INDEKSI I DOSSIERIT
1) Wagner dhe contractors-ët e tjerë: galaktika e mercenarëve rusë
2) Të gjitha fushatat e Grupit Wagner në Ukrainë
3) Operacionet e Grupit Wagner në Afrikë: ku po lëviz dhe cilat janë objektivat reale
4) Si stërviten dhe çfarë bëjnë milicët e Grupit Wagner
5) Jo vetëm Wagner: cilët janë mercenarët e Uraleve që sfidojnë Grupin Wagner
Grupi Wagner, kompania e contractors-ëve e drejtuar nga i Yevgeny Prigozhin, i vrarë në mënyrë të dyshimtë, mori një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm ushtarak dhe politik gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Veçanërisht duke filluar nga agresioni i vitit 2022, ndërkohë po kaq e vërtetë është se aktivitetet e Wagner në teatrin ukrainas nuk mund të kufizohen ekskluzivisht në të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”.
Operacionet e para të Grupit Wagner në Krime
Kompania e “kuzhinierit të Vladimir Putinit” – pseudonimi me të cilin njihej gjerësisht Prigozhin – filloi të veprojë në Ukrainë që në vitin 2014, përkatësisht në misionet për aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe në atë luftë të errët dhe me intensitet të ulët që është zhvilluar në Donbass deri në fillimin e pushtimit aktual.
Sipas informacionit të marrë nga Center for Strategic and International Studies, vetëm në vitin 2015 grupi Wagner kishte në territorin ukrainas, midis 2,500 dhe 5,000 luftëtarë të ndarë midis zonave të Donbass dhe Krimesë. Në gadishull, siç shpjegojnë hetime dhe analiza të ndryshme, roli i kontraktorëve të Prigozhin dhe Dmitriy Valeryevich Utkin ishte thelbësor në sigurimin e një linje të vazhdueshme lidhjeje në terren midis njerëzve të forcave ruse të stacionuar në Sevastopol, Simferopol dhe në bazat në Krime e për të goditur dhe çarmatosur ushtrinë ukrainase. Shumë prej tyre ndoshta kanë qenë edhe pjesë e “qenieve të gjelbërta”, pra burra me kamuflazh – por pa asnjë shenjë zyrtare – që u shfaqën në Krime gjatë fazave të aneksimit dhe që Moska i përdori për të shmangur përfshirjen zyrtare në pushtimin e gadishullit (gjë që më pas i është dashur ta konfirmojë disa herë).
Mercenarët rusë nga Krimea në Donbass
Pas këtij përdorimi të parë të Wagner në skenarin e Detit të Zi, disa reparte të kompanisë së mercenarëve u dërguan në Donbass, ku konflikti midis forcave ukrainase – ushtrisë së rregullt dhe grupeve paramilitare – dhe forcave pro-ruse filloi të bëhej gjithnjë e më i ashpër. Edhe në këtë rast, ato u përdorën në linja të ndryshme. Contractors-ët e Wagner, në fakt, duke qenë njerëz që kryesisht kishin qenë pjesë e forcave të armatosura ruse, e dinin se ishin ura lidhëse e përsosur midis milicive lokale të Donetsk dhe Lugansk dhe komandave të Moskës, përveçse edhe që përfaqësonin njerëz të specializuar për operacione kirurgjikale, bastisje, inteligjencë dhe për të mbështetur rebelët në skena të ndryshme ku ishte thelbësore të merrej një ndihmë më e avancuar dhe me teknika dhe pajisje shumë të ndryshme nga ato të forcave “popullore”.
Sipas shërbimit sekret ukrainas SBU, ka mundësi që Wagner të jetë i përfshirë në rrëzimin e një avioni që transportonte ushtarë të Kievit. Sipas disave, njerëzit e Prigozhin u përdorën edhe në betejën e Debaltseve, ndërmjet janarit dhe shkurtit 2015: një përplasje që përfundoi me një fitore të milicive separatiste kundër njësive të Kievit.
Stop betejave dhe luftës hibride: Wagner si një mjet politik
Sipas CSIS, aktiviteti i Wagner u ndërpre substancialisht, në nivel taktik, në vitin 2015. Kjo për shkak të të paktën dy arsyeve. Së pari, konflikti në Donbass ishte tashmë i ngrirë. Së dyti, duke parë edhe lajmet e viteve të mëpasshme, interesat e Wagner-it, pra edhe të Moskës, tashmë ishin kthyer diku tjetër, duke kërkuar intensifikimin e angazhimit në Siri, Libi dhe në Afrikën Qendrore. Përveç kësaj, është për t’u kujtuar edhe fakti i identifikimit tashmë të qartë midis aktiviteteve të mercenarëve rusë dhe dëshirave të Kremlinit: element që në fakt e bëri gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e mohimit të përgjegjësisë së Putinit për atë që Prigozhin bëri në Ukrainë. Në të gjitha këto, hetimet perëndimore dhe të Kievit kanë ripërcaktuar, për vitet në vijim, kryesisht rolin e Wagnerit si atë të ndërlidhësit midis Moskës dhe forcave substancialisht “speciale” të përdorura për të ruajtur të paprekur kontrollin dhe dominimin e linjës ruse karshi asaj të separatistëve dhe komandantëve më pak të qasshëm me dëshirat e Kremlinit.
Në përgjithësi, pra, mund të thuhet se Wagner vepron në Ukrainë prej rreth nëntë vjetësh, duke bërë të qartë edhe motovin se përse, përveç parave dhe stërvitjes, mercenarët me pagesën e Putinit kanë qenë shpeshherë vendimtarë në betejat e frontin rus të Donbass-it. Vitet e fundit, në fakt, mijëra contractors janë angazhuar në zonën lindore të Ukrainës për të luftuar së bashku me milicitë filoruse. Dhe kjo sigurisht i solli një avantazh të rëndësishëm taktik mercenarëve të Wagner karshi ushtarëve të ushtrisë së rregullt që nuk e kishin parë kurrë territorin ukrainas.
Pushtimi i vitit 2022 ndryshon gjithçka
Me pushtimin e vitit 2022, gjërat janë bërë edhe më komplekse. Sipas analizave të ndryshme dhe siç mësohet nga shërbimet ukrainase dhe perëndimore, Wagner fillimisht u angazhua si një kompani “specialistësh” për të kryer punë me rëndësi kapitale dhe me rrezik të lartë. Një mbi të gjitha, atë që duhet të kishte çuar në vrasjen ose të paktën kapjen e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky që në ditët e para të të ashtuquajturit “operacion special ushtarak”. Misioni, siç tregohet nga faktet, dështoi.
Për më tepër, shpjegohet nga Times, që një muaj përpara njoftimit të dhënë nga Putin, mijëra njerëz të Wagner kishin mbërritur tashmë në Ukrainën lindore, në zonat e Donbass ku ata kishin vepruar edhe më parë, për të studiuar planet e sulmit. “Një muaj më parë, në dhjetor, kishim filluar të shihnim nëpër kanale të ndryshme se si Wagner Group po rekrutonte sërish. Në atë kohë, askush nuk e dinte vërtet se për çfarë bëheshin këto rekrutime, por më pas ia behu pushtimi”, ka treguar për France24 Karen Philippa Larsen, studiuese e Danish Institute for International Studies dhe një nga ekspertët kryesorë përsa i përket Grupit Wagner. Dhe kjo në një mënyrë a një tjetër konfirmoi përdorimin “specialistik” të kompanisë së të ndjerit Prigozhin në strategjinë fillestare të Putinit për Ukrainën.
Rekrutimet në burg dhe metodat brutale
Me ngërçin e operacionit dhe dështimin e “hipotezës A” të Putinit, pra të një lufte të shpejtë për të rrëzuar Zelenskyn, metodat dhe planet e Wagner-it u përmbysën plotësisht. Nga njëra anë, grupi i mercenarëve nisi të përdorej për operacione më të dhunshme dhe më pak kirurgjikale, nga ana tjetër, metodat e tij më të përgjakshme – pjesërisht edhe si rezultat i luftës psikologjike të dëshiruar nga Moska – u bënë gjithnjë e më të dukshme derisa çuan në dëshminë e praninë e contractors-ëve në zonën Bucha, që u bë e njohur për masakrën.
Ndërkohë, Prigozhin, me shumë mundësi i vetëdijshëm për mundësinë e shfrytëzimit të ngecjes së përparimit rus në favor të tij, filloi të ndryshojë rrënjësisht mekanizmin e rekrutimit. Kur kundërofensiva ukrainase u shfaq e pashmangshme dhe për të rritur numrin e personelit të saj edhe në aspektin e aftësisë së tyre për të peshuar në hierarkitë e pushtimit, Wagner filloi të rekrutonte të rinj nga burgjet, duke premtuar liri në këmbim të shërbimeve në front.
Prigozhin nga mjet në lider
Ndryshimi i mekanizmit të rekrutimit ndryshoi perceptimin e kompanisë Wagner me të njejtin hap të ngritjen e figurës së Prigozhin si lider politik dhe ushtarak. Siç ka shpjeguar Larsen, rekrutimi nëpër burgje revolucionarizoi përbërjen e grupit, duke e çuar atë në një numër shumë më të madh (në rreth 50 mijë njerëz, nga të cilët 40 mijë ishin ish të dënuar), por në të njëjtën kohë uli ndjeshëm cilësinë e kompanisë duke e transformuar atë në një lloj ushtrie të madhe private më pak efektive, por mbi të gjitha më pak kompakte.
Mercenarët nuk ishin më ish-ushtarë që kishin vendosur të fitonin më shumë para në kompaninë ruse të sigurisë, por mijëra njerëz edhe pa asnjë përvojë që ishin pjesë e një grupi që tani numëronte dhjetëra mijëra luftëtarë që mund të dërgoheshin në çdo fushë beteje, edhe në ato më të vështirat, mbi të gjitha sepse kjo impononte tribut gjaku më të lartë.
Betejat e Wagner dhe interesat e “kuzhinierit”
Kjo i mundësoi Prigozhin që të arrinte disa rezultate. Së pari, i mundësoi të ngrinte rangun e tij si komandant i betejave potencialisht vendimtare. Ishin njerëzit e tij që u dërguan në beteja të shumta si në Popasna, Bakhmut, Soledar: beteja qendrore këto në strategjinë e Putinit për pushtimin e Donbass. Së dyti, përfshirja e Wagnerit si protagonist i këtyre betejave i bëri të mundur Prigozhinit të vendoste atë “boots on the ground” të tij, në një territor ku interesat e “kuzhinierit të Putinit” qenë shumë të rrënjosura, mjaft të mendohen vetëm minierat e kripës së Bakhmutit, duke konfirmuar metodat tashmë të përdorura në Afrikë me kontrata për perandorinë e tij dhe përdorimin e contractors-ëve të tij. Dhe e fundit, sakrifica e Wagnerit dhe lufta në vijë të parë e themeluesit dhe liderit të tij përforcoi udhëheqjen politike të vetë Prigozhin, duke çertifikuar ngritjen e tij si një figurë karizmatike në krye të grupeve më të ashpra dhe më të egra nacionaliste.
Pjesa më intransigjente e botës nacionaliste ruse, e pakënaqur me zhvillimet e luftës, u spostuar kështu për të vëzhguar lëvizjet e Prigozhin dhe për të dëgjuar apo lexuar mesazhet e tij nga fronti, shpesh akuza të hapura kundër rangjeve të larta të Mbrojtjes.
Prigozhin dhe roli i tij politik
E gjithë kjo rezultoi shumë më e qartë pas verës së vitit 2022, kur kreu i Wagner konfirmoi publikisht për herë të parë se ishte themeluesi dhe pronari i kompanisë private të sigurisë. Një “sekret” që deri atëherë ishte zbuluar vetëm nga hetimet, por asnjëherë nga personi drejtpërdrejt i interesuar.
Që nga ai moment, kreu i Wagner-it jo vetëm që tregoi me qartësi gjithnjë e më të madhe rivalitetin e tij me forcat e armatosura të rregullta, të akuzuara për humbjen e betejave dhe lënien e contractors-ëve që t’i humbin ato, por la edhe të rrjedhin më haptazi imazhet e metodave ndër më brutale të përdorura kundër dezertorëve dhe njerëzve të akuzuar për krime nga njerëzit e tij. Një zgjedhje imazhi shumë e qartë, e cila, nga njëra anë çertifikoi izolimin total dhe dënimin e tij të plotë nga komuniteti ndërkombëtar, por nga ana tjetër e përforcoi figurën e Prigozhin si një ndër segmentet më të dhunshme dhe radikale të opinionit publik nacionalist rus. Deri në atë pikë sa disa e konsideruan edhe si një kandidat të mundshëm për të udhëhequr Kremlinin në epokën post-Putin, duke u bërë përfundimisht një lloj interlokutori i drejtpërdrejtë i Zelensky.
2023-shi i Wagner midis akuzave kundër gjeneralëve dhe luftës
Në këtë rrugëtim të komplikuar, për Grupin Wagner viti 2023 filloi me një mësim të dyfishtë. Nga këndvështrimi politik, Prigozhin vazhdoi të akuzonte gjeneralët rusë për tradhti, duke besuar se ishin ata arkitektët e fitores së dështuar të Moskës. Dhe jo vetëm kaq: kreu i kompanisë së sigurimit pati deklaruar edhe publikisht se sipas tij Mbrojtja ua kishte mohuar qëllimisht furnizimet mercenarëve për të siguruar që të vdisnin sa më shumë luftëtarë që të ishte e mundur dhe për të rritur shanset që betejat e ndryshme t’i fitonin forcat e rregullta.
Federata Ruse i është përgjigjur me një lloj “censure” këtyre akuzave, duke reduktuar hapësirën e dhënë “kuzhinierit të Putinit” përveç rasteve të jashtëzakonshme dhe duke u mbështetur vetëm në lajmet nga fronti të komunikuara nga forcat e armatosura. Dhe në të gjithë këtë, është vërejtur edhe një ngurtësim nga ana e Putinit, i vetëdijshëm se figura e kreut të Wagner po shndërrohej në një pikëpyetje të vërtetë në planet e tij: nga njëra anë, një instrument themelor i luftës, si edhe një shkëndijë nxitëse për forcat e Armatosura; nga ana tjetër, një gjemb i rrezikshëm në ijë, në gjendje madje për të rrezikuar edhe vetë aftësinë sulmuese të Moskës.
Mirëpo zgjidhja e censurës, duket se nuk ka pasur ndonjë efekt të prekshëm, pasi që duke nisur nga prilli i po atij viti, propaganda e kreut të kompanisë së mercenarëve goditi sërish. Prigozhin u tregua i vetmi arkitekt potencial në fitoren e Bakhmut, në betejën e madhe të Donbass. Por, njëkohësisht, përmes kanaleve të tij ai bëri të qartë se lufta duhet të përfundojë sa më parë, duke shprehur kritika ndaj pushtimit, i cili në këtë pikë, edhe me akuzat e ngritura ndaj mercenarëve të tij për krime lufte, do të ngjasonte si provë e vështirësive të tij në terren dhe si një përpjekje për të minuar në Rusinë e thellë siguritë mbi konfliktin në pritje të kundërofensivave të reja të mundshme ukrainase.
Mercenarët dhe krimet në Ukrainë
Megjithatë, bashkë me këto akuza, kontraktorët e Wagner fillojnë të vihen gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes së hetimeve ndërkombëtare për krime të dyshuara të kryera në territorin ukrainas. Krahas akuzave për përdorimin e tyre në Buça, dëshmi të ndryshme, përfshirë edhe ato të dezertorëve, kanë nxjerrë në pah veprime të cilat, nëse vërtetohen, sigurisht mund t’i atribuohen krimeve të luftës. Nga prerja e kokës së armiqve te vrasja e civilëve, midis të cilëve edhe fëmijë në Ukrainën lindore, e deri te vrasja e “tradhtarëve”, videot në rrjetet sociale dhe thëniet e të penduarve do të vërtetonin rekursin e Wagnerit ndaj dhunës më brutale. Kjo mund ta lehtësonte Putinin, ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe komandantin Valerij Gerasimov në punën për largimin dhe reduktimin e stërefuqisë mediatike dhe taktike të Wagner-it. Nga ana tjetër, këto akuza përfaqësojnë edhe një konfirmim ndaj mbështetësve të Prigozhinit për sulmin kundër kompanisë së tij, të cilësuar nga më radikalët si e vetmja forcë e aftë për të bërë luftë.
Beteja e Bakhmut-it dhe rivalët e rinj
Nga pikëpamja taktike, humbjet e Prigozhinit në fushëbetejë kanë qenë shumë inçizive. Ekspertët tashmë mendojnë se fuqia e Wagner-it është reduktuar ndjeshëm, përveç Bakhmutit, ndërsa qeveria e ka bërë më të komplikuar rekrutimin e të burgosurve, duke hequr burimin më të madh të rekrutëve të rinj ndaj një ushtrie në përpjekje të dëshpëruar për të arritur objektivat e saj përpara trupave të rregullta.
Fillimi i vitit 2023, ndoshta jo rastësisht, u shënjua nga një interes i ripërtërirë i oligarkisë ruse përsa i përket krijimit të strukturave të ngjashme apo paralele me Wagner-in – si batalioni i Uraleve ose kompania Convoy – që çertifikojnë dëshirën për t’u përshtatur më së miri në atë që duket si një treg fitimprurës dhe ndoshta edhe më pak i dominuar nga agjencia e Prigozhin. Sinjale këto që nuk duhet të çojnë në interpretime të lehta.
Convoy, për shembull, lindi – siç vërehet nga analizat më të fundit – nga një degë e Wagner-it aktive në Krime dhe mbi iniciativën e krahut të djathtë të Prigozhin në Afrikë. Çështje që mund edhe të nënkuptonte një diversifikim të perandorisë së “kuzhinierit” dhe jo tërheqjen e tij. I ndryshëm është rasti i Batalionit të Uraleve dhe rivalëve të tjerë ekzistues që, të mbështetur pjesërisht nga Mbrojtja ruse për të goditur dominimin e Wagnerit, mund të jenë “konkurrentë” të vlefshëm në atë që duket të jetë një proces i vërtetë privatizimi i forcës (dhe i luftës).
Përgatiti për gazetatjeter.net: Dardan MITROVICA