Një vit pas vdekjes së George Floyd ka pasur disa përpjekje për të zvogëluar dhunën dhe abuzimin, por rezultatet nuk duken
Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do të presë në Shtëpinë e Bardhë familjen e George Floyd, afro-amerikanit tw vrarë në Minneapolis nga polici Derek Chauvin, të martën është përvjetori i parë i vdekjes së tij. Vrasja e Floyd i dha shkëndijën fillimit të një prej lëvizjeve më të mëdha të protestave për të drejtat civile në historinë e fundit amerikane, një nga objektivat e së cilës ishte reformimi i thellë dhe në disa raste radikal i strukturës dhe praktikave të policisë amerikane.
Për muaj me radhë, gjatë protestave, slogani defund the police (“shkurto fondet për policinë”, do të kthehemi) kishte qenë një nga më të popullorët, dhe gjatë vitit të fundit janë bërë propozime të shumta legjislative për reformë si në nivel lokal ashtu dhe federal. Biden muajin e kaluar pati premtuar se brenda një viti nga vdekja e Floyd (d.m.th. deri të martën) do të kishte bërë të aprovohej nga Kongresi një reformë gjithëpërfshirëse të policisë të miratuar: ai dështoi, ligji është ende në diskutim në Senat, por ndërkohë. dhjetra shtete dhe komuna kanë miratuar ligje dhe rregullore të reja. Në përgjithësi, ndërsa janë larg kërkesave të protestuesve të të drejtave civile, rregullat e reja kanë garantuar disa hapa të vegjël përpara, por tani për tani nuk po arrijnë të zvogëlojnë problemin e dhunës policore.
Ligji federal (pra kombëtar, që do t’i prekte të gjitha shtetet) që Biden dhe Partia Demokratike do të donin ta kalonin sa më shpejt quhet “George Floyd Justice in Policing Act” dhe është një reformë e gjerë që rregullon aktivitetet e policisë në shumë këndvështrime. Parandalon sjellje të caktuara të konsideruara si të rrezikshme, siç janë teknikat për të imobilizuar të dyshuarit duke bërë presion në qafë dhe praktika të diskutueshme si no-knock warrant, domethënë urdhër kontrollet që i lejojnë agjentëve të hyjnë në pronë private pa paralajmërim më parë (në 2020 Breonna Taylor u vra nga policia në një operacion të këtij lloji). Ligji parashikon gjithashtu krijimin e një regjistri kombëtar të policëve që kanë sjellje problematike dhe ndalon profilizimin fetar ose racor, pra të aktivitete hetimore të bazuara në dyshime në lidhje me përkatësinë etnike ose fetare dhe jo në prova.
Mbi të gjitha, ligji do të shfuqizonte parimin e qualified immunity, (të imunitetit të kualifikuar), një pjesë ligjore që u jep imunitet nga proceset gjyqësore civile të gjithë zyrtarëve publik (jo vetëm policëve) për sa kohë që sjellja e tyre konsiderohet “në mirëbesim” dhe nuk shkel “të drejtat ligjore ose kushtetuese të përcaktuara qartë”. Parimi, i sanksionuar nga Gjykata e Lartë dekada më parë për të shmangur ankesat false ndaj zyrtarëve publikë, kohët e fundit është përdorur në shumicën dërrmuese të rasteve të brutalitetit të policisë për të shmangur pasojat në nivelin e drejtësisë civile, gjë që shpesh e bën të pamundur për familjet e viktimat të marrin edhe vetëm kompensim.
Abrogimi i këtij imuniteti është elementi kryesor i mosmarrëveshjeve midis demokratëve dhe republikanëve në Senat dhe arsyeja pse “George Floyd Justice in Policing Act” nuk është miratuar akoma: ligji kaloi lehtësisht në Dhomë, ku Partia Demokrati ka një shumicë absolute, por për të kaluar Senatin nevojiten 60 vota, dhe për këtë arsye bashkëpunimi edhe i disa senatorëve republikanë. Negociatat janë ende duke në vazhdim dhe, sipas New York Times, shpresat për një votim bipartizan janë mjaft të mira.
Përveç këtij ligji federal, dhjetëra shtete dhe administrata qytetase kanë miratuar ligje dhe rregullore lokale. Në një artikull të prillit, The New York Times llogariti që pas vdekjes së George Floyd, më shumë se 30 shtete të SHBA kanë aprovuar më shumë se 140 rregullore të reja e ndërkohë këto numra janë shtuar: javën e kaluar guvernatori i shtetit të Uashingtonit firmosi plot 12 ligje për reformën policore. Katër shtete kanë ulur imunitetin për agjentët e policisë, 10 e kanë bërë të detyrueshme që policët të kenë një kamerë të ndezur gjatë gjithë kohës, 16 kanë ndaluar manovrat për shtypjen në qafë të të dyshuarve dhe 5 kanë kufizuar përdorimin e no-knock warrant. Shumë shtete gjithashtu e kanë bërë më të lehtë raportimin e abuzimeve dhe akteve të brutalitetit policor.
Shumica e këtyre rregulloreve të reja janë miratuar në shtetet ku Partia Demokratike qeveris, por jo vetëm: në disa raste, si Kolorado, ka pasur nisma bipartizane legjislative dhe disa ligje të reformës policore janë miratuar edhe në shtetet republikane si Kentucky, Indiana dhe Iowa.
Shumë administrata qytetëse, nga të cilat varet buxheti i zyrave të policisë lokale, janë marrë kryesisht me shkurtimin ose kufizimin e fondeve të akorduara policisë, bazuar në filozofinë defund the police, qëllimi i së cilës nuk ishte të zeroste buxhetin e forcave të policisë por të transferonte një pjesë të fondeve në shërbime sociale si programe për rehabilitimin ndaj drogës dhe çrregullimeve mendore dhe programe arsimore. Aktualisht në Shtetet e Bashkuara është policia që ndërhyn – në disa raste duke përdorur edhe dhunë – në shumë kontekste problematike, që në vende të tjera, si ato evropiane, zakonisht menaxhohen nga organizma dhe operatorë të shëndetësisë ose shoqërorë. Ideja e heqjes së plotë të fondeve nga policia u shpreh vetëm nga disa grupe radikale të lëvizjes për të drejtat civile, dhe u adoptua si një element polemik mbi të gjitha nga forcat politike të djathta.
Sipas një të dhëne nga grupi Interrupting Criminalization të raportuar nga Axios, në vitin e fundit janë shkurtuar rreth 840 milion dollarë fonde nga policia, në ndërhyrje të ndryshme të zbatuara kryesisht nga administratat qytetase, të cilat kanë ndërprerë disa funksione specifike ose shkurtuar buxhetin vjetor të policisë, për shembull në Seattle me 20 përqind. 840 milion dollarë është megjithatë një shifër shumë e ulët nëse marrim parasysh se çdo vit fondet e akorduara nga qytete dhe administrata publike për policinë tejkalojnë 100 miliardë.
Në përgjithësi, përkundër përparimeve si në legjislacion ashtu edhe në rregullore, shumë aktivistë raportojnë përshtypjen se gjërat në të vërtetë nuk po përmirësohen, apo se progresi nuk është i mjaftueshëm. Ligjet e miratuara në nivel lokal janë një hap përpara por ende nuk prekin të gjithë kombin dhe mund të tjetërsohen me një ndryshim të guvernatorit. Mbi të gjitha, tani duket se efektet janë të pakta, pasi në vitin e fundit nuk ka pasur një rënie të vërtetë të dhunës policore.
Sipas qendrës studimore të Mapping Police Violence, në fakt, që nga fillimi i 2021 policia ka vrarë 414 persona, një shifër kjo në përputhje me ato të viteve të mëparshme (në vitin 2020, u vranë në përgjithësi 1,126 njerëz). Afroamerikanët vazhdojnë të përbëjnë rreth një të tretën e njerëzve të vrarë, pavarësisht se janë 13 përqind e popullsisë. Dhe policët në detyrë që vrasin njerëzit në detyrë vazhdojnë të mos përgjigjen: nga viti 2013, vetëm 1.7 përqind janë paditur dhe 0.4 përqind janë dënuar. Në këtë kuptim, dënimi i Derek Chauvin ishte një përjashtim.
Përgatiti Dardan MITROVICA