Monedha evropiane euro vijon prej muajsh të mbetet në nivelet më të ulëta në historinë e këmbimit. Sot, euro këmbehet me 105.62 lekë, vlerë gati e shpërfillur karahasuar me nivelet mesatare të euros.
Rënia e kursit të monedhës evropiane prek jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe familjet të cilat kanë kursime në euro, apo familje që kanë të ardhura të ciulat vijnë nga remitancat ose dërgesat e emigrantëve shqiptarë.
“Scan Intel” ka marrë në analizë ndikim që ka patur rënia e monedhës europiane në familjet shqiptare të cilat marrin remitanca.
Gjatë vitit 2022 dërgesat e emigrantëve prekën rekord historik duke arritur vlerën e 833.7 mln eurove. Kjo ishte edhe shifra më e lartë që nga viti 2008-të. Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri janë rrreth 765,551 familje dhe 25.5% e tyre marrin remitanca, pra 1 në 4 familje shqiptare.
Referuar përllogaritjeve nga këto familje vetëm 191,387 prej tyre presin dërgesat e emigrantëve. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se ato fitojnë rreth 4,356 euro në vit, ose 363 euro në muaj për familje.
Referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë mesatarja e kursit të këmbimit Euro-Lek, në vitin 2022, llogaritej në 118.98 lekë. Kështu, në vitin 2022 familjet shqiptare përfitonin 43,189 lekë në muaj nga remitancat.
Nëse gjatë vitit 2022 familjet përfitonin rreth 43 mijë lekë, me kursin e këmbimit sot ato fitojnë 38,841 lekë. Pra, mund të themi se mesatarisht rënia e euros i merr një familje shqiptare e cila siguron jetesën nga remitancat rreth 4,348 lekë në muaj.
