Tetë fletë-arresti, asnjë i arrestuar për inceneratorin e Tiranës.
Rekord i ri në listën e operacioneve të dekonspiruara të Prokurorisë së Posaçme, që në mënyrë të përsëritur ka provuar se peshqit i shpëtojnë rrjetës së çarë. Emrat e disa prej të arratisurve pëshpëriteshin prej kohësh në rrethet e gazetarëve. Disa të tjerë u mësuan deri në momentet e fundit, kur SPAK shpalli një njoftim për mediat.
Në fletë-arreste ishte emri i biznesmenit Ilir Dedja, drejtuesi i televizionit Top Neës Endrit Habilaj, apo të tjerë si biznesmeni Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi administratore e Integrated Technology Services, Renardo Nallbani biznesmen që dyshohet se ka vënë në zbatim një skemë me faturat fiktive dhe 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lappat dhe Michael Dryijts, administratorë të kompanisë “Geogenix BV”.
Prokurorët i akuzojnë se kanë marrë rreth 20 milion euro nga paratë që duhej të përdoreshin për ngritjen e një inceneratori për Tiranën. Akuza i konsideron grup i strukturuar kriminal që ka bërë pastrim parash.
Vonesa e Irena Gjokës për të firmosur fletë-arrestet
Në njoftimin e SPAK bien në sy disa saktësime datash, që në kontekstin e dështimit të operacionit, ngjajnë me një shfajësim të Prokurorisë së Posaçme.
Nga njoftimi mësohet se urdhër-arrestet u dorëzuan në Gjykatën e Posaçme që në datën 29 qershor. Por dosja qëndroi aty për thuajse dy javë.
Vetëm në datën 12 korrik gjykatësja (Irena Gjoka shën. red) i hapi rrugë arrestimeve. Policia kreu kontrolle për 3 ditë, (nga data 12 korrik deri në datën 15 korrik) por atëherë ishte tepër vonë. Tetë të kërkuarit ishin arratisur.
Kuptohet se prokurorët rreken t’ia lënë fajin gjykatëses Irena Gjoka. Ishte ajo që e mbajti dosjen për 14 ditë me radhë në gjykatë, duke i dhënë kohë “grupit të strukturuar kriminal” të çante ferrën.
Por sa qëndron ky shfajësim i prokurorëve? A është faji vetëm i gjykatëses për arratisjen e të akuzuarve?
Refuzimi i SPAK për të identifikuar kokat e aferës së inceneratorëve
Pika e dobët e alibisë së SPAK për dekonspirimin gjendet në po të njëjtin njoftim që ata shpërndanë për mediat. Prokurorët e SPAK janë kujdesur që të shkruajnë aty se:
“Në krye të grupit të strukturuar kriminal qëndrojnë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.
Kjo fjali në njoftimin e SPAK përmbledh një qëndrim, për të cilën është debatuar shumë. Vërtet ishin “dy Klodët” pronarët realë të inceneratorit të Tiranës? A ishin këta të dy që ulën në gjunjë të gjitha ministritë dhe bashkinë e Tiranës për të siguruar financimin e inceneratorit?
Nëse “dy Klodët” ishin në krye të grupit të inceneratorëve si e bindën ata kryeministrin Edi Rama të firmosë bonus për kompaninë e Klodian Zotos para se ajo të krijohej? Si e bindën “dy Klodët” Erion Veliajn të firmoste financimin e inceneratorit të Tiranës, para se të mblidhte Këshillin Bashkiak?
Kush ka lexuar dosjet e SPAK e ka të qartë se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri nuk mund të ishin kokat e grupit të strukturuar kriminal që vodhi paratë e inceneratorëve. Shefat e mëdhënj janë në kryeminstri dhe në bashkinë e Tiranës, por SPAK refuzon ta pranojë këtë fakt. Prandaj e gjen fajin tek Irena Gjoka. E cila, njësoj si “Dy Klodët” ka shefat e saj.