(Vijon nga numri i kaluar: Çelësat kopilë të Perandorisë së Kuqe)
Menjëherë pas marrjes së pushtetit me krime barbare, komunistët shqiptarë importuan modelin e akaparimit të arteve dhe letërsisë nga i vetmi vend socialist, Bashkimi Sovjetik stalinist, ku asokohe Socrealizmi ishte shpallur dhe institucionalizuar ligjërisht si doktrina sunduese dhe e vetmja e lejuar në krijimtarinë artistike. Analiza e detajuar e doktrinës zhdanoviste si trajektore dhe socio – fe ideologjike, më çoi mua Fatos Kolën në gjurmët parake të miteve të mirënjohura botërisht, të cilat e kishin shtruar trasenë e tyre mbi mendjen e njerëzisë mijëra vite më parë (ngjashëm i shfrytëzoi mitet edhe nacional – Socialisti Hitler). Si matricat bazë të kulturës primordiale dhe me kuptime të shumëfishta, mitet janë përdorur qysh në kohët prehistorike për të ngjizur dhe përhapur traditat, mesazhet përmbajtësorë dhe kulturën verbale (gojore) të popujve. Në mite ruhet laryshia dhe fuqia e pamatshme e forcës krijuese të shpirtit njerëzor, si dhe përvoja mijëravjeçare e njerëzimit. Thënë ndryshe, mitet përmbajnë arketipe dhe kode kulturore për zhvillimin e krijimtarisë dhe për dizajnimin e jetës së popujve. Nëpërmjet miteve popujt formësuan botëkuptimet, ndjenjat, besimet dhe veprimet kolektive të brezave. Ky proces i projektimit dhe përdorimit të energjive shpirtërore shpjegon ndikimet dhe efektet e miteve parapolitike në përpjekjen për të krijuar grupe dhe bashkësi shoqërore solide dhe të afta për komunikim imagjinar me “perënditë”. Pikërisht këto arketipe, kode kulturore dhe këtë filozofi shfrytëzuan mendimtarët stalinistë Gorki e Zhdanov për të hartuar doktrinën Socrealiste që synonte nënshtrimin e artistëve dhe futjen e tyre nën zgjedhë, për të jetësuar pushtetin absolut komunist në letërsi e arte, në përmbushje të motos bolshevike “Të gjitha pushtetet u takojnë Sovjetëve – Të gjitha pushtetet u takojnë Sovjetëve – Të gjitha pushtetet u takojnë Sovjetëve”. Prandaj dhe Sejfulla Malëshova e Dhimitër Shuteriqi (këta njohës – imituesit e parë të model – Doktrinës së Socrealizmit), e përkthyen atë nga rusishtja dhe punuan për ta jetësuar doemos edhe në Shqipëri, sa kohë që përballë kishin kundërshtarë poaq doktrinarë sikurse etërit franceskanë e jezuitë, etërit islamë dhe ortodoksë, por edhe Koliqin, Pipën e Camajn me shokë. Kundërshtarë këta që u luftuan për jetë a vdekje nga sllavokomunistët, dhe shumica syresh pati fund tragjik. Sikurse dikur, në prehistori dhe antikitet, edhe sot, mitet politike janë instrumenti më i fuqishëm i pushtetit, i përdorur nga të gjithë pushtetarët dhe kundërshtarët e tyre. Po çfarë janë mitet politike?
MITET POLITIKE SI ARKETIP IDEOLOGJIK
Mitet politike përfaqësojnë histori dhe narrativa të shenjtëruara ose të idealizuara për rendin shoqëror, marrëdhëniet politike, shtetin, autoritetet politike, hierarkinë sunduese, pushtetin politik dhe idealet politike, të cilat njerëzit e zakonshëm nuk mund t’i kontrollojnë. Gjatë monizmit shqiptarët u bombarduan me mitet si “Socializmi është sistemi më i përparuar ekonomiko – shoqëror”, “Shqipëria është shtet – kështjellë e pamposhtur në brigjet e Adriatikut”, “Shoqëria jonë socialiste karakterizohet nga uniteti i shkëlqyer Parti – popull dhe nga uniteti midis kllasës punëtore e fshatarësisë kooperativiste”, “Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën ato të ndërgjegjshme”, “Ç’don populli bën Partia, ç’thotë Partia bën populli”, etj. . Në shoqërinë moderne, sidomos në kohë krize, mitet nuk lindin spontanisht por prodhohen në mënyrë të planifikuar nga “ustallarë” dhe shfrytëzohen për t’i paraprirë luftërave e revolucioneve. . . Për këto synime punojnë shumë ideologë, propagandistë, agjitatorë dhe demagogë. Shembujt ilustrues më tipikë të këtyre skemave në shek. XX janë Revolucioni Bolshevik i Tetorit 1917 dhe Revolucioni Kulturor kinez. Duke premtuar realizimin e dëshirave kolektive dhe shpresave, mitet politike përllogariten që të mobilizojnë turmat për zbatimin e vullnetit dhe interesave të krijuesve të miteve (sikurse komunistët tanë ngritën rininë dhe turmat për të shembur kishat dhe xhamijat). Mitet politike në shoqërinë bashkëkohore janë shndërruar në instrumentet më precize të praktikës manipuluese (shembuj janë lëvizjet politike të quajtura “Pranvera arabe”).
***
Ustallarët e krijimit dhe përhapjes së miteve ideologjike e totalitariste punojnë për sajimin doemos të imazhit të armikut të komunitetit politik, duke shpikur dhe ekzagjeruar rrezikun prej tij (sikurse: “armiqtë e kllasës”; “trathtarët e Partisë”; “kapitullantët dhe devijatorët borgjezo – revizionistë”, etj. . Kjo është edhe arsyeja përse “armiqtë” brenda nesh gjithmonë pothuajse janë shpikur. Ndërsa “armiqtë e jashtëm” në shumicë janë shpikur (shembuj janë: “shtetet dhe aleancat e blloqeve ushtarake imperialist – revizioniste kundër Shqipërisë Socialiste”; “koalicionet eçfarëdollojshme të armiqve që kurdoherë i përballojmë ushtarakisht, nëse guxojnë të na sulmojnë”, dhe që “e kanë halë në sy Shqipërinë”. Mitet politike janë derdhur në themelet e çdo ideologjie dhe përdoren si mjete të sprovuara të manipulimit politik. Me anë të ideologjisë mitizohen dukuritë politike, institucionet dhe subjektet politike: (“PPSH është partia e vetme që gjithmonë e ka mbrojtur dhe i ka qëndruar besnike marksizëm – leninizmit”; “Demokracia proletare është demokracia e vërtetë”, “Partia Demokratike përfaqëson pronarët dhe të Përndjekurit politikë”, “Partia Socialiste është parti social – demokrate dhe europeiste që mbron interesat e shtresave të paprivilegjuara dhe jo ato të pasunarëve e oligarkëve”, etj. Një nga format më klasike të krijimit të mitit politik është edhe ajo e hyjnizimit dhe përjetësimit të liderëve, duke i paraqitur ata si mishërime të fatit e të zhvillimit historik (sikurse “Edi Rama e lufton korrupsionin, por të korruptuarit i hanë dardha dhe kumbulla pas shpine”, “Pardesytë e Bardha na sollën pluralizmin politik dhe demokracinë”, “Republikanët mbrojnë interesat e pronarëve dhe familjen tradicionale shqiptare”. Ky mit i fundit u trumbetua shumë gjatë, ndonëse për pronat e grabitura nga komunistët para dhe pas vitit 1990, Republikanët shqiptarë nuk e kanë hapur kurrë gojën, pasi “republikanët” e të gjitha ngjyrave gjatë kësaj periudhe bënë gjëmën mbi pronat e shqiptarëve të shenjtëruara gjatë Mbretërisë. Madje ka mbetur i paharruar publikimi prej Fatos Nanos në vitin 1998 i sekretit që i konfidoi Sabri Godo: “Ti Sabri që pretendon dhe mbahesh se i mbron pronarët dhe interesat e tyre lidhur me pronat e trashëguara, atje në kafe më the se ne si parti bëjmë sikur… ndërsa pronarët e gjorë na besojnë…”. Kurse Godo, jo vetëm që nuk e kundërshtoi akuzën, por shprehu keqardhjen që “një lider politik i përmasave të kryetarit të PS nuk duhet ta bënte kurrë gabimin për të nxjerrë në pazar konfidimet në mirëbesim të kolegëve politikanë!!?”
***
Funksione të tjera të miteve politike janë: diskreditimi i kundërshtarëve dhe shpallja e idolatrisë ndaj “heronjve” që u konvenojnë politikisht dhe u legjitimojnë pushtetin; janë lartësimi dhe mundësisht përvetësimi vleror i historisë dhe fitoreve… Por absurditetin më unikal tek mitet e shenjon vetidentifikimi pa droje i përdoruesve politikë si autorë të ndarjes dikotomike “Ne” dhe “Ata” të kampit tjetër (kundërshtar). Ashtu si në mitet mesianike, komunistët i shndërruan Socrealizmin dhe ideologjinë komuniste në mite të legjitimitetit, me atribute “reformatore”, “edukative”, “etike”, “aksiologjike”, “tradicionale”, etj. , të krijuara për t’iu përgjigjur situatave kritike dhe sidomos krizave të njimendta që vijnë pas luftërave, epidemive, katastrofave natyrore, Grushteve të Shtetit dhe revolucioneve. Në praktikën politike të shoqërisë sonë komuniste dhe postkomuniste janë krijuar dhe gjallojnë ende mite për “gjuhën shqipe”, “liderët historikë”, “partitë e lavdishme”, për “demokracinë”, për “drejtësinë e reformuar” për “SPAK – un që do të na pastrojë klasën e vjetër e të korruptuar politike”, etj. Funksioni kryesor i miteve politike është përdorimi i mjeteve dhe teknikave të mobilizimit të turmave për formimin dhe orientimin e vullnetit kolektiv, bartësit e të cilit duhet të angazhohet në veprime politike (shembuj janë lëvizjet antikomuniste gjatë diktaturës dhe aksionet politike të opozitave në Shqipërinë pluraliste).
BILANCI I ENVERIZMIT DHE I PARDESYVE TË BARDHA
Paslufta e Dytë Botërore shënoi fillimbetejën e kombëtaristëve me pushtuesit e rinj sllavokomunistë dhe tradhetarët kozmopolitë të të gjitha ngjyrave perandorake, që gjithmonë e shitën Shqipninë tek hasmi historik! Tradhtarët internacionalistë titisto – stalinistë u fshehën dhe nuk hodhën asnjë pushkë më 7 Prill 1939 për pushtimin e atdheut prej perandorisë italiane. Pushtim që rrëzoi shtetin e Mbretërisë të ndërtuar nga rilindësit e fundëm që realizuan idealet e Rilindjes kombëtare, të mishëruara në vendimet shpëtimtare të Kongresit të Lushnjes. Ndërkohë të tjera perandori dhe shtete antishqiptare përgatitën fshehtas coptimin dhe pushtimin e mëvonshëm të Shqipnisë londineze me vendimet e Konferencës së Paqes së Parisit 1946! Dhe ishin pikërisht Fuqitë e Mëdha armiqësore që, me skenar: fillimisht nuk e lejuan Mbretin Zog të kthehej në atdhe e të organizonte rezistencën anti – italiane dhe, më pas; sabotuan forcat nacionaliste të Ballit dhe Legalitetit, që në Mukje krijuan “Komitetin për Shpëtimin e Shqipnisë Etnike”, firmosur edhe nga Imer Dishnica e Mustafa Gjinishi të PKSH; por investuan yll – kuqat internacionalistë në Shqipni e Kosovë për të bërë luftë civile nën Enverin e Titon dhe, pas pushtet – marrjes, me vrasës shqiptarë, serbë e malazezë çfarosën mbi 100 mijë kombëtaristë; ndërsa në Greqi, me gjenocid dhe spastrim etnik çfarosën e përzunë edhe 100 mijë shqiptarë të tjerë drejt Shqipnisë e Turqisë; si dhe mbajtën në pushtet për 50 vjet bandën kriminalo – mafioze të Enveristëve.
***
Pas shembjes së komunizmit dështak në të gjithë botën, sërish fqinjët dhe perandoritë antishqiptare thurën dhe zbatuan skenarin Katovician për të përjetësuar mjerimin tonë dhe sundimin e neokomunistëve mbi shqiptarët… Ndaj dhe Kombëtaristët përsëri u tradhtuan ditën për diell teksa Katovicarë – pushtetarët rrëmbyen të gjitha pushtetet (si Sovjetët), dhe trojet e pronat ua dhuruan vetvetes, nomeklaturës komuniste e bijve, ndërsa pronarëve legjitimë dhe mjeranëve u dhanë “letra me brimë”! Për këtë qëllim të gjithë këta djaj u turrën dhe: miratuan ligjin antishqiptar 7501 duke varrosur përfundimisht kthimin e pronave; tjetërsuan Kadastrat dhe titujt e pronësisë kundër pronarëve, si dhe shpallën e jetësuan skemën “Shqipëria 1 euro”; blenë dhe shpërblyn me 5 lekë mjerimin e të burgosurve politikë, të shenjtëruar në demokraturën e tyre me anë të mohimit të punës skllavëruese të detyruar e të papaguar gjatë vuajtjes së dënimit; fëmijët e “armiqve” të djeshëm nuk u lejuan të punësoheshin në administratën shtetërore, ndërsa pronarët dhe kombëtaristët u hoqën nga puna; vranë lëvizjen sindikaliste që të vidhnin pronat e ndërmarrjeve dhe institucioneve dhe me skenarin e emërimit “kapitalist partie” privatizuan pasuritë kombëtare; ashtu si komunistët që lëvdoheshin se “për 40 vjet ata dhe baballarët e tyre i kemi vrarë” dhe se “likuiduam kllasën e pasanikëve gjakpirës e kulkakëve”; legjitimuan me ligje dhe me pushtetin gjyqësor të uzurpuar me skenar nga sigurimsat, të gjitha këto tjetërsime mbi pasuritë dhe pronat, dhe kësisoj demokomunistët jo vetëm transformuan përfundimisht strukturën sociale e atë pronësore të shoqërisë shqiptare, por u vetëshpallën pronarët e vetëm të Shqipnisë, të trojeve, tokës, nëntokës dhe bregdetit. P. S. Në kohën e Mbretërisë brezi bregdetar prej 200 metrash (që fillonte nga vija e ujit e deri në thellësi të tokës), ka qenë pronë e patjetërsueshme e shtetit shqiptar. Çka do të thotë se, në këtë segment bregdetar nuk ka patur asnjëherë pronësi private, sikurse mashtrohet sot e gjithë ditën nga Lame – lamashët e pushteteve neokomuniste, pasi kanë zhdukur dokumentacionin korrespondues.
***
(Në fillimet e demokraturës, në kuadër të ndihmave të shumëtrumbetuara për Shqipërinë, secili nga shtetet perëndimore dhe lindore që kishin marrëdhënie diplomatike me Tiranën zyrtare u akordonin qeverive tona nga 20 bursa studimi universitar falas, çdo vit. Çka do të thotë se u dhanë falas afro 300 – 400 bursa që, për mbi 30 vjet kanë sponsorizuar 9 – 12 mijë studentë. Po cilët janë dhe ku ndodhen sot këta ish studentë dhe përse emrat e tyre nuk u publikuan asnjëherë? Shumica syresh Sorosianë e me prindër komunistë, kanë akaparuar afro 4 mijë OJF – qendrat e spiunazhit të huaj lindoro – perëndimor, të shpallura si “shoqëri civile”, e që në fundore janë depozita sharlatanësh të pushteteve dështakë, që na lanë sërish në vend të fundit në Ballkan dhe Evropë).
***
Ramizistët e emëruar në krye të partive të krijuara e të mbushura me ish komunistë dhe sigurimsa: miratuan mos – hapjen e arkivave të shtetit (AQSH), të arkivave të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, LSHASH), të arkivave të Akademisë së Shkencave dhe universiteteve; të arkivave dhe dosjeve të PKSH – PPSH; të arkivave dhe dosjeve të Sigurimit të Shtetit e të Prokurori – gjykatave, që po të hapeshin sipas modeleve më të mira euro – lindore, do të zbulonin edhe krimet politiko – juridike të Diktaturës… Katovicarët gjithashtu boshatisën me skenar Shqipninë prej shqiptarëve qysh nga viti 1991 e në vazhdim, duke përgjysmuar kësisoj popullsinë e vendit; kanabizuan, lejuan e drejtuan shpërndarjen dhe pirjen e drogës nga të rinjtë dhe nxënësit e shkollave!
***
Për të betonuar pushtetin në arsim dhe kulturë, mbathën me tituj akademikë, me grada shkencore dhe me rroga e pensione speciale mbarë ish nomeklaturën komunisto – sigurimse të shpërndarë në të gjitha nivelet e administratës, në institucionet kushtetuese dhe në ato të Arsimit të Lartë e në Akademinë e Shkencave, ku djajtë e të gjitha palëve kanë lënë të pacenuara hierarkitë e djeshme dhe kanë blinduar pushtetet akademike aktuale. Kësisosj kanë krijuar qëllimisht pamjen se Shkencat dhe Artet kanë qenë dhe janë monopol vetëm i komunistëve dhe klaneve të tyre globaliste e internacionalisto – spiune! Ata kanë eleminuar garën, sistemin e karrierës dhe konkurrencën në politikë, ekonomi dhe administratë, duke shkatërruar të sotmen dhe ardhmërinë. Kanë shkatërruar zgjedhjet e lira e të ndershme; kanë instaluar krimin në politikë, polici, drejtësi dhe administratë. Kanë vënë nën sundim dhe kanë blerë mediat me anë të favoreve klienteliste, pagave të majme dhe benefiteve ekonomike, duke u lënë si mision trushpëlarjen, disinformimin dhe Eksport – Importin e famës së liderëve historikë dhe hierarkëve të zyrtarizuar të politikës e administratës! Për elitën kombëtariste të shkencës e të kulturës kanë institucionalizuar censurën zyrtare dhe largimin nga puna me anë të ligjit sigurims të titulluar “Kodi i Etikës”, ku me dëshmitarë allasigurimsa akuzojnë “armiqtë” për “fyerje” dhe i pushojnë nga puna. Pra përdorin Kodin e Etikës dhe jo Kodin Penal në fuqi për të penalizuar dhe vërtetuar para pseudoDrejtësisë sorosiane “fyerjen” e pretenduar. Tashmë armiqtë e djeshëm e të sotëm “të të njejtit bark që ende nuk është shterpëzuar” sërish përjashtohen nga e drejta dhe mundesia e hierarkimit administrativ, akademik e shkencor. Ngjashëm me skemat e djeshme moniste që institucionalizuan monopolin e neokomunistëve mbi shkencën, artin, kulturën dhe akademizmin, çka së fundmi e kurorëzuan edhe me zgjedhjen e Skender Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave pa garë dhe pa kurrfarë kontributesh akademiko – shkencore. Kësisoj na rezulton se tradhtarët më të mëdhenj të kombit janë kontigjenti i “inteligjencës elitare” që pranoi të shalohej sërish e duke heshtur patupësisht për të gjitha këto krime mbi shqiptarët, si dhe duke dëshmuar sërish se me edukimin ideologjik internacionalisto – kozmopolit e globalisto – soroist na kumtoi se mendimi ndryshe ende konsiderohet “herezi”!!! Dhe ec pastaj e mos thuaj se në Shqipninë tonë “të gjitha pushtetet u takojnë sovjetëve”, sikurse në Kubë, në Korenë e Veriut, në Rusi dhe në Kinë.
(Vijon…)