Të gjitha simptomat që duhet të keni parasysh
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vuajnë nga artriti 58.5 milionë njerëz, ose 24 për qind e të gjithë të rriturve amerikanë! Osteoartriti, forma më e zakonshme e sëmundjes, prek 7% të popullsisë së botës (më shumë se 500 milionë njerëz në mbarë botën). Mendohet se shumica e formave të artritit shkaktohen nga një defekt në sistemin imunitar i cili bën që trupi të sulmojë indet e veta në artikulacion. Por mund edhe të shkaktohet nga një dëmtim apo të shoqërohet me kushte të tjera të lidhura me artikulacionet. Është një problem shëndetësor që aktualisht nuk ka kurë, por vetëm mund të menaxhohet dhe trajtohet.
Pra, çfarë është saktësisht artriti dhe si t’i dallojmë simptomat e tij? Në vijim do të mësoni më shumë për këtë sëmundje të dhimbshme dhe dobësuese.
Cfarë është?
Artriti është një sëmundje që prek kyçet. Është një sëmundje që shkakton dhimbje dhe inflamacion në zonën e prekur, simptoma të karakterizuara edhe nga skuqje, ngrohtësi dhe ënjtje.
Osteoartriti
Osteoartriti (OA) është forma më e zakonshme e artritit. Zakonisht zhvillohet tek njerëzit rreth moshës dyzet vjeçare. Osteoartriti nganjëherë indikohet si një sëmundje degjenerative e kyçeve e lidhur me “konsumimin” e nyjeve në duar, ijë dhe gjunjë. Gratë janë më të prirura ndaj OA sesa burrat. Është po ashtu e përhapur edhe tek ata persona me një histori familjare të sëmundjes. OA mund të zhvillohet në çdo moshë dhe mund të shfaqet edhe pas një dëmtimi të çfarëdoshëm. Shoqërohet gjithashtu edhe me kushte të tjera të lidhura me kyçet, si gotta ose artriti reumatoid. Me OA, kërci në brendi të një nyjeje nis të thyhet. Nga ana tjetër kjo gjë ndryshon strukturën themelore të kockave. Me kalimin e kohës, kërci fillon të ashpërsohet dhe të hollohet, që do të thotë që tendinat dhe ligamentet duhet të punojnë më shumë. Fillon dhimbja. Më pas, dhimbja dhe sikleti përkeqësohen me fillimin e ngurtësimit dhe ënjtjes. Kjo përfundimisht çon në formimin e pjesëve kockore të quajtura osteofite. Në raste ekstreme të OA, një humbja e rëndë e kërcit çon në fërkim të kockës me kockën, që ndryshon formën e kyçit. Në këtë pikë kockat shtyhen përtej pozicionit të tyre normal, me konseguencë reduktimin e funksionalitetit dhe palëvizshmëri.
Artriti rheumatoid
Artriti reumatoid (AR) është një sëmundje autoimune dhe inflamatore dhe forma e dytë më e zakonshme e çrregullimit. Edhe pse më pak i zakonshëm se osteoartriti, artriti reumatoid është sidoqoftë një sëmundje e dhimbshme dhe jo më pak dobësuese. Në AR, sistemi imunitar sulmon gabimisht qelizat e shëndetshme në trup, duke shkaktuar një inflamacion të dhimbshëm në pjesët e interesuara të trupit. Artriti reumatoid shfaqet shpesh tek një person midis moshës 30 dhe 50 vjeç. Edhe në këtë rast, gratë janë më të ndjeshme ndaj kësaj sëmundjeje sesa burrat. Artriti reumatoid sulmon kryesisht nyjet, zakonisht shumë nyje njëkohësisht. Vendi i parë që preket është veshja e jashtme (sinovia) e kyçit. Në një nyje të prekur nga AR, veshja bëhet inflamohet, duke shkaktuar dëmtim të indit të kyçit. Kjo më pas mund të përhapet, duke shkaktuar ënjtje të mëtejshme dhe një ndryshim në formën e kyçit. Përveç dëmtimit të indit të kyçeve, shpesh shkakton edhe thyerje të kockave dhe kërcit. Kur kjo fillon të ndodhë, atëherë dhimbja bëhet kronike. I sëmuri gjithashtu mund të përjetojë deformime në zonën e prekur dhe shpesh paqëndrueshmëri nëse artriti ka sulmuar nyjet e këmbëve dhe gjurit. Fatkeqësisht, personat e prekur me AR mund edhe të zhvillojnë probleme me indet e tjera dhe organet në trupin e tyre, përfshirë mushkëritë, zemrën dhe sytë.
Llojet e tjera të artritit dhe gjendjet e bashkangjitura
Ekzistojnë më shumë se 100 forma të artritit dhe sëmundjeve të lidhura me të. Simptomat specifike ndryshojnë sipas llojit të artritit, por zakonisht përfshijnë dhimbje dhe ngurtësi të kyçeve.
Fibromialgjia
Fibromialgjia është një sëmundje kronike që shkakton dhimbje në muskuj, ligamente dhe tendinat e trupit. Lodhja dhe problemet me gjumin janë efekte anësore të zakonshme.
Spondiliti ankilozant
Spondiliti ankilozant është një lloj artriti që prek kryesisht shpinën, duke shkaktuar inflamacion të shtyllës kurrizore. Gjendja çon në ngurtësi dhe fuzion të nyjeve.
Spondiloza cervikale
Spondiloza cervikale është e njohur edhe si osteoartriti degjenerues për shkak të konsumit të dhimbshëm lidhur me moshën që godet disqet spinale në qafë.
Artriti psoriazik
Ata që vuajnë nga gjendja e lëkurës e njohur si psoriasis mund të edhe të pengohen nga artriti psoriazik, një gjendje inflamatore e kyçeve, e cila, ashtu si psoriasis, është një sëmundje e gjatë që mund të përkeqësohet në mënyrë progresive.
Gotta
Gota quhet një formë e zakonshme e artritit inflamator ekstremisht e dhimbshme. Ndodh me akumulimin e shumtë të acidit urik në trup. Teksa akumulohet, acidi shkakton formimin e kristaleve të vogla dhe të mprehta brenda dhe rreth nyjeve, që zakonisht godasin gishtin e madh të këmbës.
Lupus
Gjendja autoimune e njohur si lupus është një gjendje kronike që shkakton dhimbje të kyçeve dhe erucione kutane në shumë organe dhe inde të ndryshme të trupit. Lodhja është një shqetësim dytësor i zakonshëm.
Artriti idiopatik i të miturve
Fatkeqësisht, fëmijët nuk janë të imunizuar ndaj artritit. Artriti idiopatik i të miturve është tipi më i zakonshëm i artritit tek fëmijët dhe adoleshentët. Në përgjithësi shkakton dhimbje dhe inflamacion të kyçeve në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë duart, ijet, bërrylat dhe gjunjët. Kjo gjendje mund të prekë këdo nga mosha gjashtë muajsh deri në 16 vjeç.
Si të përballemi me artritin
Fatkeqësisht, nuk ka kurë kundër artritit, por ka një sërë trajtimesh që mund të ndihmojnë në ngadalësimin e tij. Nëse vuani nga kjo sëmundje, e rëndësishme është që mjeku juaj të diagnostikojë tipin e artritit që keni në mënyrë që të merrni trajtimin e duhur.
Ushtrimi i rregullt dhe humbja e peshës mund të ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të buta të osteoartritit, forma më e zakonshme e artritit. Këshillohet gjithashtu të vishni pajisje speciale, si prsh., mbajtëse gjuri, për të zvogëluar tendosjen në nyje gjatë aktiviteteve të përditshme.
Nëse simptomat janë më të rënda, mund t’ju nevojiten trajtime shtesë siç janë qetësuesit e dhimbjeve dhe një plan i strukturuar ushtrimesh, përfshi fizioterapinë.
Në raste ekstreme kur dëmtimi i kyçeve është i rëndë dhe trajtimet nuk kanë funksionuar, mund të bëhet një ndërhyrje kirurgjike për të riparuar, përforcuar ose zëvendësuar një nyje të dëmtuar.
Burimet: (CDC) (National Institute of Arthritis and Musculoskeletal and Skin Diseases) (NHS)
Përgatiti Dardan MITROVICA