Formulimet në terma psikike të Superlëndës
Monedha simbolike ose pasuria simbolike, para së gjithash, i siguron individit besimin e vetvetishëm dhe kuptueshmërinë e vetvetishme për të vetqenë dhe për të vepruar në jetë, pa të cilat çdo perceptim, çdo ide dhe çdo lloj eksperience, nuk do të mund të konceptohej dhe nuk do të mund të ndodhte. Eshtë e vështirë, megjithatë, të dallohen, të kuptohen veças, kuptueshmëria e vetvetishme dhe besimi i vetvetishëm, gjatë rrjedhës së jetës së përditshme, pasi ato janë vetë jeta dhe nuk mund të ballafaqohen me kritere të tjera, të njohura prej njeriut, që të mund të bëheshin të dallueshme. Ato janë formulime psikike të Superlëndës. Nuk është e lehtë të kuptohet, se edhe një veprim i thjeshtë, siç është ecja, nuk do të kishte asnjë kuptim dhe nuk do të ndodhte pa besimin e vetvetishëm dhe pa kuptueshmërinë e vetvetishme. Kjo situatë, mund të konstatohet nëpër ëndrra, ku individi ndodh të zhvendoset prej planit të kësaj kuptushmërie dhe nuk ka asnjë koncept, as për veprimin dhe as për një objekt të thjeshtë. Në botën tonë, njeriu gjendet në një pozicion të dhënë kuptueshmërie dhe besimi të vetvetishëm dhe gjithçka që mendon dhe zbulon, nuk mund të dalë jashtë caqeve të këtij vetpozicionimi, rrafshi, ose niveli psikik. Ndryshe, kjo mund të thuhet se, ai është i vendosur brenda një pafundësie të fundme. Por, në këndvështrimin kualitativ, ekzistojnë edhe pozicionime, nivele të tjera të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm. Kjo e vërtetë, mund të kapet nëpër ëndrra, ku njeriu përshkon detra, duke ecur përmbi ujë dhe, këtë veprim, do ta kryejë me natyralitet, pa u çuditur dhe pa u skandalizuar aspak. Kjo ndodh pikërisht kështu sepse individi, në ëndërr, pozicionohet në një plan ose nivel tjetër të kuptueshmërisë dhe besimit të vetvetishëm, të natyrshëm, sipas të cilave veprimi i ecjes përmbi ujë, i inspirohet atij i ndodhshëm, i natyrshëm dhe të gjithë përbërësit e tjerë psikikë si llogjika, normaliteti, etj., do të formohen menjëherë sipas këtij plani ose niveli kuptueshmërie dhe besimi.
Në të vërtetë, nuk do të ishte e drejtë të thuhet, se ky apo ai veprim është jashtë llogjikës apo normales; më e drejtë do të ishte të thuhet se, ky apo ai veprim, është jashtë një plani apo niveli të dhënë kuptueshmërie dhe besimi. Kuptueshmëria dhe besimi, janë formulime të lëndës së gjallë të jetës ose, me fjalë të tjera, të “Superlëndës”. Superlënda, është shumë më tepër se kuptueshmëria dhe besimi, pavarësisht se njeriu mund të dallojë vetëm disa formulime të saj. Deri në një farë mase, kjo mund të sqarohet nëpërmjet këtij figuracioni skematik: Të imagjinojmë se kemi në dorë një kuti të bukur, të punuar prej lënde arre, në të cilën njerëzit fusin sendet e tyre të rralla. Fakti që lënda e arrës shndërrohet në një kuti të bukur, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë si e tillë, si një lëndë arre. Ajo është njëkohësisht lëndë arre, por edhe një kuti, që përdoret për një qëllim të caktuar. Në të njejtën mënyrë, edhe kuptueshmëria, besimi, vullneti, dëshira, qartësia, synimi, tejpamësia, etj., ndërtohen, edhe këto, prej një lënde të cilën e emërtuam Superlëndë. Fakti, që kjo Superlëndë shndërrohet në formulimet psikike të mësipërme, apo në formacione të tjera, nuk do të thotë aspak se ajo i humb vetitë e saj si Superlëndë, pra, si një lëndë me vetëkoshiencë, dituri, vetëveprim, etj., pra, që mund të shndërrohet edhe në nivele të tjera kuptueshmërie, të cilat njeriu s´mund t´i njohë, sepse ai kupton, mendon, vepron, etj., i ndodhur në një nivel të caktuar kuptueshmërie, siç thamë më lart.