Në një farë mënyre, Youcef Belaili është tashmë një ish-futbollist. Një legjendë lokale, do të thoshim duke adoptuar këndvështrimin aktual eurocentrik, me një talent të pakufishëm që përfundoi në hinkën e një historie të ndërlikuar. Ndoshta i pafat, sigurisht dembel, vetë-sabotues. I tiji është një emër që del herë pas here në ndonjë bisedë mes nerdësh dhe mbijeton sidomos nëpër videot e YouTube – Belaili humiliating everyone – Belaili i poshtëron të gjithë – dhe kur sheh ndonjë klip të ri në Twitter të bën të mendosh: ah, pra luan ende.
Nëse një foto të tij ia tregon dikujt që nuk ka dëgjuar kurrë për të, mund të mendojnë se është një lojtar i viteve shtatëdhjetë, madje edhe më tej, vetëm konteksti i fanellës, prerja e flokëve, mund të tradhtojë kohësinë e tij. Me atë vështrim të humbur në zbrazëti, paksa strabik, që nuk të kthen asgjë, ashtu si vargmalet që nuk i kthejnë asgjë turistit që ndalon për t’i admiruar; me një fytyrë paksa katrore dhe gjoks të rrumbullakosur si ngrohëse uji, me këmbët e përthyera si të një gomari, më shumë se të një kali gare, Belaili duket se nuk i përket asnjë epoke të veçantë futbollistike. Duket jashtë kujtesës sonë, edhe pse jo krejtësisht tej imagjinatës sonë. Nëse nuk do ta kishim parë vërtetë!!! Ekzistojnë ende lojtarë si Youcef Belaili?
Epo, më duhet të them se për mua është kënaqësi e veçantë që mund të shkruaj për të me një justifikim vërtet banal. Që do të thotë: në fund të merkatos së janarit 2022, Belaili – nga një futbollist i lirë, pasi e kishte ndërprerë kontratën e tij me Qatar SC – nënshkroi një kontratë me Brest, një ekip mestabele në Ligue 1 për të zëvendësuar Faivre që u transferua te Lyon. Për shkak të famës që ka në komunitetin afrikanoverior, dhe në atë francez me origjinë afrikano-veriore, Brest ka dyfishuar shifrat e tij në rrjetet sociale.
Belaili ka qenë një lloj fantazme e thirrur për të emocionuar tifozeritë e Marsejës dhe Montpellier, skuadra të Jugut të Francës, që shtrihen përballë Algjerisë, dhe kur tashmë dukej tepër vonë ai materializohet në Brest, në Brittany, në anën tjetër të vendit. Me sa duket duke ulur pagën, në krahasim me Katarin, me 60%.
Pse zgjodhët të ktheheshit në Evropë?- u pyet. “Për t’u treguar njerëzve se kush është Youcef”, u përgjigj ai, duke folur për vetveten e tij në vetën e tretë. Dhe sapo mbërriti, luajti menjëherë dy ndeshjet e para si titullar, duke realizuar edhe asistin e parë.
Në një sistem sportiv ku emrat e lojtarëve të fortë njihen që kur janë më pak se tetëmbëdhjetë vjeç, dhe klubet më të mira evropiane janë gati të venë bast për ta nga çdo anë e botës të vijnë – duke shpresuar me mundësitë që të paktën ndonjë, njëri, prej tyre, do të mbajë premtimet dhe të tjerët, durim, më keq për ta – ideja që një futbollist “i fortë” mund të vuhë e të ketë shansin e tij në një kampionat evropian për herë të parë njëzet e nëntë, gati tridhjetë vjeç, duket pak realiste. Ky i Belailit, në realitet do të ishte hera e dytë në kampionatin francez. Por, e para, nuk llogaritet.
Më 2017, kur ishte 25 vjeç, ai kaloi disa muaj te Angers, ku trajneri Sthéphane Moulin nuk e vlerësoi gati fizikisht. Belaili vinte pas dy vitesh skualifikim, pasi u gjet pozitiv ndaj kokainës – “një gabim i rinisë së tij”, ka komentuar ai – dy herë, në korrik dhe në shtator 2015.
CAF e kishte skualifikuar për katër vjet (dy për secilin pozitivitet), më pas për tetë vjet sepse nuk ishte paraqitur para komisionit në Kajro, por TAS ia kishte ulur dënimin në dy vjet. Në fund të dy viteve, presidenti i Angers, Said Chabanne, i lindur në Algjeri, deshi ta sillte Belailin në Ligue 1: “E morëm me sy mbyllur”, tha presidenti (tani i akuzuar për dhunë seksuale ndaj shtatë grave).
Belaili thotë se brenda dy muajsh u rikthye në formë – “Edhe në Francë u mahnitën nga cilësitë e mia teknike” – dhe skuadra e dytë filloi t’i rrinte ngushtë, ndërsa Moulin i kërkonte të bënte durim. Mendonin se do të duhet më shumë kohë edhe sepse ai ai nuk vinte vetëm pas dy vitesh inaktiviteti, por ishte edhe i dëmtuar, thotë Belaili, por kur pa se ishte mirë nuk donte të priste më.
Kohët e fundit gazetari Robert Molina e ka akuzuar për diskriminim ndaj lojtarëve të magrebinë dhe për përpjekje për të bindur dikë që të mos bënte Ramazanin. Fakti është se luajti vetëm një ndeshje zyrtare para se të rikthehej në Esperance de Tunis me të cilën i kishte fituar tanimë dy kampionate dhe kishte arritur në finalen e Champions League të Afrikës.
Kështu Belaili pati vënë në CV e tij jo vetëm dy vite skualifikim për doping, por edhe një dështim në Europë. E kush mund ta imagjinonte ndonjëherë, në atë pikë, që do të kthehej për t’u paraqitur në një nivel të lartë? Mund të mendoni çfarë të doni për skualifikimin, ta gjykoni Belailin dhe ta konsideroni të pabesueshëm – sigurisht që më shumë se një drejtues klubi e ka bërë – por në fund të fundit është po aq e vërtetë që nuk mjafton si shpjegim, fakti që Orani, qyteti i dytë më i madh në Algjeri, ku ka lindur është një vend festiv, i lehtë, rebel. Por i duhet dhënë merita për mrekullinë sportive që bëri më vonë: që u rikthye më mirë, pas atyre dy viteve.
Deri në fitimin e dy Champions League afrikane rresht me ES Tunis (2018 dhe 2019) dhe fitimin e një vendi si titullar në Algjerinë e Belmadi që fitoi Kupën e Afrikës më 2019. Po atë vit u nominua për Topin e Artë të Afrikës, i vetmi që nuk luante në Evropë mes 10 finalistëve (çmim që u fitua nga Mané, i cili pati fituar Champions League me Liverpool), duke fituar çmimin si lojtari më i mirë afrikan që luan në kontinent.
Më 2012 pati fituar çmimin e gazetës El Buteur si shpresa më e madhe e futbollit algjerian dhe disa muaj më parë, në dhjetor 2021, fitoi Kupën Arabe, me atë Algjeri ku thotë se luan më mirë se me klubin, me një gol nga thuajse mesfusha shënoi në minutat shtesë në çerekfinale kundër Marokut.
Belaili e krahasoi golin me Marokun me atë të Captain Madjid, që do të ishte përkthimi arabisht i Holli dhe Benxhit. E cila thotë shumë për llojin e futbollit që ka në mendje, futbollin e Goditjes së Tigrit, nga Katapulta së Ferrit, e kësi gjërash pra.
Trajnerët e tij të kaluar, të intervistuar nga Goal, kanë theksuar se si me kalimin e viteve është përmirësuar si nga pikëpamja mbrojtëse, si në leximet taktike, e në zgjedhjet me top. Që do të thotë se është pjekur, është më këmbëngulës dhe më i fuqishëm në shpërthimet e tij (sipas Hubert Velud është madje edhe “më i fortë se Ryad Mahrez”, unë arrij aq larg sa të them se është më karizmatik).
Por Belaili mbetet ai lloj lojtari të cilit është e pamundur t’ia marrësh topin, një mjeshtër i evazionit në hapësira të ngushta, me shpinë pas murit të vijës anësore, një që e mban topin me hapa të gjatë sikur kërcen nga njëri gur në tjetrin për kapërcyer një pellg, një për të cilin fusha është në të përpjetë, i lakuar si te Holli dhe Benxhi, dhe që mezi pret të kapërcejë kodrën dhe të shohë t’i shfaqet traversa e portës kundërshtare.
Më parë thashë se vështrimi i Belailit duket si i humbur në boshllëk, por ndoshta do të kishte qenë më mirë të thosha se është i pakapshëm. Është një vështrim që i driblon ata që e vëzhgojnë, ashtu si vetë Belaili duket se jeton për t’i rrëshqitur kufizimeve fizike të kundërshtarëve.
Është e lehtë të dashurohesh me të duke e parë të zhduket si me magji para mbrojtësit për t’u rishfaqur pas tij si magjistari i interpretuar nga Christian Bale në The Prestige, që dilte nga njëra anë e skenës dhe hynte përsëri në anën e kundërt pa probleme, por që në fakt kishte një vëlla binjak me të cilin ndante detyrën (gjithnjë më mirë se magjistari i luajtur nga Hugh Jackman i cili, veç për ta fituar, në sherr mes iluzionistëve, vriste vetveten në një pikë të caktuar dhe klonohej në një tjetër).
Tërheqja e Belailit është ajo e lojtarëve të paprekshëm, të bërë prej ajri, që shfaqen në fushën e futbollit si ajo mjegulla që ngrihet nga toka. Keni provuar ndonjëherë të fusni mjegull në një kavanoz? Dhe në këtë lloj sharmi kontribuonte fakti që shprehej në territore të largëta, në fund të hartës futbollistike, në Tunizi, në Algjeri, Katar.
Dhe ndjesia e humbjes që shoqëron gjithçka që është larg vëmendjes sonë, fakti i thjeshtë se duhet të kërkosh në internet, nëse, për shembull, si unë, e keni zbuluar gjatë Kupës së Afrikës 2019, nëse po luan ende a nëse u ka ndodhur ndodhur ndonjë gjë tjetër dramatike. (Drama duket se është pjesë e historisë së Belailit edhe në mënyrë indirekte, në fund të një derbi mes JS Kabylie dhe USM në gusht 2014, në të cilin ai shënoi një gol mjaft të bukur duke dribluar dy herë të njëjtin mbrojtës, fillimisht me një sombrero më pas me një kthesë, vdiq sulmuesi kamerunas Albert Ebossé, ndoshta i goditur nga një gur i hedhur nga tifozët e tij apo, siç do të thoshte një autopsi e kryer në Kamerun nga familja, i mbajtur pa lëvizur dhe i rrahur për arsye të panjohura).
Çfarë mund të shtojë ardhja e tij në Evropë? Po shkoj kundër vetë supozimeve të kësaj pjese, por për mendimin tim përgjigja është: asgjë.
Çfarë mund të arrijë Youcef Belaili në Francë? Çfarë mund të bëhet? Para së gjithash, u bë reale, më pak fantastike se sa ishte kur, për ta parë, duhej të prisje Kupën e Afrikës, ose të kërkoje ndonjë mbetje ektoplazmike në internet.
Dhe realiteti ndonjëherë është i vështirë për t’u pranuar – në ndeshjet e para nuk ia ka dalë të bëjë as edhe një driblim, duket i ngadaltë, ndoshta nuk është ende në formë apo ndoshta mbrojtësit janë shumë të shpejtë në krahasim me ata që njihte ai; duket, dhe për mua është absurde ta shkruaj, më thyhet zemra, i parashikueshëm në çdo lëvizje. Por edhe nëse del i jashtëzakonshëm, sa lojtarë të tillë ka në Ligue 1?
Madhështia është gjithmonë relative, nga ana tjetër varet nga masa, nga krahasimi. Çfarë kërkon të vërtetojë Belaili? Kujt? Njerëzit, për t’iu përgjigjur asaj që është thënë prej tij, tashmë e dinë se kush është Youcef. Ose më mirë, kushdo që duhej ta dinte e di tashmë.
Sigurisht, jam i lumtur që mund ta shoh më lehtë në aksion. Dhe është e vetëkuptueshme se çdo gjë e jashtëzakonshme që që mund të bëjë në Francë do të kishte një shije paksa më të ndryshme. Por unë e preferoja larg, më larg, pjesë të një të shkuare imagjinare.
Ndërkohë që ja ku është, duke testuar të tashmen. Konteksti i përsosur për Belailin ishte YouTube, Twitter, kundër mbrojtësve të papërgatitur, të cilët nuk kishin parë kurrë një lojtar si ai – dhe kështu, na bënim të ndjeheshim edhe ne që e shikonim sikur të ishte hera e parë që një lojtar bën gjëra të tilla.
Në imagjinatën time Youcef Belaili ishte bashkëkohës i Belloumit dhe zinte një hapësirë pranë El Trinche Carlovich, të atyre futbollistëve vlera e vërtetë e të cilëve është e pamundur të verifikohet dhe që nuk ke asgjë për të humbur për t’i romanizuar, për t’i imagjinuar më të mirë se sa janë në të vërtetë.
Në kokën time Youcef Belaili ishte një nga shpikësit e futbollit, bukuria e tij ishte ajo e pikturave të shpellës, të monoliteve të ishullit të Pashkëve, nuk ndjeja nevojë ta shihja pranë Rembrandtit dhe Ticianit. Ndoshta ishte pikërisht kjo nuk i pëlqente Belailit. Ndoshta nuk ndihet aq mirë në gjurmët e një legjende misterioze, të një fantazme që turbullon imagjinatën me mungesën e saj.
Ndoshta ajo që mua më tremb më shumë, normalizimi i mundshëm i tij, është ajo që dëshiron vërtet Belaili; më në fund, tridhjetë vjeç, një lojtar normal.
Përgatiti Dardan MITROVICA