Përveç të nxehtit përvëlues dy ditët në vijim kanë qënë ditë halli jo të vogël për Edi Ramën. Në aeroportin e Rinasit, Fredi Beleri u nis drejt Straburgut për t’u betuar si anëtar i Parlamentit Evropian, ndërsa në Kuvend, Altin Dumanit, kreut të SPAK, duhej t’i rridhnin djersët curg për të mbrojtur zullumhanën e ‘rilindjes’, me shprehjen standarde ‘çështje në hetim’.
Po le t’i marrim me radhë. “Kalorësi” i zbatimit të ligjit, Edi Rama, bashkë më shqytarin e tij të dosjes 184 Ulsi Manja si ministër Drejtësie, u zbythën në atë farë feje para Belerit, sa ju desh që të shkelte ligjin në dy raste. E para, leja shpërblyese jepet për personat e dënuar deri në 3 vjet dhe kur të kenë kryer të paktën 1/3 e dënimit, dhe e dyta nuk lejohet që leja të konsumohet jashtë vendit ku është marrë vendimi…..
Ky dhe disa nene të tjera që as nuk janë parë dhe as marrë parasysh në inkursionin e zbythjes që ka bërë Edi Rama në rastin e një eurodeputeti që pa fakte dhe pa prova, me një gjyq të montuar polikisht e mbajti në burg për më shumë se një vit, dhe nuk e lejoi të shkonte të bënte betimin si Kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë. Nga sot, Beleri përfiton nga imuniteti i europarlamenarit dhe në rast se Rama me atë idjotllëkun e tij nuk pranon ta shkarkojë nga të gjitha akuzat, do e bejë Gjykata e Strasburgut, e cila për fat nuk ka kryetare apo anëtarë militantë të tipit Irena Gjoka. Sot Edi Rama në Parlamentin Evropian u vizatua si kryeministër i gjyqeve politike, i cili përdor çdo armë për të luftuar kundërshtarët, qoftë në rastin Beleri, qoftë në rastin e liderit të opozitës Sali Berisha. Dhe jo vetëm kaq, por del qartazi se ka përdorur fondet dhe mbështetjen e BE dhe SHBA për të vënë në krye të drejtësisë militantët e tij. Tallje më të madhe që mund t’i bëhej komunitetit ndërkombëtar nga një sharlatan s’mund të ketë.
Momenti i i dytë i vështirë për të ishte dhe seanca e parlamentit ku duhej të raportonte Altin Dumani. Si zakonisht dhe këtë herë Rama nuk mori pjesë në seancë, por u pa qartë nga përmbledhja e pyetjeve se në çdo çështje përvëluese del emri i tij. Dumani pavarësisht se i këshilluar që të përdorte vetëm shprehje standarde dhe të shmangte sa më shumë komentet politike, u pa qartë se në atë pozicion ose i ka duart e lidhura në rastin më të mirë, ose ishte tërësisht nën ndikimin e mazhorancës dhe Ramës në rastin më të keq. Nuk ma do mendja se përbën ndonjë sekret hetimor fjala vjen roli i Erjon Veliajt te inceneratorët apo te dosja 5D. Ashtu siç nuk përbën sekret hetimor, që Rama ka firmosur 17 vendime në një ditë për inceneratorët, që ka marrë këshilltar me 7 mijë euro në muaj Florian Koldean e Sinaloas, apo roli i tij dhe të vëllait në dosjen e ‘Xibrakës’, koncesioneve në shëndetësi, e shumë e shumë të tjerave që tani s’po më kujtohen.
E për t’i shpëtuar kësaj përmjerrjeje që mori qoftë nga Beleri, qoftë nga paraqitja blozë e Dumanit në parlament, Edi Rama, si për të vënë në vend një dinjitet që as ai vetë se di se ekziston, sërish nuk hoqi dorë së bëri qesharakun.
Kulmi ishte kur rreth mesditës të 16 korrikut , SPAKU i tij do nxirrte një njoftim për shtyp ku njoftohej rihapja e hetimeve për 21 janarin, një çështje të cilën Rama e përdor si tallje me trushkulurit e tij, por që në të vërtetë është i pari që do ta varrosë sepse e di se është i pari që përfundon në pranga si strumbullari kryesor i asaj ngjarjeje të turpshme antishtet të 13 vitevetë shkuara. Dëshmitarët okular të asaj dite e kanë parë me sytë e tyre se si hordhitë rilindase, me urdhër të Edi Ramës ishin gati të digjnin, vrisnin e prisnin çdo kënd për të sjellë në pushtet një bandë hajdutesh.
Më tej vetëm një ditë pas turpërimit të Ramës, në shërbim të tij do vihej dhe Gjykata e Lartë e cila la në fuqi vendimin e dy karikaturave të drejtësisë si Kraja dhe Gjoka. Berisha duhet të qëndrojë në arrest shtëpie, pa prova, pa fakte, pa moral, vetëm e vetëm se daljes së tij në terren dhe forcës së tij organizative, Rama i trembet si djalli temjanit. Jo më kot rekrutoi një numër të madh delenxhinjsh të tipit McGonigal kundër tij.
Por pavarësisht se rreket të hiqet si gjel beteje, Rama po tregon se nuk është gjë tjetër vetëm se një laraskë pa bisht që ka humbur busullën. Këto që bën s’janë gjë tjetër vetëm se veprimet e një dështaku që i tmerrohet humbjes së pushtetit. Ai ( Rama) e di fort mirë, se në rast se bie nga ajo karrige të cilën e mban të uzurpuar me manipulime zgjedhjesh dhe vjedhje taksash, të parët që do ja ngrenë trekëndëshin për ta kryqëzuar pas hekurave, janë pikërisht ata që sot i mbajnë ison deri në paligjshmëri. E megjithatë “kambanat po bien”. Po përdor një shprehje, kjo që e kishte për zemër një prej aleateve të ngushta të Ramës, mbështetëse e zjarrtë e korrupsionit dhe trafikut në Shqipëri. Dhe kur ato të heshtin…