“Ndonjëherë mendoj, ç’do bënin këta po të mos ishte pavarësuar Kosova? Do të hante njeriu njeriun këtu”! Kështu shkruan akademiku shqiptar, i mirënjohuri Artan Fuga. Ai i referohet pranisë së turistëve kosovarë në Durrës dhe thotë se këtë të mirë publike në Shqipëri e solli pavarësia e Kosovës. Po. Kjo është e vërtetë. Pa turistin kosovar Shqipëria dhe Durrësi do ishin mjerimi më i madh i të gjitha kohëve. Dhe pa pavarësinë e Kosovës nuk do i kishim këta turistë. Ndaj dhe njohja e këtij fakti na bën më mirënjohës, me përulës para asaj që ka ndodhur në këtë çerekshekulli në Ballkan, në Kosovë dhe në hapësirën shqiptare.
Akademiku Fuga ka vënë në piskamë pavarësinë e Kosovës, si kushtin dhe shkakun kryesor të dyndjes së turistëve nga Kosova drejt bregdetit shqiptar, kryesisht Durrësit, por edhe drejt Shëngjinit dhe Velipojës. Natyrshëm që një Kosovë nën sundimin serb nuk do të kishte mundësi të tilla. Pra do ishte e pamundur në kushtet e para 12 qershorit 1999 që banorët e Kosovës të ishin kontigjenti më i madh I turistëve në Shqipëri.
Por nuk është vetëm pavarësia e Kosovës ajo që sot e bën turizmin shqiptar të suksesshëm. Dje mediet dhanë një lajm: – Rruga e Kombit është e bllokuar nga trafiku i madh i lëvizjes së mjeteve drejt Shqipërisë! Nëse këto mijëra e dhjetëra mijë mjete në një ditë do të mësynin nga rruga e vjetër drejt Qafës së Malit, ato nuk do të mbërrinin në Durrës as në tri ditë. Pra, sikur pavarësinë e Kosovës të mos e shoqëronte ndërtimi i Rrugës së Kombit, nuk do të kishim këtë fluks turistësh nga Kosova. Vështirë se ndonjë mendje mesatare do të thoshte se “edhe pa Rrugën e Kombit banorët e Kosovës do të dyndeshin drejt Durrësit”! Por jo! Pas faktorit pavarësi, rolin kryesor e luan Rruga e Kombit.
Rruga e Kombit rezultoi shumë shpejt si arteria më e rëndësishme që garantoi turizëm të qëndrueshëm në Shqipëri dhe solli situatën kur së paku „njeriu të mos hante njeriun“ prej urisë, siç thotë profesor Fuga. Megjithatë ne vazhdojmë të hamë njëri-tjetrin. Por jo nga uria. Për pasuri, për pushtet, për prestigj dhe për lavdi! Nuk rrinë dot shqiptarët pa ngrënë njëri-tjetrin në përpjekjet e tyre për të marrë nofkën se “Shqipëria është e vogël për dimensionet e udhëheqësit tonë”!
Në fakt dimensionet e një njeriu, lider apo politikan, varen nga rrënjët e jo thjesht nga disa degë që krasiten here pas here për shkak të thatësirës. Rrënjët e suksesit të sotëm turistik duhen kërkuar te pavarësia e Kosovës, dmth te ndërhyrja e NATO-s dhe SHBA-ve, lufta e UÇK-së së Adem Jasharit dhe përpjekjet politike e diplomatike të Ibrahim Rugovës. Por duhen kërkuar dhe te vepra historike e ndërtimit të Rrugës së Kombit. Rrënjët janë ato. Janë të dukshme dhe të pakontestueshme.
E vetmja krasitje e qeverisë së sotme, e cila mburret me turizmin, është taksa në Rrugën e Kombit. Profesor Artan Fuga thotë se „Të jem si këta, taksën e kalimit të trarit të kosovarëve për të ardhur këtu, ja u paguanin këta me qejf atyre“! Por në fakt ajo taksë është një pengesë artificiale që qeveria shqiptare e vendosi për të dekurajuar kosovarët të vinin në Shqipëri. Ndoshta edhe për të thënë: „Hë se ata patriotë janë, t’i paguajnë dhjetë euro për patriotizëm“! Po kujt t’ia paguajnë, sipas vendimit të qeverisë? Oligarkëve privatë të lidhur me pushtetin! Jo buxhetit të shtetit!
Ndërkohë Rruga e Kombit u ndërtua vetëm me paratë e taksapaguesve shqiptarë. As Banka Botërore dhe as Banka Evropiane për Zhvillim nuk pranuan të japin kredi të buta ose normale për këtë rrugë. Jo se nuk e dinin se ajo do ta shlyente veten për një dekadë. Por se lobet antishqiptare e ndikuan vendimmarrjen, më saktë refuzimin e tyre. Për një rrugë të paguar nga taksat e qytetarëve qeveria shqiptare nuk duhej t’i detyronte qytetarët ta paguajnë për së dyti herë sërishmi përmes taksës shtesë. Një rrugë që sjell kaq shumë turistë e të ardhura dhe që nuk na le „të hamë njëri-tjetrin“, do të duhej të ishte e lirë dhe pa trarë. Siç është psh autostrada për Vlorë, tek e cila kryeministrit tonë nuk ia mban të vendosë trarë.
Pra, janë të tjerët ata që sollën turizmin e zhvilluar në këtë vend, ndërkohë që mburrjet gjatë 24 orëve i shkojnë qeverisë së mafies!

