Në pamje të parë, nuk ka arsye që një opozitar shqiptar të gëzohet për fitoren e Mamdanit. Ideologjikisht, Mamdani përfaqëson të kundërtën e asaj që besojnë opozitarët dhe konservatorët shqiptarë.
Anëtar i Partisë Demokratike Amerikane, Mamdani ngjan si varianti më i ri, më radikal dhe i zhvendosur akoma më tepër në të majtë, edhe kur krahasohet me atë që ka qënë për dekada simboli i së majtës ekstreme amerikane, senatorin Bernie Sanders.
Fakti që Presidenti Tramp u përpoq t’i kundërvihej me çdo mënyrë zgjedhjes së Mamdanit, deri në pikën sa mbështeti publikisht një kandidat tjetër demokrat, duke i hequr mbështetjen madje edhe kandidatit republikan, është një tjetër faktor që e bën shumë më domethënëse fitoren e Mamdanit.
Opozita jonë ka qënë prej kohësh në krah të Presidentit Tramp dhe politikave të tij, të cilat janë shndërruar tanimë në parimet drejtuese të lëvizjejes konservatore që po forcohet dita ditës në radhët e demokratëve shqiptarë.
A ka kuptim, pra, që opozitarët shqiptarë t’i gëzohen fitores së Mamdanit?!
Unë mendoj që po!!!
Së pari, sepse Mamdani vjen në një moment shprese për Partinë Demokratike Amerikane. U pëlqejnë ose jo konservatorëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë politikat e demokratëve amerikanë, demokracia, sikundër edhe tangoja, ka nevojë për dy palë.
Nëse pushteti gati absolut i Presidentit Tramp gëzon konservatorët, aktivistët anti-Woke, mbështetësit e zjarrtë të MAGA-s dhe dërgon sinjale pozitive për të gjithë botën, publiku i mençur amerikan, me përvojën 250 vjeçare në demokraci, vendosi t’i balancojë pushtetet. “Peshorja” e mjedisit politik, ekonomik dhe social amerikan nuk mund të anojë kaq dukshëm nga një anë e vetme. Dëmi për SHBA-të do të ishte i pariparueshëm.
Së dyti, Mamdani doli pothuajse nga hiçi. Një këshilltar bashkiak i panjohur, i lindur në Afrikë dhe bartës i një besimi fetar që e përqafon më pak se 1% e shoqërisë amerikane, ai nuk është asfare politikani tipik amerikan, shpesh i mbrujtur në breza gjyshësh e stërgjyshësh.
Zgjedhja e Mamdanit u dërgoi demokratëve shqiptarë mesazhin se publiku i lodhur me politikanët “tipikë” tashmë kërkon fytyra të reja. Fitorja e Mamdanit provoi se me kandidatë si Ilir Alimehmeti, Florian Binaj, Florian Haçkaj, Ermal Hasimja, etj., demokratët shqiptarë janë në rrugën e drejtë.
Duke mbështetur këtë klasë të re aspirantësh politikë, opozita e ka të sigurt besimin e publikut; nëpërmjet tyre do t’i vendoset më së fundi fre vjedhjes dhe blerjes seriale të votave në gjashtë palë zgjedhje.
Nëse qytetarët votojnë masivisht një Madan, një Alimehmet, një Binaj, nuk ka banditë, kriminelë apo narkotrafikantë që mund t’i kundërvihen ndryshimit!
***
Demokratët shqiptarë ndodhen sot në një nga momentet më të vështira të historisë së tyre politike. Nuk është e lehtë të shpallesh humbës i katër zgjedhjeve parlamentare rresht (pavarësisht vjedhjes, blerjes dhe manipulimit të rezultateve).
Por dalja në skenën politike e një grupimi politikanësh të rinj, energjikë, vizionarë dhe, mbi të gjitha, me imazh që ngjall besim në publik, shënon pikën e kthesës.
Fitorja e parë u arrit!
Fushata qytetare e Binajt dhe Alimehmetit po e bënte Binajn fitues të padiskutueshme të garës së bashkisë, çka e detyroi Boratin t’i drejtohej për ndihmë boratëve të Estradës Kushtetuese për të amnistuar Lalin e vet hajdut dhe shmangur fitoren e opozitës.
Mesazh me shumë vlerë, i cili nëse interpretohet siç duhet nga opozita shqiptare, do ta çojë këtë të fundit shumë shpejt drejt fitores! Të shpresojmë…

