Dardan MITROVICA
Të jesh i varur nga dikush është gjithmonë problem, veçanërisht nëse bëjmë fjalë për një shtet. Mjafton një tronditje e thjeshtë, edhe më e vogla, për të hedhur në erë të gjithë ekuilibrin, me dëme pak a shumë të konsiderueshme nga të dy palët e përfshira.
Merrni për shembull tregun e ilaçeve. Nga paracetamoli tek qetësuesit e dhimbjeve, duke kaluar përmes antibiotikëve dhe analgjezikëve, të gjitha këto substanca, që i përdorim sa herë kemi të bëjmë me ndonjë problem fizik, kanë një histori prodhuese shumë të ndërlikuar.
Edhe pse për ne është e lehtë të marrim një çfarëdo lloj ilaçi apo tablete brenda pak kohe, në realitet injorojmë plotësisht procesin që qëndron pas prodhimit të tij. Një proces që përfshin Kinën, e cila, siç raportohet nga media serioze ndërkombëtare, tani është “padrone” e ilaçeve perëndimore.
Për të kuptuar rëndësinë e Pekinit në tregun e ilaçeve, nevojitet të shpjegojmë se si bëhen ilaçet e zakonshme. Një tabletë është e përbërë nga të ashtuquajturat starting materials, d.m.th. materiale fillestare, pra, nga një numër i caktuar molekulash farmakologjikisht aktive.
Nëse mungon një tullë, nuk mund të kompletohet krijimi, ndaj është po aq e pamundur të kemi në duar ilaçin që na ndihmon të luftojmë dhimbjen e kokës në duar.
E nëse atyre që sapo thamë i shtojmë disa shifra, është e lehtë të kuptohet roli kryesor që luan Kina në tregun e ilaçeve. Para së gjithash, rritja vjetore e tregut kinez të ilaçeve shënoi një goxha + 9%.
Përzierja bëhet eksplozive kur arrijmë të kuptojmë se 60% e molekulave që përbëjnë ilaçet në të gjithë botën prodhohen pikëriht nga gjigandi aziatik.
Kina dhe ilaçet
Kina furnizon gjysmën e botës me ilaçe të lloje të ndryshme. Një faktor që mund të bëhet problem nëse lindin mosmarrëveshje eventuale tregtare duke ngadalësuar prodhimin, sepse mund të kthehen kundër Evropës dhe Shteteve të Bashkuara: dy përfituesit më të mëdhenj të kësaj lidhjeje tepër të rrezikshme.
Përveçse është bërë një fuqi ekonomike, një kampione në teknologjitë e reja dhe inteligjencën artificiale, Dragoi, që nga vitet 2000, ka marrë rolin e prodhuesit më të madh të materialeve të ndërmjetme.
Po flasim për starting materials të lartpërmendura, ‘tullat’ e domosdoshme për të formësimin e shtyllës kurrizore të ilaçeve që shiten nëpër farmacitë perëndimore.
Në Evropë situata është veçanërisht komplekse. Në fakt, BE-ja duhet të marrë nga jashtë 85% deri 90% të molekulave dhe 33% të principeve aktive (API). Një raport i Chemical Pharmaceutical Generic Association, të Cpa Industry Report 2019, ka evidentuar se si raftet e farmacive evropiane nuk mund të mbusheshin pa kontributin e Kinës dhe lojtarëve të tjerë të huaj (përfshi Indinë).
E duke hyrë në konsiderata gjeopolitike, pasja e kontrollit mbi shëndetin duhet të jetë një kusht themelor në mënyrë për të mos rrezikuar ta gjeni veten të gjunjëzuar në një moment të vështirë. Po, sepse një gjë është të prodhosh ilaçet në vend, një tjetër të mbështetesh tek vendet e tjera.
Efekt boomerang
Po si ka mundësi që Kinës i mbetën në dorë çelësat e sektorit farmaceutik perëndimor? Shkaqet, në të vërtetë, janë lehtë për t’u kërkuar, edhe nëse ndoshta askush nuk e priste që mund të kishin pasoja kaq të forta në panoramën botërore.
Në agimin e shekullit të ri, kur mendohej se qeveria kineze do të shndërrohej në vlera perëndimore, kompanitë dhe shumëkombëshet e Botës së Vjetër dhe të Re menduan mirë për të përfituar nga situata që po krijohej përtej Murit.
Kina ishte një vend shumë i varfër që mund të ofronte punë të pakufizuar me kosto të ulët. Nuk është rastësi që kostoja e prodhimit të produkteve farmaceutike në Kinë është 30-40% më e ulët, kur krahasohet me standardet e prodhimit në Perëndim.
Veçanërisht, pagat e punëtorëve janë nga dhjetë deri në njëzet herë më të ulëta. Të gjitha para të fituara, por në kurriz të kontrollit të një sektori kryesor si ai farmaceutik.
Papritmas furnizimi me ilaçe është bërë i pasigurt dhe i paqëndrueshëm, ose të paktën subjekt i flukseve të pakontrollueshme. Le të bëjmë një hipotezë: nëse Kina vendos për disa arsye të kufizojë eksportin e materialeve të nevojshme për prodhimin e ilaçeve, çfarë mund të ndodhë në Evropë dhe SHBA? Një katastrofë.
Për më tepër, kompanitë kineze që mbështeten nga subvencione shtetërore, po gllabërojnë vazhdimisht feta të reja të tregut dhe duket se nuk njohin asnjë pengesë të asnjë lloji. Konsiderata e fundit: mediat kineze kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se Pekini tani ka arritur dominim absolut të antibiotikëve, shumica e të cilave (me sa duket 96.6%) furnizime për Shtetet e Bashkuara.
Ja pra pse lufta e taksave mund të kompromentojë seriozisht stabilitetin planetar.