Çfarë na tregon mënyra se si flet për luftën Skudeto?
“Duhen riorganizuar idetë, të sqarohet mirë objektivi”, ka thënë Allegri pas barazimit 2-2 kundër Hellas Verona, ndoshta ndeshje që i dha fund përgjithmonë shanseve të ekipit të tij për të luftuar për Skudeton. Një ndeshje konfuze dhe çuditërisht e hapur, në të cilën Juventusi u la të tërhiqej në çrregullimin emocional të Veronës. Një ndeshje e fortë dhe e shpejtë, tranzicionesh, ritmesh që spërkateshin dhe përhapeshin pa ndjekur asnjë logjikë të dukshme. Ai lloj ndeshjeje që Massimiliano Allegri përgjithësisht nuk e pëlqen.
Për këtë Juventusi dukej i hutuar, i shkëputur nga shpirti i tij i një skuadre maniakale në racionalitetin e saj, obsesive në maturinë e saj. Me pak fjalë, shenjë se diçka mund të ketë humbur, për sa i përket motivimit, pas humbjes në San Siro ndaj Interit, e cila nënvizoi epërsinë e qartë të nerazurrëve në këtë moment historik.
Atëherë ndoshta vërtetë Juventusi besonte tek Skudeto dhe kur Allegri përsërit “sqaroni mirë objektivin” i referohet faktit që ekipi i tij nuk e dëgjonte, teksa ai siguronte se aspironte vetëm vendin e katërt – objektiv që vazhdimisht e ka dhënë për zyrtar duke ia shpërndarë edhe mikrofonave. E kuptoj: kur përkohësisht u gjend në vendin e parë, ishte sekreti i bardhezinjve fakti që Juventusi po luftonte vërtetë për Scudetton, e megjithatë Allegri në një farë mënyre ia arriti të përhapte narrativën, mes shtypit dhe ndonjë tifozi, se nuk ishte ai vendi për skuadrën e tij, që ishte aty për mrekulli dhe që herët a vonë do të rikthehej larg nga vendi i parë.
Allegri, pra, si të gjithë profetët fatit të keq, herët a vonë përfundon duke e bërë atë të drejtë. Tani që Juve është 9 pikë pas Interit, madje edhe me një ndeshje më shumë dhe që rrezikoi të rrëshqiste në vendin e tretë nëse Milani do të kishte mundur Monzën, më në fund mund të thonë se po: ai jua pati thënë.
Pas humbjes ndaj Interit, e cila nxori në pah të metat e skuadrës së tij, Allegri tha se skuadra e tij nuk kishte luajtur një ndeshje të tillë prej 3 vitesh prandaj edhe pagoi mungesën e përvojës. Mbi këtë aspekt ka muaj që insiston. Që në sezonin e kaluar, pas eliminimit të dhimbshëm nga Europa League kundër Sevillas, i pati rënë shkurt: “Më falni, por nuk mund të bëhej më shumë se kaq. Kemi paguar për papërvojën tonë, janë hapa të nevojshëm”. Para ndeshjes kundër Empolit e krahasoi Juventusin e tij me Sinner, dhe Interin me Xhokoviçin – “Nëse jemi më të rinj…”. Më parë pati thënë: “Interi nuk u ndërtua këtë vit. Ka një rrugëtim që të nisur me Antonio Conte (…). Që kur erdha unë kemi ndërruar 15 lojtarë, janë ndoshta 10 të lindur nga 2000 e këndej. Është një rrugëtim që duhet bërë gradualisht. Pëlqen apo jo, këto janë fakte”.
Por a janë vërtet fakte?
E sigurt është se Allegri ia arriti të manovrojë mjaft mirë narrativën dhe komunikimin për luftën skudeto. Interi do të ishte një luftanije kolosale, një skuadër e pathyeshme, jashtë shkallës për Serie A, ndërsa Juventusi do të ishte një ekip i ri, i papërvojë, i ndërtuar me pak burime. Por çështjet mbeten gjithmonë të njëjta: a është më e fortë organika e Interit se ajo e Juventusit? Cila skuadër ka investuar më shumë? Cila prej tyre ka më shumë burime për të fituar Skudeton?
Së fundmi këtë e kanë diskutuar në televizion edhe specialistë të njohur të futbollit si Sandro Sabatini dhe Riccardo Trevisani; ka qenë specialisti tjetër i njohur dhe ish futbollisti Daniele Adani që e bëri objekt diskutimi të detajuar, ndonëse pjesë e konfliktit me Allegrin që zgjat prej disa vitesh. Diskutohet vazhdimisht në Twitter, apo në podkaste, dhe ka qenë Francesco Acerbi ai që ka ndërhyrë duke lëshuar edhe një provokim në kah të kundërt: “Thonë se jemi më të fortët, por shikoni se ata që u larguan ishin shumë të fortë. Thonë se duhet të stërfitojmë por Juventus ka shpenzuar 200 milionë për 3 lojtarë si Vlahovic, Chiesa dhe Bremer. Ne, zero parametra. Le të përpiqemi të jemi pak të ekuilibruar”.
Natyrisht, në fund të fundit, mund të thuhet se nëpër gazeta shkruhet dhe narrativa e Allegrit, sidoqoftë ia doli të kalojë. Gazzetta dello Sport jep versionin e saj të historisë së fundit të Juventusit sipas të cilës Allegri u largua për populizëm, në substancë, ndërsa tani puna e tij është e dashur si kurrë më parë. Arsyeja duhet të jetë ajo që ai vetë e përkufizon si “e vogla mrekulli e madhe”: “Dhe tani e lavdërojnë, nëse vlerësojnë edhe sukseset hundës së shkurtër, nëse pranojnë të fitojnë edhe pse loja shpeshherë nuk është emocionuese, kjo sepse e kuptuan se këtë herë Max po bën vërtet një të vogël mrekulli të madhe. Juve nuk është një skuadër yjore si ato që trajneri drejtoi gjatë ciklit të artë: nuk ka kampionë të mëdhenj, ka vetëm disa që mund të bëhen të tillë (Vlahovic dhe Chiesa, tani edhe Yildiz); nuk ka organikë me cilësi të lartë; ka futbollistë të rizbuluar, të rishpikur, rivlerësuar, të shpënë jashtë limiteve të tyre.”
Është një narracion ideologjik, që thekson disa aspekte për të neglizhuar qëllimisht të tjerë. Ashtu siç është ideologjik dhe i pjesshëm edhe narracioni i kundërt, ai sipas të cilit Interi ka një skuadër të përbërë nga dështimet e futbollit botëror, të marrë me zero kosto dhe të valorizuar nga Inzaghi. Por, për hir të së vërtetës, në këtë konfliktualitet disi fëminor, i cili e ndot debatin, çfarë është e vërtetë?
Vështirë të përpiqesh të bësh një debunking të detajuar, aq më tepër që të dhënat e çështjes janë kaq të errëta, e cila ndoshta në fund të fundit nuk është edhe aq interesante. Kështu, mund të themi se mosha mesatare në fushë e Juventusit është më e vogës se ajo e Interit, por në të njejtën linjë me atë të skuadrave më të mira evropiane që aspirojnë të fitojnë tituj. Dhe është ende një moshë mesatare më e lartë se tre skuadra – Liverpool, PSG dhe Bayer Leverkusen – aktualisht në krye të kampionateve të tyre. Nëse flasim për përvojën e fituar në fushë, më shumë si status sesa për krahasim, është e vështirë të definosh lojtarë si Sczcesny, Danilo, Bremer, Rabiot, Kostic, Locatelli, Chiesa apo Vlahovic si të papjekur.
Është pastaj tema ekonomike dhe ajo e planifikimit, e cila futet shpesh në lojë. “Nëse ndonjë mendon se Juventusi duhet ta kishte fituar kampionatin këtë vit, do të thotë se ai ka më shumë aftësi se unë për të kuptuar rrugëtimin e një skuadre”, ka thënë Allegri. Duhet thënë se Interi ka qenë i detyruar të ndryshojë disa lojtarë vitet e fundit. Krahasuar me ekipin 2020/21, atë që fitoi Skudeton me Conten në pankinë, pra me atë të përmendur nga Allegri, Interi ka ndryshuar 10 nga 16 lojtarët me më shumë se 20 ndeshje në kurriz. Nga këta 10, përfaqësonin një pjesë të shtyllës kurrizore të skuadrës: Romelu Lukaku (shënuesi më i mirë i skuadrës), Achraf Hakimi (7 gola dhe 9 asistime), Samir Handanovic, Marcelo Brozovic, Ivan Perisic, Christian Eriksen. Në pesë vitet e fundit bilanci mes të ardhurave dhe shpenzimeve në transferimet e nerazurrëve ka qenë pozitiv. Vetëm në verën e fundit duhen përmendur shitjet e dy titullarëve si Brozovic dhe Onana. Mënyra se si komentohet transferimi i portierit tingëllon veçanërisht e pandershme: po jepet si me fat shitja e një prej lojtarëve më të mirë të Interit të vitit të kaluar, dhe sigurisht një prej lojtarëve më me ndikim taktikisht. Por siç ndodh shpesh në futboll, e kemi memorien e shkurtër.
Nga ana tjetër Juventusi ka një deficit prej 190 milionësh, mes shitjeve dhe blerjeve, në pesë vitet e fundit. Nëse është e vërtetë që bianconerët nuk bënë ndonjë blerje të rëndësishme verën e kaluar, nga ana tjetër mbetën të gjithë lojtarët më të mirë – me përjashtim të Angel Di Maria.
Sigurisht kostoja e kartonave nuk është parametri i vetëm ekonomik për t’u vlerësuar dhe shpesh thuhet se Interi, pavarësisht se nuk investon shumë në shitje, shpenzon shumë për pagat që të bindë parametrat zero për t’u transferuar në Milano. E vërtetë, por edhe Juventusi ka një faturë pagash shumë të larta: më të lartat në Serinë A. Është një argument që Allegri e refuzon totalisht: “Janë të zotë në bërjen e kontratave, por këto janë diskutime që nuk qëndrojnë as në qiell e as në tokë”.
E vërtetë që vlera ekonomike e një skuadre nuk shter dhe nuk përcakton vlerën e saj futbollistike. Nuk mund të reduktosh gjithçka në para, sigurisht, por patjetër që mbetet një nga parametrat e paktë të dobishëm për të vendosur një tavan pritshmërish rreth një klubi. Dhe ka faktorë të tjerë për të cilët flitet pak. Rezultati i fundit i të rinjve të Juventusit është po ashtu rezultat i punës së shkëlqyer të bërë nga ekipi Under-23, që ka një kosto vjetore prej rreth 6/7 milionë euro: jo të gjitha klubet mund ta përballojnë dhe përfaqëson një tjetër dëshmi për fuqinë e Juventusit.
Jashtë sferës ekonomike, kalohet shpesh në vlerësime abstruse mbi vlerën e lojtarëve dhe të organikës. Arsyetime që kulmojnë me pyetje provokuese që tingëllojnë si: “Sa lojtarë të Juventusit do të ishin titullarë tek Interi?”. Në këto diskutime fshihet ideja e futbollistëve si pasuri me vlerë absolute dhe të pavarur. Sikur të mundet, si në Dragon Ball, të përdoren vizoret e detektorëve për të përcaktuar fuqinë e një luftëtari. Apo sikur të ishte vlera “overall” e kartonëve të FIFA-s ajo që të vendoste njëherë e mirë se kush është më i fortë se tjetri.
Ndonjëherë mund të jenë biseda stimuluese, nuk dua të jem i rëndë, e di që shpesh luhet. E duam futbollin edhe sepse mund të diskutojmë çështje të tilla të përgjithshme dhe abstrakte deri në nivelin më të vogël të detajeve. Megjithatë, rrezikohet të refuzohet kompleksiteti i futbollit. Futbollistët nuk kanë kurrë një vlerë abstrakte nga konteksti që i rrethon. Është marrëdhënia me shokët dhe me sistemin dhe parimet e trajnerit që përcakton vlerën e tyre. Kjo motivi se pse shohim lojtarë të depresuar në kontekste të caktuara të shpërthejnë mbi të tjerët. Reduktimi i gjithë kësaj në atë se kush ka kushtuar më shumë, kush ka CV-në më të mirë, kush ka shënuar më shumë gola në karrierën e tij, kush është në formë më të mirë, na largon nga të kuptuarit më shumë për futbollin dhe nga njohja e faktit kur është një ekip po bën diçka e madhe.
Nuk është e vështirë të kuptosh pse Allegrit i leverdis kjo skemë komunikimi, qoftë edhe duke marrë mbi kurriz rrezikun e bërjes që skuadra e tij të duket si një grup lojtarësh të papërvojë dhe të limituar. Kjo e ndihmon të heqë presionin nga vetja dhe grupi. Është një mekanizëm efektiv vetëmbrojtës dhe i vështirë për t’u çaktivizuar. Krijimi i këtij lloj detyrimi për të fituar, përkundrazi, mund të projektojë shumë presion mbi Interin e Inzaghit, i cili edhe në të kaluarën edhe ndalur në një garë kampionati duke mos ia arritur. Nuk ka asgjë të keqe me manipulimin komunikues të Allegrit: është pjesë e punës së tij.
Sot sezoni i Milanit perceptohet si gjysmë i dështuar, ndërsa sezoni i Juventusit si i suksesshëm, pavarësisht se rezultatet sportive nuk janë aq larg. Dhe ky është një sukses komunikativ i Allegrit. Juventusi deri më tani ka pasur një sezon të mirë: kanë futur disa lojtarë të rinj në skuadër, ka pasur disa përmirësime taktike dhe pikët në renditje janë objektivisht të shumë – në vitet e tjera të mjaftueshëm për të luftuar për titullin.
Megjithatë, Juventusi, rrezikon të dalë jashtë luftës për titull për të katërtin vit radhazi: shumë për historinë e klubit. Dhe është nxjerrë jashtë edhe në një sezon në të cilin ka avantazhin që nuk luan në Kupat e Europës. Allegri po bën mirë, por është e vështirë të flasësh për një mrekulli, apo të thuash se po bën shumë më tepër nga sa mund të bëjë skuadra e tij. Ai është i prirur t’i mbajë të ulëta pritshmëritë dhe të prezantohet në rolin e paprecedentë të një trajneri “konstruktues”, por është e vështirë të shihet një projekt i qartë taktik në Juventusit, në gjendje që të përforcojë potencialin e lojtarëve të tij; madje edhe diskutimi për përfshirjen e të rinjve duhet relativizuar pjesërisht: Yildiz është integruar mirë, deri më tani, por ç’të themi për të tjerët? A kishte Fagioli një zhvillim të përshtatshëm me cilësitë e tij përpara skualifikimit? A është Miretti në gjendje të shprehet? Ku ka përfunduar Iling-Junior? A jemi të sigurt se Soulé, Barrenechea dhe Huijsen nuk do të kishin qenë të dobishëm për Juventusin? A mund t’i trajtojmë si të rinj pa përvojë lojtarët 24-vjeçarë?
Përshtypja është se Allegri gëzon një mbrojtje të veçantë – ose të paktën se është gjithmonë dikush që është i gatshëm të mbajë anën e tij me zjarr të madh; për të theksuar meritat e tij dhe për t’ia fshehur të metat. Të kuptohemi, po e përsëris edhe më qartë: Nuk mendoj se Allegri po bën keq te Juventusi, por a po bën mjaftueshëm, duke pasur parasysh që po flasim për Juventusin? A ka vërtet një rrugë të shtruar që ia vlen të ndjekë?
Suksesi komunikativ lidhet jo vetëm me atë që thotë Allegri, por edhe me atë që ai përfaqëson. Ka aspekte që i bëjnë të dëgjohen më fort fjalët dhe pozicionin e tij: CV-ja e tij fituese, në rradhë të parë, e më pas fakti i të qenit simbol i një pjese shumë të qartë të konfliktit ideologjik absurd që ka ndodhur vitet e fundit, midis atyre që duan të shohin lojë të bukur dhe atyre që në fund të fundit duan të shohin rezultatet. Një konflikt i rremë ky, që megjithatë vazhdon të ndotë diskursin e futbollit. Të besosh te Allegri do të thotë, për fatin e tij të keq, të besosh në një vizion të caktuar të futbollit, të atij se si duhen bërë gjërat. Është një pozicion i qartë ideologjik. Ka efekte të fjalimeve të Allegrit, një impakt dialektik, të cilat shkojnë përtej asaj që vetë ai thotë dhe që kanë të bëjnë me luftën e shenjtë, e cila, nëntokësore, agjiton gjithmonë kulturën e një lloj tipologjie të futbollit.
Kjo skemë e krijuar ka diçka të rrezikshme. Rreziku i këtyre diskutimeve, ai më i madhi, është të zhvlerësojë sezonin përrallor të Interit, deri tani. Për të përcjellë idenë se Interi ka mjete përtej shkallës për Serie A dhe se po fiton përmes një inercie të pastër – duke i vajtur pas një fuqie politike (Marotta League), ekonomike dhe teknike. Një ide larg nga realiteti, por që një pjesë e opinionit publik po përpiqet ta shtyjë me forcë. Inter ka arritur të ndërtojë një projekt teknik ekstremisht koherent, edhe pse në një kontekst vështirësie objektive ekonomike. Në kampionat ka fituar 20 nga 24 ndeshjet e luajtura. Është një skuadër që luan futboll të lehtë, të lirë, brilant, që po i mundëson talenteve të tij më të mirë të nxjerrin veten në pah si kurrë më parë në jetë. Është një ekip i ndërtuar me inteligjencë, i stërvitur me ide të freskëta dhe ku të gjithë lojtarët duket se luajnë për njëri-tjetrin në kuptimin më të thellë dhe më pak retorik të kësaj ideje.
Përgatiti Dardan MITROVICA