Për të Giorgia Meloni është e gatshme të vendosë dorën në zjarr. “Ndihmomëni t’i dërgoj solidaritet Edi Ramës për linçimin e pësuar vetëm sepse u përpoq të ndihmojë kombin tonë”, pati thënë në konferencën programatike të Fratelli D’Italia të prillit të kaluar pas episodit të “Report” mbi akordin për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë. Giorgia është e bindur se akuzat për bashkëpunim mes qeverisë Rama me mafian shqiptare janë propagandë e pastër.
Por, dorën mbi zjarr, kryeministrja rrezikon të djegë. Në hetimin “Fushata në Shqipëri” që “Report” do ta transmetoje sonte, kemi mbledhur dëshminë e ish zëvendëskryeministrit shqiptar, Arben Ahmetaj, krahu i djathtë i Edi Ramës në tre qeveri. Një vit e gjysmë më parë ndaj tij ishte nxjerrë një urdhër-arresti për korrupsion në një hetim për inceneratorë që bëri të dridhej gjysma e qeverisë. Për të shmangur burgun, Ahmetaj u arratis në Zvicër dhe nga një një njeri i besuar i Ramës, është tani një nga më akuzuesit e tij më të ashpër. Ahmetaj ka rrefyer rolin thelbësor të mafies në ekonominë dhe politikën shqiptare: “Grupet kriminale marrin kontrata falë të tretëve që figurojnë vetëm si emër, riciklojnë paratë në Shqipëri në ndërtime. Ata koordinohen me Edi Ramën”.
Sipas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit të arratisur, Rama do të kishte marrëdhënie direkte me krerët e klaneve: “I takon krerët e Mafias në zyrën e tij, në ndërtesën e qeverisë, i kam parë”. Ahmetaj pretendon se marrëdhëniet ndërmjetësohen nga një sipërmarrës nga Durrësi, Ergys Agasi, biznesmen në sektorin e duhanit dhe djali i një ish deputeti të fuqishëm socialist. Në intervistën e gjatë për Report, Rama i hedh poshtë denoncimet duke e cilësuar si të pabesueshëm ish krahun e tij të djathtë: “Njerëz që nuk duhen marrë seriozisht. Politika shqiptare nuk është e ndotur nga mafia”. Por, pak më parë, pikërisht në zyrën e Ramës u zhvillua një mbledhje, nga e cila Report është në gjendje të tregojë provat fotografike, në të cilën mori pjesë Luftar Hysa, i konsideruar nga autoritetet kanadeze si një nga ricikluesit kryesorë të kartelit të Sinaloa. Dy muaj pas takimit me kryeministrin shqiptar, biznesmeni mori licencën për të hapur një kazino në një hotel luksoz në Vlorë. “E kam parë një herë dhe kurrë më”, është mbrojtja e Ramës. Por Shqipëria nuk është tokë e lakmuar vetëm për klanet mafioze shqiptare. Vitet e fundit shumë sipërmarrës italianë kërkojnë fatin përtej Adriatikut. Mes tyre edhe Massimo D’Alema. Report ka zbuluar se vitin e kaluar ish kryeministri hapi një firmë lobimi A&I, në Tiranë, ku deri pak muaj më parë kompanitë e reja nuk paguanin asnjë taksë. “Në Shqipëri merret me kriptovaluta”, thotë Ahmetaj. I pyetur nga Report, D’Alema e mohon. Sidoqoftë, në Tiranë, më 2019 hapi siparin Consulcesi Tech, kompania që ka inauguruar në Maltë një fond të specializuar për investime në kriptovaluta. “Consulcesi” i referohet Massimo Tortorella-s, ish-partnerit të D’Alemës në kompaninë e tij të verërave. Më 2019, D’Alema dhe Rama pagëzuan së bashku fillimin e aktiviteteve në Tiranë të Consulcesi Tech, duke marrë pjesë në një konferencë.
Marrë nga Il Fatto Quotidiano/ Giorgio MOTTOLA, i dërguar i “Report”, Rai 3
Përktheu për gazetatjetër.net Dardan MITROVICA
