Shkaqet kryesore të vdekjes mund të ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por disa prej tyre kanë një të përbashkët: ndodhin gjatë gjumit. Të shkosh në shtrat dhe më pas të mos zgjohesh kurrë mund të jetë një mendim i tmerrshwm, por vdekja në gjumë mund të jetë mënyra më paqësore për të shkuar.
Çdo natë njerëz në mbarë botën vdesin në shtratin e tyre, por cilat janë shkaqet kryesore? Në rreshtat e mëposhtëm mund të njihemi me to. Lëvizni më poshtë për t’i zbuluar!
Arrest kardiak
Arsyeja më e zakonshme për njerëzit që vdesin në gjumë është arresti kardiak. Arresti i papritur kardiak (SCD) gjatë gjumit (i quajtur edhe vdekja e zezë, ose e natës) shpesh shoqërohet edhe me kushte të tjera mjekësore. Sipas një studimi të 2021, 22% e rasteve të SCD gjatë natës ndodhin midis orës 22:00 dhe 06:00. Për më tepër, studimi ka zbuluar se gratë kanë më shumë gjasa se burrat të vuajnë.
Atak në zemër
Infarkti i miokardit, më mirë i njohur si sulm në zemër, ndodh kur një enë gjaku që furnizon zemrën bllokohet. Ky event mund të varioë nga shfaqje të vogla deri në arrest kardiak dhe, rrjedhimisht, vdekje. Sulmet e rënda në zemër mund edhe të zvogëlojnë rrjedhjen e gjakut në tru dhe të ndikojnë në frymëmarrje, duke rezultuar në ndalim të frymëmarrjes.
Aritmitë
Parregullsitë në sinjalet elektrike të zemrës ndikojnë në kontraktimet e zemrës. Nëse zemra nuk pompon gjak në mënyrë efikase, mund të shfaqen disa probleme. Fibrilacioni atrial, për shembull, mund të shkaktojë mpiksje gjaku në zemër. Të tjera aritmi, si takikardia ventrikulare, mund të mos e lejojnë trupin të marrë mjaftueshëm gjak të oksigjenuar. Në fakt, aritmitë mund të çojnë në arrest kardiak gjatë gjumit.
Insufiçencë kardiake kongjestive
Insufiçenca kardiake kongjestive është një gjendje afatgjatë që dëmton aftësinë e zemrës për të pompuar gjakun. Në rastet më të rënda mund të çojë në arrest kardiak. Për shembull, insufiçenca kardiake mund të shkaktojë akumulim të lëngjeve në mushkëri dhe edemë periferike (ënjtje të këmbëve), me rrjedhojë ndalim të frymëmarrjes dhe vdekje.
Ictus – Goditja në tru
Goditja në tru ndodh kur një mpiksje gjaku arrin trurin, duke shkaktuar bllokimin apo plasjen e një ene gjaku. Goditja në tru mund të ketë një ndikim serioz në frymëmarrje, në kontrollin e muskujve, në hapjen e syve dhe mbi vetëdijen, duke e bërë potencialisht fatal kur ndodh gjatë gjumit.
Ndalimi i frymëmarrjes
Mushkëritë tona janë përgjegjëse për thithjen e oksigjenit dhe për nxjerrjen e dioksidit të karbonit. Kur ky mekanizëm i shkëmbimit të gazit kompromentohet, atëherë shumë gjëra mund të shkojnë keq. Për shkak të këtij çekuilibri gazor mund të ndodhë edhe ndalimi i frymëmarrjes. Kur nivelet e oksigjenit ulen dhe ato të dioksidit të karbonit rriten, mund të vdesim. Ndalimi i frymëmarrjes mund të shkaktohet edhe nga një mori gjendjesh, përfshirë sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (COPD), kancerin e mushkërive, pneumoninë dhe fibrozën cistike, sa për të përmendur disa.
Diabeti i tipit 1
Luhatjet e sheqerit në gjak (glicemisë) gjatë natës mund të çojnë në vdekje gjatë gjumit. Monitorimi i niveleve të glukozës në gjak gjatë gjumit mund të mos jetë i mundshëm dhe një rënie, në disa raste, mund të jetë fatale. Faktorët që çojnë në afërsisht 5% të vdekjeve të lidhura me diabetin te pacientët e rinj gjatë gjumit mbeten të panjohur. Shkaku mund të jetë hipoglicemia (sheqeri i ulët në gjak), por arsyet e sakta mbeten ende të panjohura. Njerëzit nën moshën 40 vjeç janë më të rrezikuar nga DIB.
Helmimi me monoksidi i karbonit
Nivelet e larta të monoksidit të karbonit, të shoqëruara nga ajrimi i dobët, mund të çojnë në vdekje nga asfiksia. Helmimi nga monoksidi i karbonit zakonisht shoqërohet me simptoma të tilla si marramendje, të përziera dhe mungesë frymëmarrjeje. Megjithatë, kur flemë, simptomat nuk ndihen. Mjaftojnë disa minuta që monoksidi i karbonit të hyjë në gjak dhe të zvogëlojë sasinë e oksigjenit që furnizon organet e trupit, duke çuar në ndalim të zemrës dhe të frymëmarrjes.
Ilaçet
Vdekje gjatë gjumit mund të shkaktojnë edhe disa medikamente. Kjo vlen veçanërisht për ilaçet që veprojnë në frymëmarrje. Një sasi e madhe e këtyre barnave apo përzierja e tyre me barna të tjera mund të jetë fatale. Disa nga barnat që mund të shkaktojnë ndalim të frymëmarrjes gjatë gjumit (nëse përdoren me tepricë) janë stimuluesit, benzodiazepinat, opiatet dhe qetësuesit.
Trauma e kokës
Një dëmtim i trurit mund të çojë në vdekje dhe mund të ndodhë teksa personi është në gjumë. Trauma e trurit zakonisht manifestohet me një sërë simptomash, përfshirë dhimbje koke dhe të përziera. Të shkosh për të fjetur me një dëmtim të trurit mund të jetë fatale, pasi mund të ndodhë një hemorragji në tru. Sipas Brain Trauma Foundation, afërsisht 30% e të gjitha vdekjeve nga lëndimet në Shtetet e Bashkuara shkaktohen nga lëndimet traumatike të trurit.
Mbytje
Vdekja nga mbytja është e mundur gjatë gjumit. Mbytja nga të vjellat mund të çojë në asfiksi. Kjo mund të shkaktohet nga një sulm epileptik ose nga marrja e sasive të tepërta të alkoolit apo drogës. Edhe të biesh për të fletur me ushqim ose pilulë në gojë mund të çojë në një situatë të ngjashme dhe, rrjedhimisht, vdekje.
Epilepsia
Vdekja e papritur në epilepsi (SUDEP) është një shkak vdekjeje që prek 1 në 1000 njerëz me epilepsi çdo vit vetëm në Shtetet e Bashkuara. Termi “SUDEP” përdoret shpesh për të treguar njerëzit epileptikë që vdesin nga shkaqe të panjohura. Këta individë shpesh kanë kriza të pakontrolluara. Është teorizuar se frymëmarrja dhe/ose zemra mund të ndalojnë gjatë krizave të tilla. SUDEP ndodh shpesh gjatë natës, kështu që është edhe një arsye pse njerëzit vdesin gjatë gjumit.
Apnea obstruktive e gjumit
Apnea obstruktive e gjumit (OSA) në vetvete përgjithësisht nuk është fatale, edhe pse në raste të rralla mund të çojë në asfiksi. Megjithatë, OSA mund të shkaktojë dhe përkeqësojë një sërë problemesh shëndetësore, përfshirë sulmet në zemër, goditjet në tru, aritmitë dhe insufiçencat e zemrës. Të gjitha situatat që mund të çojnë në vdekje.
Çrregullime të tjera të gjumit
Ka edhe çrregullime të tjera të gjumit që mund të çojnë në vdekje. Sonambulizmi, për shembull, mund ta çojë personin në një situatë të rrezikshme ku mund të vdesë (p.sh., të bjerë nga lartësitë, të përfundojë në trafik, etj.). Mund të ndodhin edhe pseudo-vetëvrasje. Në këto raste bëhet fjalë për ata personat që vuajnë gjatë sonanmbulizmit vrasin veten. Sipas një studimi të 2003, kjo është një “pasojë e pafat, e paqëllimshme, e sjelljeve komplekse që lidhen me gjumin dhe për rrjedhojë i mungon paramendimi, ndërgjegjësimi apo përgjegjësia personale”.
Burimet: (Verywell Health) (AED Leader) (Newsweek) (Wall Street Journal)
Përgatiti Dardan MITROVICA