Që do të vinte kjo ditë dihej! Ndoshta jo nga të gjithë por nga kush kupton se me marrjen e dhunshme të 83 mandateve nga qeveria dhe reagimit të vagët të opinionit publik, po përgatiten të gjitha kushtet për instalimin e një qeverisjeje që çdo gjë mund të quhet vetëm demokratike jo. Mbyllja e News24, kanalit që në njëfarë mënyre rrjeshtohej te ato që mund të konsiderohen media akoma të lira në Shqipëri, në fakt ka alarmuar mbi të gjitha, institucionet ndërkombëtare. Në një kohë kur Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike dhe demokratike, ky akt përforcon frikën dhe censurën që pushteti Rama po imponon ndaj çdo zëri kritik.
Atmosfera mbytëse pas zgjedhjeve të vjedhura
Zgjedhjet parlamentare të majit 2025, të cilat shumë institucione ndërkombëtare dhe opozita i kanë cilësuar jo të lira dhe të ndershme, kanë hapur një kapitull të errët për demokracinë në Shqipëri. Grabitjet e votës, përdorimi i administratës për qëllime elektorale dhe manipulimet flagrante kanë shuar shpresat e një mase të frikshme qytetarësh për një të ardhme më të drejtë. Kësaj klime i shtohet edhe mbyllja e News24, në vetvete një akt për të heshtur plotësisht një zë edhe pse jo plotësisht, por pjesirisht ishte opozitar dhe kritik dhe një këmbanë për të gjithë opozitarët dhe kritikët e vërtetë të këtij regjimi.
Mediat e blera dhe shërbëtorët e pushtetit
Sepse, mjafton një vëzhgim i thjeshtë dhe do të kuptosh se në Shqipëri, pjesa më e madhe e mediave janë të blera dhe të shndërruara në vegla propagande të qeverisë. Sepse, ky kontroll i informacionit shërben për të manipuluar opinionin publik, duke mbuluar skandalet dhe duke heshtur zërat kritikë. Mbyllja (të paktën deri tani) e News24, si një prej pak kanaleve që ndryshonin prej morisë së mediave mavi të qeverisë, nxjerr në pah strategjinë e qartë të pushtetit për të monopolizuar narrativën mediatike dhe për të shuar çdo formë të vërtetë lirie.
Censura si mjet shtypjeje: Kur media bëhet armik i pushtetit
Në vend që të garantojë pluralizmin dhe transparencën, qeveria Rama zgjodhi heshtjen e zërave kritikë për të fshehur abuzimet dhe keqmenaxhimin e skandaleve që nuk dëshiron të dalin në dritë. Mbyllja e një televizioni si News24 nuk është aksidentale — është planifikim dhe frikë nga e vërteta.
Çfarë do të thotë për shoqërinë mbyllja e medias joqeveritare?
Ky akt nuk është vetëm një sulm ndaj një televizioni të vetëm; është një goditje e rëndë ndaj gjithë shoqërisë shqiptare. Pa media të pavarur, qytetarët humbasin mundësinë për t’u informuar në mënyrë të drejtë dhe të balancuar. Gjë që krijon një hendek të thellë mes pushtetit dhe publikut, ku informacioni “përpunohet” për të ruajtur interesa të ngushta politike dhe ekonomike. Në mungesë të një kontrolli të pavarur, korrupsioni dhe abuzimet rriten, dhe shoqëria bëhet më e pafuqishme për t’u organizuar dhe për të kërkuar llogari.
Koha për reagim masiv: Koha për protesta dhe rezistencë qytetare (po nga kush)
Në këtë moment kritik, qytetarët, gazetarët dhe opozita duhet të bashkohen dhe të ngrihen në këmbë për të mbrojtur të drejtën e shprehjes. Pa media të lirë, nuk ka demokraci. Pa fjalë të lira, nuk ka shpresë. Nëse mbyllet një televizion, nuk duhet të mbyllet goja e askujt!
Fjalën e lirë nuk e ndal dot asnjë
Mbyllja e News24 është një thirrje alarmi për të gjithë ne: liria është e shtrenjtë dhe kërkon luftë të përditshme. Nuk duhet të heshtim! Është momenti që zëri i popullit të dëgjohet më fort se kurrë më parë.