Në moshën e nderuar të 100 vjetëve, më 30 nëntor 2023, vdiq Henry Kissinger, një nga figurat më të rëndësishme të politikës së shekullit të 20-të. Njeriu, veprimet e të cilit i bënë Shtetet e Bashkuara fuqinë globale që njohim sot. Bavarez, me origjinë hebreje, ushtar vullnetar dhe më pas gjeneral në luftën amerikane kundër nazizmit, ai ishte Sekretar Shteti dhe Këshilltar i Sigurisë nën qeveritë Nixon dhe Ford. Më 1973 iu dha Çmimi Nobel për Paqen për përpjekjet e tij në zgjidhjen e luftës në Vietnam.
Nuk ka nevojë për prezantime të mëtejshme Kissinger, Makiaveli i shekullit XX, emri i tij tashmë ka hyrë në librat e historisë. Megjithatë, ka një anë të Sekretarit që me dinakëri ka qëndruar e fshehur gjatë gjithë jetës së tij të gjatë. Politikan me profesion, në kohën e lirë Kissinger ishte një hajdut i vërtetë… zemrash, i cili pushtoi disa nga femrat më magjepsëse të kohës së tij.
Henry Kissinger, playboy i West Wing
Playboy i West Wing. Edhe kështu është quajtur Henry Kissinger. Sepse, papritmas, ai ishte kazanova më me fat në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, në atë anë ku ndodhen edhe zyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Seks simboli i administratës Nixon” përcaktohej në një artikull të Women’s Wear Daily më 1971.
Një politikan race, ai ishte gjithë zemra dhe përkëdheli kur bëhej fjalë për t’ju afruar femrave. Romantik, galante dhe me një nuancë guximi që nuk bën kurrë keq. Madje, savoir faire i tij arriti të shkëpusë një puthje edhe nga Zsa Zsa Gabor, e madhërishmja diva simbol e Hollivudit të njëherë e një kohe.
Dhe pas Gabor, në vitet e tij si beqar në Shtëpinë e Bardhë, Kissinger pushtoi edhe supermodelen Candice Bergen; aktoren fituese të çmimit Oscar Shirley MacLaine; e më tej akoma, Marlo Thomas, aktoren Liv Ullman (e cila e përkufizoi si “burrin më interesant të takuar ndonjëherë”), Samantha Eggar dhe gazetaren e njohur Diane Sawyer. Madje flitet edhe për një martesë të fshehtë me Bond Girl-in, Jill St John.
Sharmi i tij ishte i tillë që, në një sondazh të kryer nga Associated Press mes lepurusheve të Playboy më 1972, pyetjes: “me cilin mashkull do të shkonit në një takim nëse mund të zgjidhnit cilindo në botë”, emri i Henry Kissinger ishte më i përmenduri.
Martesa e parë dhe dashuria e madhe me Nansy-n
Por, përpara se të bëhej playboy i Shtëpisë së Bardhë, Henry Kissinger ishte një burrë serioz dhe tradicional, ashtu siç ishin edhe shumica e burrave të brezit të tij. Në një moshë shumë të re, u martua me shoqen e tij të liceut – edhe ajo refugjate hebreje – Ann Fleischer. Patën dy fëmijë, Elizabeth dhe David, dhe u ndanë 15 vjet pas martesës. Fleischer e quajti marrëdhënien e tyre “totalisht të palumtur”.
Disa dekada më vonë, pasi e mbylli në mënyrë të shkëlqyer karrierën e tij si hajdut zemrash, Kissinger u martua me të renë dhe ambicioze Nancy Maginnes, vajzën e një ish-futbollisti dhe avokati të pasur. Të dy u njohën në Harvard, ku ajo ishte studente dhe ai profesor. Kissinger e rekomandoi atë për rolin e ndihmësit të guvernatorit të atëhershëm të Nju Jorkut, Nelson Rockefeller dhe, më 30 mars 1974, e bëri gruan e tij. Pavarësisht fjalëve të shumta dhe të përsëritura për një krizë, të dy nuk u ndanë kurrë dhe Nancy qëndroi pranë Sekretarit të madh deri në ditën e vdekjes.