Shpallja non-grata e liderit historik te PD është prova që PD nuk i humbi zgjedhjet, por ajo u kthye në viktimë të qëndrimit të saj të vendosur në raport me ndarjen e Kosovës dhe refuzimit të saj për tu bërë pjesë e projektit të minishengen, projekt që e kthen Beogradin në kryeqytet të Ballkanit Perëndimor.
Pra, edhe pse pati një mbështetje masive, PD nuk u lejua të merrte pushtetin dhe kjo pabesisht, përmes inxhinjerimeve politike që të gjithë i dimë. Kundër saj dhe qendrimeve të saj patriotike u perdor dhe po perdoret si kamzhik reforma ne drejtësi, kunder saj u perdor padrejtësisht asgjësimi demokracise lokale përmes lejimit të zgjedhjeve pa opozitën, kundër saj u përdorën ndryshimet e paligjshme kushtetuese që eliminuan koalicionet, të cilat patën dhe ‘garanci’ ndërkombëtare.
Pa lënë mënjanë këtu edhe mbështetjen për vjedhjen e hapur të zgjedhjeve dhe keqpërdorimin e idiotëve të dobishëm, te cilët edhe pse e kishin te qartë që Rama po shiste haptazi Kosovën dhe interesat tona kombëtare për pushtetin e tij, sërish e mbështetën Edi Ramën, sepse partia për ta është më e rëndësishme se Shqipëria.
Goditja politike kundër simbolit historik të saj, njeriut që shembi komunizmin, që anëtarësoi Shqipërinë në aleancën ushtarake Euro-atlantike, njeriut që liberalizoi vizat, njeriut me vendosmëri dhe orientim të qartë perëndimor, nuk është një goditje e rëndë vetëm për PD, por është një goditje fatale për aspiratën perëndimore të popullit shqiptar.
Qëllimi i këtij akti është i qartë: dobësimi i të djathtës dhe mbështetje për ata që janë pro ndarjes së Kosovës dhe projektit të minishengenit. Nuk është hera e parë që e djathta kthehet në viktimë e qëndrimeve të saj strikt patriotike. Me sa duket koha po riprodhon të njëjtin skenar.
Sigurisht, të gjithë udhëheqësit kanë gabime, por asnjë nga këto gabime nuk ka lidhje me atë që pretendon Sekretari i Shtetit. Me sa duket gabimi më i madh i Sali Berishës mbetet përkushtimi ndaj vlerave perëndimore dhe demokracisë, si dhe mbrojtja dhe avancimi i interesave kombëtare, duke i dhënë mbështetje gjysmës tjetër të kombit të mbetur jashtë kufijve, ndryshe nuk kishte pse të kujtoheshin pikërisht tani pas tetë vjetësh që ai ndodhet në opozitë.
Është e qartë dhe e kuptueshme që Kosova mbetet një plagë e hapur në trupin e Ballkanit dhe për këtë arsye mbetet prioritet i prioriteve, sepse në çdo çast ajo mund të kthehet në një konflikt që mund të hedhë në erë të tërë rajonin , por një marrëveshje në kurriz të saj dhe kombit shqiptar, që e detyron atë të puthë dorën që e vrau pabesisht dhe t’i nënshtrohet atyre që ushtruan genocid mbi popullin e saj, është thjesht marrëveshje e dështuar, sepse nuk ndërtohet mbi drejtësi dhe reciprocitet.
Zgjidhje të tilla në kurriz të demokracisë dhe sundimit të ligjit, ku deformohet hapur vullneti i qytetarëve, jo vetëm që nuk zgjidhin atë që pretendojnë, por përkundrazi e komplikojnë edhe më shumë situatën dhe e fusin atë në spirale shumë të rrezikshme me pasoja të paparashikueshme dhe shumë të rënda për vendin, por në asnjë rrethanë nuk e tjetërsojnë dot vullnetin e një populli të tërë siç fjala vjen ndodhi në Kosovë.
Kësisoj kjo përpjekje jo vetëm nuk do të ndryshojë realitetin politik shqiptar, por rrezikon të prodhojë destabilitet në rajon, për të cilin janë të interesuar vetëm armiqtë e Perëndimit, dhe ky do të ishte dhe dështimi më i madh i ideatorit të kësaj zgjidhjeje , të derguarit special për Ballkanin, dhëndërit të Beogradit, z. Mathew Palmer.