Një vit pas sulmit të Capitol Hill, e vërteta është ende një fjalë që arrin të polarizojë Amerikën. Republikanët pro-Trump kërkojnë të vërtetën mbi zgjedhjet që shuguruan Joe Biden në presidencën e Shteteve të Bashkuara. I quajnë “stolen election” dhe janë të shumtë ata që në bazën e partisë kërkojnë qartësi të mëtejshme pavarësisht se gjykatat dhe hetimet i kanë vërtetuar vlefshmërinë e votës.
Nga ana tjetër, demokratët dhe republikanët e moderuar po kërkojnë një tjetër të vërtetë: atë të rrethimit dhe të sulmit ndaj Kapitol Hill, tempullit të demokracisë amerikane, dhe për rolin e Donald Trump në vendimin e turmës për të hyrë në Kongres duke thyer barrierën e policisë dhe atë mur shenjtërie që ka përbërë gjithmonë zonën institucionale të Washington-it. Një grusht shteti i frymëzuar nga krahu ekstremist i afërt me Trump-in? Një zjarr i të cilit ishte zjarrvënës presidenti, por që nuk kishte ndërmend ta përhapte në mënyrë kaq të dhunshme? Një skemë për të diskredituar kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe për ta paditur dhe dënuar përfundimisht me harresë?
Të vdekurit dhe “mallkimi”
Pyetjet qarkullojnë me insistim që kur amerikanët dhe i gjithë planeti shihnin se çfarë po ndodhte në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara. Dhe, për tani, siguritë janë të pakta. Para së gjithash të vdekurit: pesë në përleshje dhe katër policë që u vetëvranë pas sulmit. Viktimat gjatë “trazirave” ishin katër në mesin e demonstruesve dhe një oficer policie.
Më e njohura është ajo Ashli Babbitt, veteranit të Forcave Ajrore, 35-vjeç, i vrarë nga një polic ndërsa përpiqej të shpërthente derën për të hyrë në Kongres, aty ku ishin mbyllur deputetët. E shtëna, e shkrepur në nivelin e syve, u kap nga një telekamer, video e së cilës bëri xhiron e botës dhe u bë një simbol për shumë mbështetës pro Tramp. Një tjetër viktimë mes protestuesve është Kevin Greeson, 55 vjeç, nga Alabama, që pësoi infarkt jashtë Kongresit.
Një fat i ngjashëm me atë të Benjamin Phillips, themelues i Trumparoo, i cili u godit nga një iktus në Washington teksa ishte i impenjuar në organizimin e marshimit të mbështetësve të presidentit amerikan. Në përleshje vdiq edhe Roseanne Boyland, 34 vjeç, e shtypur nga turma që përpiqej të hynte në Capitol Hill. Ashtu siç në sulmin ndaj Kongresit vdiq edhe agjenti Brian D. Sicknick, 42 vjeç, i vrarë nga plagët e shkaktuara nga revoltuesit, teksa kryente detyrën e tij në tempullin e demokracisë.
Ndërkohë që janë katër policët të cilët i dhanë fund vetë jetës së tyre pasi patën bërë shërbimin në Washington, më 6 janar 2021. Disa e kanë quajtur një “mallkim” që qëndron mbi forcat e rendit. Pas kthimit në shtëpi, për disa orë, ditë apo javë, katër pjestarë të forcave të sigurisë raportuan se vuanin nga shenja të pashlyeshme në zemrat e tyre dhe vranë veten: Jeffrery Smith, i traumatizuar nga dhuna e sulmuesve, Howard Liebengood, i rënë në gjendje depresioni dhe kreu vetëvrasje pas disa ditësh, Gunther Hashida dhe Kyle DeFreytag, veteranë të Metropolitan Police Department në Washington, të cilët i dhanë fund jetës së tyre pasi që, më pas, për muaj me rradhë, nuk ishin më të njëjtët. Të plagosurit ndër forcat e rendit gjatë sulmit numërohen 140.
Akuza, polemika dhe arrestime
Të vdekurve të asaj beteje dhe të javëve të mëpasshme, i shtohen polemikat, që nuk kanë rreshtur kurrë që nga ai 6 janar, si dhe rrjedha e drejtësisë.
Polemikat e para kishin të bënin me ato pyetje që u ngritën menjëherë pas rrethimit dhe sulmit. Ata qindra njerëz që sulmuan Capitol Hill nuk dukeshin si një turmë aq masive sa ta bënin të pamundur një bllokadë përpara se të godiste zemrën e Washington-it. Përveç kësaj, duhet të ketë pasur shenja që duhet të kishin aktivizuar një fuqizim të përgjithshëm të shërbimit të rendit qark Kongresit dhe brenda marshimit të trumpistëve.
Shumë filluan të akuzojnë shërbimet e inteligjencës dhe policinë se patën qenë krejtësisht të befasuar nga manifestimi, të tjerë drejtuan gishtin nga pushteti politik, i akuzuar atë moment se nuk deshte t’i kontrollonte protestat, duke i lënë që të shndërroheshin në diçka kryengritëse. Delegimi i përgjegjësisë shpërtheu menjëherë, midis Capitol Police, departamentit të Drejtësisë, Homeland Security dhe FBI-së. Ka nga ata që akuzojnë policinë se ka dashur të zbatonte qëllimisht një linjë jo shumë të ashpër ndaj manifestuesve, akuzë e ndërthurur me dyshimin të atyre që besonin se kishte mjaft agjentë ishin aleatë të rebelëve dhe mjaft të tjerë që ishin aleatë të antiTrumpistëve, duke lejuar kështu me qëllim që të shpërthente kaosi e për të delegjitimuar pastaj protesta kundër Bidenit.
Hetimet dhe procesi
Për të kuptuar më mirë përgjegjësitë e disa oficerëve të Capitol Police, u krye një hetim në brendi të trupave policore, që fillimisht pa nisjen e 38 hetimeve individuale dhe kërkesën për sanksione disiplinore për gjashtë oficerë të akuzuar për sjellje të papërshtatshme, mosrespektim të direktivave, komente të pahijshme dhe shpërndarje të papërshtatshme informacioni. Megjithatë, asnjë akuzë nuk ishte e natyrës penale.
Dyshime pati edhe ndaj Gardës Kombëtare. Gjenerali Mark Milley kishte siguruar që në momentin e rrethimit se njerëzit e tij ishin gati, por kryebashkiaku i Uashingtonit pati kërkuar ndërhyrjen e tyre vetëm pak para sulmt dhe në numër të vogël. Nancy Pelosi i kërkoi ndihmë guvernatorëve të Maryland dhe Virxhinias pikërisht sepse njerëzit e Washington DC nuk kishin mearrë urdhër për të vepruar.
Më tej, sipas burimeve të akredituara, duket se ka qenë pikërisht Mike Pence – të cilin demonstruesit e kërcënuan se do ta varnin – ai që kishte dhënë urdhrin për mobilizimin e Gardës Kombëtare. Dhe e gjitha kjo pa miratimin nga presidenti. Ndërsa të tjerët besojnë se Pentagoni shmangu ndërhyrjen në atë betejë në Kongres për të shmangur implikimin në një konfrontim të rrezikshëm politik.
Një vit pas sulmit të Kapitol Hill, i sigurt është vetëm fakti se drejtësia ka vazhduar të bëjë rrugën e sak. Nga 725 persona zyrtarisht të akuzuar për pjesëmarrje në Betejën e Washington-it, 600 janë akuzuar për shkelje të zonës së rezervuar, 30 janë akuzuar për vjedhje të aseteve qeveritare (shumëve i kujtohet Adam Johnson, i cili u largua duke buzëqeshur me foltoren e Pelosit), 75 se kanë përdorur armë kundër policisë.
Ndërkohë që, siç raporton Agi, 275 persona akuzohen për pengim dhe zhvillimit të procesit normal të certifikimit zgjedhor, ndryshe thënë me paradhomën e një sulmi ndaj demokracisë. Për ta dënimi maksimal parashikohet 20 vjet burg, por në një pjesë të madhe të tij procesi është ende larg përfundimit. Më shumë se 500 persona, në fakt, nuk janë gjykuar ende: pesë anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë janë deklaruar fajtorë për “konspiracion”, por vëmendjen e mediave e tërheq edhe grupi prej tridhjetë veteranëve të Marinës që morën pjesë në sulm. Njeriu që ka marrë deri tani dënimin më të rëndë është Robert Scott Palmer: pesë vjet e tre muaj për sulmin ndaj një oficeri të Capitol Police, me një zjarrfikës.
Sidoqoftë, janë të shumtë që nuk i konsiderojnë të kënaqshme rezultatet e arritura ndaj të dënuarve. “Shamani” famëkeq – Jacob Chansley, simboli i asaj dite – u dënua dhe subjektet që morën pjesë në dhunë kanë filluar të ndëshkohen, por thelbi i vërtetë i hetimeve ka të bëjë me rolin e Shtëpisë së Bardhë dhe se kush ishte pas asaj trazire në rrugë.
Roli i shoqëruesve të Trump
Komisioni i posaçëm hetimor për ngjarjet e 6 janarit 2021 synon të gjejë përgjegjësitë përfundimtare të Presidentit Trump dhe njerëzve të afërt me të. Besnikët, ata që qëndruan me të deri në momentin e fundit, të barrikaduar në “War Room” të Willard Hotel në Washington. Midis tyre, janë dy mbi të cilët është fokusuar organizmi i Dhomës së Përfaqësuesve, Steve Bannon dhe Mark Meadows.
I pari, i riafruar me ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë pasi u shkarkua, është akuzuar për shpërfillje të Kongresit për refuzim për të dëshmuar. I dyti, ish-shefi i stafit të The Donald, fillimisht kishte vendosur të bashkëpunonte me Komisionin duke dorëzuar një dosje në Power Point që do të provonte tentativën për grusht shtet, por më pas u tërhoq në mënyrë të bujshme (dhe misterioze).
Komisioni, i cili lindi si një ide dypartiake, ka hasur në kundërshtim e një pjese të madhe të partisë republikane. Në thelb për dy arsye.
E para është sepse Trump ka ende peshë të konsiderueshme brenda partisë dhe bazës elektorale dhe sepse deri në këtë moment, ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë, po godet çdo rival. Zgjedhjet e mid-term rrezikojnë të jenë katastrofike për Biden dhe ideja e manjatit për t’u rikthyer në garë për vitin 2024 ka filluar të mos jetë më aq e largët.
Arsyeja e dytë është se shumë besojnë se hetimi është i orientuar jo për të zbuluar të vërtetën e fakteve, por të fajësuar Trump-in. Një fakt që demonstron mungesën e paanësisë, sipas kësaj shumice është pikërisht përbërja Komisionit të Posaçëm Hetimor: shtatë deputetë demokratë dhe vetëm dy republikanë, fakt ky që sigurisht nuk ndihmon për të qartësuar dyshimet.
Por ndërkaq, organizmi i Dhomës po punon, me gjithë vështirësitë, duke lëvizur një ushtri të vërtetë dëshmitarësh dhe specialistësh. Siç shkruhet në media, janë 300 persona të thirrur për të dëshmuar përmbi faktet, janë regjistruar 40 specialistë për të verifikuar pista të ndryshme në të cilat degëzohet hetimi. Deri tani, janë 35 mijë dokumentet e mbledhura dhe disa prapaskena japin një kuadër gjithnjë e më komplekse të çështjes dhe të “rrethit magjik”. Vajza e presidentit, Ivanka, do t’i kishte kërkuar babait të saj të hiqte dorë nga ai marshim dhe të ndalonte sulmin e Capitol Hill-it.
Disa gazetarë të Fox, kanali që ka pasur gjithmonë një linjë të drejtpërdrejtë me krahun trumpian, i patën bërë madje edhe një apel kreut të shtetit që të ndalonte sulmin. Por mbetet dyshimi mbi rolin e kreut të Shtëpisë së Bardhë në ndalimin e kërkesës për përforcime, e për rrjedhojë rolin e zëvendëspresidentit Pence. Vetëm pas disa orësh Trump, ndoshta duke kuptuar se çfarë po ndodhte, vendosi të fliste dhe t’i kërkonte turmës të ndalonte. Por ishte tepër vonë: Shtetet e Bashkuara dhe bota shikonin me habi se çfarë po ndodhte në kryeqytetin e Perëndimit.
Përgatiti: Dardan MITROVICA