Shqipëria nuk është vetëm vendi më i varfër i Europë dhe Ballkan. Nuk është as vetëm ai vendi i rrallë ku tatimi progresiv që synon reduktimin e pabarazive sjell thellimin e pabarazisë. Shqipëria është edhe vendi ku jetojnë të varfrit më të varfër të Europës dhe Ballkanit.
Këtë nuk e thotë askush më pak se Databaza e Bankës Botërore për Prosperitetin e Bashkëndarë për vitet 2012 – 2017. Indikatori mat nivelin e të ardhurave që ka në dispozicion 40% e më të varfërve të një popullsie. Qëllimi i indikatorit të Prosperitetit të Bashkëndarë reflekton faktin se rritja ekonomike në vendet në zhvillim mund të nxjerrë njerëz nga varfëria, por edhe mund të shkaktojë më shumë pabarazi.
Çfarë thonë këto të dhëna për Shqipërinë? Krahasuar me 40%-ëshin më të varfër të të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, 40% më të varfrit e Shqipërisë kanë më pak para për të konsumuar. Pra, janë më të varfërit në mesin e të varfërve. Ata konsumojnë mesatarisht vetëm 4.19 dollarë në ditë, shumë pas edhe Kosovës ku 40% i poshtëm në piramidën e të ardhurave kanë në dispozicion 4.98 dollarë për t’i konsumuar gjatë ditës.

Ekonomistët e Bankës Botërore kanë arritur në përfundimin se vendet me një hendek më të madh ndërmjet atyre që kanë akses tek mundësitë dhe atyre që nuk kanë, e kanë më të vështirë të ruajnë rritjen ekonomike dhe stabilitetin social për një kohë të gjatë. Eksperienca botërore e deritanishme ka treguar se asnjë vend nuk ka arritur të kalojë pragun e “vend me të ardhura të mesme” me nivele të larta të pabarazisë.
Reduktimi i pabarazive ka rëndësi sot edhe për ruajtjen e kapitalit njerëzor, veçanërisht për brezin e ri. Të rinjtë që rriten me përvojën e pabarazive të mëdha ekonomike kanë tendencë më të madhe për të emigruar drejt vendeve që ata besojnë se i shpërndajnë mundësitë në mënyrë më të drejtë.
Dëmet e mëdha që i shkaktohen një ekonomie dhe një shoqërie nga emigracioni i rinisë janë përgjithësisht të qartë për shumicën dërrmuese të njerëzve. Në ekonomi, moshat e reja favorizojnë konsumin, kostot e ulëta të krahut të punës, inovacionin dhe sipërmarrjen. Demografikisht, shoqëritë mbahen gjallë në sajë të lindshmërisë që ende në shoqëri përgjithësisht konservatore si Shqipëria është e kushtëzuar nga martesat. Emigracioni i moshave të reja ndikon automatikisht në rënien e lindshmërisë. Viti 2020 është edhe viti i parë në historinë e vendit tonë gjatë të cilit Shqipëria ka patur më pak lindje se vdekje.
Po si të arrihet Prosperiteti i Bashkëndarë?
Studimet kanë mbështetur përgjithësisht 6 politika kryesore si instrumenta efektivë në reduktimin e pabarazisë. Ato janë (1) zhvillimi gjatë fëmijërisë së hershme dhe ndërhyrjet në mënyrën e të ushqyerit, (2) mbulim shëndetësor universal, (3) akses universal në arsim cilësor, (4) transferta në para për familjet e varfra, (5) infrastruktura rurale – veçanërisht rrugët dhe elektrifikimi, dhe (6) taksimi progresiv.
5 të parat janë prioritete të programit të Partisë Demokratike. Politika e gjashtë, ajo e taksimit progresiv, nuk gjen vend në këtë program. Përvoja e Shqipërisë me taksimin si instrument për zbutjen e pabarazive në shpërndarjen e të ardhurave nga ekonomia përbën një përjashtim.
Përsëri, të dhënat nga databaza e Bankës Botërore për pabarazinë tregojnë se periudha gjatë të cilës është zbatuar taksimi i sheshtë i të gjitha llojeve të të ardhurave është karakterizuar nga shpërndarje më e barabartë e tyre mes grupeve të ndryshme sociale. Grafiku i mëposhtëm paraqet hendekun në shpërndarjen e përfitimeve nga ekonomia ndërmjet 10%-ëshit më të pasur dhe 40%-ëshit më të varfër të popullsisë.

Dukshëm, aplikimi i tatimit progresiv nuk e ka zbutur pabarazinë, përkundrazi e ka thelluar atë më tej. Përgjatë gjithë 8 viteve të qeverisjes socialiste pabarazia ka qenë ngulmuese. Ajo që shumica e studimeve mbështet në rastin e vendeve të tjera në zhvillim, në Shqipëri nuk përkrahet nga të dhënat. Prandaj, në listën me 6 fusha prioritare të politikave, në rastin e Shqipërisë taksimin progresiv mund ta zëvendësojmë me taksimin e sheshtë.
Në këtë mënyrë, programi i Partisë Demokratike është qartësisht një program i dedikuar zbutjes së polarizimit ekonomik e social që vuan vendi sot. Efektet e kësaj zbutjeje do të ndjehen në sipërmarrje dhe në stabilitetin social që do të krijojë reduktimi i emigracionit të moshave të reja.
Pabarazia është një plagë që i gërryen shoqëritë nga brenda. Pasojat e saj nuk janë vetëm vuajtjet e atyre që jetojnë në pabarazi, por edhe kufizimet e mëdha për vetë brezat e atyre fëmijëve që lindin në familje të varfra në shoqëri të polarizuara. Një raport i Bankës Botërore zbulon se mundësia që individë të rritur në familje të tilla të ngjiten përgjatë shkallarrit ekonomik është e ulët, veçanërisht në pjesët më të varfëra të botës. Shqipëria është një shembull tipik i një ngrirjeje të tillë shoqërore. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në mjerim që prej instalimit të diktaturës komuniste.
Për këtë arsye, politikat dhe investimet duhet të synojnë reduktimin e hendekut ndërmjet atyre që kanë dhe atyre që s’kanë në nivelin e zhvillimit gjatë fëmijërisë së hershme dhe aksesin në edukim cilësor. Vendet me norma më të ulëta të prapambetjes mes 5-vjeçarëve pritet të kenë më shumë mobilitet arsimor. Politika e subvencionimit të familjeve për fëmijët e tyre deri në moshën 5-vjeç dhe financimit 100% të interesave të kredive për shtëpi për çiftet e reja shkojnë pikërisht në këtë drejtim: nxitjen e brezave të ardhshëm të tejkalojnë tavanin e qelqtë të pabarazive dhe të shpëtojnë nga varfëria.
Një politikë tjetër e rekomanduar nga ekonomistët dhe studiuesit e pabarazisë janë lehtësimi i aksesit në tregun e punës për grupet e disavantazhuara dhe të rinjtë. Me objektivin e saj për të financuar 10 mijë praktika pune çdo vit për të rinjtë që përfundojnë studimet, Partia Demokratike është duke bërë pikërisht këtë: lehtësimin e aksesit të të rinjve në tregun e punës. Studimet tregojnë se 70-90% e atyre që bëjnë një praktikë pune, u ofrohet një kontratë pune në fund të periudhës së praktikës.
Programi i Partisë Demokratike mund të mos jetë 100% programi i duhur për të zbutur pabarazinë e madhe ekonomike e shoqërore që ka krijuar keqqeverisja, korrupsioni, monopolizimi, industria e trafiqeve dhe krimit të organizuar. Megjithatë, sot për sot ai është programi i vetëm që një parti ka ofruar. Prandaj, pa emocione dhe pa militantizëm, është e domosdoshme që debati publik të kthehet pikërisht aty, tek diskutimi i rrugëve për ta nxjerrë vendin nga ky polarizim kërcënues për të ardhmen tonë. Objektivi duhet të jetë i thjeshtë: Shqipëria nuk duhet të jetë më vendi ku jetojnë të varfrit më të varfër të Europës dhe Ballkanit.