Ditët e fundit veçova dy lajme që ishin pjesë e bisedave publike – në Tiranë vajtja e kreut të SPAK-ut Altin Dumani në Uashington dhe blerja e disa autoblindave amerikane nga ana e Prishtinës.
Nuk më ka rastisur të shoh ndonjë lajm në Greqi se si politika dhe qytetarët duartrokasin vajtjen e kryeprokurorit për të raportuar dhe marrë udhëzime nga një vend aleat. Edhe kur ndodh, nuk del nëpër medie. Grekët e kanë të shenjtë sovranitetin penal. Ata bashkëpunojnë me gjithë aleatët, kanë diplomaci me kundërshtarët, por kanë vendosur disa kufinj.
Ndërkohë, edhe Serbia blen armë kudo mundet. Thotë se mban kurs neutraliteti dhe kërkon ta ruajë me fanatizëm asnjëanësinë e saj. Nuk është lajm kombëtar blerja e autoblindave, siç bëjmë ne, por kontratat miliardëshe me Francën dhe Izraelin.
Ne kemi një shprehje të bukur që thotë se shtëpia nuk mbahet me miell hua. Kur populli thotë këtë shprehje, pëgjigjja që ka marrë gjithnjë nga politika dhe një pjesë e intelektualëve ka qenë se ne nuk bëjmë dot përpara nëse nuk bashkohemi me një perandori të madhe. Faktikisht, kjo është pyetja – pse ne nuk bëjmë dot përpara pa varësi kaq të theksuar nga një qendër? Përgjigjja është historiciste – shih romakët dhe bizantinët ku ne kishim perandorë, apo sa vezirë kishim nën osmanë. Sërish, kjo është pyetja – pse nuk bëmë vendin tonë por u dhuruam të tjerëve perandorë dhe vezirë? Edhe në këtë rast përgjigjja është e thjeshtë – se na lanë mbrapa osmanët. Mund ta vijojmë këtë logjikë deri më sot për të pyetur se pse ne kemi aleatë amerikanët, fuqinë më të madhe në botë, por jemi të fundit në Ballkan?
Në këtë kontekst ravijëzohen dy linja mendimi – izolacionizmi enverist dhe eurocentrizmi perandorak. Edhe pse të dyja janë të gabuara, sërish ka remineshenca për enverizmin se si ai ruante një lloj dinjiteti ndërkombëtar, apo logjika që parashtruam më sipër se pa u bërë pjesë e Bashkimit Evropian jemi të humbur dhe s’ndryshojmë dot.
Në të dyja këto linja mendimi na çon pafuqia. Ndërkohë, fuqia e të pafuqishmit është pikërisht mendimi. Shih Japoninë, Singaporin apo Izraelin sa vende të vogla përballë Kinës apo arabëve dhe sa të fuqishëm janë.
Nëse sovranitetin penal e kemi deleguar te aleatët, ushtrinë po ashtu, edhe diplomacinë, ajo që ngelet janë veç politikat fiskale. Pra, “autokrati Rama” ka në dorë të zgjedhë sa dhe kujt do i mbledhë taksa dhe tatime. Taksidari Rama nuk plotëson asnjë kusht themelor autokracie si Erdoani, Putini apo Shi Xhinpingu, për shembull – sepse nuk ka në dorë ushtrinë, diplomacinë, sovranitetin penal.
Edhe në Kosovë është thuajse e njëjta qasje, por me një ndryshim të vockël – ky në Tiranë i ka qejf paratë dhe vjedh shumë, ai në Kosovë i ka zët paratë dhe s’bën investime fare.
Nëse aleatët na kanë lehtësuar nga barra e të menduarit për diplomaci të madhe, strategji ushtrake apo goditje grupesh të rrezikshme kriminale, sërish jemi keq. Edhe kur i kemi pasur vetë në dorë kemi qenë keq – izolacionizmi enverist.
Si ka mundësi që shkuam nga të qenit vendi më i izoluar në botë, tek vendi që kemi në dorë vetëm disa politika fiskale, me politikanë taksidarë? Ngjan se njëra nga përgjigjet është se duke i vënë kurora dafine politikanit të radhës, jo institucioneve shtetërore, harruam të përfytyrojmë dhe ndërtojmë të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët. Duket sikur e përçmojmë demokracinë. Nuk e duam. Përderisa ne nuk e duam, as ajo s’na do, ndaj do gjejmë përkujdesje atërore nga “autokrati” i radhës, i cili lufton me Athinën e Beogradin si nëpër poezitë e Fishtës, por ne mbetemi prap të fundit në Ballkan.