Diego Armando Maradona është i shtrirë përtokë, me kokë të mbështetur, një moment dhimbjeje shumë i fortë vetëm disa minuta pas ndodhisë. I ka sytë e mbyllur, me gojën paksa të hapur. Një imazh që tregon pavdekësinë e një prej momenteve më të ndërlikuara në karrierën e legjendës argjentinase. Nëse ai nuk kishte të veshur fanelën e Barcelonës, mund të duket si portreti i një njeriu në agoni, ndoshta edhe i vdekur. Një maskë e viteve Shtatëqind.
El Mundo Deportivo, gazetë historikisht pranë të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me klubin katalan, përdor foton në faqen e parë me një titull që nuk ka nevojë për përkthim: EL CRIMEN, lexohet me shkronja të mëdha. “Krimineli” quhet Andoni Goikoeçea, ish-“vrasës” i një tjetër lojtari të talentuar blaugrana si Bernd Schuster kohë më parë, e që do të mirrte nofkën “Kasapi i Bilbaos”, e quajtur kështu nga gazetari britanik Edward Owen, përcjell GazetaTjetër.com.
E ndërsa Diego sapo kishte dalë jashtë loje, Barcelona e shpaguante me zhgënjime pas zhgënjimesh, a thua se ne një dimension tjetër kohor të ishte një Maradona tjetër, plot suksese pasi kishte nënshkruar një pakt me djallin në kurriz të “Dies” që sillet rreth fushave spanjolle mes të kritikave, hepatitit viral dhe, tani, me kyçin e këmbës të copëtuar nga një prej mbrojtësve më të ashpër të vendit.
Ajo që Katalonja ka pa për dy vjet është portreti hipotetik i një Maradone të një dimensioni tjetër kohor, një kanavacë nga Dorian Grey e blerë për miliona dollarë për bukurinë e saj, por që përfundon, pjesërisht për gabimet e tij dhe pjesërisht prej stërkëmbëshit të fatit, për të treguar vetëm disa pika të rastësore shkëlqimi dhe madhështie, duke nxjerrë në pah anën më të keqe të tij, problemet fizike, takimin me drogën (kurrë e konfirmuar zyrtarisht nga drejtuesit e Barcelonës pavarësisht dyshimeve të forta), nervozizmin që buron nga të gjithë poret. Faktikisht, aventura e Diegos në Barcelona, përfundon në “dia de la Mercé” të vitit 1983, është akti i parë i një deflagracionit që do të ndodhë gjashtë muaj më vonë. Por gjithçka fillon këtu, nga 24 shtatori, me takat e mbërthyer mbi një kavilje shumë njerëzore për ta shtyrë më para një hyjni, pa pasoja.
Sezoni 1983/84 hapet me një nisje interesante për Barcelona të udhëhequr nga “Flaco” Menotti, kur në Camp Nou, më 24 shtator zbarkojnë kampionët në fuqi të Spanjës, baskët e Athletic Bilbaos. Në pankinë kanë një teknik të ri, mjaft premtues, ‘një farë’ Javier Clemente, që ishte i detyruar ta niste karrierën e tij të trajnerit në moshën 25 vjeç për shkak të një dëmtimi, fitues i Primera Divizion në moshën pak më shumë se 33 vjeçare.
Nga njëra anë, tensioni i kuptueshëm i Menottit drejt një futbolli proaktiv, nga ana tjetër, egërsia e trajnerit bask, të ndërthurrur me një përplasje të pastër ideologjike. Pritësit fluturojnë me krahët e Maradonës dhe Schusterit. Argjentinasi i jep udhë aksionit që i mundëson Periko Alonso, prej pak vitesh babai i Xabi të vogël, për të shënuar golin e parë të ndeshjes. Julio Alberto gjen sërish rrjetën pak përpara mbarimit të pjesës së parë. Kronikat tregojnë për një fjalim veçanërisht të ashpër të Clementes, i cili përpiqet t’i prekë në sedër lojtarët e tij duke i ftuar që “të luajnë si burra të vërtetë dhe të dilni për të luftuar”, siç mund të lexohet në një shkrim të shkruar aso kohe, të titulluar “Maradona në Barcelonë” nga John Lumn.
Pesëdhjetë e shtatë minuta në kronometër! Një top rrëshket nga gjysëmfusha e Barçës, argjentinasi e merr në zotërim dhe ndoshta, me cepin e syrit, ai mund të shohë Goikoeçean që po i afrohej vrik, përcjell GazetaTjetër.com.
Mbrojtësi i Athletic ndëhyn me të dy këmbët në formë çekiçi. Këmba e majtë godet objektivin, impakti me këmbën me pjesën e poshtme të Maradona është i tmerrshëm. Diego përplaset në fushë ndërsa gjyqtari bën shenjë që loja të vazhdojë, por kuptohet menjëherë se diçka nuk shkon, edhe pse në fund të aksionit Goiko sanksionohet vetëm me karton të verdhë.
Maradona lë fushën me duar në fytyrën e saj, sigurisht mbi një barelë. Vetëm disa minuta para përplasjes, i pati thënë Goikoeçeas të qetësohej pas një përplasje të fortë me Schusterin. Loja përfundoi 4-0 edhe me dy gola tjerë të Alonsos tjetër, Marcos, dhe të “Lobo” Carrasco, ndoshta një nga miqve më të mirë të Maradonës në përvojën e tij katalanase. “Bastardë, kjo është për Diegon,” i ulëret ai në fytyrë e lojtarëve të Athletic pas golit.
Pasndeshja është e mbushur me akuza. Menotti e përkufizon “antifutboll” atë që praktikohet nga baskët, duke kërkuar skualifikimin e përjetshëm për Goikoeçean. Clemente, përçmuews, përgjigjet duke insinuuar dyshime për rëndesën e vërtetë të dëmtimit të Maradonës: “Para se të fillojë të qajë, ndoshta duhet të shohim se si do të jetë pas një jave”.
Mjeku i besuar i Barcelonës, Adrio Rafael Gonzalez, kryen operacionin dyorësh në kyçin e këmbës më të vlefshme në botë. Por për rehabilitimin, Diego i beson vetëm doktor Ruben Oliva, pak mjek, pak magjistar, një figurë kjo e padukshme ndër drejtuesit e Barçës. Shefi i stafit mjekësor të Argjentinës në Botërorët e 1978 dhe 1982, mik i afërt i Menottit, Oliva e këshillon Maradonën të ulë këmbën sërish në tokë vetëm gjashtë ditë pas operacionit, duke tërbuar kësisoj presidentin e klubit, Núñez. Diego, i rrëfen mikut dhe agjentin e tij Jorge Cysterpiller (ne zgjodhëm këtë mënyrë drejtshkrimi, megjithëse shpesh quhet Cyterszpiler), se dëshiron të kthehet në Buenos Aires për rehabilitim. Núñez kundërshton me të madhe, nuk do as të mërmëritet një gjë e tille. Agjenti, pasi i dha mesazhin miqësor të Diegos – “Maradona nuk merr urdhra nga askush” – vendos të prekë klubin aty ku me siguri do të ndjehej më shumë, pra tek portofoli. Në këmbim të “arratisjes” drejt Buenos Aires, Núñez mund të mos paguajë e paguajë Maradonën, i cili megjithatë ka një kusht: në rast të rehabilitimit brenda tre muajve, ai do t’i merrte të gjitha paratë, në një çek. Núñez, i bindur se po kishte të bënte me një dëmtim të paktën prej gjashtë muajsh, pranon menjëherë, pa ditur asgjë për metodat inovative të mjekut Oliva. Maradona largohet për në Argjentinë, i nënshtrohet rehabilitimit dhe i lejon vetes edhe të përjetësohet nga telekamerat gjatë stërvitjeve të tij nën ritmin e muzikës, me sfondin e Flashdance dhe kolonën zanore të Rocky, një pjesë e vogël e projektit të madh, që më pas dështoi mjerueshëm, të organizuar nga agjenti i tij, i bindur se mund të bënte një maksidokumentar të përqendruar në jetën e kampionit deri në themelimin e “Maradona Productions”, një kompani që merrej me çdo aspekt të figurës së Diegos, duke përfshirë edhe kontratat e sponsorizimit. Një pjesë e atyre filmimeve më pas do të përfundonte në duart e Asif Kapadia për filmin mbi lojtarin e madh të publikuar në vitin 2019.
Vetëm 106 ditë pas dëmtimit, ai u kthye në Katalonjë në formë të plotë, duke e lënë Menottin pa frymë dhe duke e detyruar Núñez të nënshkruajë çekun e majmë. Megjithatë është një datë e rrethuar me të kuqe: 29 janar 1984. Athletic Bilbao-Barcelona, si në “dia de la Mercé”, por edhe si në Super Kupën e Spanjës, e fituar nga ekipi me Diegon jashtë loje.
Në një San Mames të nxehtë, përballë 50,000 baskëve, Maradona luan ndeshjen e katërt që nga rikthimi i tij në fushë, pasi ka shënuar tashmë dy gola kundër Sevilias dhe Osasunës. Kjo është një nga ndeshjet më të mira të tij me fanelën blaugrana. Golin e avantazhit e realizon edhe me pak fat, me mbrojtësit e Athletic protestojnë për një prekje me dorë, e nëse ekziston ndonjë gjë që na mëson përvoja e “Pibe de Oro”, është se në të vërtetë edhe mund ta kishte prekur me dorë. Gara vijon e ashpër me të zotët e shtëpisë që barazuan me Argote pas gjysmë ore. Maradona luan sikur të ishte kafshuar nga një gjarpër dhe 13 minuta nga fundi shënon golin e ndeshjes, me një goditje me kokë jashtë ekuilibri pas një goditjeje nga këndi, duke i dhënë udhë një luftë tre-palëshe për titullin me Athletic dhe Real Madrid.
Përballja me Real Madridin në 25 Shkurt është vendimtare, Maradona shënon 1-1-in momental por në fund të bardhët ia dalin me një gol sinqerisht skandaloz nga Santillana. Për Barçën është një humbje shumë e rëndë. Në dhomën e zhveshjes në Bernabeu, Núñez i jep një goditje tjetër historisë mes klubit dhe Maradonës, duke u përballur ashpër me argjentinasin, duke e akuzuar atë se është, me jetën e tij jashtë fushës, një nga arsyet pse Barcelona nuk do të fitojë Primera Division, duke lëshuar edhe fjalë të ndyra përmbi hepatitin viral që e kishte stopuar argjentinasin një vit më parë.
Diego kërkon largimin nga klubi, por ndërkohë ai duhet të luftojë për të siguruar fitimin e një trofeu në fund të sezonit, edhe pse opinioni publik katalanas është i gjithi kundër tij. Ai hyn në fushë i stërmbushur me qetësues për shkak të një problemi nw shpinë gjatë ndeshjes së Kupës së Kupave, ku Barcelona fitoi 2-0 ndaj Manchester United dhe Maradona u detyrua të linte fushën për shkak të dhimbjes, e i rrethuar prej bilbilave shurdhues kundër tij, shkon drejt e në dhomat e zhveshjes pa iu afruar fare pankinës së mikut, Menotti.
Cysterpiller po teston ndërkohë nëpërmjet rrjetit të tij të kontakteve klubet kryesore italiane, nga Milan tek Juventus, në përpjekje për të çliruar Diegon nga prangat e arta katalanase. Argjentinasi strehohet në vilën e tij në Pedralbes, lagjja elitare e qytetit. Një kryevepër kitsche, sipas atyre që kanë patur mundësinë ta shohin, me pishinën e ngjyrosur me ngjyrat e Barcelonës dhe kërkesën e çuditshme për të shtuar burime ujore piktoreske në kopsht. “Ishte një lloj shtëpie aq ekstravagante sa të tronditste, aq e madhe saqë dukej sikur nuk mund të mbushej në asnjë lloj forme”, ka deklaruar Juan Carlos Laburu, kameramani personal i Maradonës. Pas muajve të parë të qëndrimit në Barcelonë, të gjithë e kishin provuar qëndrimin në atë vilë. Përveç Diego, edhe e dashura e tij Claudia, e motra Maria dhe burri i saj Gabriel, përpos një grupi të miqsh të Diegos, më shumë të ngjashëm me parazitët sesa me entitetet e vërteta për tu vlerësuar, përcjell GazetaTjetër.com.
Në Manchester, në sfidën e kthimit, Maradona është një fantazmë mes fantazmave. Djajtë e Kuq, përmbysin rezultatin, fitojnë 3-0, e shtypi është kundër argjentinasit, që akuzohet si përgjegjësi kryesor për kolapsin. Asiston si spektator në përpjekjen e shokëve të tij të skuadrës në garën për titull, falë fitoreve kundër Real Sociedad dhe Cadiz, merr pjesë në suksesin kundër Zaragoza dhe firmos atë kundër Salamanca.
Ndeshja e fundit në shtëpi e sezonit është derbi me Espanyol, Barça fiton pa problem por Maradona është del me te kuqe në minutën e 40-të të pjesës së parë, duke humbur në këtë mënyrë edhe sfidën në Vicente Calderon, vendimtare për titullin. Një tjetër garë treshe për 90 minuta, me Athletic, Real Madrid dhe Barcelonën, dhe në fund të një ulje-ngritje emocionale, janë sërish baskët ata që fituan titullin. Blaugranëve nuk i ka ngelur gjë tjetër, veçse finalja e Kupës së Mbretit. Natyrisht, kundër Athletic Bilbao.
Nën sytë e mbretit Juan Carlos, në strofkullën e rivalëve të urryer të Real Madrid, Barcelona duhet të luajë trofeun kundër dy herë kampionëve të Spanjës. Shpirti i Maradonës është i copëtuar. Nga njëra anë, dëshira për t’u arratisur sa më parë nga një qytet që e pat joshur dhe braktisur, nga ana tjetër, dëshira për të lënë shenjën e tij në atë që do të ishte ndeshja e tij e fundit në blaugrana. E mbi të gjitha, për të gjallëruar tërbimin e shenjtë “Dies”, ka urrejtje ndaj Athletic dhe mënyrës së tyre të interpretimit të futbollit, të mishëruar me mjeshtëri nga Javier Clemente. Maradona e sulmon: “Nuk ka patur kurrë k.qe për të më parë në fytyrë dhe të më thoshte se çfarë mendon për mua. Është një frikacak”. Tekniku, nga lartësia e dy titujve të fituar radhazi, përgjigjet në neveri: “Më duket e habitshme që një person si ai, i cili fiton të gjitha ato para, mund të mos jetë në gjendje të ketë cilësinë minimale të njeriut”, përcjell GazetaTjetër.com.
Pra sipas gjasave, në fushë thithej aq shumë tension sa mushkëritë ishin të tejngopura. Menotti përpiqet ta qetësojë Maradonën gjatë gjithë ndeshjes para-ndeshjes. I flet në vesh, mundohet t’i përcjellë qetësinë e një njeriu përtej atyre që ndodhin. “Diego, për hir të Zotit, qëndro i qetë. Mos u merr me budallallëqe, vriti me cilësitë e tua”. Është duke folur në një mur.
Barcelona e nis mirë që nga fillimi, me Endika që thuajse gjen rrjetën. Do të mjaftojë një çerek ore, pa pak, për të zhbllokuar situatën. Kross nga e majta e Argote, sërish Endika që mund të hyjë në zonën e penalltisë dhe të shpojë rrjetën e Urruti.
Një kombinim i shkëlqyer blaugran, me top dhe fushë projekton Rojo gjashtëmbëdhjetë metra larg portës, por mungon veprimi vendimtar. Është sërish Maradona që impenjon Zubizarretan me një të tjathtë të ulët qendrore.
Në pjesën e dytë, me një fije fryme, Barça rindez flakët e duelit. Schuster, që kishte rrezikuar karrierën e tij në 1981 për shkak të Goikoetxea, rrëzon “Kasapin” dhe merr të verdhë. Gjermani është po aq i nervozuar sa Maradona dhe fillon të merret edhe me publikun, i rikthen nga erdhën disa shishe shi që patën rënë si shin në fushë, gjyqtarit Angel Franco Martinez i duhet shumë punë për të qetësuar gjakrat.
Sulmi katalanas është i pandalshëm, ai përcjell mjaft emocione në fushë, përfshirë edhe një gjarpër si Maradona, i bllokuar nga mbrojtja baske – e kompletuar nga një grup të përbërë me Diego kundër dy mbrojtësve, bilbili i ndan sërish kundërshtarët – gjë që nuk e tremb Zubizarreta të kryejë detyrën në ruajtje të portës së tij. Vjen fërshëllima e trefishtë e bilbilit, dhe tani do të duhej të ishte koha për festën e Athletik. Po, do të duhej të ishte. Miguel Sola, një rezervë e kampionëve të Spanjës, i afrohet Maradonës dhe e provokon me gjeste. Menjëherë gjaku i Diegos përshkon plot vrull rrugën drejt trurit. Argjentinasi nuk kupton më asgjë, ai i përgjigjet me një grusht. Shpërthen deliri masiv. Fluturojnë grushte, shkelma, pështyma. Goikoeçea godet Maradonën me njërën nga “patatet” e saj. Momenti i shpërthimit të një lufte të vërtetë. Tw gjithw kundwr tw gjithwve. Núñez duket tej mase i tronditur. Mbreti Juan Carlos gjithashtu. Pamjet e atyre momenteve në mënyrë të pashmangshme i dhanë përkufizimin që njohet ende dhe sot e kësaj dite si “Beteja e Bernabeu-t”, me Maradonën, shokët dhe kundërshtarët e tij të angazhuar në një sherr të madh e të dhunshëm.
Ekziston edhe një tjetër imazh, përcjell GazetaTjetër.com, krejtësisht ndryshe nga ajo e transmetuar nga El Mundo Deportivo në momentin e dhimbjes masakruese të përjetuar nga Maradona pas dëmtimit, e cila na tregon momentin e fundit. Ai tregon Diegon me shikimin e tij të humbur në boshllëk, adrenalina që tashmë është zhdukur, me fytyrë të ngrysur megjithatë të vetëdijshëm për përfundimin e padenjë të historisë së tij të diskutueshme me Barcelonën. Fanela blaugrana është e shqyer në gjoks, pothuajse copëtuar. Një zinxhir varet nga qafa e Maradonës, pas tij është një flamur i Athletik që valëvitet, i paditur për atë që po ndodh. Është kjo një nga pamjet e fundit të periudhës katalanase të Diego-s. Do të vijojë një betejë e gjatë me Núñez, i lumtur që mundi të shpëtojë nga një peshë e keq menaxhuar e njëkohësisht i vetëdijshëm se është me shpatulla pas murit: kush do ta marrë përsipër një të çmendur si Maradona? Por edhe pas asaj nate të tmerrshme në Madrid, Napoli i Corrado Ferlaino do të mundë të kryejë një operacion të pamundur.
Por është krejt tjetër histori, edhe pse është e lidhur me këtë. Nga një “crimen” fillestar, në një “crimen” përfundimtar, që në dy pamje na tregojnë për dy Maradona të ndryshëm, edhe pse Diego ishte vetëm një. Dhe si ai, me talentin e tij të jashtzakonshëm, me aftësinë e tij për të dalë fitues por dhe për të qenë një humbës i tmerrshëm, mbase, vërtet nuk ka qenë askush.