Censurë totale ndaj protestës së kolegëve, gazetarët e News24 braktisen nga të gjitha mediat vizive, përveç Syri Tv
Ende të shokuar emocionalisht nga terrori policor që i ndaloi të hynin në punë të shtunën, të pasigurtë për çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe të braktisur nga pronari Irfan Hysenbelliu, gazetarët e Neës24 protestuan në hyrje të godinës, duke iu kundërvënë forcave ushtarake me armën e tyre të vetme; fjalën.
Njëri pas tjetrit, ata ngritën zërin kundër një urdhëri politik, që padrejtësisht i ka nxjerrë të papunë, në mes të katër rrugëve, megjithëse disa prej tyre ende janë me shpresë se investimin për televizionin më të madh informativ në vend do të ripërtërihet.
Osman Stafa, gazetari që deri dje raportonte nga selitë e opozitës e hapi protestën duke denoncuar vendimin për t’i ndaluar gazetarët të futen në godinë.
“Janë 1200 fabrika dhe reparte ushtarake në Shqipëri. Disa metra më tej një fabrikë ushtarake është dhënë për restorant. Në Elbasan po ashtu është dhënë. Por nga 1200 reparte ushtarake u zgjodh këtu për t’u ndërtuar dhe krijuar njësi armatimesh. është e qëllimtë dhe nuk ka të bëjë aspak me respektimin e ligjit.Ka edhe televizione të tjera që veprojë në një formë të tillë. Por askush nuk shkon atje. Por vijnë tel Neës24 sepse Neës24 nuk qëndron në linjë, në linjën editorial që kërkon qeveria shqiptare. Prandaj sulmohet sot! Prandaj është në këtë situatë!” tha Stafa.
Drejtoresha e përgjithshme e News24, Anila Jole pati një moment përlotjeje në fjalën e saj. Pas 25 vitesh në këtë redaksi, ajo dukej e tronditur dhe plot pikëpyetje për të ardhmen e televizionit.
“Jam thellësisht e shqetësuar për të ardhmen e këtij televizioni lider të informacionit. Por e shqetësuar jam më së shumti edhe për kolegët e mi, të cilët me të drejtë ndjejnë një pasiguri të madhe. E kam fjalën për kolegët e Neës24, por me këtë që ndodhi të gjithë gazetarët ndjehen të pasigurt” tha Jole.
Jole tregoi se gjatë natës, shkatërrimi i News24 ka vazhduar në fshehtësi. Në pjesën e pasme që lidh dy godinat, fadromat e IMT kishin shkatërruar një corridor lidhës mes dy ndërtesave duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme televizionit.
“Kjo godina që shikoni ku ka nisur veprimtarinë Neës24 ka një kontratë qiraje, por mbrapa kësaj është një godinë tjetër që ka një kontratë të re qiraje dhe që mbaron në vitin 2033. Atje punonim ne. Atje është edhe ajo studio e bukur, e investuar ku ne thërrasim të ftuar të ndryshëm, diskutojmë, japim informacionet e fundit. Mirëpo ajo është mbyllur dhe nuk lejohemi të hyjmë në redaksi, por sot është prishur nga furcat e IMT që kanë hyrë natën, tuneli që lidh godinën e vjetër me atë të re. Aty ka pajisje të kushtueshme, ndërsa nëntokë janë lidhjet që bëjnë të mundur transmetimin e Neës24 dhe tani nuk ka më shpresë, edhe sikur të hyjmë do të na duhet kohë që të vëmë në punë sinjalin e Neës24” u shpreh Jole.
Kërkesën për t’u lejuar të punojë e shprehu edhe Endri Xhafo, gazetari që mbylljen e Neës24 e quajti një test për shoqërinë tonë. Xhafo kujtoi edhe një shprehje të diktatorit afrikan Idi Amin se “Liri fjale ka, por nuk mund t’jua garantoj lirinë pas fjalës”.
“Kjo protestë e sotmja nuk është vetëm për të kundërshtuar një veprim policor, por edhe për të thënë se të drejtat bazike të punonjësve të medias duhet të mbrohen çdo ditë, – nga ne vetë në radhë të parë, – përpara se të arrijmë në momente si ky. Një media e lirë nuk ekziston pa gazetarë të mbrojtur në ambjentin e tyre të punës, me sigurime dhe paga korrekte për punën e tyre.
Ndaj ne kërkojmë të lejohemi të punojmë. Ne kërkojmë kthimin e menjëhershëm të aksesit në godinën me kontratë në fuqi, respektimin e ligjit dhe mbylljen e kësaj praktike të rrezikshme. Ne kërkojmë që institucionet të mos bëhen vegël e urdhrave verbalë, por të veprojnë vetëm mbi bazë të ligjit dhe të akteve të shkruara. Ky është një test për shoqërinë tonë, por edhe për ne vetë. Dhe fatkeqësisht, vitet e fundit, teste të tilla janë bërë të shpeshta. A do të heshtim kur pengohet një redaksi të bëjë punën e saj, apo do të ngrihemi për të mbrojtur të drejtën për të punuar të lirë?”
Më optimistja mes kolegëve dukej Klodiana Lala, e cila u shpreh e sigurtë se televizioni do të ringrihej akoma më i fortë se më parë dhe se do të sfidonte qeverinë dhe pushtetin që e ka sulmuar sot.
“Ne jemi këtu sepse këtë televizion do ta ringremë pavarësisht arrogancës së pushtetit. Do ta ringremë pavarësisht barbarisë me të cilën u futën forcat e ushtrisë dhe të policisë. Do ta ngremë dhe do të jemi më të fortë për të raportuar qoftë edhe nga ky shesh ku ne ndodhemi sot. Sepse gazetaria nuk është një vend pune, por një mision” tha Lala.
Moderatori Klevi Muka tha se mbyllja e televizionit tashmë lexohet si një mesazh nga kolegët e tjerë gazetarë. Nëse do të tentojnë ta bëjnë me dinjitet punën e tyre, atëherë do të kenë të njëjtin fat si gazetarët e Neës24, ishte leximi që i bëri Muka mbylljes së televizionit.
“Një ditë të bukur kur ti, pasi je investuar në karrierën tende, je përpjekur të jesh një gazetar me integritet, edhe të jesh pa kompromis edhe duket e pamundur të mos bësh compromise kur punon në media. Edhe një ditë të bukur të shembet gjithcka dhe kjo nuk është vetëm për më shumë se 200 familje që mbahen nga Neës24 por është edhe për shumë familje të tjera. Çfarë shembulli jepet për ata që duan të jetojnë një jetë me integritet në Shqipëri? Çfarë shembulli jepet për kolegët që ti ose do të jesh në një vend pune që do të bësh kompromise por do të kesh siguri financiare, ose në një vend tjetër ku do të kesh mundësinë të jesh i lirë me sa mundet, por do të jesh i pasigurt në aspektin social” u shpreh Muka.
“Emocionalisht jemi të gjithë copë” u shpreh Nisida Tufa, moderatorja që përmendi në protest se sa e lidhur kishte qenë me News24, ndërsa forcat e policisë nuk e kishin lejuar të futej për të marrë instrumentat e saj kozmetike dhe kostumet e prezantimit të lajmeve.
“E shtunë që askush nga ne nuk do të donte të na zgjonte një lajm si ai që morëm, dhjetëra mesazhe në Whatsapp ku na dërgoheshin pamjet se policia ka rrethuar News24. Unë nuk di të flas për cështje pronash procedurash dhe çështje ligjore. Di të them se aty janë të gjithë kostumet e mia, make-up që unë përgatitem bashkë me kolegët dhe koleget për të qenë në transmetim të drejtpërdrejtë” u shpreh Tufa.
Nga fjalët e gazetarëve kuptohet se Irfan Hysenbelliu nuk ka ende një plan B. Mungesa e tij në protestë flet shumë. Po aq domethënëse është edhe heshtja për më shumë se 48 orë pas bllokimit të redaksisë së Neës24 dhe marrja e dy godinave nga çetat e Ardi Veliut.
Tashmë, njësoj si të gjithë të tjerët, edhe Hysenbelliu ka vendosur të mendohet dhjetë herë para se të përgjigjet apo të veprojë përballë agresivitetit me të cilin e sulmoi Edi Rama.
Mbyllja e televizionit më të madh informativ në vend, gjithsesi do ta ndikojë peisazhin mediatik në Shqipëri, që edhe aq ishte për të ardhur keq. Mjafton të thuhet se protestave e gazetarëve të News24 u censurua nga të gjitha mediat dhe asnjë prej kolegëve dhe miqve të tyre gazetarë, megjithë solidaritetin e shfaqur nuk do të raportojë asgjë për atë që ndodhi sot. I vetmi televizion që e transmetoi direkt protestën ishte Syri Tv, por edhe këta në një moment e ndërprenë zërin e kolegëve gazetarë, të detyruar të fusin në transmetim zërin e Sali Berishës nga selia e PD-së.