Modeli amerikan kundër modelit kinez. Përplasja e shekullit luhet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, dy superfuqive që luftojnë për epërsi globale me akuza dhe kërcënime të ndërsjella. Jo rastësisht, thonë disa analistë, gjendemi vërtetë brenda një Lufte të re të Ftohtë. Në fakt, duket se është rikthyer mes viteve ’50 dhe ’90, kur në qendër të vëmendjes ishte kundërshtimet totale, pra jo vetëm politike, por edhe ideologjike dhe ushtarake, midis Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik.
Përfundimisht të gjithë e dimë se si mbaroi ajo Lufta e Ftohtë: BRSS u shkatërrua nën peshën e kontradiktave të saj të brendshme, ndërsa Uashingtonit iu shfaqën jo dhe aq papritmas para syve lëndina pafund për t’i ‘zotëruar’ përmes soft power (dhe jo vetëm). Sidoqoftë, që kur Kina është ringritur nga ferri për të rizënë sërish një rol të planit të parë në skakierën globale të shahut, ato lëndina, dikur të lira janë rikthyer në toka të diskutueshme.
Qeveria kineze, ndonëse pa e ngritur kurrë zërin, i ka shtrirë tentakulat e saj mbi pjesën tjetër të botës për t’i mundësuar ekonomisë e saj të nisë fluturimin. Pekini ka provuar gjithmonë të krijojë marrëdhënie win – win me vendet e tjera, domethënë marrëdhënie të afta për të ofruar përfitime reciproke. Problemi është se bashkëjetesa kineze jo gjithmonë (në të vërtetë, thuajse asnjëherë) përshtatet me bashkëjetesën amerikane.
Me fjalë të tjera, duke mbetur gjithmonë brenda metaforës së lëndinave, këto hapësira mund të zotërohen nga vetëm vetëm një superfuqi. Nuk ka vend për dy fitues: është Kurthi klasik i Ticididit. Kështu pra, nga primati teknologjik në atë ekonomik, nga lidershipi ushtarak në atë politike, papritmas të gjitha siguritë e Shteteve të Bashkuara kanë rënë, njëra pas tjetrës.
Punë spiunësh
Uashingtoni, duke mëkatuar me hamendësime, mendonte se kishte arritur majën, dhe se askush nuk guxontë ndonjëherë të kërcënonte primatin e tij. Tani ajo epërsi po vihet në dyshim nga Kina e cila, për të shpejtuar kohën, ka vendosur të investojë në spiunazh. Sa për të qenë të qartë, kjo nuk është vetëm një prerogative kineze: historia na mëson se çdo fuqi e madhe, në çdo periudhë historike, është mbështetur, në mënyrë pak a shumë masive, tek 007-at e saj. Sot po vërejmë Kinën sepse Pekini sapo ka mbërritur në majë të valëve pas një “shekulli poshtërimesh”.
Por ajo që po bën gjigandi aziatik është bërë, në mënyra të tjera dhe për qëllime të tjera, gjithashtu nga amerikanët, sovjetikët, britanikët e kështu me rradhë. Në të gjitha rastet, qëllimi për t’u mbështetur tek spiunazh është gjithmonë i njëjtë: përfitimi i një avantazhi ndaj kundërshtarëve, në mënyrë që të parashikohen lëvizjet e tyre dhe të veprohet në përputhje me rrethanat.
Shtetet e Bashkuara janë ndërgjegjësuar për manovrat e fundit kineze, aq sa kreu i FBI, Christopher Wray, para pak kohësh tha se në planin afatgjatë, Kina është “kërcënimi më serioz” për të ardhmen e Amerikës. Jo vetëm: Wray ka denoncuar se vjedhja e informacioneve amerikane nga qeveria kineze po ndodh në një shkallë kaq të madhe saqë rastet e dyshuara të kundër-spiunazhit që lidhen me Kinën tani përbëjnë gati gjysmën e atyre, rreth 5 mijë, të iniciuara nga agjensia në të gjithë botën.
Operacioni Gjuetia e dhelprave (Fox Hunt)
Gjithnjë sipas Wray, Kina po përpiqet të bëhet superfuqia e vetme në planet. Qëllimi përfundimtar i Dragoit do të ishte të rrëzimi i Shteteve të Bashkuara “nëpërmjet një fushate në të cilën përdor çdo mjet që ka në dispozicion”. Nga ky këndvështrim, shtoi ai, vjedhjet e sotme kineze janë të barabarta me “një nga transferimet më të mëdha të pasurisë në historinë njerëzore” dhe populli amerikan do të ishte viktimat kryesore. Ka një statistikë të dobishme për të kuptuar kontekstin në të cilin po zhvillohet krahu i hekurt kino-amerikan: FBI fillon një hetim të ri çdo 10 orë kundërspiunazhi që i atribuohet Pekinit.
Wray ka treguar me gisht fushatën që Kina është duke zhvilluar në diasporën kineze, domethënë në të ashtuquajturit banorë kinezë të përtejdetit rezidentë në Shtetet e Bashkuara. Në të ashtuquajturin Operacioni Gjuetia e Dhelprave, shpjegon shefi i FBI, agjentët kinezë përndjekin dhe shantazhojnë qindra qytetarë të mërguar që jetojnë në SHBA me qëllim detyrimin e kthimit të tyre në vendlindje. Në shënjestër të Pekini janë persona që zyrtarët e Partisë Komuniste Kineze i konsiderojnë si kërcënim.
“E kemi fjalën për rivalët politikë, disidentët, kritikët që përpiqen të denoncojnë shkeljet e përhapura të të drejtave të njeriut nga Kina. Qeveria kineze dëshiron t’i shtyjë ato të kthehen në Kinë dhe taktikat e përdorura janë tronditëse. Kur nuk arrin të gjejë një objektiv të Gjuetisë së Dhelprave, qeveria kineze dërgon një emisar të vizitojë familjen e tij. Mesazhi që i jep? Objektivi ka dy mundësi: të kthehet menjëherë në Kinë ose të vetëvritet”, ka deklaruar Wray, i cili megjithatë – duhet theksuar – nuk përmendi episodet specifike.
Përparimi kinez
Një nga karakteristikat e spiunazhit të fundit kinez, ka nënvizuar Il Foglio, është integrimi i përsosur i dy aspekteve: burimeve njerëzore, domethënë agjentëve klasikë prej mishi dhe gjaku, me aftësi cyber. Gjatë viteve të fundit kemi pasur shembuj të shumtë të qytetarëve, pak a shumë jo të dyshueshëm, pak a shumë të depërtuar në sistemin politik amerikan, të arrestuar nga autoritetet amerikane me akuzën e spiunazhit ose vjedhjes së teknologjive të ndjeshme.
Një ekzaminim të përsosur për gjithë sa po flasim shpjegohet në librin Chinese Espionage: An Intelligence Primer, botuar nga Peter Mattis, zv/drejtor i Komisionit të Kinës të qeverisë amerikane, dhe Matt Brazil, bashkëpunëtor pranë Jamestown Foundation.
Të dy autorët analizojnë fenomenin e spiunazhit kinez deri në detajet më të vogla. “Shërbimet kineze – shkruajnë ata – kërkojnë mundësi që dalin nga detaje personale komprometuese, seksuale ose jo, të subjekteve që ngjallin interes; por nuk mjaftohen vetëm me rekrutimin e qyteterëve kinezë”.
Thënë ndryshe, Pekini është i interesuar të zotërojë, bashkë me sekretet tradicionale shtetërore, gjithçka që lidhet me teknologjinë e huaj dhe pronësinë intelektuale dhe që është potencialisht e dobishme për ekonominë (dhe mbrojtjen) kineze. Dragoi ndjek faktikisht dy rrugë: zhvillimin teknologjik-tregtar (civil) dhe ushtarak. Dy fytyra, shpesh të të njëjtës monedhë.
Kundërofensiva amerikane
Gjatë qershorit që kaloi Shtetet e Bashkuara futën njëzet kompani kineze në listën e të këqinjve. Lista, e hartuar nga Pentagoni, e që përmban kompani aktive në sektorë të ndryshëm – nga energjia bërthamore tek telekomunikacionet – përfshin kompani që, sipas qeverisë amerikane, kanë pak a shumë lidhje të ngushta me Ushtrinë Popullore Çlirimtare të Kineze. Pikërisht për këtë arsye, këto subjekte mund t’i nënshtrohen kontrolleve të thelluara, kufizimeve apo gjobitjeve.
Janë shumë emra të spikatur që përfshihen në listë, duke filluar me Huawei, prej kohësh në sytë e ciklonit, Hikvision, e përmendura në lidhje me përfshirjen e supozuar në shtypjen e Ujgurëve në Xinjiang, China Shipbulding Industry Corporation dhe China Railway Construction Corporation. Dhe përsëri: China Telecom dhe China Mobile, të dyja të kuotuara në New York por shumë ambigue në sytë e administratës së drejtuar nga Donald Trump.
Por, përse të përpilohet një listë e tillë, e cila aktualisht ka funksion thjesht informativ? Për tre arsye. E para: për të bërë presion ndaj Kinës. E dyta: të prishin planet e gjigandëve kinezë, të njëjtat që vitet e fundit kanë gllabëruar aksione të mëdha të tregut nga konkurrentët amerikanë. E treta: të pengohet, pse jo të bllokohet plotësisht, modernizimi i Pekinit, që, në fusha të ndryshme, siç përshembull në 5G, ka dëshmuar të jetë përpara Shteteve të Bashkuara.
Arsyetimi i Shtëpisë së Bardhë është i thjeshtë dhe linear. Përmes spiunazhit tregtar dhe ushtarak, Kina ka vjedhur vazhdimisht informacione konfidenciale, të cilat më pas i ka ripërdorur për të përmirësuar industritë dhe sektorin e saj të armatimeve. Për të bllokuar hemorragjinë, Shtëpia e Bardhë ka filluar t’i kundërshtojë gjigantët e Pekinit në çdo mënyrë. Jo vetëm kaq: përmes aleancës së inteligjencës Five Eyes, të krijuar pas luftës nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe më vonë e shtrirë në Kanada, Australi dhe Zelandën e Re, Uashingtoni nisi kundërsulme të ndryshme.
Nga ana tjetër, CIA ka vazhduar me spiunazhin “tradicional”, domethënë të përdorë informatorët prej mishi dhe gjaku të infiltruar (apo të angazhuar) përtej Murit. Problemi është se, që nga ardhja e Xi Jinping në pushtet e këtej, domethënë që nga viti 2013, rrjeti amerikan ka pësuar shumë goditje nga kundërzbulimi i Pekinit. Një luftë e re spiunazhi sapo ka filluar dhe shtrihet nëpër universitete dhe akademi. Dragoi ka nxehur motorët, Dajë Sami po ashtu. / Materiali u përgatit nga gazetatjeter.net