Në të gjithë Evropën, po rritet pakënaqësia e banorëve vendas me turistët: qytetet transformohen për t’i pritur por pa mbrojtur ata që jetojnë gjithë jetën aty
Në të gjithë Evropën, është në rritje pakënaqësia e qytetarëve të detyruar të jetojnë me hordhi turistësh gjithnjë e në rritet. Në korrik, nëpër sheshin Palma, në kryeqytetin e Majorkës, zbritën protestues duke mbajtur pankarta me slogane të tilla si “jo turizmit masiv” dhe “turizëm, por jo kështu”. Kriza e strehimit në ishull është jashtë kontrollit dhe shumë të rinj janë të detyruar të jetojnë me prindërit e tyre për shkak të rritjes në qiell të qirave.
Rritja e numrit të vizitorëve po intensifikon presionin mbi burimet e kufizuara nga klima: në disa zona të ishullit, në korrik u njoftuan edhe kufizimet për përdorimin e ujit.
Rrugët e përmbytura nga makinat me qira janë të bllokuara dhe transporti publik nuk është në gjendje të mbajë numrin gjithnjë e në rritje të turistëve; Majorka, e cila ka një popullsi prej pak më pak se një milion banorë, përgatitet të presë rreth 20 milionë vizitorë këtë vit.
Mallorca nuk është e vetmja në organizimin e protestave kundër turizmit të tepruar: mijëra njerëz nga e gjithë Spanja jugore zbritën në shesh në Malaga më 29 korrik, ndërsa UNESCO ka paralajmëruar kohët e fundit se kjo valë kundërshtimesh mund të përhapet në të gjithë Evropën.
Këtë verë, ishte Barcelona në qendër të vëmendjes pasi protestuesit goditën turistët me pistoleta uji. Nëpër destinacionet që kanë tërhequr një numër në rritje vizitorësh pas pandemisë, ka nga ata që pyesin se si mund të arrihet një ekuilibër midis pritjes së vizitorëve – dhe vendeve të punës dhe të ardhurave që ata sjellin – dhe ruajtjes së vendeve për ata që jetojnë atje çdo ditë. Në qershor, Barcelona njoftoi se do të ndalojë marrjen me qira të apartamenteve për turistët deri më 2028, pas protestave nga vendasit.
Por protesta nuk ka vetëm në Spanjë. Kështu, në kryeqytetin portugez, Lisbonë, një numër në rritje i turistëve po vë nën presion tregun e pronave. Që pas pandemisë, janë zhvendosur këtu ata që punojnë në distancë të tërhequr nga përfitime të tilla si viza nomade dixhitale e Portugalisë, e cila ofron një vit qëndrimi nëse demonstron të ardhura minimale prej 2,800 euro në muaj. Që atëherë Portugalia është goditur nga qiratë e larta dhe e ka kufizuar skemën e “vizave të arta”, e cila u ofronte të huajve mundësinë për të fituar shtetësinë duke blerë një pronë me vlerë të paktën 500,000 euro.
Rasti “Italia”
Edhe Italia nuk është imune ndaj këtij problemi. Pas pandemisë, u regjistruan rekorde prezencës në të gjitha qytetet më të mëdha dhe pas pak muajsh Roma përgatitet të presë jubileun. Prej kohësh, kundër invazionit të qendrës historike prej ambienteve argëtuese, paninotekave dhe minimarketeve, administrata e kryeqytetit po punon për një rregullore të re në mbrojtje të dyqaneve historike dhe bizneseve lokale për mbrojtjen e banorëve vendas.
Në Firence, kreu i bashkisë ka propozuar dhe miratuar ndalimin e qirave afatshkurtra në zonën UNESCO të qytetit. Në Venecia, nga ky vit është vënë në qarkullim një biletë hyrjëse në lagunë në ditët “më të nxehta” dhe edhe në zonën e “Cinque Terre” po studiohen zgjidhje të tilla.
“Unë nuk jam për ndalime absolute, duhet të rregullojmë dhe mos t’i kriminalizojmë qiratë afatshkurtra të cilat në shumë zona italiane, ku hotelet janë të pakta, qiratë afatshkurtra janë thelbësore për mirëpritjen e turistëve. Kjo është arsyeja pse si qeveri kemi futur normën Cin për të përmirësuar dhe menaxhuar fenomenin”. Kështu ka shpjeguar ministrja e Turizmit të Italisë, Daniela Santanchè, në një intervistë për Il Tirreno, duke përsëritur se angazhimi duhet të jetë çsezonalizimi i flukseve turistike dhe tërheqja e vizitorëve në destinacione të tjera më pak të njohura, por jo më pak të bukura.
Përgatiti Dardan MITROVICA