Lindja e mekanizmit të Bankës së fshehtë
Përmbajtjet psikike janë rezultat i aktivitetit të Fuqive Aktoriale të padukshme. Ky aktorialitet, nga njëra anë, në inkoshiencë do të programohet si ndjesi, si parandjenja, si simbolikë e ëndrrave e përfytyrimeve, si skicë-ide, para-ndjesi, jehona, telepati, etj., dhe, nga ana tjetër, në jetën e përditshme, do të paraqitet si formulime, synime e ide koshiente, si edhe në ngjarje të rastit, të caktuara. Akti i zëvendësimit të vetes fillestare me veten shijuese, ose me objekte shijues, ndodh edhe brenda jetës së çdo individi, sipas natyrës së tipave, që C. G. Jung i ka trajtuar në një mënyrë të përkryer. Kur ky zëvendësim, apo identifikim teprohet, atëherë, kjo vete fillestare reagon, për t´u vetëmbrojtur. Reagimet, fillimisht, do të jenë paralajmëruese; nëpërmjet ëndrrave, gjendjeve të këqija psikologjike, ngjarjeve të rastit, jo të favorshme dhe jo të këndshme, ankthit, gjendjes dizshijuese, depresive, etj. Këto sinjale paralajmëruese, do të bëhen më të theksuara duke provokuar fenomene patologjike, në fillim më të lehta dhe më vonë më të rënda, nëse individi nuk do të bëhet i ndërgjegjshëm për teprimet e lidhjeve të gabuara, apo për teprimin e vetëshijimit dhe të egërsisë. Ky “kundërveprim” i vetes fillestare, origjinale, ndaj individit realizohet sipas parimit të Bankës simbolike, që do të thotë se, ai ndodh me një rregullaritet sistematik, gradualitet, kuptim, drejtësi, inteligjencë perfekt, që do të ishte më e saktë t’i quanim, hyjnorë. Koshienca e individit luhatet midis oshtimave të veprimit të dy veteve, personaliteteve; të personalitetit fillestar, apo vetes legjitime, që vepron në mënyrë të vetvetishme, pa shtytës, ndërhyrës, dhe nga ana tjetër, të personalitetit, vetes aktoriale, që vepron nëpërmjet një besimi të vendosur gabim, nën diktatin e forcave uzurpuese e vetëshijuese, që shfaqen si një vezullim dhe diktat i nëndheshëm. Të dy këto vete, veprojnë si në inkoshiencë ashtu edhe në koshiencë. Problemi është se, cila prej tyre do të marrë revanshin, tek njeriu. Individi, do ta rifitojë apo jo personalitetin e tij të çliruar?
Funksioni dhe qëllimi i Bankës së fshehtë Banka e fshehtë funksionon mbi bazën e kriterit të vetes themelore, fillestare, dhe zhdëmton individin për teprimet e lidhjeve me objektet shijuese, me konstruktet vetëshijuese brenda vetvetes, dhunti, fuqi intelektuale, aktoriale, fizike, etj., ose, që është e njëjta gjë, për teprimet e vetëshijimit e të egërsisë. E thënë me fjalë të tjera; për teprimet e lidhjeve me fuqitë e padukshme aktoriale, që është teprimi i zhvendosjes prej vetes fillestare, aktive. Prej njeriut që jeton i lirë. Qëllimi i Bankës së fshehtë është ndërgjegjësimi i vetëdijes, që ajo të rivendosë vetveten dhe besimin, gjithnjë e më tepër drejt vetes së ligjshme, Personalitetit të Çliruar. (Njeriut të lirë) Personaliteti i çliruar nga vetë natyra e tij, posedon koshiencën e vërtetë për jetën, vullnetin, besimin, sigurinë, fuqinë dhe aktivitetin e pavarur. Është vetë jeta. Gjatë aktivitetit të tij, individi mbart dhe manifeston, në forma të ndryshme, gjendje të tepruara vetëshijimi, vetëkënaqësie dhe egërsie, gjendje që përbëjnë një vetëkonsum, pra edhe një harxhim të “parasë simbolike”. Banka e fshehtë, do të përllogarisë fatura pagesash në adresë të individit, mbi bazën e këtij konsumi dhe shpenzimi. Harxhimi i “parasë simbolike”, do të lëkundë aktivitetin psikik dhe jetësor të individit, që do të manifestohet me çrregullime psikike, flashkësi të besimit dhe vullnetit për jetën, me sëmundje dhe ngjarje të “rastit”, të pafavorshme etj.