Në një epokë si kjo e jona, ku prej triumfit të motos së Revolucionit Francez “Liri, barazi, vëllazëri”, ka lindur dhe është zhvilluar një rrymë e fortë shpirtërore dhe shoqërore, që jo vetëm i larton apo i ul të drejtat politike në një nivel të përgjithshëm e të barabartë, por synon gjithashtu edhe ta eleminojë palumturinë nëpermjet rregullave dhe barazive të diktuara nga jashtë, pra, në një epokë të tillë, të flasësh për heterogjenitetin e plotë të elementëve që përbëjnë një komb, është një detyrë me të vërtetë e ngratë. Pasi, pavarësisht se sot është diçka e bukur që të gjithë janë të barabartë përballë ligjit, që në politikë zëri i çdokujt ka një rëndësi të caktuar e që askush s’është padrejtësisht superior ndaj vëllait të vet, për shkak të privilegjeve trashëgimtare të shtresës së vet, përsëri ideja e barazisë shndërrohet në diçka më pak të bukur, nëse shtrihet edhe në fusha të tjera të jetës. Kush mendon se nëpërmjet rregullimeve barazuese të jetës është e mundur të arrihet një shpërndarje gjithnjë e më e barabartë e lumturisë, ose e ka shikimin plotësisht të mjegulluar ose e sheh shoqërinë njerëzore nga pozicioni i mjegullnajës më të largët. E më tej, nëse beson se po e njëjta sasi të mirash ose mundësish të jashtme të jetës ka po të njëjtën domethënie për të gjithë njerëzit, atëherë ai patjetër duhet të jetë i marrë. Se ç’mund të bëjë vallë një ligjvënës që mendon në këtë mënyrë për të gjithë ata, mundësia e jetës së të cilëve zhvillohet më tepër brenda vetes se sa jashtë saj? Për të qenë i drejtë, i lipset t’i japë p.sh. njërit dyfishin e tjetrit, për arsye se po i njëjti quantum për një individ mund të nënkuptojë shumë, ndërsa për tjetrin shumë pak. Ndërkohë që, përsa i përket ndryshueshmërisë psikologjike të njerëzve, këtij faktori të domosdoshëm të energjisë vitale të një shoqërie njerëzore, mund të themi vetëm kaq: asaj s’arrin t’ia dalë dot mbanë asnjë ligjvënës. Ja, përse, të flasësh për ndryshueshmërinë e njerëzve është mjaft e dobishme. Prej dallimeve të tyre lindin kërkesa kaq të ndryshme lumturie, saqë s’mund të ketë ligjshmëri sado të përsosur, që të mund të kënaqë atë qoftë edhe vetëm pjesërisht. Po kështu, është tërësisht e pamundur të sajohet një formë e jashtme jete e barabartë deri në atë pikë, sa të mos nënkuptojë diçka të padrejtë për njerin apo për tjetrin tip. Fakti që pavarësisht nga e gjitha kjo, ekzistojnë ende politikanë, sociologë, filozofë e fetarë, që veprojnë me një këmbëngulje fanatike për të krijuar vazhdimisht kushte të njëjta për të gjithë, të afta për t’u siguruar atyre mundësitë më të mira të jetës, për mendimin tim varet nga qëndrimi i tyre i përgjithshëm tej mase ekstrovers. Sidoqoftë, më duhet të them se ky libër nuk merr përsipër t’i trajtojë këto probleme, përmasa e të cilave është e jashtëzakonshme, por vetëm t’i theksojë ato. Ndaj, lipset të kufizohemi vetëm në trajtimin e aspektit të tyre psikologjik. Aq më tepër që ekzistenca e orientimeve të ndryshme tipike është një problem i dorës së parë jo vetëm për psikologjinë, por për të gjitha fushat e shkencës dhe jetës, në të cilat psikologjia njerëzore ka një rol përcaktues. E është padyshim mendje-ndriçuese për çdo intelekt të zakonshëm njerëzor fakti që çdo filozofi, e cila nuk është vetëm një histori e filozofisë, mbështetet mbi një parakusht vetjak psikologjik. Këto parakushte mund të jenë të një natyre thellësisht individuale e nga pikëpamja kritike, filozofitë më të zakonshme interpretohen si të tilla, ndaj dhe çështja e trajtimit të tyre mbyllet menjëherë këtu. Madje, mohohet plotësisht edhe fakti se ajo që gjykohet si një paragjykim individual, nuk është e tillë në të gjitha rrethanat, në kuptimin që këndvështrimi i këtij apo atij filozofi, gjen gjithmonë pas vetes idhtarë me shumicë. Për ta, këndvështrimi i tyre filozofik është i drejtë, jo pse ata e kishin përshtatur atë si të qe një kuti e mbyllur, po sepse kishin arritur ta kuptonin vërtetësisht. Në një kohë që një kuptim i tillë do të qe i pamundur, në rast se pikëpamja e filozofit do të qe vetëm individuale, pasi në këtë situatë ai nuk do të kish arritur të kuptohej ose nuk do të qe miratuar fare. Nga ky këndvështrim, veçoria e kësaj pikëpamjeje të njohur e të kuptuar nga ana e ithtarëve, duhet t’i korrespondojë detyrimisht një qëndrim tipik personal”, të përfaqësuar në mënyrë analoge ose të barabartë edhe nga anëtarët e tjerë të shoqërisë. Kështu, partitë politikë zakonisht luftojnë veç në aspektin e tyre të jashtëm, d.m.th., synojnë të godasin anën e zbuluar të kundërshtarit, edhe pse kjo betejë, si rregull, është pak dobiprurëse, pasi më i dobishëm do të qe lokalizimi i kundërshtarit në fushën psikologjike së cilës i përket origjina e tij. Mirëpo një veprim i tillë do të sillte menjëherë dëshminë e ekzistencës së qëndrimeve të ndryshme psikologjike, ku secili prej tyre ka të drejtën e vet të ekzistencës – edhe pse kjo mund të shpjerë në formulimin e teorive të papajtueshme me njëra-tjetrën. Ndaj, ai që kërkon ta sheshojë këtë konflikt me anë të kompromiseve të jashtme, kënaqet vetëm me synimet modeste të atyre mendimtarëve sipërfaqësorë, të paaftë për të përqafuar parime.
Ndërkohë, unë besoj me të gjitha forcat e mia se kuptimi i vërtetë mund të arrihet vetëm nëpërmjet njohjes së ndryshueshmërisë së parakushteve psikologjike. Gjatë përvojës së praktikës sime mjekësore, më ka habitur dhe më ka shqetësuar gjithmonë fakti se njeriu është pothuajse i paaftë të kuptojë, të pranojë e të mbrojë një këndvështrim të ndryshëm nga ai i veti. Në gjërat pa shumë rëndësi, mund të na ndihmojë të shembim urën që ngrihet mbi humnerën e moskuptimit edhe sipërfaqësores, një butësi e durim jo shumë i shpeshtë dhe një “dashamirësi” pothuajse e rrallë. Megjithatë, në gjërat e rëndësishme e veçanërisht atëherë kur në lojë janë vetë idealet e tipit, kuptimi duket krejtësisht i pamundur. Natyrisht, grindjet dhe përçarjet do të jenë gjithmonë konktekstet e tragjedisë njerëzore, por nuk mund të mohohet se nga pikëpamja e vendosjes së drejtësisë me forcat e veta, progresi i shoqërisë ka shpënë në krijimin e ligjeve, procedurave e kritereve të caktuara të vlerësimit që kanë arritur të mbivendosen mbi palët kundërshtare. Për mendimin tim, pranimi i ekzistencës së tipave të ndryshëm të qëndrimeve e të faktit se një individ i veçantë që i përket një tipi të dhënë është një individ i njëanshëm (sektor) deri në atë pikë sa të mos arrijë të kuptojë këndvështrimin e një individi tjetër, mund të shërbejë në vetvete si një bazë për sheshimin e konfliktit të lindur mes konceptimeve të ndryshme. Aq më tepër që pa domosdoshmërinë e një njohjeje të tillë, dhunimi i ndërsjelltë i këndvështrimeve do të qe diçka e sigurt. E ashtu si palët kundërshtare, ku ndodhen përballë trupit gjykues, i shmangen shpalosjes së një akti të drejtëpërdrejtë fuqie e ia besojnë veten barazisë së ligjit dhe gjykimit, po njëlloj edhe tipat e individëve, duke qenë të përgjegjshëm për paragjykimet dhe njëanshmërinë e tyre, detyrimisht do t’i rreshtnin sharjet, shpifjet dhe përçmimet e kundërshtarëve. Në këtë kuptim, nëpërmjet konceptimit të problemit të qëndrimeve tipike e të ilustrimit të tyre të detajuar, unë kërkoj t’u tërheq vëmendjen lexuesve të mi në imagjinimin e mundësive të shumta të konceptimeve, me shpresën e dhënies së paku të ndihmesës sime në njohjen e këtyre dallimeve, niveleve e ngjyrimeve të pafundme të psikologjisë së individëve. Shpresoj gjithashtu që prej këtij shpjegimi askush të mos nxjerrë përfundimin se, duke ilustruar katër apo tetë tipe, i kam shtjelluar përfundimisht të gjithë tipat ekzistues. Është me vend të thuhet se, përkundrazi, jam i sigurt në mundësinë e klasifikimit të qëndrimeve të individëve edhe sipas kritereve të tjera. Kështu, pas një shqyrtimi akoma dhe më të imtësishëm mund të theksoj edhe ekzistencën e mundësive të tjera, siç mund të jetë psh., edhe një nëndarje e tipave në bazë të aktivitetit. Megjithatë, cilido qoftë kriteri i klasifikimit të tipave ekzistues një përballje e formave të ndryshme të këtyre qëndrimeve të zakonshme nuk mund të shpjerë askund tjetër, përveçse në formulimin e po kaq tipave të ndryshëm psikologjikë.
Përveç kësaj, po aq sa ç’mund të jetë i lehtë gjykimi i qëndrimeve ekzistuese nga pikë të tjera vështrimi nga ato të miat, po kaq i vështirë do të jetë vërtetimi se tipa të tillë të ndryshëm psikologjikë nuk ekzistojnë. D.m.th., nuk ushqej kurrfarë dyshimi se kundërshtarët e mi do të bëjnë ç’është e mundur për ta përjashtuar problemin e tipave nga radha e problemeve shkencore të shtruar për trajtim, pasi për çdo teori të proceseve komplekse psikike që synon një vlefshmëri të përgjithshme, problemi i tipave përfaqëson në vetvete një pengesë, përgjithësisht të interpretuar për keq. E kjo për shkak se çdo teori e tillë supozon ekzistencën e një psikologjie njerëzore homogjene, përpikmërisht njësoj si çdo shkencë natyrore supozon për bazë të vet natyrën, pavarësisht se në psikologji ekziston ajo veçori karakteristike e trajtimit të proceseve psikike njëkohësisht si objekt dhe subjekt. Ndaj, po qe se supozohet se në të gjitha rastet individuale subjekti mbetet po ai, po njëlloj mund të supozohet të mbetet i njëjtë edhe vetë procesi psikik i konceptualizimit. E sigurisht që çdo teori e re parasupozon. Në një kohë kur s’është kështu, për arsye të faktit se për natyrën e proçeseve psikike komplekse ekzistojnë koncepte nga më të ndryshmet e më të shumëllojshmet. Nga ana tjetër, sigurisht që çdo teori e re i parasupozon të gjitha teoritë e tjera si të gabuara, pothuajse gjithmonë për të vetmin motiv se autori i saj – subjektivisht i sheh gjërat nga një këndvështrim i ndryshëm nga ai i autorëve paraprirës. Gjithashtu, ai nuk merr parasysh faktin se psikologjia që ai sheh, është vetëm psikologjia e tij ose në rastin më të mirë, psikologjia e tipit të tij. Rrjedhimisht, mendon se edhe procesi psikik mund të shpjegohet në mënyrë unike, pikërisht në mënyrën se si e shpjegon ai, d.m.th. në mënyrën që i përputhet tipit të tij. Ndaj, ai pret të ekzistojë një shpjegim i vetëm e të gjitha konceptimet e tjera – madje do të guxoja të thoja edhe të shtatë konceptimet e tjera, që sipas mënyrës së tyre janë po kaq të vërteta sa dhe konceptimi i tij – për të janë plotësisht të gabuara. Në këtë kuptim, si një dëshmi që shpie ujë në mullirin e kësaj teorie, ai do të provojë një kundërshti të gjallë e të kuptueshme nga pikëpamja njerëzore për klasifikimin e njerëzve në tipa të ndryshëm pasikologjikë. E në fakt, po qe se do ta pranonte këtë teori, atëherë koncepti i tij do të humbiste shtatë të tetat nga vlera e vet e vërtetësisë, kështu që atij do t’i duhej t’i konsideronte po njëlloj të vërteta edhe shtatë shpjegimet e tjera të të njëjtit proces ose ndryshe, të një teorie tjetër nga ajo e tija.
Ndaj, jam plotësisht i bindur se vetëm një ngjarje natyrore që në një masë të madhe është e pavarur nga psikologjia njerëzore e për rrjedhim mund të jetë vetëm objekt i vetvetes, mund të ketë një shpjegim të vetëm e të vërtetë. Ashtu siç jam i bindur se edhe një ngjarje psikike komplekse, që nuk mund të ndërfutet në asnjë aparat objektivisht regjistrues, nuk mund të ketë shpjegim tjetër veçse atij që jep vetë ai si subjekt. Me fjalë të tjera, autori i një koncepti mund të prodhojë vetëm një koncept të caktuar të pajtueshëm me procesin psikik që ai synon të shpjegojë. Në një kohë kur ky koncept mund të jetë i pajtueshëm vetëm në rastin kur do të arrijë të pajtohet brenda vetë subjektit në procesin e shtruar për shpjegim. Se nëse një proces i shtruar për shpjegim ose një proces analog me të, nuk do të arrinte të zhvillohej brenda vetë autorit, atëherë ai do të gjendej përballë një enigme, për shkak të së cilës do t’i duhej t’ia besonte shpjegimin e vet atij, që do të eksperimentonte këtë proces. P.sh., ai nuk mund të eksperimentojë kurrë objektivisht se si prodhohet një vizion, d.m.th., mund ta shpjegojë lindjen e tij vetëm në mënyrën se si ai mendon të ndodhë diçka e tillë. E shprehja se si mendon të ndodhë, duket se e jep qartë vështirësinë e këtij lloj shpjegimi. Aq më tepër që edhe në rastet më të mira, një shpjegim i tillë del nga mënyra, në të cilën përfaqësohet brenda tij procesi i një vizioni. Po pavarësisht nga kjo, kush ia jep vallë të drejtën të supozojë se ndodhia e këtij vizioni përfaqësohet në të njëjtën mënyrë ose në mënyrë analoge tek të gjithë të tjerët?
Në këtë pikë, mund të thirret në ndihmë homogjeniteti universal i psikologjisë njerëzore, i shtrirë në të gjitha kohërat e në të gjitha vendet e botës si një argumentim i volitshëm e i përligjur në favor të këtij gjykimi të kushtëzuar nga pikëpamja subjektive. Madje, jam kaq thellësisht i bindur në këtë homogjenitet të psikikës njerëzore, saqë e kam përfshirë atë edhe në konceptin e pavetëdijes kolektive, d.m.th., të atij substrati universal e homogjen që ka si cilësi të shfaqë po të njëjtat motive mitologjike e përrallore në çdo cep të botës sonë të pamatë. E vetëm në sajë të saj, një zezak i Amerikës së Jugut mund të shoh në ëndërr motive të mitologjisë greke, ndërsa një çirak i një dyqani në Zvicër të përsërisë në psikozën e tij vizione të një shkencëtari të lashtë egjiptian. Sidoqoftë, edhe prej një homogjeniteti të tillë themelor, ne mund të ravijëzojmë përmasat e një heterogjeniteti po kaq të madh të psikikës së vetëdijshme njerëzore. Natyrisht, midis vetëdijes së një primitivi, të një athinasi në kohët e Themistokliut e të nje evropiani të ditëve tona ekzistojnë disonanca të paimagjinueshme! Më tej, ç’ndryshim ka, vallë, midis vetëdijes së “zotit profesor” dhe gruas së tij? Ç’aspekt do të kish sot bota, nëse do të ekzistonte një homogjenitet i plotë i shpirtrave? Jo, mendimi, ideja që vetëdijet njerëzore janë homogjene, është një kimerë akademike që e thjeshtëzon shumë detyrën e docentit përballë nxënësve të tij, por që, nuk lidhet aspak me realitetin. Pasi, pavarësisht nga ndryshueshmënia e qartë e individëve, natyrat intime të të cilëve ndahen nga njëra tjetra me vite – dritë, përsëri edhe vetë tipat, nga ana e tyre, janë mjaft të ndryshëm, kështu që ndryshueshmëria e koncepteve të përgjithshme lipset t’i detyrohet pikërisht kësaj ekzistence. Rrjedhimisht, për të gjetur homogjenitetin e vetëdijeve, duhet të zbresim gjer në themelet e tipave të tillë. Pasi vetëm aty mund të gjendet ajo që është e njëjtë tek të gjithë. Aq më tepër që, nëse kjo teori do të bazohet mbi atë çka të gjithë e kanë të përbashkët, pra në atë që i bashkon njerëzit me njëri-tjetrin, atëherë dhe psikika patjetër që do të shpjegohej origjinës dhe themelit të vet. Mirëpo nuk do të mund të shpjegohej aspak ajo çka sjell në të ndryshimin historik ose individual, duke bërë që një teori e tillë të anashkalojë plotësisht psikologjinë e psikikës së vetëdijshme, të mohojmë gjithashtu, edhe tërë anën superiore të psikikës, d.m.th. ndryshimin e prirjes së saj të lindur që në origjinë. Pra, një teori e tillë e redukton njeriun në modelin e vet filogjenetik ose e shpërbën atë në proceset e tij elementare, në mënyrë të tillë që nëse do të donim më pas ta rikompozonim përsëri, nisur nga kjo gjëndje, në rastin e parë do të nxirrnim një majmun, kurse në rastin e dytë një grumbull procesesh elementare, tërësia e të cilëve do të prodhonte një efekt pa kurrfarë qëllimi dhe kuptimi. Në këtë këndvështrim, shpjegimi i psikikës në bazë të homogjenitetit, është padyshim jo vetëm i mundshëm, por edhe plotësisht i përligjur. Megjithatë, nëse duam ta përfaqësojmë imazhin e psikikës në tërësinë dhe thellësinë e vet, duhet të mbajmë mirë parasysh ndryshueshmërinë e vetëdijeve. E në fakt, psikika e vetëdijshme individuale bën pjesë në imazhin e përgjithshëm të psikologjisë në po atë masë, në të cilën bëjnë pjesë edhe bazat e saj të pavetëdijshme.
Pra, në udhën time të konceptualizmit, besoj se mund të nisem me plot të drejtë nga vetëdijet e ndryshme, për të gjykuar më pas nga pikëpamja e ndryshueshmërisë edhe vetë atë proces që më sipër e pata gjykuar nga pikëpamja e homogjenitetit. E pa dyshim që e gjitha kjo do të më shpinte në një konceptim në antitezë me të përparshmin, megjithatë lipset të sqarohet se gjithçka që dukej e përjashtuar në këtë koncept, në konceptin e ri merr një vlerë mjaft domethënëse, si pikënisje e ndryshimeve të mëtejshme, si komponente e variantit individual. Nga ana tjetër, gjithçka në konceptin e mëparshëm kishte një vlerë të veçantë për shkak të homogjenitetit, në këtë koncept më duket i mangët nga çfarëdolloj vlere, për shkak të karakterit thjesht kolektiv. Ndërkohë që, sipas këtij kriteri, unë trajtoj gjithmonë qëllimin e gjërave dhe kurrë origjinën e tyre, në një kohë kur në bazë të kriterit të mëparshëm trajtoja gjithmonë qëllimin, origjinën, kurrë qëllimin kah të cilit priren gjërat. Aq më tepër që po i njëjti proces psikik mund të shpjegohet edhe nëpërmjet dy teorive të ndryshme që përjashtojnë njëra-tjetrën e ku asnjëra prej tyre s’mund të pohohet si e gabuar, për shkak se korrektësia e njërës vërtetohet prej homogjenitetit, kurse e tjetrës prej heterogjenitetit të psikikave njerëzore. Madje, pikërisht këtu pat gjetur udhë vështirësia e madhe, që shfaqi leximi i librit tim “Simbolet dhe shndërrimet e libidos”, si dhe pështjellimi i shkaktuar prej tij në mjaft mendje të shquara. Në këtë libër, unë përzgjedh një material konkret mjaft të bollshëm. Por meqenëse realiteti siç duket nuk është i krijuar prej teorive e as nënshtrohet prej tyre, po përkundrazi, brenda tij, të dyja ato gjëra që ne jemi të detyruar t’i gjykojmë të ndara, gjenden të bashkuara, janë diçka e vetme dhe e pandarë, duke bërë që gjithçka e gjallë brenda psikikës të shfaqet në mijëra ngjyra. Më tej, çdo gjë është një produkt, një derivat e në të njëjtën kohë diçka që shndërrohet vazhdimisht në diçka tjetër, pra është e shkuara dhe e ardhmja, që askush s’mund ta thotë me siguri në shërben si fund apo si një qëllim i ri. Pasi, kush mbron faktin se për një proces psikik ekziston një shpjegim i vetëm i vërtetë, vë në dyshim pikërisht këtë vitalitet të sipërmendur të përmbajtjes psikike, që në të vërtetë ekziston dhe ka nevojë për dy teori të kundërta me njëra-tjetrën, veçanërisht kur kemi të bëjmë me individë, të cilëve u pëlqejnë të vërtetat e thjeshta e jo komplekse e që janë të paaftë të mendojnë në mënyrë të njëkohshme.
Nga ana tjetër, s’jam aspak i bindur se vetëm dy mënyra të interpretimit të gjërave – ajo reduktive dhe konstruktive, siç i kam përkufizuar unë – arrijnë të shterrojnë të gjitha mundësitë e vëzhgimit. Përkundrazi, besoj se procesi psikik mund të shpjegohet edhe në shumë mënyra të tjera, pra, që janë të mundshme po aq shpjegime të vërteta, sa dhe tipa. Aq më tepër që, mirë apo keq, këto shpjegime sillen ndaj njëri-tjetrit njësoj si tipat në raportet e tyre personale. Për këtë arsye, nëse pranohet ekzistenca e ndryshueshmërisë tipike në psikikën njerëzore – e mendoj se nuk ka asnjë lloj vështirësie, përse nuk mund të ndodhte një gjë e tillë – atëherë shkencëtari teorik do të ndodhej përballë një dileme të hidhur e do t’i duhej ose të njihte ekzistencën e shumë teorive të dallueshme nga njëra-tjetra, që interpretojnë po të njëjtin proces ose të ndërmerrte një përpjekje të dëshpëruar a priori, për të krijuar një teori sektare që të synonte të qe shpjegimi i vetëm, i drejtë dhe i vërtetë. Mundësia e parë ndeshet shpejt si me vështirësinë e jashtëzakonshme të një veprimtarie mendore të dyfishtë dhe nga pikëpamja intime antinomike (e mbarsur në antiteza) – ashtu dhe me njërin prej parimeve themelore të moralit tonë intelektual: principia explicandi non sunt multiplicanda – praeter necessitatem. Megjithatë, në rastin e një teorie psikologjike një domosdoshmëri e tillë është apriorisht e ndryshme, për shkak se në dallim nga çdo teori e nga çdo shkencë e saktë, në psikologji objekti i intepretuar është i së njëjtës natyrë me subjektin e prandaj një procesi psikologjik i duhet detyrimisht shpjegimi i një procesi tjetër. Aq më tepër që kjo vështirësi serioze i ka nxitur prej kohësh mendimtarët e ndryshëm të kërkojnë shtigje të shumta e të përveçme shpëtimi: për shembull, duke supozuar ekzistencën e një intelekti që të mundësojë si daljen prej vetvetes, ashtu dhe mendimin brenda saj. Ja, me të tilla rrugëdalje ata përpiqeshin të krijonin atë pikë jashtë tokës, që të shërbente si vendmbështetje për levën, me të cilën Arkimedi kërkonte të ngrinte peshë tokën. Për mendimin tim, është mëse e kuptueshme nevoja e njeriut për të gjetur medoemos një shpjegim të kënaqshëm, nevoja e tij për “komoditet”, megjithatë nuk arrij dot të pranoj se e vërteta duhet të përulet përballë kësaj nevoje. Po njëlloj, më duket e kuptueshme se përse në vend të paradoksit të shpjegimeve që kundërshtojnë njëra-tjetrën, është shumë me shpjeguese, nga ana estetike, udhëheqja e procesit psikik ose drejt një baze instinktuale sa më të thjeshtë të mundshme ose drejt një baze shpëtimtare metafizike, për ta vënë kështu shpirtin në paqe në prehër të kësaj shprese.
Megjithatë, çdo orvatje që mund të bëhet nga ana e intelektit njerëzor, për të shpjeguar diçka të tillë – nëse është një orvatje e ndershme e jo një petitio principii në shërbim të “komoditetit”, do të shpërthente menjëhere një lumë paradoksesh e përgjigjesh me vlerë relative. Aq më tepër që është mëse e qartë se konceptimi në mënyrë intelektive i procesit psikik nuk mund të japë veçse të dhëna relative, për shkak se funksioni intelektiv në vetvete është vetëm një nga funksionet e shumta të psikikës, madje pikërisht ai, që i shërben njeriut për të ndërtuar imazhet e tij objektive. Nga ky këndvështrim, të besosh se kuptimi i botës është i mundur vetëm duke menduar ose vetëm nëpërmjet intelektit, është një gabim i madh. Pasi realiteti kuptohet, madje në po të njëjtën masë edhe me anë të sentimentit, pra, nëpërmjet funksionit afektiv. Rrjedhimisht, gjykimi i intelektit në pikun e vet me të lartë duhet trajtuar si qëllimi i së vërtetës e nëse kjo do të jetë e ndershme, atëherë ajo patjetër që duhet të rrëfejë pamjaftueshmërinë e vet.
Në këtë kuptim, mohimi i ekzistencës së tipave nuk e ndihmon aspak vërtetimin e mosekzistencës së tyre. Përkundrazi, çdo teorie mbi proceset psikike i duhet të pranojë të jetë edhe ajo vetë një proces psikik e përpikmërisht një shprehje e një tipi të psikologjisë njerëzore, që ekziston dhe ka plotësisht të drejtë të ekzistojë. Pasi vetëm prej përfaqësimeve të tilla tipike mund të nxirren ato materiale të nevojshme, bashkërenditja e të cilave do të ngjizte më pas një sintezë superiore.