Williams është në shitje. Largimi i sponsorit të fundit, Rokit, detyroi një nga skuadrat më të suksesshme në historinë e Formula 1 të dilte në treg. “Kemi filluar një proces formal shitjeje”, thuhet në njoftimin për shtyp pa specifikuar nëse do të jetë një shitje e pjesshme apo e plotë.
Williams ka fituar 9 Kampionate Botërore për konstruktorë dhe 7 për pilotë, por titulli i fundit daton në vitin 1997 me Jacques Villeneuve dhe fitorja e fundit në një Grand Prix në 2012, kur në Spanjë, Pastor Maldonado i befasoi të gjithë, edhe vetveten. Që atëherë ai ka koleksionuar vetëm paraqitje të dobëta duke u bërë deri edhe skuadra më e keqe e kampionatit, me vetëm 8 pikë në dy sezonet e fundit.
Rënia e ekonomisë për shkak të pandemisë, harxhet prej 14.5 milion eurosh në buxhetin e vitit 2019 po e detyrojnë Frank dhe vajzën e tij Claire, e cila sot menaxhon team-in në pistë, të tërhiqen, pikërisht kur F1 po përgatitet të hyjë në epokën budget cap, që Claire do ta kishte dashur prej vitesh.
Williams që tërhiqet nuk është një lajm i mirë, sepse skuadra e Grove ka qenë gjithmonë një shembull, e ndërtuar nën imazhin dhe ngjashmërinë e themeluesit të saj, Sir Frank i cili, tetraplegjik që nga viti 1986, pasi mbeti për gjashtë javë midis jetës dhe vdekjes, nuk hoqi dorë kurrë. Nëse Alex Zanardi është një hero modern, Sir Frank Williams nuk është shumë larg edhe sepse ai, që ishte gjithashtu një vrapues maratonë, kurrë nuk ka pasur mundësinë të lëvizë as edhe një dorë.
Një torturë e vërtetë për një njeri që ishte çmendurisht i dashuruar me shpejtësinë. “E kam dashur dhe nëse kam përfunduar në një karrocë me rrota kjo është për shkak të shpejtësisë”, pranon ai. Ishte në makinë kur i ndodhi aksidenti, duke shkuar në aeroportin e Marsejës nga Le Castellet, ku kishte marrë pjesë në testet e team. U rrotullua, siç i ka ndodhur dhjetëra herë. Ishte mjaft i aftë në pistë, ashtu si në biznes. Thuhet se kur shiste makina tek italianët shpesh kërkonte t’i kthehej makina e vjetër, punonte tek ajo për muaj të tërë, ndryshonte numrat identifikues të shasive dhe ia shiste të njëjtën makinë të njejtit pronar.
Kur u bë mjaftueshmërisht i fortë dhe i pasur për të zgjidhur të gjitha llogaritë, u gjend midis llogarive të tjera për të paguar, përveç asaj fizike. Vdekjen e Piers Courage në vitet Shtatëdhjetë dhe të Ayrton Senna në 1984. Ai që personalisht i pari i ofroi Ayrton mundësinë për të garuar në një Formula 1, e kishte parë të vdiste me makinën e tij, prej një problemi teknik. U përpoq të mbante gjithçka brenda tij edhe kësaj rradhe. “Në shtëpinë tonë, Ayrton është konsideruar një Zot për një kohë të gjatë”, tregon Claire në një dokumentar të bukur të BBC.
“Babi ishte dashuruar me të. E kishte në zemër, në kokë dhe dëshironte absolutisht ta sillte në skuadër. Në fund ëndrra e tij u realizua, por ajo përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme”. Sir Frank nuk i ka mbushur ende 80 vjeç (ai lindi në 16 prill 1942), por ai nuk ka më forcë të luftojë si dikur. U përpoq t’ia linte gjithçka vajzës që vuri shpirtin, por nuk ka gjetur rrugëdalje përveç kërkimit të një blerësi. Dhe do të jetë sikur t’i themi lamtumirë Formula 1 të një herë e një kohe. Më romantike, por mbase edhe më e bukura.