Në këto muaj të pandemisë, studiuesit dhe mjekët kanë zbuluar shumë gjëra në lidhje me COVID-19, shkruan Nature, por janë të paktën pesë gjëra që ende nuk i dimë
Pandemia e koronavirusit është një nga krizat më të këqija shëndetësore të shekullit të fundit: që nga janari ka shkaktuar mbi 11.6 milion infeksione dhe vdekjen e mbi gjysmë milioni njerëzve. Në më shumë se gjashtë muaj, mjekët dhe studiuesit kanë zbuluar shumë gjëra në lidhje me karakteristikat e koronavirusit, nga mënyra sesi sulmon qelizat deri në përgjigjen joproporcionale të sistemit tonë imunitar, i cili ndonjëherë çon në simptoma të rënda dhe që kërkon përdorimin e terapisë intensive.
Shumë aspekte të tjera të virusit dhe COVID-19 rrëshkasin ose nuk kuptohen plotësisht nga studiuesit. Websiti i Nature, një nga revistat shkencore më të rëndësishme në botë, ka bërë bashkë një listë me pesë pyetje në lidhje me koronavirusin për të cilat nuk ka ende përgjigje bindëse.
1 – Pse njerëzit reagojnë në mënyra kaq të ndryshme?
Në disa persona të infektuar, koronavirusi (SARS-CoV-2) duket se nuk shkakton asnjë lloj problemi dhe nuk çon në shfaqjen e simptomave, ndërsa tek individë të tjerë mund të çojë në komplikime serioze, me vështirësi serioze respiratore të cilat në disa raste mund të jenë vdekjeprurëse.
Një studim i kryer mbi rreth 4 mijë njerëz në Itali dhe Spanjë ka bërë të mundur identifikimin e disa karakteristikave gjenetike që, sipas autorëve, mund të japin një përgjigje për varietetin me të cilin shfaqet COVID-19. Pacientët që zhvilluan simptoma të rënda respiratore kishin më shumë të ngjarë të kishin dy variante gjenetike, që mungonin tek njerëzit që nuk kishin shfaqur asnjë simptomë. Një variant ka të bëjë me mekanizmat që përcaktojnë grupin e gjakut, ndërsa një tjetër ka të bëjë me një proteinë në membranat qelizore, e cila shfrytëzohet nga koronavirusi për të shmangur mbrojtjen e qelizës, injekton në të materialin e saj gjenetik dhe pastaj fillon proceset me të cilat shumohet.
Sidoqoftë, këto variante nuk duket se kanë potencialin për të përcaktuar më vete ashpërsinë e COVID-19. Kjo është arsyeja pse studiues të tjerë po punojnë për të studiuar karakteristikat gjenetike të individëve që janë sëmurë, por që janë më pak se 50 vjeç ndaj dhe do të duheshin të ishin më pak të rrezikuar sesa personat e moshuar.
2 – A bëhesh imun ndaj koronavirusit?
Deri më sot nuk e dimë nëse sistemi ynë imunitar është në gjendje të ruajë një kujtim të SARS-CoV-2 pas shërimit, dhe as se sa mund të zgjasë ky imunitet i mundshëm. Deri më tani është zbuluar prania e antitrupave neutralizues – që luajnë një rol kryesor në parandalimin e një infeksioni të ri duke bllokuar disa proteina të virusit – por është vërejtur që nivelet e tyre kanë tendencë të ulen ndjeshëm disa javë pas infektimit.
Sidoqoftë, ekziston mundësia që këto antitrupa të mbeten të pranishëm në sasi më të konsiderueshme tek njerëzit në të cilët koronavirusi kishte arritur të shumohej me bollëk, duke shkaktuar një infeksion më serioz. Diçka e ngjashme është vërejtur me SARS-CoV-1, koronavirusin që shkakton SARS dhe që ka disa gjëra të përbashkëta me këtë aktualin: antitrupat neutralizues në njerëzit e shëruar nga SARS kanë tendencë të zhduken pas disa vitesh, por tek pacientët që kishin pësuar një infeksion më të madh zgjasin shumë më gjatë, me mundësinë e rikontaktit me virusin edhe më shumë se 10 vjet pas kontaktit të parë.
Për momentin, megjithatë, nuk është e qartë se cili është niveli minimal i antitrupave neutralizues i nevojshëm për të parandaluar që SARS-CoV-2 të shkaktojë një infeksion të ri, apo, sidoqoftë, për t’u siguruar që COVID-19 të rishfaqet me simptoma më pak domethënëse tek një person që ka qenë vuajtur më parë. Edhe për këtë arsye, disa studiues po orientojnë studimet e tyre drejt mekanizmave të tjerë të sistemit imunitar që përfshijnë qeliza të tjera, dhe jo vetëm tek antitrupat.
Sidoqoftë, nga njohuritë aktuale duket se sistemet për të parandaluar një infeksion të ri zgjasin vetëm disa muaj pasi je infektuar nga koronavirusi. Në çdo rast sistemi imunitar do të duhet të zhvillojë një mbrojtje për të zvogëluar masën e simptomave të sëmundjes, në rast të një infeksioni të dytë.
3 – A ka ndryshuar virusi në një mënyrë shqetësuese?
Viruset ndryshojnë vazhdimisht në procesin e tyre të shumimit, për shkak të gabimeve që mund të ndodhin në proceset e transkriptimit të materialit të tyre gjenetik. Edhe pse priremi të imagjinojmë një mutacion si diçka negative, në realitet në shumicën e rasteve mutacionet nuk çojnë në ndryshime të rëndësishme apo të tilla që ta bëjnë një virus më të rrezikshëm: përkundrazi, e kundërta ndodh shpesh.
Për muaj të tërë, studiuesit kanë monitoruar mënyrën se si coronavirus ndryshon dhe zhvillohet, pak nga pak duke u përhapur nëpër botë, midis popullsive të ndryshme dhe vendeve me kushte të ndryshme mjedisore dhe higjenike. Disa studime kanë sinjalizuar prezencën e një varianti evropian të koronavirusit, që derivon nga ai origjinor i Kinës, i cili gradualisht është përhapur në zona të tjera të botës duke u bërë më i përhapuri.
Ky variant është studiuar në laborator, ku ka treguar aftësi më të madhe për të shkaktuar infeksione sesa versionet e tjera të koronavirusit. Megjithatë, deri më sot, nuk është e qartë nëse kjo karakteristikë, e hasur in vitro në kultivimet qelizore, vlen edhe për njerëzit.
4 – Sa e dobishme do të jetë vaksina?
Sipas disa studiuesve, vaksina mund të jetë përgjigjja e vetme me të vërtetë efektive për të ndaluar pandeminë. Aktualisht ka të paktën 200 vaksina në zhvillim dhe rreth njëzet prej tyre kanë arritur tashmë fazën e testeve klinike, që sidoqoftë kërkon disa muaj për të përfunduar. Brenda fundit të verës do të kenë filluar testet e para në shkallë të gjerë për të verifikuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave më premtuese, duke krahasuar shkallët e infeksionit midis atyre që marrin vaksinën dhe atyre që marrin një placebo (një substancë që s’bën asgjë).
Ndërkaq, testet e para të kryera në kavie laboratorike kanë treguar që mund të kemi një vaksinë pjesërisht funksionale, për shembull të dobishme për të zvogëluar rrezikun e shfaqjes së simptomave serioze në mushkëri, por pa përjashtuar mundësinë e sëmundjes. Një vaksinë e zhvilluar në Universitetin e Oksfordit dhe e testuar tek disa kafshë, për shembull, gjeti të njëjtën përqendrim të koronavirusit në qelizat që mbështjellin mukozën e hundës së kafshëve që kishin marrë një dozë dhe të tjerave që nuk kishin marrë fare. Kjo gjendje duket se sugjeron që vaksina mund të jetë efektive në mbrojtjen e disa indeve qelizore por jo të tjerëve.
Sipas më optimistëve, një vaksinë mund të jetë e gatshme deri në pranverën e ardhshme, por nuk dihet se me cilat nivele efektshmërie. Shumë do të varet gjithashtu edhe nga aftësia ose jo e sistemit tonë imunitar për të zhvilluar dhe mirëmbajtur mbrojtjen me kalimin e kohës kundër koronavirusit, rrethanë e cila, siç kemi parë, nuk është ende plotësisht e qartë.
5 – Nga vjen koronavirusi?
Pas muajsh të tërë studimesh dhe analizash, shumica e studiuesve pajtohen se SARS-CoV-2 kishte origjinë nga lakuriqët “patkua kali” (gjinia Rhinolophus), në një rajon të Kinës, ndoshta Yunnan, apo nga ndonjë vend tjetër aziatik si Myanmar, Laos apo Vietnami.
Në bazë të karakteristikave gjenetike të koronavirusit aktual dhe viruseve të tjerë të ngjashëm, studiuesit dyshojnë se SARS-CoV-2 mund të jetë përhapur tek ne pas një kalimi të ndërmjetëm në një tjetër specie. Gjatë muajve të fundit është folur shumë për Pangolins, një kafshë, luspat e të cilës përdoren për disa medikamente popullore në Kinë, të cilat shpesh gjenden në tregjet e specieve të egra, pavarësisht se janë një specie e mbrojtur. Disa studime kanë zbuluar praninë e koronavirusëve që kanë të njejtin paraardhës me SARS-CoV-2, por kjo nuk nënkupton që mund të ketë pasur një kalim të virusit nga pangolinët te njerëzit.