Panorama politike e Ukrainës ka qenë gjithmonë e vështirë për t’u deshifruar. Ndryshe nga Evropa, dikotomia mes të djathtës dhe të majtës nuk ka qenë kurrë kaq e theksuar. Ka lëvizje të ekstremit të djathtë, si Pravy Sektor dhe Svoboda, dhe ka parti që datojnë që nga galaktika komuniste e epokës sovjetike. Alternanca e ndodhur pas pavarësisë më 1991, megjithatë, ka përfshirë gjithmonë formacione pak a shumë centriste, të vështira për t’u kategorizuar në kategori politike tradicionale.
Kjo sepse në Ukrainë, që nga fillimi i shekullit të ri, strumbullari i vërtetë i diskutimeve ka të bëjë me marrëdhëniet me Rusinë. Politikanët në pushtet janë ndarë në filorusë dhe në filoperëndimorë. Deri më 2014, parlamenti dominohej nga formacionet më afër Kremlinit. Pas trazirave në Piazza Maidan, është krijuar një klasë e re drejtuese që është afër Perëndimit. Pra, kemi arritur në pyetjen që na intereson: nëse Rusia do të sulmonte vendin, kujt do t’i drejtohej?
Kush ka qenë në pushtet deri më 2014
Në vigjilje të protestave në sheshin Maidan, protagonistët e vërtetë të politikës ukrainase ishin Viktor Janukoviç dhe Mykola Azarov.
I pari ishte president i Republikës dhe i dyti kryeministër. Një tandem në fuqi që nga viti 2010, viti i zgjedhjes së Yanukovych dhe i hakmarrjes së tij personale kundër Viktor Yushenko, presidentit të parë properëndimor në historinë e Ukrainës, por i paaftë për të çuar përpara të ashtuquajturin “revolucion portokalli” të vitit 2004.
Yanukovych i besoi Azarovit drejtimin e qeverisë, pra rolin e kryeministrit, si dhe një post të spikatur në radhët e Partisë së Rajoneve. Një formacion, ky i fundit, i bërë gradualisht më i rëndësishmi në vend.
Kjo u pa në zgjedhjet parlamentare të vitit 2012, ku partia fitoi 187 vende nga 450 në Verchovna Rada, në Dhomën e Deputetëve të Ukrainës. Jo një shumicë absolute, por një numër i rëndësishëm për të formuar një koalicion qeveritar dhe për të mbajtur Azarovin në rolin e kryeministrit.
Sidoqoftë, parlamenti nuk dominohej nga filorusët. Në atë asamble ishin të përfaqësuara mirë edhe partitë që kundërshtonin afërsinë me Moskën. Atdheu Ukrainë, i formuar nga ish-kryeministrja Julia Timoshenko dhe Aleanca Demokratike, e ish-kampionit të boksit Vitalij Klycko, u ulën në opozitë me përkatësisht 102 dhe 40 deputetë.
Rezultatin më të bujshëm më 2012 e arriti Svoboda, në gjendje arrinte mbi 10% të preferencave, një ngjarje e paprecedentë për një parti të ekstremit të djathtë. Prezencën e bënë të ndjeshme edhe anëtarët e Partisë Komuniste me 32 deputetë.
Tandemi Yanukovych – Azarov i Partisë së Rajoneve filloi të lëkundet në nëntor 2013, kur presidenti ukrainas njoftoi qëllimin e tij për të mos nënshkruar një marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke preferuar njëkohësisht të përforcojë aleancën me Moskën. Nga ky moment nisën protestat të cilat kulmuan më pas me rrëzimin, më 22 shkurt 2014, të Yanukovych nga presidenca.
Ku kanë përfunduar protagonistët
Protestat në Sheshin Maidan kanë shkaktuar, nga pikëpamja e pastër politike, zhdukjen pothuajse totale të një partie të tërë, të asaj filoruse. Në vend të saj, morën revanshin filoperëndimore.
Klasa drejtuese e Partisë së Rajoneve në pjesën më të madhe u largua nga Ukraina. Një mërgim vullnetar për të shmangur ndjekjen penale për tradhti të lartë të lidhur me humbjen e Krimesë dhe fillimin e konfliktit në Donbass.
Mbrëmjen e 20 shkurtit 2014, Viktor Yanukovych u spostua në Kharkiv. Këtu Partia e Rajoneve kishte një bazë të rëndësishme votuesish. Zyrtarisht, ish-presidenti ukrainas ishte spostuar këtu për një takim me drejtuesit lokalë të partisë. Në fakt, ai ndoshta ndjeu se ishte më i sigurt në Kharkiv sesa në Kiev.
Të nesërmen parlamenti e shkarkoi. Në atë pikë, sipas asaj që u zbulua më vonë në 2015 nga presidenti rus Vladimir Putin, sektorët më ekstremistë të Sheshit Maidan do të kishin dashur ta shihnin të vdekur. Natën e 23 shkurtit, me ndihmën e forcave të sigurisë së Moskës, Yanukovych arriti të kalonte territorin rus.
Nga ai moment e deri më sot ai nuk ka shkelur kurrë më në Ukrainë. Më 23 janar 2019, u dënua me 13 vjet për tradhti të lartë. Aktualisht, zyrtarisht, jetonte në Rostov të Rusisë.
Protagonisti tjetër i atij sezoni politik, Mykola Azarov, zyrtarisht është në Austri. Ish-kryeministri ia pati arritur të largohej nga Kievi që para se situata të përkeqësohej. Më 31 janar 2014, në përpjekje për të frenuar protestat, ishte dorëhequr nga posti i tij duke fluturuar për në Vjenë. Edhe ai nuk është kthyer kurrë më në Ukrainë që nga ajo kohë. Përveç Janukoviçit dhe Azarovit, nga vendi janë larguar edhe shumë liderë të tjerë të Partisë së Rajoneve. Formacioni politik filorus, pas Maidan-it, faktikisht është shpërbërë.
Kush e ka marrë trashëgiminë politike të Partisë së Rajoneve
Ndryshimi i papritur i lidershipit në Kiev u vulos më pas nga fitorja e biznesmenit properëndimor Petro Poroshenko në zgjedhjet presidenciale të majit 2014. Në tetorin e ardhshëm u zgjodh parlamenti i ri. Këtu Partia e Rajoneve nuk u paraqit.
I vetmi formacion qartësisht filorus përfaqësohej nga lista e Bllokut të Opozitës, e cila që nga ai moment mori në dorë trashëgiminë politike të Partisë së Rajoneve.
Por mori vetëm 29 deputetë dhe një rol pothuajse të papërfillshëm në parlamentin e ri. Sidoqoftë, ndër anëtarët e zgjedhur më 2014, bien në sy emra sot mjaft aktualë. Duke filluar me Yevhen Murayev. Me origjinë nga Kharkiv, në vitin 2016 ka bërë të flitet shumë për të, për shkak të formimit të një partie të re filoruse të quajtur “Për Jetën”. Pasi kontribuoi në lindjen dhe rritjen e listës, në vitin 2018 Murayev vendosi në mënyrë sensacionale të themelojë një parti tjetër, Nashi, e cila nuk mundi të hyjë në parlament më 2019.
Blloku i Opozitës ndërkohë filloi të drejtohej nga Jurij Bojko, ndërsa nga radhët e Bllokut për Jetën doli Vadim Rabinovich.
I pari është në fakt i vetmi “i mbijetuar” politik i sezonit Yanukovych, pasi ka qenë zëvendëskryeministër ndërmjet viteve 2012 – 2014. Ndërsa i dyti është një biznesmen me origjinë hebre, që hyri në politikë vetëm pas Maidan-it dhe me një të kaluar të diskutueshme gjyqësore. Murayev, Bojko dhe Rabinovich përfaqësojnë emrat më të rëndësishëm në galaktikën politike filoruse të pasvitit 2014 deri më sot.
Në parlament, në zgjedhjet e 2019, Blloku i Opozitës dhe Blloku për Jetën së bashku morën 43 deputetë, duke i vendosur ata në vendin e dytë pas partisë së Presidentit Zelensky. Këtyre emrave iu duhen shtuar më pas edhe ai i një miku personal të Vladimir Putinit, Viktor Medvedchuk.
Edhe ai biznesmen, ka themeluar disa TV që u mbyllën majin e kaluar me akuzën e propagandës filoruse. Vetë ai u dënua në arrest shtëpie me akuza të rënda për tradhti të lartë. Në planin politik, cilësohet si një nga financuesit më të rëndësishëm të partisë Për Jetën, por në të kaluarën ka qenë bashkëpunëtor i ish-presidentit Kuçma.
Ku mund të fokusohet Rusia?
Objekti kryesor i tensioneve aktuale ka të bëjë me pozicionin ndërkombëtar të Ukrainës. Kremlini nuk do të pranonte hyrjen e Kievit në Aleancën Atlantike. Këtu e ka pikënisjen edhe mundësia e pushtimit, pra nëse vazhdon dialogu midis qeverisë ukrainase dhe Perëndimit. Por në rast të një konflikti, do të ishte thelbësore që Moska të kishte një lidership të favorshme ndaj saj në Kiev.
Pyetja lind spontane: ku do të mbështetej Moska? Ish-presidenti Yanukovych është i mikpritur në territorin e Federatës Ruse, por vështirë se mund të shkelë në Kiev. Edhe për ish kryeministrin Azarov, nuk ekzistojnë kushtet për një rikthim në politikë. Kështu pra, klasa e vjetër sunduese para Maidan nuk duhet marrë në konsideratë.
Përkundrazi, Rusia me kënaqësi do t’i vinte sytë mbi disa prej njerëzve të “diasporës” së Partisë së Rajoneve. Njërit midis Bojkos, Rabinovich dhe Murayev. Ditët e fundit është përfolur shumë për këtë të fundit.
Shërbimet sekrete britanike e tregojnë pikërisht atë si personalitetin e zgjedhur për t’u vendosur nga Rusia në krye të një qeverie të ardhshme ukrainase pas pushtimit. Krahasuar me dy emrat e tjerë, Murayev do të kishte avantazhin e mosqenies në organikën e lidershipit para Maidan.
Në rrjetet sociale, themeluesi i Nashi flet për nevojën e rinovimit të klasës politike, të fytyrave të reja për të parë në qeveri. Me pak fjalë, do të ishte personazhi më i paraqitshëm, por ai ka mohuar çdo kontakt me Kremlinin.
Edhe sepse, bën të ditur për Reuters analisti ukrainas Volodymyr Fesenko, midis Murayev dhe udhëheqësve rusë nuk ka marrëdhënie të mira. Mbetet në këmbë edhe një rol i mundshëm për t’iu dhënë të besuarit Medvedchuk.
Më pas është për t’u thënë edhe se një “zëvendësim” i thjeshtë në krye, edhe në rast pushtimi, nuk do të ishte aq i thjeshtë. Përkundrazi, hyrja e ushtarëve rusë në Ukrainë do t’i vinte në vështirësi palët më afër Moskës.
Një arsye më shumë për të besuar se rruga diplomatike për momentin mbetet ajo më e rëndësishmja.
Përgatiti: Dardan MITROVICA