Etiopia po përgatitet të mikpresë një nga qendrat aeroportuale më imponuese dhe strategjike të planetit. Në periferi të kryeqytetit, Addis Ababa, do të ndërtohet Aeroporti i ri Bishoftu, i destinuar të bëhet aeroporti më i madh i Afrikës dhe një nga qendrat kryesore më të mëdha botërore të trafikut ajror.
Projekti, rezultat i një bashkëpunimi midis Ethiopian Airlines dhe Bankës Afrikane të Zhvillimit, premton të revolucionarizojë lidhjen ajrore të kontinentit, të stimulojë ekonominë lokale dhe të tërheqë udhëtarë nga çdo pjesë e botës.
Aeroporti i Bishoftu shënon fillimin e një epoke të re për transportin ajror afrikan. Me numra rekord, një rol strategjik në nivel ndërkombëtar dhe një nxitje të fortë për zhvillimin ekonomiko lokal, ky mega-projekt mund ta transformojë Etiopinë në një nga qendrat kryesore të aviacionit në botë. Në vitet e ardhshme, miliona udhëtarë mund të kalojnë këtej, duke zbuluar jo vetëm një infrastrukturë në avangardë, por edhe një kontinent që po përjeton rritje të shpejtë dhe plot mundësi.
Një projekt rekord: aeroporti i ri i Bishoftu
Aeroporti i ri i Bishoftu do të lindë në Abusera, rreth 40 kilometra në jug të Addis Ababa, Etiopi dhe do të përfaqësojë projektin infrastruktural më ambicioz të kontinentit afrikan në fushën aeroportuale.
Me një kapacitet fillestar prej 60 milionë pasagjerësh në vit, që mund të zgjerohet deri në 110 milionë, do të jetë një gjigant i vërtetë i aviacionit. Për të dhënë një ide të dimensionit së tij, Aeroporti aktual Ndërkombëtar i Bole – i cili do të integrohet në qendrën e re – menaxhon afërsisht 25 milionë pasagjerë në vit: aeroporti i ri do ta katërfishojë këtë volum.
Kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet në 10 miliardë dollarë (afërsisht 8.3 miliardë euro) dhe ndërtimi pritet të nisë në fund të vitit dhe të zgjasë pesë vjet.
Iniciativa mbështetet nga Banka Afrikane e Zhvillimit, e cila do të ofrojë një kredi fillestare prej 500 milionë dollarësh dhe do të koordinojë mbledhjen e fondeve të nevojshme për të kompletuar financimin.
Përtej dimensioneve, aeroporti i ri do të jetë zemra e një aerotropoli të vërtetë: një zonë urbane dhe logjistike e integruar, e projektuar për të favorizuar zhvillimin ekonomik të rajonit, për të përmirësuar infrastrukturat dhe për të gjeneruar dhjetëra mijëra vende pune. Ky kompleks do të përfshijë struktura për trafikun e pasagjerëve dhe mallrave, duke nxitur të gjithë sektorin e transporteve dhe të transporteve detare të Afrikës.
Një qendër strategjike për Afrikën në botë
Aeroporti i ardhshëm Bishoftu nuk do të jetë vetëm një projekt infrastrukturor imponent, por edhe një gateway panafrikan i nivelit botëror. Sipas Mesfin Tasew, CEO i Ethiopian Airlines, ky projekt përfaqëson një hap vendimtar drejt përmirësimit të lidhjes ajrore, promovimit të tregtisë brenda Afrikës, nxitjes së turizmit dhe forcimit të integrimit rajonal.
Strategjikisht, qendra do ta pozicionojë Etiopinë si një zonë qendrore në udhëtimet ajrore botërore, falë vendndodhjes së saj të favorshme gjeografike për lidhjet midis Afrikës, Evropës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
Ethiopian Airlines, lider aktual kontinental në sektor, do të mundë kështu të zgjerojë operacionet e saj ndërkombëtare duke mbajtur Aeroportin Bole të dedikuar kryesisht për fluturime vendase.
Akinwumi Adesina, President i Bankës Afrikane të Zhvillimit, e ka quajtur iniciativën si “një moment transformimi jo vetëm për Ethiopian Airlines dhe për Etiopinë, por për të gjithë kontinentin”. Në fakt, projekti shkon përtej transportit të thjeshtë ajror: ai synon të përforcojë pozicionin e Afrikës në ekonominë botërore duke tërhequr investime, duke nxitur inovacionin dhe duke krijuar mundësi të reja zhvillimore.
Përgatiti për gazetatjeter.net, Dardan MITROVICA