Pavarësisht fizikut imponues që nëna natyrë ia pati dhuruar, lëvizte në fushën e blertë me elegancën e një mjellme dhe lehtësinë e një fluture, duke vrapuar në majë të gishtave si një balerin danci klasik. Pati mësuar, gjatë shumë viteve stërvitjeje futbollistike te Ajax, me mësuesin e tij Johan Cruijff, ta lexonte paraprakisht lojën, duke u vjedhur kohën mbrojtësve dhe duke mbërritur para të gjithëve te top me një tempizëm të jashtëzakonshëm.
Fintet e tij, prekjet e topit, qëndrimi në fushë, spondat ajrore dhe asistet precize me të cilat dinte t’i çmarkonte shokët, ishin si një poemë e Leopardit me pantallona të shkurtra dhe këpucë. Mahnitëse dhe melankolike. Golat e tij akrobatikë, plot teknikë të pastër dhe me fuqi, të shënjuar pas të një aksioni koral apo duke përfituar nga një goditje dënimi, të ngjashme me pikturat e Leonardos nën notat e “Für Elise” të Ludovic Van Beethoven. Aq sa akoma edhe sot, duke i parë, me fanellat e Ajax dhe të Milanit, ose me uniformën portokalli të kombëtarez hollandeze, mbetesh pashmangshmërisht i magjepsur, pothuajse i pabesueshëm, në praninë e një bukurie të tillë.
Në Hall of fame të futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, sigurisht që nuk mund ta mungonte edhe Marco Van Basten, qendërsulmuesi më i rafinuar i futbollit modern dhe një nga më të fortët e të gjitha kohërave. Perfeksionist, fitues (24 tituj ekiporë të fituar në karrierë, të cilëve duhet t’u shtohen edhe 8 tituj personalë si golashënuesi më i mirë, një Këpucë e Artë dhe 3 Topa të Artë, si Cruijff dhe Platini), spektakolar, shumë i dashur nga tifozët, por edhe i pafat, i vuajtur dhe melankolik, kur problemet me kaviljen e djathtë “të mallkuar” e çuan në harkun e pak viteve nga më i miri në botë në tërheqjen të parakohshme.
GOLA SPEKTAKOLARË DHE MOMENTE TË PAHARRUESHME
Nga goli në ajër kundër BRSS në finalen e Euro ’88, në xhiron ngashëruese të lamtumirës në Stadiumin e San Siros më 18 gusht 1995, përpara Trofeut Berlusconi, karriera e “Mjellmës së Utrechtit”, të cilin Silvio Berlusconi e quante “Nurejevi i futbollit” është e pasur me momente të pashlyeshme, të destinuara të mbeten përgjithmonë në historinë e futbollit.
Para së gjithash, janë golat e Marco-s. Të shumtë dhe të mrekullueshëm, të shënuar në të gjitha mënyrat. Gjithsej 314, nga të cilët 277 me skuadrat e klubeve, 24 me kombëtaren holandez dhe 13 me kombëtaren Under 21 portokalli. Të shënjuar me kujdes në fletore, siç e pati mësuar baba Joop-i.
Para së gjithash, është ai që, është ndoshta goli më i bukur i Evropianit, ka nga ata që thonë edhe i të gjitha kohërave, i shënuar në ndeshjen më të rëndësishme për Holandën, finalen e Euro ’88, kundër BRSS. Është e 54′, Portokallinjtë janë në avantazh 1-0 falë goditjes me kokë të Gullit, i zoti në ekzekutimin e një pasi ajror pikërisht nga Van Basten dhe Marco vendos të hyjë përgjithmonë në historinë e futbollit.
Muhren, nga e majta, bën një cross të gjatë drejt shtyllës së dytë. Trajektorja kalon mbi Gullit, i pozicionuar në qendër të zonës dhe arrin te Van Basten, i cili është në një pozicion shumë të pjerrët nga shtyllën e dytë. Të gjithë mendojnë për një cross drejt qendrës, por përkundrazi, në një fraksion sekonde qendërsulmuesi koordinohet në mënyrë të përsosur dhe me një goditje spektakolare dhe të fuqishëm në ajër përkul duart Dasaev, aso kohe një nga portierët më të mirë në botë, duke firmosur një nga golat më ikonikë në historinë e futbollit. Ai që do t’i japë Holandës sigurinë e suksesit të saj të parë (dhe deri më tani të vetmin) ndërkombëtar.
Sa i përket teknikës dhe spektaklit, duhet të kujtojmë të paktën edhe dy gola të tjerë. I pari i realizuar shumë i ri në Eredivisie, me fanellën e Ajax, më 9 nëntor 1986 e që është “imazhi i bukurisë”, siç Marco vetë do ta përkufizonte. Është minuta e 70′ dhe kundërshtarët e ‘Lancers’ sapo e kanë shkurtuar rezultatin, duke e çuar në 2-1. Van’t Schip hapet në të djathtë për Wouters, i cili bën një krosim të shpejtë poshtë drejt zonës së penalltisë. Van Basten koordinohet në mënyrë akrobatike dhe me një roveshatë (që të lë pa frymë teksa e shikon) nga lart e kalon topin në rrjetë, duke e dërguar atë në trekëndëshin e sipërm të portierit kundërshtar.
Ja se si qendërsulmuesi e përshkruan atë gol në autobiografinë e tij, “I brishtë”:
“E di çfarë po bëj, por s’e di ende nëse rezultati do të jetë i pranueshëm. Mund edhe të më shkojë keq. Është një krosim nga mbrapa, kështu që ka pak mundësi. Është gjithmonë goditja me kokë, por zgjidhja ime është ndoshta më e mirë. Topi noton në boshllëk… […] Duke shfrytëzuar shpejtësinë arrij menjëherë të kthehem dhe arrij të qëndroj pezull i kthyer pas, në ajër. Kjo është gjimnastikë e klasit të lartë. Normalisht, për të kërcyer, i jap vetes vrull me këmbën e djathtë, këtë herë me të majtën… […] Është një ekuilibër i pasigurt, në të cilin gjithçka duhet të përshtatet. Mund ta kalosh brenda, ashtu siç mund të thyesh qafën. Dhe në fund është kthesa… […] E imja është një gjuajtje me të djathtën… […] Ulem mirë, mbi njërin krah. Prek sërish tokën në momentin që topi shkon në trekëndëshin e sipërm”.
Gjithmonë në akrobaci, nuk mund të mos e theksojmë, me fanellën e Milanit, bëma në ndeshjen e Champions League kundër IFK Göteborg më 25 nëntor 1992, në stadiumin e San Siros. Në atë ndeshje, Marco është thjesht shkatërrues, si një ciklon që godet suedezët fatkeqë dhe të shkretin portier Ravelli, plotësisht i asgjësuar. Shënon 4 gola, duke u bërë lojtari i parë që bën një poker në turne dhe i treti është më i bukuri i mbrëmjes, ndoshta më spektakolari i shënuar me fanellën rossonere.
Jemi në 61′, Djalli tashmë udhëheq për 2-0 dhe Eranio sulmon në të djathtë të zonës, për të bërë më pas një cross që i habit mbrojtësit skandinavë. Van Basten, si gjithmonë, lexon perfektmërisht trajektoren dhe në pak sekonda koordinohet në akrobaci dhe me një gërshërë godet predhë topin, i cili përfundon në rrjetë, i paprekshëm dot në të majtën e Ravellit. Një kryevepër në kohë, precizion dhe koordinim.
Por ikonografia e futbollit të Van Basten përfshin shumë momente të tjera dhe një vorbull emocionesh. Debutimi i tij në skuadrën e Parë te Ajax, duke hyrë nga pankina për të zëvendësuar mjeshtrin dhe idhullin e tij Johan Cruijff, ai dhe Johan duke luajtur kundër njëri-tjetrit apo që stërviten së bashku. Dhe akoma mirëkuptimi me Gullit dhe Rijkaard në treshen holandeze gjatë kohëve te Milani, festimet me gishtin e dorës së djathtë të shtrirë lart apo duke inskenuar një balet në flamurin e qoshes së fushës, kërcimi që s’mungonte kurrë për të marrë vrull para se të gjuante një penallti, duelet e ashpra dhe pa kufizime me golashënuesit më të fortë të kohës, nga Pietro Vierchowod te Riccardo Ferri, duke kaluar nëpër Pasquale Bruno, Jurgen Köhler dhe Sergio Brio.
Dhe duke vazhduar, numri i ri 12 që mbante mbi supe në Euro ’88, gëzimi i fitimit të Kupës së parë të Kampioneve kundër Barcelonës dhe ai i fitimit të Evropianit me kombëtaren dhe Kupës së dytë Internacionale me Olimpia Asunción, grimasat e vuajtjes kur kavilja s’e linte të qetë, zemërimi për Scudetton e humbur më 1990 kundër Napolit, lotët pas humbjeve sportive të Euro 92’ me Danimarkën, me penallti në gjysmëfinale dhe në Olympiastadion kundër Marsejës në finalen e Champions League 1993. Megjithatë, është 18 gushti 1995, është ai që i bëri të qanin me trishtim të gjithë tifozët e Milanit, që e kishin admiruar, ashtu si dhe dashamirët e futbollit, në ditën e lamtumirës ndaj publikut të San Siro-s, para Trofeut Berlusconi. Një xhiro e fushës prekëse, i veshur me një xhaketë prej lëkure reni prej lëkure, me të cilën njeriu që kishte bërë të dashuroheshin me futbollin aq shumë fëmijë, i tha lamtumirë përgjithmonë futbollit, vetëm 30 vjeç.
“Nën sytë e tetëdhjetë mijë njerëzve, jam dëshmitar i lamtumirës sime. Marco van Basten, futbollisti, nuk ekziston më – do të shkruajë Marco në autobiografinë e tij -. Po shikoni dikë që nuk është më. Po duartrokisni një fantazmë. Vrapoj dhe përplas duart, por tashmë nuk jam më… […] Nga thellësia ngrihet trishtimi i shpirtit. Më sulmon. Kori dhe duartrokitjet depërtojnë nën armaturën time. Dua të qaj, por nuk mund të shpërthej në lot këtu, si një fëmijë. Sforcohem të qëndroj i qetë… […] Ndaloj së vrapuari dhe së duartrokituri, xhiroja ka mbaruar. Diçka ka ndryshuar, diçka themelore. Futbolli është jeta ime. Kam humbur jetën time. Sot kam vdekur si futbollist. Jam këtu, i ftuar në funeralin tim”.
RINIA DHE AJAX
Marco Van Basten, i regjistruar si Marcel, lindi në Utrecht më 31 tetor 1964. Pasionin për futbollin, ia transmetoi babai Joop, ish futbollist që fitoi një kampionat holandez me Dos, praktikisht e kishte që që fëmijë. Pjesën tjetër do ta bëjnë talenti dhe vendosmëria e tij për t’u bërë numri një.
Gjashtë vjeç, Marco e filloi karrierën e tij te Edo (1970-1971), më vonë u transferua te UVV (1971-1980) dhe luan për një sezon me Elinkwijk (1980/81), të gjitha klube të qytetit të tij të lindjes.
Luan rregullisht me djem më të mëdhenj dhe kundërshtarët e tij për ta ndaluar shpesh përdorin mënyra të forta, por vetëm për të zbuluar më pas se është pothuajse e kotë. Marco shënon gola pafund dhe më 1981, në moshën 16 vjeçare, bëhet pjesë e të rinjve të Ajax. Gjithnjë më 1981, fillon edhe rrugëtimi i tij në kombëtare me Holanda Juniors, me të cilët renditet i treti në Turneun Ndërkombëtar të Cannes, duke shënuar një tregolësh kundër Italisë në finalen për vendin e tretë.
Më 3 prill 1982, në moshën 17 vjeç e gjysmë, debutoi me të mëdhenjtë në skuadrën e Parë kundër Nec dhe menjëherë është e qartë se është i destinuar për sukses: zë vendin e idhullit të tij, Johan Cruijff dhe shënon golin e parë të karrierës së tij profesionale. Cruijff më vonë do të bëhet trajneri i tij. Ajaxi do të jetë një shkollë rritjeje për Marcon dhe një trampolinë drejt lavdisë absolute: 152 gola në 172 ndeshje, me 3 Kupa të Holandës, 3 kampionate dhe Kupën e Kupave 1986-87, të arritura sigurisht nga një gol i tij, një gol fitues me kokë.
Edhe në nivel personal, çmimet bien si shi: 4 tituj golashënuesi më i mirë, me 31 golat në 1986/87 që i dhanë edhe Këpucën e Artë, dhe një Trofe Bravo si “lojtari i ri më i mirë U21”.
MILANI, FITORET E MËDHA DHE TOPAT E ARTË
Është në Itali, me Milanin, në Serie A që aso kohe konsiderohej unanimisht si kampionati më i bukur në botë, që Van Basten bëhet në të gjitha efektet një legjendë e futbollit. Rossonerët e blenë sipas parametrave të UEFA-s, duke ia rrëmbyer Fiorentinës e duke e paguar 2 milionë franga zvicerane, afërsisht 1.75 miliardë lira të kohës.
Marco, fillimisht me Arrigo Sacchi-n, me të cilin do të ketë një marrëdhënie dashuri-urrejtje, pastaj me Fabio Capello-n, bëhet shpejt finalizuesi ideal dhe sublim i një mekanizmi praktikisht të përsosur loje që tek ai kishte pjesën sublime dhe vendimtare të ingranazhit. Dëmtimet dhe brishtësia e kaviljeve të tij nuk do të mund ta pengonin të bënte historinë.
Edhe me kaviljen e djathtë vazhdimisht të fashuar dhe shpesh plot dhimbje, lartëson rolin e qendërsulmuesit, duke demonstruar se mund të veprojë edhe si një finalizues i shkëlqyer, magjeps dhe fiton gjithçka: 3 Scudetto si protagonist (1987/88, 1991/92, 1992/93), 2 Superkupa Italiane (1988 dhe 1992), 2 Kupa Kampionësh/ Champions League (1988/89 dhe 1989/90), 2 Superkupa Evropiane dhe 2 Kupa Ndërkontinentale/Botëror Kubesh (1989 dhe 1990).
Pa zbritur më kurrë në fushë, fitoi edhe një tjetër Scudetto tjetër (1993/94), 2 Superkupa të tjera italiane (1993 dhe 1994) dhe Champions League (1994). Dy herë i kurorëzuar si golashënuesi më i mirë i Serie A (1989/90 dhe 1991/92) dhe një herë (1988/89) golashënuesi më i mirë i Kupës së Kampionëve (10 gola). Ashtu si Cuijff dhe Platini, fiton tri herë Topin e Artë (1988, 1989, 1992). Më 1992, në atë që sot do të përkufizohej si versioni i tij “prime”, fitoi edhe çmimin FIFA World Player.
Shifra impresionuese, që duke i shtuar edhe 125 gola dhe 49 asiste në 201 ndeshje zyrtare me rossonerët, bashkë me bukurinë e futbollit të tij, me duelet epike dhe emocionuese me mbrojtësit më të fortë të kohës dhe shpesh të fituara (bashkë me Piola-n, është i vetmi që ka shënuar të paktën një gol kundër çdo skuadre të Serie A me të cilën është përballur) tregojnë akoma edhe sot se kush ka qenë Marco Van Basten./ Marrë nga Milanistat.com