Rama është shfaqur si dëshmitar në dosjen “Sinaloa-Hysa”, një ndihmës në aktivitetet e tij në Shqipëri. Një mikpritës i kushërinjve “meksikanë” në zyrë, për të ofruar lehtësirat e agjendës së kartelit “Sinaloa”. Një prej organizatave terroriste, siç e ka emërtuar zyrtarisht administrata Trump, dhe një nga më të pasurat e më të rrezikshmet në planet, sipas listës amerikane, ka degëzuar aktivitetet e saj në Shqipëri. Duket se shpërthimet e sanksioneve nga SHBA nuk kanë kthim pas.
Dosja NarcoRama, me shembuj të ngjashëm, është e tejmbushur. Mesazhet nga DASH, DEA dhe CIA kanë qenë të forta dhe publike. Kartelet e drogës, kudo të ndodhen, janë në luftë me SHBA. Agjencitë amerikane dhe Ambasada në Tiranë kanë mbajtur qëndrime të shpeshta, duke pohuar se prioriteti numër një i qeverisë së tyre është lufta kundër trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, dhe bashkëpunojnë me qeveritë që e kanë këtë prioritet.
I shushatur, ndonëse ende gjithëkontrollues i godinës së pushtetit të arnuar me korrupsion, pastrim parash, tendera dhe pronë publike e private të vjedhur, kokainë të bollshme dhe banda të kollarisura, Edi Rama tenton të gjejë një strehë azili për të qëndruar pak kohë më gjatë në pushtet. Nxjerr si budallenj disa evropianë ose diplomatë të paguar, të cilëve ua krehin bishtin, dhe i thonë se je afër BE-së, por e di se na duhet një certifikatë sigurie andej matanë oqeanit. Dhe defteri, megjithëse vonon, nuk harron: mbërrin.
Luftar Hysa, familjarët dhe bizneset e tij, përfshirë kazinotë, janë sanksionuar dhe janë përfshirë në listën e zezë të Thesarit Amerikan. Dhjetëra milionë euro janë hedhur në ndërtim e kazino në Shqipëri dhe janë ripërcjellë në SHBA. Krimi vazhdon. Edi Rama ka pohuar publikisht, pasi janë shfaqur fotot e mysafirëve të “Sinaloa” duke dalë nga zyra e tij, se ka pritur Luftarin me “kushërinj nga Meksika” dhe këshilltarët e McGonigalit për të sqaruar disa padijenë burokratike. Kryeministri ynë është, për të thënë të vërtetën, tepër procedurial.
Po bandat e Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe Fierit, të hetuara dhe në kërkim, a kanë pastruar para nga trafiku i drogës përmes lejeve të investimeve strategjike, firmosur nga Edi Rama? Sigurisht, po. Po Taulant Balla dhe Olsi Rama? Në dhjetë ditët e fundit, mediat franceze, holandeze dhe rrjetet evropiane kanë publikuar se:
Olsi Rama, sipas dokumenteve hetimore të aksesueshme për mediat, është provuar si përdorues i makinës së trafikantëve të drogës së laboratorit të kokainës në Xibrakë në 2014, por hetimet 11-vjeçare, përfshirë edhe SPAK, e kanë amnistuar.
Taulant Balla, sipas shkresave të konsultuara, është kapur në përgjime të shumta duke biseduar me trafikantë droge.
Dosjet “Çopja” dhe “Hoxhosmani” (Toyota Auris) janë belge, holandeze, gjermane dhe britanike, dhe lidhen me miliarda euro nga trafiku i kokainës, shumë prej të cilave janë investuar në Shqipëri në histori strategjike, ku firmëtari kryesor del të jetë kryeministri ynë me zëvendësen e tij strategjike, Belinda Balluku, çuditërisht ende në detyrë dhe firmëtare në mungesë dhe me porosi, sipas publikimeve të mbledhjes së qeverisë më 12 nëntor.
Nuk mund të harrohet kapitulli “Aruba”, konfirmuar nga antimafia italiane dhe prokurori Nicola Gratteri. Samiti i kokainës në Antilet Holandeze, me pjesëmarrje të dedikuar të qeverisë shqiptare, charter privat dhe bosët e kokainës. Ora-dhuratë 400 mijë euro. Planet e investimeve të ndara në bordin e drogës. Tani, me provat që tregojnë gjurmë financimesh nga Ndrangheta, Sinaloa, Sacra Corona dhe organizata të tjera ndërkombëtare të trafikut të drogës, Rama nuk mund të bëjë sikur është mësues qorr, plak shurdh apo kryeministër budalla. Sigurisht, ka ministra, deputetë, bashkiakë dhe zyrtarë të tij të përfshirë në histori trafiqesh. Emrat janë aty. Anija do të mbushet gjatë mbytjes, nuk do të zbrazet.
Përse shfaqet Rama kudo në këto ngjarje të mëdha?
Palloshi i Ballukut, apo “sojnikja” e tij K.., i tremburi i Erionit, po mbytet në Titanikun narkotik, ndërtuar prej tij, me kanabizimin e vendit të pandërprerë. Miliardat nga tenderat dhe koncesionet, ku del emri firmëtar i Ballukut në mungesë dhe me porosi, kanë edhe adresa pastrimi parash dhe trafikantë droge përfitues. Ata dinë sekretet e ortakëve qeveritarë Rama-Balluku.
Rikthimi komik i Veliajt si bashkiak procedurial, pasi shefi e fali dhe përdori, duke e rikthyer te pemët dekorative e jo te ato të mbjella, është pjesë teatrale mashtruese me shpresën të shpëtojmë bashkë, ose të vdesim bashkë. Ai prapë do të bëjë krokodilin, kur Bela të shkojë te vëlla Erioni së shpejti. Por mos e prisni këtë nëntor në panairin e librit “Kurbani” i Ramës. Panairi tjetër do të jetë kryekurbani, me të cilin shumë palë do të mbarojnë punë. Do të lexojmë “Kurban-Titanikun”, të mbushur me organizatën binjake “Rilindja” dhe “Sinaloa”. Dhe Titaniku nuk ka shpëtim.

