Përpjekja prej burracaku e Ilir Beqes për të përfshirë Ogerta Manastirliun në çështjen e incineratorëve ka dy qëllime.
Së pari, i dërgon mesazh Boratit se ai nuk është i gatshëm të shkojë i vetëm para gijotinës së SPAK-ut. Indirekt është thirrje për ndihmë.
Beqja i Boratit i kishte bërë gabim llogaritë me korrupsionin. Ai nuk kishte menduar për “ditën e zezë” dhe nuk krijoi rreth vetes ndonjë rrjet kriminelësh rruge që ta mbronte në kushtet e rënies në burg. E vetmja mbrojtje për të janë sot sekti i rilindjes dhe Borati. Nëse këta i heqin mbështetjen, burgu i Beqes do të ishte shumë i dhimbshëm.
Së dyti, Beqja kërcënon se përballë rrezikut të burgut, ai është i gatshëm të flasë. Për momentin shtyn SPAK-un drejt Manastirliut, por a mos është thirrja për SPAK-un një mesazh masonik drejtuar Boratit?!
***
Ato që di Beqja për Manastirliun, lidhur me aferën e sterilizimit është ajo që di gjithë bota.
Manastirliu e sapo ardhur në krye të ministrisë, nënshkroi shtesën e kontratës që i njihte koncesionarit plot 30 mijë ndërhyrje kirurgjikale tepër në raport me kontratën e nënshkruar nga Beqja. Këto ndërhyrje u cilësuan si ndërhyrje të thjeshta dhe u vlerësuan me një çmim prej “vetëm” 100 euro për ndërhyrje, për një total prej 3 milion euro në vit.
Deri në atë kohë, këto ndërhyrje quheshin “mikrokirurgji” dhe realizoheshin në pjesën dërrmuese jo në bllokun operator, por në mjedise të veçanta të spitalit që njihen me emrin “salla mjekimi”. Sterilizimi kryhej nga infermierja e turnit në një sterilizator të thjeshtë me koston e vetme kilovatët e harxhuar të energjisë elektrike.
Nëse ky sistem sterilizimi duhej përmirësuar kjo mund të bëhej me një kosto shumë më të ulët se 3 milion euro në vit.
Sterilizatorët për të cilët kishin nevojë këto salla për t’u modernizuar kushtojnë 10 ose maksimumi 20 mijë euro. Për të 12 spitalet rajonalë, totali do të shkonte rreth 240 mijë euro. Shtoji kësaj ndoshta edhe 240 mijë euro të tjera për rinovim instrumentesh (këto salla kanë nevojë për instrumentë shumë të thjeshtë), modernizimi i sistemit të ofrimit të mikrokurgjisë do të mbetej brenda kufirit të 500 mijë euro. Jo 3 milion euro të shpenzuara çdo vit!!!
Nga ana teknike, Beqja nuk gabon kur përpiqet të tërheqë edhe Manastirliun në gropën ku është duke rënë vetë, pavarësisht se e bën këtë në një mënyrë të neveritshme dhe burracake.
Por problemi nuk është këtu!
Në daljen e pardjeshme në media, Beqja i bie “pragut” Manastirliu që ta dëgjojë “dera” Rama. Mesazhi është i qartë:
“Përpara frikës së burgut, unë jam i gatshëm të flas. Sot po flas dhe po çoj drejt burgut atë që është një nga njerëzit e tu më të afërt, deri në pikën sa mendohej edhe si pasardhësja jote e mundshme. Nesër do të flas për ty, nëse nuk më ndihmon.”
***
Brenda pak ditëve, dy nga njerëzit më të afërt të Boratit, Tigri dhe Beqja japin në distancë të njëjtin mesazh. Të dhënat flasin se ata dinë shumë më tepër nga sa kanë thënë (Tigri sigurisht që di fakte bombë, por edhe Beqja nuk bie më poshtë), mjaftueshëm për të fundosur Boratin dhe rilindjen e tij.
Problemi është se ata e bëjnë këtë si burracakë, njëri nga arratia (të cilën ja mundësoi pikërisht Borati), kurse tjetri duke u përpjekur me çdo kusht të kriminalizojë dhe të çojë drejt burgut pjesëtaren më të lartë femër të rrethit të ngushtë të Boratit.
Nëse do të ishin burra, Tigri dhe Beqja sot duhej të ishin bashkëpunëtorë të drejtësisë si të penduar. Ata mund t’u bëjnë shqiptarëve një shërbim të jashtëzakonshëm, largimin e diktatorit më djallëzor që ka njohur Shqipëria gjatë 112 viteve të ekzistencës si shtet.
Kontribut këtu mund të japë edhe Sali Berisha. Doktori duhet të deklarojë se, pavarësisht nga krimet e kryera, rilindësit që do të dëshmojnë sot kundër Boratit, do të amnistohen nga qeveria e re, jo më larg se përfundimi i ditës së parë të punës.
Kjo ndoshta do të trimërojë sadopak Beqen, Tigrin dhe rilindësit e tjerë që të dalin hapur si bashkëpunëtorë dhe të penduar të drejtësisë.
***
Në vend që të arratisen nga sytë këmbët, apo të merren me gra (jo se gratë e rilindjes janë më pak hajdute se burrat dhe nuk e meritojnë), rilindësit e flakur jashtë çetës së hajdutëve bëjnë mirë t’i drejtojnë bataretë e tyre tek kapobanda.
Vetëm kështu do të lajnë një pjesë të krimeve që kanë bërë duke vjedhur e grabitur bashkëqytetarët e tyre të cilët u kishin besuar qeverisjen e vendit, paratë e taksave dhe të ardhmen e fëmijëve.
Vetëm duke çuar Boratin para drejtësisë, ata do të kenë të drejtë të ecin sërish para shqiptarëve pa u anatemuar dhe nëmur prej tyre.
Zgjedhjen e kanë vetë në dorë…