Ka muaj, madje vite, që përballja midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës nuk luhet vetëm nëpër tryezat e tregjeve dhe negociatave tregtare. Dy fuqitë globale po përdorin instrumentin e tyre detar për diçka më shumë sesa thjesht vetëm të “tregojnë flamurin” dhe nëse nga njëra anë Kinës, nga ky këndvështrim, ende i mungon përvoja dhe ka një flote substancialisht në ndërtim e sipër dhe për këtë arsye një aftësi projektuese force më pak efekase se ajo amerikane, nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara janë rikthyer fuqishëm, madje dhe mes shumë vështirësish për shkak të kufizimeve buxhetore, të përdorin mbretëreshat e flotës, aeroplanmbajtëset, si mjet diplomatik për qëllimet e saj.
Aktiviteti detar kinez në detet e botës është rritur, megjithëse, për arsye të dukshme për shkak të madhësinë e flotës, jo me të njëjtin intensitet si ai i Shteteve të Bashkuara: anijet kineze janë parë në stërvitje të përbashkëta me Rusinë në Detin Baltik (2017), më parë akoma në Mesdhe (2015) pa harruar praninë pothuajse të përhershme në Oqeanin Indian, ku Pekini ka një bazë të rëndësishme në Xhibuti, në Bririn e Afrikës, nga i cili mund të kontrollojë kalimin nëpër ngushticën e rëndësishme Bab el-Mandeb.
Uashingtoni, përballë rrezikut eminent që Kina mund të shtrijë aleanca të cilat mund të minojnë më tej hegjemoninë e tij globale, i kërcënuar edhe nga përpjekja e Rusisë për t’iu rikthyer shkëlqimit të dikurshëm, ka rritur frekuencën e veprimtarisë së tij detare – duke shtuar praninë në njerëz dhe mjete – duke përdorur pikërisht aeroplanmbajtëset, të cilat ende përfaqësojnë mjetin më të efektshëm të projektimit të forcës.
Pas disa vitesh në të cilat veprimtaria e këtyre njësive dukej sikur ishte zbehur, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer duke i vendosur në pika të nxehta të globit për të riafirmuar angazhimin e saj diplomatik.
Aktiviteti në Indo-Paqësor, edhe një herë, tregon në një masë të mirë atë që po themi: muajt e fundit Uashingtoni ka vendosur me frekuencë gjithnjë e më në rritje Csg (Carrier Strike Group) e tij në Detin e Kinës Jugore dhe në Detin e Filipineve në aktivitete të përbashkëta stërvitore që kanë parë praninë e më shumë se një aeroplanmbajtëseje.
Vetëm kësaj jave, në veçanti, dy njësi, Uss Nimitz (Cvn-68) dhe Uss Ronald Reagan (Cvn-76) inaguruan dy cikle të veçanta dhe bashkëkohore manovrash me forcat detare të Indisë, Japonisë dhe Australisë.
Grupi i Nimitz, në të cilin bëjnë pjesë kryqëzori i klasit Ticonderoga Uss Princeton (Cg-59) dhe anijet luftarake të klasit Arleigh Burke Uss Sterett (Ddg-104) dhe Uss Ralph Johnson (Ddg-114), është angazhuar në stërvitje me marinën indiane që kanë filluar më 20 korrik.
India ka nxjerrë gjahtaren Ins Rana, së bashku me fregatat stealth Ins Sahyadri dhe Ins Shivalik të shoqëruar nga korvetat raketahedhëse Ins Kamorta. Paralelisht, rezulton se aviacioni indian ka vendosur aeroportit Car Nicobar, në arkipelagun Andaman-Nicobar, 10 avionë Jaguar të armatosur me raketa anti-anije Harpoon por është e paqartë nëse ato do të marrin pjesë në manovra.
Pas qëllimit të zakonshëm të rritjes së aftësisë ndërvepruese midis dy flotave (ndër të cilat spikat ajo e mbrojtjes ajrore), vullneti i Uashingtonit është forcimi i mëtejshëm i lidhjeve me New Delhin, të angazhuar javët e fundit në një përballje të ashpër me Kinën për kontrollin e rajonit të diskutueshëm të Kashmirit.
India e sheh me shqetësim ekspansionizmin e rinovuar nacionalist kinez e në veçanti ka frikë se mos gjendet e rrethuar nga ai “gjerdan perlash” i bërë nga porte dhe infrastruktura tregtare – por potencialisht edhe për përdorim ushtarak – që Pekini po ndërton në zonën e Oqeanit Indian.
Nuk është sekret që New Delhi është aktivizuar jo vetëm për të përmirësuar aftësitë e Forcave të tij të Armatosura, veçanërisht pas përshkallëzimit në Kashmir, por edhe për të rritur aftësinë e tij të sea control, përmes krijimit, për shembull, të një zinxhiri hidrofonesh të tipit Sosus midis Andamanit dhe ishullit të Sumatrës.
Nëse ky rrjet përgjimi nënujor integrohet me atë japonezo-amerikan që shkon nga arkipelagu japonez deri në Filipine, do të thotë për Indinë një zgjedhje fushe që do ta shtyjë New Delhi në krahët e Uashingtonit, duke i dhënë fund qëndrimit të tij të lëkundur ndër vite.
Në fakt, si një vend zyrtarisht dhe historikisht “jo i anësuar”, India ka pasur gjithmonë marrëdhënie të rëndësishme diplomatike si me Moskën, por edhe me vetë Pekinin me qëllim stabilitetin rajonal dhe prosperitetin e saj në një skakierë, që, për arsye të thëna tashmë, po bëhet dora-dorës më komplekse.
Tani situata duket se ka ndryshuar, dhe nëse nga njëra anë New Delhi vazhdon të ketë më shumë se marrëdhënie miqësore me Rusinë, të kulmuara me blerjen e fundit të instrumenteve luftarake, nga ana tjetër marrëdhëniet diplomatike – dhe ato tregtare – me Kinën duket se janë përkeqësuar, pavarësisht konsideratës që Pekini ka për tregun indian, shumë i rëndësishëm për bilancin e eksporteve të tij.
Kjo stërvitje është vetëm më e fundit në rendin kronologjik, pas Malabars të mëparshme, që vërteton se si India ka lëvizur bariqendrën e saj diplomatike drejt Shteteve të Bashkuara, duke përqafuar kërkesat e saj.
Uashingtoni nuk harron, ndërkohë, aleatët e tij historikë, të alarmuar edhe këta nga protagonizmi (i armatosur) kinez. Siç thamë, Csg i Ronald Reagan, ndërsa ai i Nimitz po vepron tashmë në Oqeanin Indian, duke kryer manovra të përbashkëta në Detin Filipin me njësi detare nga Australia dhe Japonia.
Grupi detar i përzier që shoqëron aeroplanmbajtësen Ronald Reagan përbëhet nga kryqëzori i klasit Ticonderoga Uss Antietam (Cg-54) dhe luftanija e klasit Arleigh Burke Uss Mustin (Ddg-89) së bashku me anijen sulmuese amfibe austriake tip Lhd Hmas Canberra (L02) , nga gjahtari Hmas Hobart (Ddg-39), fregatat Hmas Stuart (Ffh-153) dhe Hmas Arunta (Ffh-151) dhe nga furnizuesi i skuadrës Hmas Sirius (O-266). Japonia merr pjesë me gjahtarin Js Teruzuki (Dd-116).
Us Navy do të vazhdojë pra të luajë një rol qendror në politikën amerikane të kontrollit të Kinës në zonën e Indo-Paqësori, edhe pse pas ekranit zyrtar “në respekt të rregullave të lundrimit të lirë dhe promovimit të stabilitetit të rajonit”, dhe aeroplanmbarjëset do të janë akoma protagonistët e padiskutueshëm.
Edhe për sa kohë është çështje studimi nga analistët dhe teknikët, por është e arsyeshme të mendohet që “mbretëreshat e deteve” do të mbeten edhe për shumë vite të tjera aty, duke parë përmirësimet në teknologji dhe përshtatjen e taktikave luftarake ajrore.
Përgatiti Dardan MITROVICA