Edi Ramës i duhet njohur së paku një meritë: nëse në veprime dhe në akte ai është sjellë si autokrat, në pamje të jashtme, ai i ka kamufluar ato me një aureolë prej demokrati. Ky personalitet i dyfishtë, që ka arritur ta fshehë disi edhe për ndërkombëtarët thelbin e regjimit të tij, bënte që abuzimet me pushtetin, prekja e votës, makutëria me fondet publike, të arrinin të fashiteshin, për sytë e të pavëmendëshmve, prej fjalimeve elokuente, argumentave të zgjedhur, një versioni prendimor të justifikimit të gjërave.
Por, kjo periudhë dyzimi duket se është drejt fundit. Rama që vepron, po barabitet gjithnjë e më shumë me Edin që flet. Shembulli më ilustrues për këtë, ishte fjalimi që mbajti, këtë fillim jave, përballë deputetëve të grupit të tij paralamentar.
Në përpjekje për të mbrojtur Belinda Ballukun, për të justifikuar kundërshtimin e pezullimit të saj dhe zvarritjen për ti hapur rrugë arrestimit të kërkuar nga SPAK, kreu i qeverisë hartoi një fjalim, tipik prej autokrati. Një analizë në filigran e atyre që tha tregon tiparet e një njeriu me pushtet të pamatë, për të cilin është e pakonceptueshme të sfidohet nga drejtësia, e një lideri që e ka humbur aftësinë për bashkëveprim, e një paranojaku që duket sikur e ka të pamundur bashkëjetesën me pushtete dhe forca të tjera.
♦ ♦ ♦
Po të lexosh, fjalë për fjalë, ato që tha gjatë justifikimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, në mbrojte të zv/kryeministres, vëmendjen nuk ta përthithin vetëm fjalët dhe epitetet e përdorura për gjykatësit e prokurorët, të cilët i cilësoi si “qen e mij që kanë kapërcyer gardhin”, apo si “budallej që kanë hedhur një gur në lum”. Të tilla sharje të denja për vokabularin e diktatorëve, nga Lukashenko deri tek Erdogani, Edi Rama ka përdorur edhe me parë. Surpriza qe barabitja me këta të fundit edhe në koncepte, gjë që dëshmon për një lider që nuk ka më skrupuj për ta grisur fasadën demokratike.
“Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë dhe gurin dhe arrën për ta goditur këtë shumicë qeverisëse”, shpalli ai duke e ngritur veten në piedestalin e një udhëheqësi me fuqi të pakontrollueshme. Ai vazhdoi të tregonte se e kishte rrefuzuar dorëheqjen e Ballukut pasi ajo ishte kërkuar prej një force “që ka dalë nga territori i saj”.
Në këtë logjikë shkoi edhe më tej duke proklamuar: “unë nuk e pranoj dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet, nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”.
Duke shkuar përtjej tenderave pa garë që shpërndante me Ballukun, ai kërcënoi: “Vendimet tona janë sovrane dhe nuk ka prokuror dhe nuk ka gjykatës që t’i vërë në diskutim dot, përsa kohë janë vendime të cilat nuk burojnë nga qëllime të pashpallura”.
Përtej këtyre citateve i gjithë ligjërimi i kryeministrit u adresua kundër prokurorëve dhe gjykatësve që marrin vendime paraprake pa gjygj themeli, në mbrojtje të hajdutëve të administratës që po goditen si “burime njerëzore të këtij vendi” duke përdorur si justifikim “dyshimin e arsyeshëm”, nga magjistratë “që duan të mbushin CV-të e tyre”.
♦ ♦ ♦
Pra, në histrorinë e pafundme të fjalimeve të Ramës, ky i fundit mund të mund të shënohet në histrori, si ai ku edhe publikisht, goditi parimin kryesor të demokracisë, atë të balancës dhe kontrollit të pushteteve. Ai e vuri veten në në rolin e diktatorit që i tregon kufijtë një prokurori, që përcakton deri ku e ka hapsirën një gjykatës, madje që ka në dorë të vendosë nëse është e justifikuar apo jo edhe kërkesa morale e opinionit publik, kur kërkon dorëheqjen e një ministri që kapet jo me duar brenda, por i zhytur kokë e këmbë në thesin e përbashkët.
Grisje të tillë maskës prej demokrati Edi Rama nuk i kishte bërë asnjëherë vetvetes. Njeriu që përmendte qoftë edhe sa për sy e faqe shtetin ligjor, që zotohej se s’do të bëhej mburojë për hajdutët, që përgjërohej se edhe ata që ishin kapur, e patën bërë pas shpinës së tij, sot e ka braktisur këtë rol, për të shpallur në mënyrë të paskrupullt: “Unë jam i tërëpushtetshëm ndaj më lini të vazhdoj të vjedh rrehat”.
Se përse ka ndodhur ky transformim radikal, kur Rama që vepron është njehsuar me Edin që flet është e vështirë të hamendësohet. Askush nuk mund të vërë bast se përse ai po e flak mantelin prej demokrati që i ka siguruar, deri më tani një mburojë, sidomos ndërkombëtarisht.
Disa pretendojnë, pa fakte të pakundërshtueshme, se kundër autokratit të Tiranës janë vënë në veprim forca të papërcaktuara në BE apo përtej Atlantikut. Të tjerë mendojnë se fasada demokratike nuk mund ti rrezistonte më legenosjes morale që shkaktuan zbulimi i përgjimeve për tenderat e Ballukut dhe vjedhjet me rrëmbim personash të AKSH. Asnjë nga versionet nuk mund të konsiderohet përfundimtar. Por ajo që dimë me siguri është se dyzimi i Edi Ramës po përfundon. Bashkëjetesa brenda tij e vendimarrësit autokrat me performuesin demokrat ka skaduar. Ironia është se ai vetë po lehtësohet duke u bërë më koherent. Po ashtu më pak e vështirë do të jetë edhe për shumëkënd, prej nesh, apo i huaj qoftë, që nuk do të duhet më të përballet këtë paradoks vështirësisht të shpjegueshëm. / Lapsi

