tjerëve, veçanërisht Parisë Demokratike në opozitë. Ata flasin për zgjedhje të brendshme sikur të ishin ende pjesë e tyre, japin receta për fitore sikur të mos kishin humbur vetë më parë, tregojnë rrugën drejt pushtetit sikur të mos kishin dështuar ta mbanin atë.

    Në thelb, kjo sjellje nuk është thjesht politikë. Është psikologji, është frika e të mbeturit jashtë loje, është ankthi i të qenit i harruar, apo dëshira për të treguar se “pa mua nuk bëni dot”, edhe kur faktet tregojnë të kundërtën.

    Dhe ndërsa këta zëra rrotullohen rreth opozitës si satelitë të çliruar nga orbita, ata nuk e pranojnë dot se koha e tyre ka kaluar, se modeli i tyre nuk funksionoi, se populli nuk i ndoqi më. Prandaj sot, në mungesë të një partie të tyre, kërkojnë të ndërhyjnë në partinë e të tjerëve.

    🔍 Pse nuk krijojnë një parti tjetër? Frika nga prova dhe tundimi i kritikës së lehtë

    Në një vend ku pluralizmi lejon krijimin e partive të reja me një procedurë të thjeshtë, pyetja lind natyrshëm: pse këta kritikë të përhershëm nuk krijojnë një parti të tyre? Pse nuk i tregojnë shqiptarëve modelin ideal që kërkojnë t’u imponojnë të tjerëve?

    Përgjigjja është më e thjeshtë se sa duket:
    sepse është më e lehtë të kritikosh sesa të ndërtosh.

    Të ndërtosh një parti kërkon vizion, njerëz, organizim, sakrificë, terren, durim, besim. Të kritikosh kërkon vetëm një mikrofon. Të fitosh mbështetje kërkon punë të gjatë, të lodhshme, të përditshme. Të japësh mend kërkon vetëm një status në Facebook. Të marrësh pushtetin kërkon strategji, koalicion, përballje, rrezik. Të tregosh se si merret pushteti kërkon vetëm një intervistë 15-minutëshe, apo ndonjë pseudodebat i stisur.

    Këta zëra që sot flasin për opozitën, që e qortojnë, që e akuzojnë për gabime, shpesh janë të njëjtët që nuk patën guximin të ndërtonin diçka vetë. Disa prej tyre e provuan dhe dështuan. Disa të tjerë nuk e provuan kurrë, sepse e dinë se realiteti është shumë më i ashpër se teoria.

    Prandaj, në vend që të marrin përgjegjësi, ata zgjedhin të mbeten komentues të përhershëm të gabimeve të të tjerëve. Një rol i rehatshëm, pa rrezik, pa kosto, pa përgjegjësi.

    Pyetja që mbetet pezull në ajër

    Në fund të ditës, opozita shqiptare ka sfidat e saj, gabimet e saj, betejat e saj. Por ajo ka edhe të drejtën të ecë vetë, të gabojë vetë, të mësojë vetë, të ndërtojë vetë.

    Ndërsa zërat nga jashtë vazhdojnë të flasin, të komentojnë, të japin mend, mbetet pezull e njëjta pyetje që i përshkon të gjitha këto ndërhyrje të çuditshme, të lodhshme, të përsëritura:

    Ku e kanë hallin?

  • PD drejt një epoke të re: Këshilli i ri Kombëtar (lista e plotë) shënon kthesën më të fortë politike të dekadës

    PD drejt një epoke të re: Këshilli i ri Kombëtar (lista e plotë) shënon kthesën më të fortë politike të dekadës

    Në Tiranën politike të mbërthyer nga debatet, dyshimet dhe shpresat e një partie që kërkon të rigjejë veten, Partia Demokratike mbylli numërimin e votave të Kuvendit Kombëtar të 30 majit 2026, duke shpallur emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar. Një proces që, ndonëse teknik në dukje, mbart peshën e një rikthimi të shumëkërkuar: rikthimin e besimit të brendshëm, të kohezionit dhe të një vizioni të ri politik. Rezultatet, të konfirmuara pas përpunimit të tabelave nga 13 komisionet e numërimit, tregojnë jo vetëm fituesit, por edhe një transformim të thellë kulturor brenda strukturave të PD-së. Për herë të parë, të rinjtë arrijnë 30% të listës fituese—dyfishi i minimumit statutor—ndërsa kuotat e grave dhe vajzave respektohen me rigorozitet, duke sinjalizuar një frymë të re hapjeje dhe modernizimi. Në horizont qëndron edhe përfshirja e diasporës, e cila do të shtojë 15% të anëtarëve të rinj, duke e bërë këtë Këshill Kombëtar më gjithëpërfshirësin në historinë e partisë.

    🌐 Një listë që flet për ndryshim

    Përbërja e re e Këshillit Kombëtar nuk është thjesht një listë emrash; është një deklaratë politike. Ajo tregon se PD kërkon të dalë nga spiralet e përçarjes dhe të ndërtojë një identitet të ri, ku brezi i ri nuk është më dekor, por aktor kryesor. Dyfishimi i përfaqësimit të të rinjve nuk është rastësi, por një zgjedhje strategjike që synon të injektojë energji, ide dhe ritëm të ri në një parti që ka nevojë urgjente për të rifituar terren. Po aq domethënëse është edhe rritja e përfaqësimit të grave, një tjetër shtyllë e reformimit të brendshëm, që e vendos PD-në në një linjë më moderne me standardet europiane të përfaqësimit politik.

    🗳️ Procesi i votimit dhe hapat e ardhshëm

    Numërimi i votave, i kryer nga 13 komisione të dedikuara, nxori fituesit në një garë ku disa kandidatë u renditën me pikë të barabarta në kufijtë e listës—një tregues i konkurrencës së fortë dhe i interesit të lartë për të qenë pjesë e strukturës së re. Por procesi nuk mbyllet këtu. Sipas statutit, 15% e vendeve do t’i shtohen përfaqësuesve të diasporës, të cilët do të propozohen nga kryetari i partisë dhe do të miratohen nga Kryesia. Ky hap pritet të sjellë një dimension të ri, duke përfshirë zërat e shqiptarëve jashtë vendit, të cilët prej vitesh kërkojnë një rol më aktiv në politikën e brendshme.

    Opinioni i gazetatjeter.net: PD në provën e së vërtetës, tani struktura e re kërkon edhe kulturë të re politike

    Procesi i zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar të PD-së nuk është thjesht një ushtrim organizativ; është një test i maturisë politike të një partie që ka kaluar stuhi të njëpasnjëshme. Dyfishimi i përfaqësimit të të rinjve dhe respektimi i kuotave gjinore janë hapa të rëndësishëm, por ato nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me një kulturë të re politike, ku meritokracia dhe transparenca të mos jenë vetëm slogane, por parime të prekshme. PD ka nevojë të rindërtojë besimin e publikut, dhe kjo nuk arrihet vetëm me emra të rinj, por me mënyra të reja të të bërit politikë. Përfshirja e diasporës është një mundësi e artë për të sjellë perspektiva të freskëta, por edhe një sfidë për të menaxhuar diversitetin e mendimeve. Nëse kjo strukturë e re do të shndërrohet në motor reformash apo do të mbetet një fasadë kozmetike, kjo mbetet për t’u parë. Por një gjë është e qartë: PD nuk ka më luksin e gabimeve. Ky është momenti i saj i fundit për t’u ringritur me dinjitet dhe për të treguar se është ende një forcë politike me peshë reale në skenën shqiptare.

    Lista e plotë e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD