Në vitin 1991 bie Bashkimi Sovjetik dhe SHBA-të triumfojnë. Janë superfuqi e vetme. Për disa ishte koha që e gjithë bota të bëhej demokraci liberale. Ndërkohë, për disa autorë të tjerë, si Xhon Mershaimer apo filozofi britanik Xhon Grei, tensionet ishin aty, fuqitë e mëdha ishin aty, por po i mbushnim mendjen vetes se “historia ka përfunduar”.
Nuk kaloi shumë kohë dhe u shfaq konkurenti i ri – Kina. Gjiganti aziatik kishte studiuar me kujdes rënien e Bashkimit Sovjetik, kishte dërguar mijëra studentë në Amerikë për studime, kishte marrë gjithë industrinë e botës në Kinë për t’u zhvilluar dhe fillon një ngjitje meteorike duke ripërcaktuar dinamikat globale të fuqisë.
Aktualisht që flasim, ekonomia e Kinës rivalizon atë të Amerikës, ushtria modernizohet me shpejtësi dhe Rruga e Mëndafshit zgjeron ndikimin global të saj. SHBA-ja është në alarm, ndërsa ka kthyer gjithë antenat tek Deti i Kinës së Jugut dhe mbi Tajvanin. Sapo kanë filluar luftërat tregtare, betejat teknologjike dhe ripozicionimet ushtarake. Gjithë kjo situatë sinjalizon një përballje klasike, edhe më të fortë se me ish-Bashkimin Sovjetik.
Dikur ishte Evropa, sot Azia
Nëse kërcënimi shekullin e shkuar për Amerikën vinte nga Evropa, pasi aty ishte Bashkimi Sovjetik, sot vjen nga Azia, pasi aty është Kina. Ndaj, sugjerimi i parë për të hyrë në lëminë e sinologjisë është libri i Graham Elisonit. Autori, ndër më seriozët sot, sjell 16 raste nga historia për analogji. Nga 16 rastet që ai sjell, 12 kanë përfunduar në luftë (p.sh., Britania kundër Gjermanisë), ndërsa katër arritën të vendosin hegjemoninë në mënyrë paqësore (p.sh., SHBA-ja merr stafetën e Britanisë në fillim të shekullit të 20-të pa luftë, për shkak se nuk kishin mosmarrëveshje direkte territoriale dhe ishin afër kulturalisht).
Nëse shohim pak më tutje, një dekadë apo dy, Amerika dhe Kina kanë dallime ideologjike, janë futur politikisht në spirale nacionaliste dhe kanë divergjenca interesash në Azinë Juglindore. Kjo rrit rreziqet. Pikat më të nxehta aktualisht janë Tajvani dhe Deti i Kinës Jugore që mund të nxis konflikt. Kina kërkon dominim rajonal ndërsa SHBA-ja po unifikon aleancat në Indo-Paqësor.
Historia rimon, nuk përsëritet
Paralajmërimet që na vijnë nga historia e lashtë dhe moderne na tregojnë se lidhjet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës mund ta pengojnë luftën e drejtëpërdrejtë. Ky është një nga argumentet e forta të liberalëve. Ndërkohë, autorët klasikë nuk e marrin në konsideratë këtë. Por mund të themi se shpëtimi nga Kurthi i Tukididit sot kërkon diplomaci të guximshme, lëshime reciproke dhe ndërgjegjësim për gabimet historike. Lideri kinez Shi Xhinping flet zakonisht për një lloj të ri marrëdhëniesh mes Fuqive të Mëdha. Një optikë se si duket kjo marrëdhënie na e jep traktati i miqësisë Rusi – Kinë. Ndërkohë, në SHBA shohim një politikë që lëkundet mes konfrontimit dhe angazhimit diplomatik që mund ta parafrazojmë me shprehjen “speak softly but alëays carry a big stick”. Po t’i përmbahemi shkollës realiste të Mershaimerit, vendet do shkojnë në luftë. Elisoni na thotë se kjo mund të shmanget. E gjithë bota po vëzhgon. Samiti mes SHBA-së dhe Rusisë në Riad të Arabisë Saudite është një lëvizje në këtë drejtim, për një arkitekturë të re sigurie.
VIJON >>>>>>