Nga mitet e tribuve te mitet e Hollivudit
Piercing-u dhe tatuazhet, janë përdorur vazhdimisht nga kultura të ndryshme. Në kohët e lashta, për disa popuj tatuazhet shërbenin si hajmali kundër shpirtrave të këqinj dhe rreziqeve. Disa të tjerë i përdornin për kurimin e sëmundjeve.
Në shoqëritë tribale, piercing dhe tatuazhet përdoreshin si shenjë hierarkie, për të përcaktuar rangun në të cilin bënin pjesë anëtarë të ndryshëm të një tribuje. Shenjat, materiali dhe pozicionimi i tatuazheve, janë karakteristika të cilat identifikojnë secilin klan. Madje dhe martesat midis të rinjve duhet të kryheshin vetëm me anëtarët, të cilët mbanin shenjat e klanit tjetër.
Egjiptianët e kanë filluar këtë traditë që nga vitet 4000-2000 para erës sonë. Detarët europianë, të cilët udhëtonin drejt Ishujve të Polinezisë, janë impresionuar nga tatuazhet që mbanin gratë dhe burrat.
Duke filluar nga viti 400 para erës sonë, japonezët i përdornin tatuazhet jo vetëm si ornamente dhe objekte që lidheshin me besimin fetar, por dhe si mjete për identifikimin dhe ndëshkimin e kriminelëve. Në fund të shekullit të XIX, tatuazhi u përhap gjerësisht në familjen mbretërore në Angli dhe në shtete të tjera.
Ashtu si tatuazhi edhe piercing ka një histori më vete. Ai është përdorur shpesh në radhët e familjeve mbretërore, nga ushtarët romakë dhe faraonët egjiptianë, si shenjë guximi dhe burrërie.
Në kulturën orientale, koncepti i tatuazheve pothuajse nuk pranohej, për shkak të kristianizmit. Ndërsa para disa viteve, tatuazhet konsideroheshin si forma më antike dhe origjinale e shprehjes së krijimtarisë njerëzore, dhe ishin karakteristikë e një kategorie të caktuar njerëzish si ushtarë, kriminelë, anëtarë bandash, ditët e sotme ato po përdoren nga të gjithë njerëzit, dhe shihen si një fenomen modern, që po përhapet me ritme të shpejta sidomos në radhët e të rinjve.
Vite më parë, për pikturimin e tatuazheve përdorej kënaja, e cila konsiderohej nga specialistët si mjeti më i sigurtë. Ditët e sotme përveç kënasë kanë hyrë në përdorim dhe materiale të tjera. Tatuazhi tashmë është kthyer në kulturë, e cila ka shpërthyer sidomos pasi personazhe të njohur të Hollivudit kanë eksperimentuar këto praktika. Ashtu si tendencat e veshjeve, parfumeve dhe flokëve, të cilat ndryshojnë çdo vit, tatuazhet dhe piercing përbëjnë tendencën e radhës, ku çdo sezon shfaqen modelet e reja që duhen ndjekur.
Tendencat në Shqipëri
Në Shqipëri moda e tatuazheve dhe piercing është përhapur në masë kryesisht pas viteve 90′. Disa zona të vendit, kanë patur traditë t’i vinin vath fëmijëve të porsalindur, në mënyrë që ata të kishin jetë të gjatë. Nga ana tjetër, djemtë kur shkonin ushtarë bënin tatuazhe. Kjo ishte shenjë e burrërisë së tyre. Tashmë vathët dhe tatuazhet nuk përdoren më për të treguar burrëri dhe jetëgjatësi. Fillimisht, në vendin tonë, kjo tendencë e re shihej me sy të keq dhe shpesh paragjykohej, por me kalimin e kohës, ajo u kthye në një modë, e cila nuk i bën më përshtypje askujt. Një pjesë e të rinjve shprehen se nëpërmjet tatuazheve përcjellin pjesë të karakterit të tyre: butësi, patriotizëm, romanticitet. Të pyetur rreth grupmoshave që preferojnë tatuazhet dhe piercing, tatuatorët shprehen se pjesa më e madhe i përkasin moshave nga 18 deri në 28 vjeç. Fillimisht, tatuazhet që zgjidheshin më tepër ishin gjarpërinjtë, shpatat, luanët që tregonin agresivitetin dhe shpërthimin e rinisë shqiptare. Sot gjithçka ka ndryshuar. Ndërsa më parë, ishin kryesisht djemtë rebelë ata që bënin më tepër tatuazhe, sot po rritet përherë e më tepër numri i femrave, të cilat kanë dëshirë të eksperimentojnë me trupin e tyre, duke ndjekur tendencat e fundit të tatuazheve dhe piercing. I pyetur nëse ishte penduar për tatuazhin që kishte bërë në trup kur ishte i ri, Arditi u përgjigj: “Të them të drejtën po. Kur vendosa të bëja tatuazhin isha 20 vjeç. Sapo kishte shpërthyer moda e tatuazhit dhe si shumë të rinj dhe unë u tundova nga kjo risi. Ishte një vendim që e mora sa hap e mbyll sytë dhe kur e mendoj tani, më vjen të qesh. Kur je i ri dëshiron të provosh gjithçka që të ofron koha, po me kalimin e viteve fillon të kuptosh rëndësinë e dëshirave rinore. Ai tatuazh që dukej aq i bukur atëherë tani duket si një njollë e zbehur në lëkurë, të cilën mundohem ta fsheh në çdo moment. Sot shoh të rinjtë që entuziazmohen nga ideja e të pasurit një tatuazh. Sikur të kthehesha mbrapa në kohë, nuk do të bëja të njëjtin gabim, sepse për mua realisht është një gabim, sidomos kur bëhet në vend të dukshëm. Ka patur raste që tatuazhi më ka vështirësuar dhe gjetjen e një vendi pune, sepse më shihnin me sy tjetër, sidomos në vende, ku duhet të paraqitesh sa më serioz. Përveç kësaj ekziston dhe rreziku i infektimit të tatuazhit, kështu që çdo i ri ose e re duhet të mendohet mirë përpara se të marr një vendim të tillë”.
Rreziqet e tatuazhit dhe piercing-ut
Të gjithë e dimë se për të bërë një tatuazh ose piercing mjaftojnë vetëm pak minuta. Tatuazhi nuk është gjë tjetër veçse një shenjë e përhershme ose skicim, me pigmente të cilat injektohen mbi shtresën sipërfaqësore të lëkurës suaj. Arti i tatuazhit, përfshin çarjen e një prej barrierave kryesore mbrojtëse të trupit tuaj -lëkurës. Kjo nënkupton se prirjet për infektimin dhe reaksionet e lëkurës, rriten përherë e më shumë. Ndër rreziqet specifike mund të përmendim:
Sëmundjet që transmetohen me anë të gjakut
Nëse pajisja që përdoret për tatuazh është e ndotur me gjakun e një personi të infektuar, ju mund të prekeni nga disa sëmundje midis të cilave hepatiti C, hepatiti B, tuberkulozi dhe SIDA.
Çrregullime dhe infeksione të lëkurës
Ekzistojnë infeksione, të cilat janë rezistente ndaj antibiotikëve dhe mund të shkaktojnë pneumoni, infeksione në sistemin e qarkullimit të gjakut, si dhe nekrozën e indeve lidhëse të muskujve.
Alergjitë
Tatuazhet me ngjyrë, veçanërisht ngjyra e kuqe mund të shkaktojë alergji të lëkurës, si dhe të kruajtura në zonën e tatuazhit. Madje kjo mund të ndodhë dhe shumë vite pasi keni bërë tatuazhin.
Ndërlikimi i rezonancës magnetike të imazhit
Gjatë ekzaminimit të rezonancës magnetike të imazhit, mund të shkaktohet djegia e zonës së tatuazhit. Kjo është karakteristike kryesisht për tatuazhet që bëhen në vetull, ose afër syrit. Pigmentet që përdoren mund të ndikojnë në cilësinë e shikimit.
Heqja e tatuazhit
Problemi me tatuazhet, ndryshe nga veshjet, qëndron në faktin se tatuazhet nuk mund të hiqen dhe të flaken kur mërziteni me to. Ato dizenjohen për të qënë të përhershëm, dhe nëse vendosni të shpëtoni njëherë e mirë prej tyre, duhet të mendoheni mirë pasi shpenzimet dhe dhimbjet nuk janë të pakta. Problemi kryesor me tatuazhet qëndron te pakënaqësia. Disa tatuazhe zbehen nëse tatuatori e injekton ngjyrën shumë thellë në lëkurë. Në shumicën e rasteve, njerëzit mërziten pas disa viteve dhe fillojnë të mendojnë se tatuazhi nuk përshtatet me imazhin e tyre. Me piercing-un ndodh ndryshe pasi shenjat mund të zhduken më lehtë. Disa nga metodat që përdoren për heqjen e tatuazheve janë:
Rrezet lazer
Kjo është metoda më efektive për të reduktuar pamjen e tatuazhit. Gjatë një viti mund të nevojiten rreth 12 seanca me rreze lazer megjithatë ndodh që ky trajtim nuk e eliminon plotësisht tatuazhin.
Operacionet kirurgjikale
Kirurgu mund të presë zonën në të cilën ndodhet tatuazhi dhe më pas të bëjë qepjen e lëkurës. Rreziku i kësaj metode është shenja qe ngelet në trup.
______________________________________________________________
Më trego tatuazhin që ke, të të them ç’karakter ke
Gjarpri
Simbol mbrojtjeje. Shpreh dëshirën për përjetësi dhe rinovim
Trëndafili
Simbol i dashurisë dhe shprehjes së personalitetit. Shpreh dëshirë romantike.
Dielli
Simbol i ngrohtësisë dhe progresit. Shpreh dëshirën për të vërtetën.
Zemra
Simbol i dashurisë dhe pasionit.
Sirena
Simbolizon altruizmin dhe sakrificën për dashurinë.
Spiranca
Simbol i stabilitetit, sigurisë dhe traditës.
Hëna
Ylli i të dashuruarve dhe poetëve. Shpreh feminilitet, mister.
Lulet
Mishërimi i natyrës dhe simbol i ciklit të lindjes, jetës, vdekjes dhe rilindjes.
Ngjyrat
Tatuazhi i zi nënkupton nevojën për t’u afirmuar dhe për të shprehur me ngulm dëshirat dhe personalitetin tënd.
Tatuazhi blu nënkupton karakterin delikat dhe të ndjeshëm të një personi, si dhe nevojën që kanë këta persona për mbrojtje, përkrahje dhe këshilla.
Tatuazhi i kuq nënkupton shprehjen me forcë të emocioneve.