Nga lagjet e varfëra në lojtarin më të mirë në botë me Milanin: simbol i viteve Nëntëdhjetë dhe idhulli i një brezi që u rrit me lojërat e tij
Një nga kujtimet e para të shkollës fillore, për shumë njerëz, është një djalosh që shkon e vjen mes klasës dhe oborrit me fanellën e Milanit, aq e madhe sa i prek gjunjët: në shpinë numri nëntë, por pa emri. “Është e Weah”, shqipton qartë e me krenari të ndërgjegjshme, duke fshehur sikletin e pashmangshëm që lind nga vizioni i një trupi të dobët e të ngarkuar nga një simbol ndoshta të trashëguar nga babai ose vëllai i tij dhe që i përket, në të kundërt dhe në distancë, një njeriu të madh si George.
Të lindurit në periudhën e fundit të viteve Nëntëdhjetë, me sa duket, kanë një perceptim të zbehtë të rëndësisë së kalimit të Weah në botën e futbollit: mund edhe të qëndrojë, të marrë siç jemi për të shijuar “Ronaldo- epokën ” në portat e mijëvjeçarit të ri, shumë pranë realizimit të parë të projektit “Galacticos” dhe të përthithur, thuajse tërësisht, nga suksesi i brazilianëve dhe “Joga Bonito”. Eh, çfarë kujtimesh, çfarë nostalgjie.
Por, Weah, i cili në vitet Nëntëdhjetë ishte një simbol i vërtetë, zë një vend në historinë e futbollit shumë të injoruar nga gjeneratat e reja: edhe për këtë arsye, në mënyrë spontane, pothuajse ndjejmë nevojën e rekomandimit të disa videove që mund të gjenden lehtësisht në YouTube. I pari nën titullin “Weah Milan”, ndër të tjera, është një përmbledhje e dhjetë golave më të bukur të shënuar gjatë eksperiencës së tij me kuqezinjtë. Më pak se tre minuta për të mësuar se kush dhe çfarë ishte Weah, për të gjithë.
“Ardhja ime te Milani ka qenë e diskutueshme. Të gjithë thonin se në Itali nuk do t’ia kisha dalë kurrë mbanë, madje Jean-Pierre Papin thoshte se nuk do të kisha shënuar as edhe një gol”, do të tregojë vetë Weah disa vite më parë për Sky.
Sot George Weah është efektivisht pak më ndryshe nga kujtesa e rrënjosur e galopimeve box to box që e patën dalluar. Në janar 2020, me mijëra njerëz zbritën nëpër rrugë për të protestuar kundër masave ekonomike të miratuara nga ai për vendin e tij: Weah ka qenë president i Liberisë që nga viti 2018, pasi fitoi zgjedhjet presidenciale, të cilat, tre vjet pas largimit të tij nga futbolli (dhe përvoja e tij e fundit në Al- Jazira, më 2002), humbi kundër ish-presidentes Ellen Johnson Sirleaf, më mirë e njohur si “Ma Ellen”. Ka të njëjtën buzëqeshje si gjithmonë, por sytë e tij janë sigurisht më të zënë dhe të zhytur në mendime: i nisur nga një lagje e varfër në qytetin e tij Clara, në Monrovia, ai drejtoi një komb të tërë nga pallati presidencial. Por nuk kemi të bëjmë me një kontradiktë: është vetëm rezultat i një shpagimi personal të fshehtë kundër paragjykimeve dhe shumë e shumë pengesave.
Që i ka kapërcyer, paksa, ashtu si dhe kundërshtarët e tij. Gjithmonë ka pasur predispozicion natyral për të “mbrojtur” dhe për të udhëhequr nga prapavija, qysh nga afrimi i tij i parë me futbollin: “Kur isha i vogël luaja në portë, pastaj në vitet ’80 gjërat ndryshuan”, pohon sërish për Sky. Fat që ndryshoi mendje.
I intervistuar nga Dribbling më 2000, kujton kohët në një nga show-et e parë të kuzhinës në televizionin modern: pikërisht për Masterchef. Sapo ka mbërritur në Londër, te Chelsea, dhe trupa e RAI-t i bën një, dy, tre pyetje teksa, me syze, i interesuar, dozon me kujdes përbërësit, në përpjekje për të përgatitur një tortë që do t’ua dërgojë ish-shokëve te Milani. Dhe përpara se të hynin në kuzhinë i vendosin një VHS (thoni të vërtetën: sa nostalgji ju sjell e gjitha kjo?) me përshëndetje dhe dedikime nga Maldini, Costacurta, Boban e të tjerët.
Billi ka zë të shuar dhe vështrim të ulur: “Weah i kërkojmë të na dërgojë disa kaseta reggae sepse këtu mungon muzika. George, na dërgo diçka, të lutem”. Weah merr një tufë CD (të masterizuara), zgjedh një përmbledhje të “street jams”. Eh, vitet Nëntëdhjetë. Sipas të gjitha gjasave edhe ai do të ketë nisur të kërcejë diçka, por telekamerat e kanë prerë shkurt.
Mëkat, duke pasur parasysh dellin artistik-muzikor që e ka dalluar gjithmonë, madje edhe në fushë: “Që i vogël, kur luaja në rrugë, më thërrisnin John Travolta, sepse kërceja teksa luaja, i provokoja kundërshtarët”.
Në Monaco, pas eksperiencës te Tonnerre Yaoundé, skuadra kamerunase që ka lançuar ndër të tjerë Roger Milla, e ndihmon shumë Arsene Wenger, duke e trajtuar si djalin e tij. Në fund të katër viteve të tij në Principatë kalon te Paris Saint-Germain, një eksperiencë komplekse e karakterizuar nga gola të shumtë, por edhe nga shumë, shumë, momente kontroverse.
Nuk ka patur një marrëdhënie idilike me dy trajnerët që takoi: Artur Jorge, midis viteve ’91 dhe ’94 dhe Luis Miguel Fernandez, në vitin e fundit. Nga lamtumira e tij kujtojmë mbi të gjitha fyerjet raciste që mori nga tifozët e PSG gjatë ndeshjes që shënoi epilogun e parantezës së tij në Paris. “Ne nuk kemi nevojë për ty”, lexohet në një pankartë thjesht e shëmtuar, e karakterizuar nga simbole antisemite.
“Bëra gjithçka për PSG-në. Madje edhe kur isha i sëmurë më merrnin nga spitali për të më bërë të luaja dhe gjithmonë luaja. Hera e fundit që ndodhi ishte një ndeshje e Kupës UEFA kundër Napolit: isha në spital, rrezikova të vdisja nga malaria dhe ata donin që unë të luaja. Në fund m’u desh të luaja sepse PSG kishte nevojë për atë fitore. Pranova të rrezikoja jetën time për të luajtur dhe shënova një dygolësh. Ata njerëz gati më kishin vrarë: kështu që vendosa të ndryshoj”, rrëfen ai. Asnjëherë nuk ka qenë një vendim më i drejtë.
Në debutimin e tij për kuqezinjtë humbet një penallti: ishte Trofeu i Berlusconit dhe ai ishte i vetmi që faboi nga pika e bardhë duke bërë që “titullin” ta fitonte Juventusi. I afrohet Fabio Capello, nga ai shpesh i përkufizuar si “inteligjent” (dhe të cilit i takon merita e madhe që e bëri atë të ishte ai që ishte, përfundimisht), pastaj Ariedo Braida: e qetësojnë. Tashmë po mendon për kampionatin: pavarësisht gjithçkaje, e deshi dhe e kërkoi shumë Milanin.
Goli i parë i shënuar te kuqezinjtë përkon pikërisht me atë të fundit të Franco Barezit me Milanin, kundër Padovës: një gol dhe një asistim për kapitenin. Ditë ëndrrash. Në dhjetor vjen edhe Topi i Artë, i pari që i jepet një futbollisti joevropian: në fund të sezonit fiton edhe Scudetton. Me pak fjalë: në Itali ia doli. Kundër të gjithëve.
Paradoksalisht ishte tifoz i Juventusit, siç ka treguar në një episod të Controcampo më 1999, kur mbeti i zhgënjyer nga goli i pësuar kundër Regginës në “Delle Alpi”: “Mbeta pak i mërzitur sepse jam tifoz i Juventusit, shpresoj të fitojë sonte. Kur isha i vogël njihja vetëm Juven, kur isha në Afrikë”. Kundër bardhezinjve do të shënojë disa gola: “Eh, po unë duhet të bëj punën time!”.
“Jemi rritur me pasionin për futbollin, luanim rrugëve, por personalisht nuk e kam menduar kurrë se mund të bëhem një nga futbollistët më të mirë në botë”.
Djaloshin që, në kujtimet tona, në shkollën fillore, kishte veshur fanellën e tij, dikush e ka pyetur, të paktën një herë, “pse Weah?”. Përgjigja, sigurisht, qëndron kryesisht në golin e shënuar kundër Veronës në ndeshjen hapëse të Serie A 1996/97: një vrapim nga zona e tij e penalltisë që ka rrënjë të thella. Rikthehet në Afrikë, në mbrëmjet e kaluara nëpër rrugë që nuk i pëlqenin gjyshes së tij, që përpiqej gjithmonë ta mbante larg vendeve armiqësore, pavarësisht varfërisë. Për fyerjet e marra në PSG, për kujdesin e Wengerit: për të ardhmen ende të panjohur, për Chelsea dhe Manchester City. Për Marsejën. Për presidencën e Liberisë: për protestat kundër politikave të tij. Por sidoqoftë, për ta thënë siç do ta thoshte ai (dhe siç i pati mësuar një farë Roberto Baggio): “Është e gjitha një magna magna”.
Nuk ka një term të vetëm për ta përkufizuar atë gol, që në të vërtetë është një përzierje e gjithçkaje: shpejtësia, forca fizike, inteligjenca, guximi, pamaturia. Një shpjegim i nxjerrë jashtë kontekstit ia jep me shaka mikrofonit të Carlo Pellegattit: “I përshëndes të gjithë, të bukur e të shëmtuar”. Miq dhe armiq: absolutisht të gjithë. Të lënë pas për të admiruar King George që fluturon dhe dërgon topat në rrjetë, çdo herë si hera e parë, emocionuese. E mahnitshme./ Marrë nga Milanistat.com