Nga Sonela PIRANI
Premesë
“…shkrimet e tua janë si labirintet e Minotaurit, nëse do të isha pjesë e një tjetër kontigjenti profesorësh, nuk do e merrje kurrë titullin shkencor…”
Ekstrakt nga e-maili i udhëheqësit tem shkencor me të cilin po torturohemi akademikisht, në mënyrë të ndërsjelltë.
Në fakt, ishte pikërisht i pari që lexoi shkrimin e më bani si gjithmonë sugjerimet, korrigjimet e moralizmat e rastit që hapin, jo pak herë, debate shkreptuese, po aq të dhunshme sa qielli shkodran në kët fund tetori: nji sinkron perfekt me atmosferën e elektricitetin që ishte në ajër ato ditë. Më kanë ardhë shum komente e mesazhe në lidhje me konkursin e famshëm ku do të zgjidhej drejtuesi i teatrit “Migjeni”. E gjith bota fantazioze e thashethemnajës qytetase rrotullohej nëpër atë ndërtesë. Mallkime e urime, pikëpyetje e pikëçuditëse, sarkazëm e budallallek, ekspertë të stisun e intelektualë të heshtun, çdo fjalë përplasej në bust, mure e makina të parkueme pa pikën e etikës në hymje të “Migjenit”. Në vetvete kisha vetëdije të frikshme se shfaqja kishte me kênë e mirë, kjo për arsyen e thjeshtë se Rita Gjeka asht egocentrike e kishte me luftue me jetë që me e mbyllë derën e teatrit në mënyrën ma spektakolare të mundshme: ka kênë drejtoreshë që na ka ba me jetue në teatër te tana ngjyrat e nuancat, nga ma të çelunat e të ndritshmet, në ma të zymtat e të errëtat. Fundja, asht bijë e kohës së vet – në parathanien e librit të tij ma të mirë “Concerning the Spiritual in Art”, Kandinskij i mëshon faktit se artistët janë pjellë e epokës ku lindin e formohen. Janë të rrallë ata që kapërcejnë kohën e realitetin me gjenialitet. Ajo dha për 8 vite në teatër atë çka mundi, me gjithë ekspresivitetin që e ka karakterizue gjithmonë si personazh. Chapeau!
Shfaqja në lente infrared
Vizita e nji engjëlli në nji fshat të izoluem kishte me mahnitë edhe cinikun ma të madh (përfshi edhe mue), kishte me ngri lutjen e besimtarit ma të zjarrtë (përjashtue mue) e kishte me nxjerrë në pah të tana dobësitë njerëzore (unë e përpleksueme).
Shfaqja nis me nji kangë që shtrin gjymtyrët e veta teknikisht në mënyrë të përsosun, si në fillim, ashtu edhe në mbyllje, por aksioni kryesor i aktit të parë apo lindja e tragjedisë diktohet nga nji tjetër shënjues i cili natyrisht nuk asht engjëlli, por nji monolog (të cilin do e analizoj pak ma poshtë) që vjen në formën e nji profecie drithëruese.
Spektatorët ma të vêmendshëm mund të kenë dallue që në momentin e ardhjes së engjëllit bie kryqi, i cili kthehet gjatë shfaqjes në aktor domethanës. Pse? Kryqi asht simbol universal që mbart si kuptim parësor kryqëzimin e nji profeti dhe vdekjen e tij, për me shlye mëkatet e vdektarëve.
Në 1882-shin Nietzsche tronditi botën e filozofisë me shprehjen e famshme “God is dead. God remains dead and we have killed him” (Zoti vdiq. Zoti mbetet i vdekun e na e kemi vrá). Kjo vdekje portretizohet mrekullisht me ramien e kryqit dhe gjuejten e engjëllit nga nji prift; jo pa qëllim kthehet ai në “vrasësin” e “protektorin” e tij ma të madh gjatë gjith shfaqjes. Asht po Nietzche te “Antikrishti” ai që godet krishtnimin si faktor kryesor në kët vdekje makabre të Zotit e të shpirtnores.
Prifti vritte zogjtë e i balsamoste ata tue ruejtë fizikën, ashtu siç edhe kisha ishte kthye në vorrin e tij shpirtnor tue e endun vetëm fizikisht mes mureve të gurta.
Natyrisht, i gjetun në grackën e krimit të vet, prifti merr në shpi engjëllin, ku ai ka kontaktin e parë “njerëzor” me gjininë e kundërt. Guvernatorja e shpisë asht personazhi ma cinik i shfaqjes; jo vetëm që nuk e njeh si shëmbëlltyrë të së shenjtës engjëllin, por e konsideron thjesht të huej që mundet me shkatërrue ekuilibrat iluzionarë në lidhje me vetë Zotin. Tensioni i vërtetë lind mes engjëllit dhe kamarieres. Ai fillon me ndie çdo emocion njerëzor që prifti shpjegon mes batutave thumbuese të guvernatores. Në shpëtim të engjëllit vjen mjeku, nji personazh që përcjell deluzion konstant, por në diferencë me guvernatoren, nuk kemi të bajmë me cinizëm, por mediokritet. I gjith aksioni i mjekut nga fillimi deri në fund vërtitet rreth diagnozave që ai i ban engjëllit, që në fakt janë retrospeksione të vetes së tij. Në psikologjinë klinike Freud-i flet për kët prototip njerëzor, nji qenie që nga komplekset e tij don me shtye drejt asaj që ai beson edhe të tjerët që ka përreth. Vetëm në momentin kur ky i fundit ka me mbërritë me depërtue në esencën e traumës së vet, ai ka me mujtë me pranue të ndryshmin, tue mos e pa si armik apo të kundërt. Por nuk asht vetëm mjeku që e sheh engjëllin si kërcënim, agresioni skizofrenik përqafon me frenetizëm të gjithë fshatin. E veshin me rroba fshatarësh borgjezë, e tallin, e fyejnë, e gjuejnë me gurë, i japin shijen njerëzore të të gjitha ndiesive, e në tanë kët hulli, mbretneshë asht dhimbja. E ai habitet sesi nga i gjithë spektri emocional të cilin mund të ndiejnë njerëzit, ata përfundojnë gjithmonë në dhimbje. Kant-i kishte me thanë se lumtunia nuk asht ideal i racionalitetit, por i imagjinatës, e në fshatin e ndamë me hunj në prona private, mendjet nuk mbërrijnë me superue metrat katrorë të rrethuem nga telat me gjemba, ku secili gjemb bërtet frikë ndaj të huejit, tjetrit, të ndryshmit, e ruhet me fanatizëm nga nji ushtar, i cili përveç armës që kërcënohet dhunshëm, nuk ka asgja tjetër. Këtu engjëllit i duket e panatyrshme e gjithë lufta e individit kundër individit, kjo sepse e sheh në nji lupë që na kujton filozofin e njoftun John Locke, për të cilin gjendja e natyrshme njerëzore asht e karakterizueme nga vetëpëmbajtja dhe respekti reciprok. Në kontrast i ofrohet atmosfera alla Hobbes, ku autoriteti asht sovrani absolut, e autoriteti në fshat asht ai që ka mjetet e punës e shfrytëzimin e forcës punëtore (mekenëse në shfaqje nuk gjenden gjurmë të konvencioneve legjitime të shtetit).
Në fshat asht edhe nji zonjë, manifestim i gjallë i përvertimit të arsyes e korrupsionit njerëzor. Me qasje meskine e oportuniste ajo i afrohet priftit kërcënueshëm tue e akuzue për krime seksuale, në të vërtetë njësoj si mjeku, tue mshehë nji pasion të shtypun të sajin në lidhje me engjëllin, e në këtë delir masiv, kur mëson se engjëlli luen në violinë, e kalon perversionin në oportunizëm aktiv tue organizue nji koncert për banorët. I ofrohen partitura me lexue muzikën, por nji qenie hyjnore nuk ka nevojë për racionalen kur hyn në mes shpirtnorja. Në fakt, muzika nis me u shkrue në shekullin e VI para Krishtit e gjurmët e para gjenden në Babiloni, tue vijue në Greqinë Antike e mandej në Romën e lashtë. Në shekullin e XXI për Koret Gregoriane jepen vetëm disa indicie të shkrueme se ku duhet ngritë apo ulë tonaliteti e vetëm në shekullin e XVII kemi partitura të mirëfillta. Bach-u, nji ndër kompozitorët ma hyjnorë që njerëzimi ka pasë fatin me dëshmue, në kujtimet e tij shkruen se muzika e shkrueme, në fakt, për të asht thjesht nji memorizim i pjesëve dhe racionaliteti që vjen me të e nuk duhet kurrsesi me prekë shpirtnoren e harmoninë që krijohet mes Zotit e artistit: “I play the notes as they are written, but it’s God who makes the music”. Prandej, muzika që luen engjëlli asht dështim për fshatarët, sepse nuk ulet në tokën e tyne të përbaltun prej dhunës, injorancës, mohimit e perversionit.
E fusin në kafaz si nji kafshë ekzotike, i vinë rrotull, e fyejnë, përveç Delias, kamarieres së re, të cilën engjëlli e shquen si qenien e vetme ku sheh qiejt e botës së tij. Nji moment ethereal që duket si i vjedhun prej dialogjeve të Dante-s me Beatrice-n. Ajo ka frikë, largohet, e bash në kët moment shohim aktin e parë të rebelimit që vjen nga nji fshatar i cili nuk mundet me durue ma padrejtësitë e nji komuniteti psikopatik (me kët do të merrem pak ma poshtë). Momenti i katharsisit të engjëllit asht emocionues, por mendoj se ai i vërteti e me thelb qëndron te fshatari që i fal momentin e vetëm të empatisë të huejit.
Çka asht nji krim nëse krimin e kryen nji i marrë? Nji akt idiotizmi që zhveshet nga çdo lloj përgjegjësie morali e ligji. Në fakt, ky asht roli i vërtetë i të marrit në kët shfaqje, i cili, vetëm i marrë që nuk asht: nji shpirtë sensibël që shpesh del në arsyetime ma të logjikshme se helmet e acidi i psikozave të atyne që e konsiderojnë të sëmundë e në të njêjtën kohë nji vegël të rrezikshme në duer të pushtetshme. Mendoj se ky asht momenti ku regjisori shpëtoi mrekullisht shfaqjen. Pse? Përkthimi i saj nuk i ishte besue nji dramaturgu, por nji letrari i cili e kishte veshë konfliktin kryesor, atë të implikimit “seksual” të engjëllit me Delian (në thojëza, sepse engjëjt nuk kanë organe gjenitale simbas librave të shenjtë), me shtresa e shtresa metaforike, tue e privue publikun prej aksionit që në teatër duhet me kênë i pastër. Gjithsesi, djegia e shpisë së priftit dhe vrasja e të dyve mbyll siparin e nji ndodhie që ngelet thjesht e tillë. Vorrimi i të dyve me kangën kishtare kthen kryqin në skenë, kthen “normën” në fshat e qetësinë skizofrenike te personazhet.
5 mrekulli me emna të përvetshëm:
Nikolin Ferketa (I marri)
Monologjet e tij në shfaqje ishin në të njêjtin nivel me muzikën e përzgjedhun e lojën e dritës. Kjo që do të shkruej ka me më konfliktue me nji pjesë të mirë, por nuk shquhem për kokçarje: kur Nikolini po interpretonte monologun e parë, ishte nji moment që patëm kontakt shikimi e deri më sot asht i vetmi aktor i teatrit që më ka ba m’u ndie jo rahat në ulësen teme. E mrekullueshme!
Fritz Selmani (Engjëlli)
Fritzi tashma për mue nuk asht surprizë. E kam pa në disa shfaqje si merr ngjyrë, formë, si ta kërkojë personazhi. Elastik e i talentuem, teknikisht gati perfekt, emocionalisht i plotë, arriti me na dhanë nji engjëll në te tana tonalitetet. Mendoj se emocionoi pafund cilindo skeptik (përfshi edhe mue) me nji interpretim që asht larg komikes së zakonshme, ku skeptikët e tjerë mundohen me e kornizue.
Merita Smaja (Zonja)
Kushdo që e ka lexue Kant-in besoj se asht ndie në shok prej interpretimit të saj. Veshja, lëvizjet histerike, zani që transmetonte tension delikat: ishte nji maksimë e gjallë që kishte me apasionue çdo filozof.
Vladimir Doda (Fshatari)
Migjeni e pamundësia e tij për me i ra grusht malit – nji portretizim ma të mirë nuk kishte mujtë me e dhanë asnji për të. I kredhun në mjerimin e personazhit të tij, nji sifiz i përvuejtun, Vladimiri më ban me shpresue e me andërrue se ky teatër ka shpresë për aktorë drame që dinë me dhurue emocion, qoftë edhe me nji akt të vetëm rebelimi.
Aleksandër Prenga (Ushtari)
Personalisht prirem me vizatue vija paralele mes teatrit e kinematografisë e Aleksandri me interpretimin e tij më kujtoi dy aktorë të jashtzakonshëm të kinemasë sonë në rolet e tyne ma të spikatuna, përkatësisht: Bep Shirokën, në rolin e xhandarit në “Koncert në vitin 1936” dhe Ndrekë Shkjezin në “Prefekti”. Aleksandri ishte shkrimja perfekte e ktyne dy roleve, si në pozë, mimikë, ashtu edhe në të folun. Kjo nuk implikon komiken, përkundrazi, si aktor tregoi se rrin shum mirë edhé në dramë e e përsos rolin sipas xhaketës që i jepet.
Për për(mbyllje) mbysje
Në botën e engjëjve janë të gjithë të barabartë. Kris diçka: historia përsërit vetveten, fillimisht si tragjedi e së dyti si farsë. Në botën e engjëjve nuk ka dhimbje, vuejtje.
Sy të fikun më përshkojnë: antidoti i vetëm i vuejtjes mendore asht përkthimi në dhimbje fizike. Në botën e engjëjve nuk ka û (uri). Gjuhet nji dritë: të pasunit nuk duhet me ba shum për të vorfnit, mjafton mos me i hypë ma n’shpinë.
Në botën e engjëjve nuk pushohet së kênunit. Më ngushtohet fryma: “feja asht mashtrim për popujt.”
Nji fantazëm asht tue na përndjekë….