Secili prej nesh ka shijet e tij, e vërtetë, e po ashtu të gjithë kanë edhe këngët e tyre të preferuara. Por, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ketë këngë që mund të sjellin alegri pak për të gjithë. Është ky rezultati i Nature Neuroscience: ekzistojnë ritme specifike që mund të gjenerojnë më shumë dopaminë në tru se të tjerat.
Hormoni i mirëqenies dhe këngët e lumturisë
Është kjo pra baza nga e cila nisi kërkimin e tij edhe neuroshkencëtari holandez Jacob Jolij, i cili pretendon se ka gjetur formulën matematikore që mund të na shpjegojë edhe se përse ndodh e gjitha kjo. Sipas Jacob Jolij, një tekst alegro, një ritëm më i shpejtë se mesatarja dhe një çelës specifik me akorde më të mëdha janë çelësi i një kënge të lumtur. Mbi këtë bazë, shkencëtari ka përcaktuar edhe se cilat janë këngët më alegro të historisë: e merr dot me mend se cilat janë?
01 – ‘Don’t Stop Me Now’ – Queen (1978)
Legjendarja rock band britanike zë vendin e parë me një nga këngët e saj më të fuqishme dhe domethënëse. Ky single ishte pjesë e albumit “Jazz”, i publikuar më 1978.
02 – ‘Dancing Queen’ – ABBA (1976)
Gjysmë shekulli histori dhe ende shumë e dëgjueshme. E shkruar më 1975, kjo këngë ishte pjesë e albumit të katërt në studio të grupit suedez, “Arrival”.
03 – ‘Good Vibrations’ – The Beach Boys (1966)
Me këtë titull ishte e qartë se “The Beach Boys” do të jepnin shumë prej tyre. Vështirë të besohet se kjo këngë legjendare është kaq e vjetër, duke qenë se për herë të parë u publikua më 1966.
04 – ‘Uptown Girl’ – Billy Joel (1983)
E pamundur të mos i lëvizësh këmbët nën ritmin e kësaj klasikeje të viteve ’80 të Billy Joel. E publikuar më 1983, u përfshirë në albumin “An Innocent Man”.
05 – ‘Eye of the Tiger’ – Survivor (1982)
Jo të gjithë e dinë që kjo këngë është krijuar posaçërisht për kolonën zanore të “Rocky” e me kërkesë të veçantë të Sylvester Stallone më 1982. Është jo vetëm një këngë optimiste, por edhe një këngë motivuese, esenciale nëpër playlistat sportive.
06 – ‘I’m a Believer’ – The Monkees (1967)
Fillimisht u regjistrua nga Neil Diamond, por kanë qenë Monkees ata që më 1967, e ngjitën në majat më të larta atë me versionin e tyre ultra të sheqerosur.
07 – ‘Girls Just Wanna Have Fun’ – Cindy Lauper (1983)
Debutimi me këtë këngë hit në albumin e saj të parë, “She’s So Unusual” (1983), e ndihmoi Cindy Lauper të kalonte nga asgjëja në yll. Pastaj, edhe video, është e paharrueshme.
08 – ‘Livin’ on a Prayer’ – Bon Jovi (1986)
Kënga më testosteronike (ndoshta) në histori. Një nga introt më të njohura dhe një injeksion plus dopamine me një energji që zgjat për ditë të tëra.
09 – ‘I Will Survive’ – Gloria Gaynor (1980)
Ky simbol i muzikës disko ishte një himn për emancipimin, për të dashuruarit dhe për pohimin e madh se koha shëron gjithçka.
10 – ‘Walking on Sunshine’ – Katrina & The Waves (1983)
Grupi britanik debutoi me një sukses që do t’i bënte ata të hynin në legjendë. Ritmi hipnotik e këngës, vokali i shkëlqyer i Katrina Leskanich dhe një video që merr udhë nga vitet ’80 mjaftojnë për të mbyllur këtë listë.
E nëse i dëgjon të gjitha rresht?
E nëse dikush i dëgjon këto 10 këngë të gjitha së bashku dhe sipas rendit të vendosur nga vetë Jacob Jolij? Ka ende për ta demonstruar, por legjenda thotë se do të ketë 10 ditë rresht lumturie absolute. Një ditë për një këngë. Pse të mos e provosh?
Përgatiti për gazetatjeter, Dardan MITROVICA