“Kur i pyetën gratë se ç’u mungonte më shumë nga burrat e vrarë, ato thanë se ishte kafeja që pinin bashkë”.
Masakra e Srebrenicës – 8372 filxhanë kafeje për 8372 djem dhe burra të ekzekutuar.
*
Në Bosnje, rreth dy dekada më parë, u krye një nga krimet më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Vrasje, genocid, etnocid, kampe përqëndrimi, përdhunim, sakatim… gjithçka përmendet në librat e krimeve horror u krye nga ushtria dhe paramilitarët serbë.
Komuniteti ndërkombëtar që merret me të drejtat e njeriut ktheu sytë në krah të kundërt – janë myslimanë. S’kanë ç’na duhen.
Në 10 vjet, duke filluar me rënien e murit të Berlinit, makineria e shovinizmit serb u ushqye me gjakun dhe trupat e mbi 130 mijë viktimave në Ballkan, shumica dërrmuese e të cilëve ishin boshnjakë.
Luftë e shkurtër me Slloveninë; luftë me Kroacinë; luftë në Bosnje dhe luftë në Kosovë.
Tmerre u kryen ndaj Bosnjes dhe Kosovës, ndërkohë që Sllovenia u shkëput thuajse pa luftë, Mali i zi pa luftë ndërsa Kroacia me luftë dhe me kushte që i vendosi vetë.
Paqja për Bosnjen u arrit në Dejton të Ohajos, në Amerikë. Sot Bosnja është një nga shtetet më të çuditshme në botë – ka 3 presidentë, qindra ministra, 3 etni shtetformuese dhe një kushtetutë që s’e shtjellon dot asnjë konstitucionalist në botë.
Edhe paqja për Kosovën u nënshkrua në Kumanovë, mes ushtrisë serbe dhe NATO-s.
Si ka mundësi që Bosnja dhe Kosova morën shumë pak vëmendje ndërkombëtare ndërsa kryheshin krime makabër? Si ka mundësi që vetëm Kroacia është bërë pjesë e BE-së që nga samiti i Selanikut në vitin 2003? Kosova është shtet gjysmak; Bosnja është shtet gjysmak; Maqedonia duhej të shtonte një orientim gjeografik “e veriut”, përndryshe Greqia ishte shumë e zemëruar. Ndërsa tani, pas shtesës gjeografike, duhet të shtojë në kushtetutë se ka rrënjë bullgare; Malin e Zi e kanë marrë nën kontroll nacionalistët serbë; në Kosovë duhet të krijohet një formë e çuditshme mbrojtje teritorialo-politike për pakicën serbe, përveç ulëseve të detyruara në Parlament; ndërkohë, vetëm ne në Shqipëri jemi të lumtur – ne kemi kryeministrin më të mirë, më të bukur, më të zgjuar: Edi Ramën. Nuk e dimë akoma kush është opozita e vërtetë, por ç’rëndësi ka, sepse ne kemi kryeminstrin më të zgjuar dhe largpamës në botë.
Përkundrejt këtyre humoreve ballkanike, kryeministri ynë mund të rrijë edhe 3 shekuj të tjerë në pushtet, sepse ai e pranoi, pa asnjë teklif, që Shqipëria të mos bëhej ndonjëherë pjesë e BE-së. Evropianët i kanë një nder të madh borxh.
Deri më sot kishim një ëndërr të përbashkët si Ballkan, që të anëtarësoheshim në Bashkimin Evropian. BE-ja nuk na do dhe ka krijuar një platformë për të na lënë në paradhomë – Komuniteti Politik Evropian (bisedime dhe negociata si me Truqinë, por do rrini në paradhomë për një kohë të gjatë).
Edi Rama e ka pranuar këtë platformë dhe na mburret thua se ka bërë gjetjen e shekullit që e ka futur Shqipërinë në një paradhomë me Moldavinë.
Pyetja që shtrojmë sot, ndërsa ëndrra e BE-së venitet, është se e cila do të jetë e ardhmja e Ballkanit perëndimor?
Influencë ruse, kineze, amerikane, turke dhe evropiane. Pas një mungese vëmendjeje dhe vakumi 10 vjeçar të Evropës dhe BE-së ndaj Ballkanit, rusët dhe kinezët gjetën shtigje të mira dhe erdhën e ndërtuan një autostradë në Mal të Zi që e futën gjithë shtetin në borxhe, ndërsa rusët blenë sektorët strategjikë në Serbi.
Për nga loja e fuqive në rajon, ngjan se jemi kthyer në shekullin e 19-të.
Aty nga viti 2015, evropianët kthyen sytë. Pastaj, nga viti 2016 kthyen sytë dhe amerikanët. Pushtimi i Krimesë nga Rusia solli vëmendje edhe për këtë lagjen tonë.
Evropianët dhe amerikanët e kishin formulën gati – stabilokraci. Ata bëjnë sikur na gënjejnë, ne bejmë sikur e hamë dhe jemi në rregull. Ata bëjnë sikur ndërmarrin reforma, ne bëjmë sikur po i pranojmë raportet e reformave dhe gjithçka në rregull.
Kësisoj u stabilizuan në pushtet të pavdekshëm liderët e fortë si Nikola Gruevski, Millo Gjukanoviçi, Edi Rama – Sali Berisha, si dhe Aleksandër Vuçiçi.
Por shpërtheu lufta në Ukrainë. Gjërat ndryshuan shpejt.
Më mirë se ne këtu në Ballkan, zor se ka ndonjë vend në Evropë që ta kuptojë luftën në Ukrainë, në të gjithë përmasën e saj – të sigurisë, imperiale, hibride, etnike…
Kur ne shohim luftën në Ukrainë, e kuptojmë shumë mirë se Vladimir Putini është Aleksandër Vuçiçi dhe Ukraina është Kosova me Bosnjën.
Sot, për shkak të propagandës që bën Perëndimi që qytetarët në vendet e tyre të kuptojnë ç’është lufta, ç’është dezinformimi, ç’është nazizmi dhe komunizmi, ç’është aneksimi i territoreve… shumë kanë kthyer vëmendjen në Ballkan sepse e dinë se vendi më shovinist po përgatitet sërish për të shpërthyer në marrëzitë e veta.
I vetmi që bën sikur nuk e sheh se çfarë po ndodh është kryeministri Edi Rama. Për të gjithçka është transaksion – lekë, euro dhe dollarë.
Ne që i druhemi një konflikti jemi të marrë. Ai nuk i druhet ndonjë gjëje. Ai ka avion privat. Ka jaht. Ka kostume të bukura. Ka edhe kostum ushtarak që mund ta veshë po qe se i duhet të bëjë ndonjë video. Ai i ka të gjitha, përveç pak burrnie.