Kundërshtari më i famshëm dhe më me ndikim i Vladimir Putinit – ende në koma pas helmimit të dyshimtë – ka përdorur strategji kreative dhe është përqendruar në një çështje specifike: korrupsionin
Në harkun kohor të dhjetë vjetëve, gazetari rus Alexei Navalny është bërë kundërshtari kryesor i presidentit rus Vladimir Putin falë investigimeve që kanë nxjerrë në dritë korrupsionin e qeverisë, si dhe nëpërmjet strategjisë së komunikimit që kanë përfshirë miliona njerëz.
Javën e kaluar Navalny u shtrua në spital i dyshuar me helmim, me të cilin qeveria ruse mohon të ketë lidhje. Sot ai është në komë farmakologjike në Gjermani, në kushte shumë të rënda.
Sipas disave, helmimi i Navalny-t është një sinjal i qartë se opozita në Rusi, gjithnjë e më e fortë, ka filluar të bezdisë Putinin; ndërsa të tjerë besojnë se mungesa e detyruar e Navalny mund të zbehë forcën e lëvizjes.
Navalny është lideri i Partisë së Progresit, një parti e qendrës së djathtë dhe nacionaliste: arsyeja kryesore që ai kritikon Putinin dhe partinë e tij është akuza e të qenurit “hajdutë” dhe të “korruptuar”, për përdorimin e pushtetit për të pasuruar veten dhe për e ndalimit të popullit që të kërkojë llogari për aktet e liderëve nëpërmjet mjetet demokratike.
Navalny është shumë i njohur edhe jashtë Rusisë, edhe sepse me kalimin e viteve qeveria ruse është përpjekur disa herë ta diskreditojë, shpesh duke e arrestuar dhe përjashtuar atë nga lista e kandidatëve për në zgjedhjet presidenciale ruse 2018.
Navalny filloi të merrej me politikë rreth vitit 2000, kur ishte pak më shumë se njëzet vjeç.
Regina Smyth, profesoreshë në Indiana University, eksperte e dinamikës midis shtetit dhe shoqërisë në regjimet autokratike, tha se Navalny ishte fillimisht i njohur prej një blogu që kishte hapur në 2006 në platformën Live Journal dhe popullariteti i tij filloi të rritet vërtet në 2011, gjatë protestave që pretendonin parregullsi gjatë zgjedhjeve parlamentare.
Siç ka thënë për Wall Street Journal Ndërsa Nikolay Petrov, bashkëpunëtor shkencor i qendrës angleze të studimeve Chatham House “askush tjetër në opozitën sistemike [dmth. ajo që i dilte përballë, por që në vendime të rëndësishme sidoqoftë merr gjithmonë anën e Putinit] dhe as në atë jo-sistemike nuk ka qenë në gjendje t’i bashkojë njerëzit” siç bëri Navalny.
Me kohë popullariteti i tij është rritur falë aftësive të tij oratore, falë protestave dhe demonstratave të shumta që ka organizuar, falë disa gjetjeve kreative komunikuese dhe përdorimit nga ana e tij të mediave sociale, veçanërisht kanalin e tij në YouTube.
Në 2011 Navalny krijoi një fondacion anti-korrupsion që synonte të mblidhte sinjalizime dhe të hetonte rastet e neglizhencës dhe paligjshmërive të ndryshme të bëra nga zyrtarë të qeverisë ruse.
Përmes fondacionit, Navalny vinte në dyshim “fushatën e vazhdueshme dezinformuese të regjimit” dhe sfidoi retorikën e partisë së Putinit Rusia e Bashkuar, të cilën e quante një “parti hajdutësh dhe të të korruptuarish”.
Kur qeveria ruse i mbylli blogun në vitin 2012, Navalny vazhdoi të forconte praninë e tij nëpër mediat e tjera sociale falë strategjive të komunikimit: për shembull, nëpër protesta dhe demonstrata filluan të shihen manekinë dhe tollumbace në formën e një rose të verdhë, e cila u bë simbol i korrupsionit qeveritar por përfaqësonte diçka të padëmshme që mund të blihej dhe të shfaqej pa frikën e represionit.
Navalny lançoi edhe projektin “RosYama” për t’u dhënë mundësi qytetarëve të raportonin gropat nëpër rrugë: një problem shumë i përhapur ky në Rusi, që i mundësonte atij të fliste me qytetarë më pak të interesuar për të mbrojtur shtetin e të drejtës.
Çështja e gropave në rrugë si një simbol i keqqeverisjes së Putinit dhe emisarëve të tij lokalë u ndërmorr gjithashtu edhe nga disa aktivistë, të cilët dizenjonin karikatura rreth disa gropave.
Lëvizja opozitare e Navalny përfshiu si aktivistë të rinj ashtu edhe njerëz të moshuar.
Pjesë e strategjisë ka qenë gjithmonë qarkullimi i informacionit që do ta vinte në vështirësi regjimin e Putinit: në vitin 2017, për shembull, ai prodhoi një dokumentar me titull Don’t call him Dimon, që kritikonte dhe tallej me ish-presidentin dhe kryeministrin rus Dimitri Medvedev; më së fundmi, ai u mor me ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së dhe keqmenaxhimin e pandemisë së koronavirusit nga qeveria ruse.
Një taktikë tjetër e lançuar nga Navalny është i ashtuquajturi “smart voting”: qytetarët inkurajoheshin të votonin për kandidatin më të fortë që ishte kundër Putinit, pavarësisht nga partia që i përkiste.
Me këtë strategji, pothuajse gjysma e vendeve në këshillin e bashkiak të Moskës vjeshtën e kaluar u shkuan anëtarëve të partive opozitare.
Për shkak të aktivitetit të tij politik dhe punës së tij si gazetar, ndër vite, Navalny është arrestuar dhe burgosur për shkaqe politike shpesh herë me pretekste të ndryshme, për shembull krime të dyshuara financiare.
Më 2017, një aktivist pro-Putin e sulmoi atë me një sumbstancë kimike, duke e lënë pjesërisht të verbër në njërin sy, ndërsa në korrik 2019 pësoi një tjetër përpjekje për helmim ndërsa vuante një dënim me burgim 30-ditor për organizimin e një demonstrate të paautorizuar.
Aktualisht, Fondacioni Navalny Anti-Korrupsion konsiderohet si një “foreign agent” nga qeveria ruse, pra një organizatë që sipas qeverisë merr fonde nga jashtë për të kryer aktivitete anti-qeveritare.
The Economist ka shkruar se Vladimir Putin ka filluar të përdorë “shiringa dhe shkopinj” për të treguar një forcë në aparencë dhe për të frikësuar kundërshtarët, gjë që shpjegon edhe helmimin e pretenduar të Navalny: duke në shënjestër si kundërshtari më i dukshëm i Putinit dhe kritiku i tij më i fortë – kjo është arsyeja pse Navalny ka thënë se për vite me rradhë ai e konsideronte veten me fat që ishte akoma gjallë – ekspertët kanë arritur në konkluzionin se Putin duhet ta ketë konsideruar vlerësuar më shumë të rrezikshëm një Navalny aktiv si udhëheqës i opozitës.
Pavarësisht reformave të fundit kushtetuese që i mundësuan atij të mbetet teorikisht në pushtet deri në vitin 2036, faktikisht, vitet e fundit, popullariteti i Presidentit Putin ka qenë në rënie.
Rastet e disa protestave të fundit tregojnë se si pakënaqësia ka arritur edhe masat popullore, duke dalë nga kufijtë e qarqeve më të arsimuara të qyteteve të mëdha.
Sipas disa analistëve të cituar nga Wall Street Journal, është falë Navalnyt dhe strategjive të tij që opozita në Rusi nuk luan më një rol margjinal, dhe për këtë arsye vizioni i tij për një Rusi tjetër mund të vazhdojë të ndiqet edhe në mungesë të tij.
Sidoqoftë, siç ka shpjeguar Petrov, tani që shëndeti i tij është komprometuar, “pa një lider aktiv makineria që ai krijoi dhe vuri në lëvizje mund të mos jetë më aq efektive”.
Përgatiti Dardan MITROVICA