Në ditën e Krishtlindjes 1914 disa ushtarë gjermanë, anglezë dhe francezë ndërprenë armiqësitë e Luftës së Parë Botërore për të luajtur së bashku futboll
Sporti ka pasur gjithmonë një rol paqësues edhe në periudhat më të vështira. Shumë e veçantë, në këtë kuptim, është historia që ndër vite njihet si Armëpushimi i Krishtlindjeve, i cili i sheh si protagonistë ushtarët në front gjatë Luftës së Parë Botërore.
Kështu, natën dhe ditën e Krishtlindjes 1914, përgjatë vijës së Frontit Perëndimor, ushtarët gjermanë, britanikë dhe pjesërisht edhe francezë i ndërprenë për disa orë armiqësitë. E gjitha pa marrë asnjë autorizim zyrtar nga eprorët, aq sa luftimet në disa zona vazhduan madje edhe gjatë festave.
Episodet e para u zhvilluan në prag të Krishtlindjeve, kur ushtarët gjermanë nisën të vendosnin dekorime krishtlindjesh në llogoret e tyre në zonën Ypres. Më pas, mëngjesin e Krishtlindjes, një acar i fortë ngriu tokën dhe përhapi erën e kufomave, duke bërë kështu që grupe të ndryshme ushtarësh nga të dy palët të takoheshin në gjysmë të rrugës për të shkëmbyer dhurata, për të bërë foto kujtimesh dhe madje për të luajtur edhe ndonjë lojë futbolli.
Do të kalonin disa ditë para se lajmi të bëhej i ditur. Të parët që e raportuan ishin gazetarët e “New York Times”, disa orë nga nata e Vitit të Ri, teksa në Angli u desh të pritej fillimi i 1915-ës për të mbërritur historitë e shumta të dërguara familjeve të tyre me letra nga ushtarët e pranishëm në ngjarje.
Por, nëse në Angli dhe Shtetet e Bashkuara, Armëpushimi i Krishtlindjeve u pa përgjithësisht në mënyrë pozitive, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Gjermaninë ku lajmi nuk u prit edhe aq mirë. Siç thamë, pra, një rol të madh luajti edhe futbolli, i cili në ato vite pati nisur të marrë vëmendje të madhe si në Britaninë e Madhe ashtu edhe në Gjermani.
Më 1 janar 2015, gjithnjë në ‘New York Times’, u botua letra e një doktori të Rifle Brigade, që tregonte për ‘një ndeshje futbolli të luajtur mes nesh dhe atyre në vijën e frontit’. Ndërsa Regjimenti i 133-të Royal Saxon foli për një ndeshje të luajtur rastësisht midis skuadrës së Tommyt dhe asaj të Fritz, pra emrat me të cilët zakonisht përmendeshin anglezët dhe gjermanët.
Fitues, në tokë të ngrirë, do të ishin gjermanët, me rezultatin 3-2. Rezultat i konfirmuar edhe në shkrimet e një poeti të famshëm britanik, Robert Graves, në një tregim të vitit 1962. Gjatë viteve të mëvonshme, armëpushimit të Krishtlindjeve i janë kushtuar filma, këngë dhe shfaqje teatrale.
Ndërkohë që ngjarjet janë përshkruar në filmin franko-anglo-gjerman “Joyeux Noël – Një e vërtetë e harruar nga historia” të Christian Carion më 2005, ndërsa Silent Night, opera me dy akte e Kevin Puts bazuar në të njëjtin film, fitoi më 2012 Çmimin Pulitzer për muzikën.
Me rastin e njëqindvjetorit disa vite më parë, UEFA ngarkoi agjencinë londineze Designwerk dhe skulptorët e MDM të krijonin një monument në përkujtim të ngjarjeve të ndodhura nga Ypres në Lille. Skulptura pasqyron ambjentin rrethues dhe ka një strukturë çeliku të oksiduar mbi një bazament në gur, që simbolizon një moment shprese midis llogoreve gjermane dhe britanike. Një moment ku futbolli ka luajtur një rol themelor.
Përgatiti Dardam MITROVICA