Pasi shpërtheu në Gjermani, Brehme bëhet protagonist në Itali me Interin e Trapattonit dhe fiton Botërorin ’90, ka kapërcyer së fundmi një krizë të madhe ekonomike
Kishte një të majtë të magjishme, me të cilën dinte të krosonte si të kishin qejf sulmuesit, t’i mbyllte aksionet personalisht apo të godiste me një efektivitet të jashtëzakonshëm, qofshin ato penallti, goditje të lira apo goditje këndi, por në të vërtetë ishte këmbëdjathtë, prandaj dinte të afirmohej efektivisht edhe me këmbën tjetër, përveçse të luante si mesfushor i avancuar kur ishte e nevojshme. Fleksibilitetin taktik e bashkonte me ndjenjën e pozicionimit dhe me një aftësi të mirë për t’i paraprirë kundërshtarit.
Andreas Brehme ka qenë padyshim një nga mbrojtësit e majtë më të mirë i viteve Tetëdhjetë dhe Nëntëdhjetë të shekullit të shkuar dhe, në karrierën e tij, kudo që ka luajtur, pothuajse gjithmonë ka patur ndikim në skuadrat që përfaqësonte, duke shënjuar një epokë të futbolli gjerman.
FILLIMET
Andreas Brehme lindi në Hamburg, në Veri të asaj që atëherë quhej Gjermania Perëndimore, më 9 nëntor 1960. U dashurua me futbollin në moshë të re, i inkurajuar nga i ati Bernd, ish-futbollist amator, me të cilin ndante të njëjtin pasion. Në moshën 5 vjeçare hyn në sektorin e të të rinjve të Barmbek-Uhlenhorst, skuadër e lagjes ku pati lindur e që në atë kohë luante në Kategorinë e Dytë të Republikës Federale.
Krah tij është gjithmonë babai Bernd, i cili drejton Skuadrën e Parë të klubit, i jep shumë këshilla dhe e shtron nëpër seanca të vështira stërvitore për t’i fuqizuar aftësitë e tij futbollistike. Kur luante, mbiquhej ‘Eisenfuss’, që do të thotë ‘këmbë hekuri’, që nga dita kur vetëm për të luajtur një ndeshje dhe për të goditur portën madje edhe nga pesëdhjetë metra larg, ui desh të hiqte gipsin nga këmba e majtë e thyer për ta zëvendësuar me një fashetë. Por menjëherë më pas iu desh ta fashonte përsëri në një gips.
“Babai më mësoi të godas me të dyja këmbët – do të rrëfejë. – Jo rastësisht goditjet e lira dhe krosimet, janë specialitetet e mia. Kur më pas u bëra pjesë e Barmbeck, kaloja orë të tëra me dy portierët”.
Andi stërvitej çdo ditë në kontrollin e topit me të djathtën, me të majtën dhe me gjoks. Falë aftësisë së tij për të luajtur me të dyja këmbët, në fazën e mosposedimit shpeshherë arrin t’i parakalojë lehtësisht ata që ka përballë, në atë proaktive bëhet i paparashikueshëm.
Në moshën 15 vjeçare nis të stërvitet me Skuadrën e Parë dhe, duke mos i vazhduar studimet, përveç se luante futboll, bën edhe ndihmës mekanikun, sepse nuk i dihet kurrë.
“Më patën mësuar të planifikoja jetën time mbi baza realiste – do të shpjegojë ai. – Gjashtëmbëdhjetë vjeç kuptova se do të bëhesha një futbollist profesionist. Sapo mundja, shkoja të shikoja stërvitjet e Hamburgut (i cili luante në nivele të larta në Bundesligë, red.). Mëngjes dhe pasdite, çfarë zilie për ata njerëz që mund t’i përkushtoheshin plotësisht futbollit.”
Andi është i pashtershëm: në fundjavë luan dy ndeshje në ditë, me bashkëmoshatarët dhe me Juniores. Shpesh bën shaka me shokët, por ka pak kohë për zbavitje. Gjithmonë shkon në shtrat herët gjatë natës.
Falë stërvitjes së fortë me të atin, filloi të shënonte nga goditjet e lira dhe goditjet nga këndi. Edhe pse trajner është babai i tij, nuk përfiton ndonjë trajtim preferencial. Janë të tjerë në Skuadrën e Parë që i luten trajnerit t’i besojë atij.
Është sezoni 1978/79 dhe Brehme debuton në Oberliga-Nord, që korrespondon me Serinë C, në moshën 17-vjeçare. Ëndërron të luajë me Hamburgun dhe arrin të bëjë një provim, duke u shkëputur nga puna.
“Fati im ishte që kisha si punëdhënës një tifoz të çmendur të Hamburgut – do të rrëfejë ai. – Kur i thashë për provimin, më la të shkoja: mund të kthehesha në ofiçinë në çdo moment”.
Brehme gjatë provimit bën spektakël, duke i bërë dy tunele Hartwig dhe duke futur në xhep 4 dhëmbë sepse ky i fundit reagoi duke e goditur me bërryl. Gjithçka ndodh nën sytë e General manager Gunter Netzer, i cili me siguri e gjykoi me nxitim si mendjemadh. Për të rivënë dhëmbët e të birit, i ati Bernd duhet të shpenzojë 800 marka te dentisti, ndërsa nga Hamburgu vononte të mbërrinte ndonjë përgjigje.
I vijnë faljet zyrtare për dhëmbët, falë ndërhyrjes së Magath dhe Kaltz, miq të të atit, por për përgjigjen e provimit do të duhet të presë 6 javë: nuk ka Skuadër të Parë për të, nëse dëshiron mund të luajë me Skuadrën e Dytë në kategorinë e Tretë. Mbizotëron krenaria dhe Brehme largohet duke përplasur derën: “Për kaq unë mund të vazhdoj të luaj me Barmbek.”
Kështu do të bëjë për dy sezone, duke luajtur fillimisht rolin e lojtarit të lirë. Paraqitjet e tij në Kategorinë e Tretë ishin aq të rëndësishme sa fitoi pseudonimin e ‘Beckenbauer të Uhlenhorst’.
YLL NË GJERMANI
Falë miqësisë së të atit me Magath, më 1980 Brehme transferohet në Saarbrücken, në Kategorinë e Dytë gjermane. Përdoret si mesfushor ose si mbrojtës i djathtë dhe zhvillon një sezon të madh, në të cilin koleksionon 36 paraqitje dhe 3 gola si dhe bëhet pjesë e Gjermanisë Perëndimore U21.
Por pavarësisht paraqitjeve të mira të Andy, Saarbrücken bie në Kategorinë e Tretë. Megjithatë, klubi u përpoq ta bindte të qëndronte dhe i ofroi një Porshe me një radio telefon. Në këtë momend ndërhyn babai Bernd:
“Nëse qëndron në Kategorinë e Tretë për një Porsche,” i thotë ai të birit – kthehesh kundër parimeve të mia”.
Nuk bëhet asgjë. Më 1991 transferohet në Kaiserslautern për rreth 65 mijë euro aktuale (127 mijë marka gjermane) dhe… ishte dashuri me shikim të parë. Andi përdoret kryesisht si mbrojtës anësor dhe performanca e tij është në nivele shumë të larta. Te Djajtë e Kuq formon bashkë me mikun e tij Hans-Peter Briegel një tandem të një besueshmërie të madhe. Kaiserslautern u rendit respektivisht i 4-ti dhe i 6-ti në sezonet 1981/82 dhe 1982/83 dhe në Evropë arriti në gjysmëfinale të Kupës UEFA në vitin e parë pasi eliminoi Real Madridin dhe çerekfinale në vitin e dytë pasi mundi Napolin në raundin e të gjashtëmbëdhjetave.
Trajneri Karl-Heinz Feldkamp dhe Briegel largohen nga skuadra, e cila nuk arrin më të rreshtohet në vendet e para, por Brehme është gjithmonë një protagonist i madh në Bundesligë, dhe përjeton në 1984/85 sezonin e tij të artë me 33 paraqitje dhe 11 gola.
Më 1986, pas Botërorit të Meksikës, pasi zhduket edhe një herë mundësia për të zbarkuar në Hamburg, Brehme transferohet te Bayern Munich. Me Udo Latteck në stol më 1986/87 fitoi trofeun e parë të karrierës së tij, Bundesligën. Brenda dhe jashtë fushës lidhet shumë me Lothar Matthäus, ylli në lindje i futbollit gjerman dhe lider i asaj skuadre.
Brehme është një jolly i vërtetë i bavarezëve, por ndryshimi i vazhdueshëm i rolit mes krahut dhe mesfushës, në sezonin 1987/88, nën drejtimin e Jupp Heynckes, nuk e ndihmon të shprehet më së miri. Pavarësisht se fitoi edicionin e parë të Superkupës së Gjermanisë me ekipin e tij, lojtari nga Hamburgu është shumë i pakënaqur dhe nuk e fsheh.
“Një javë më bënte të luaja mbrojtësin e majtë, – deklaron ai, – javën tjetër pas mesfushorit në të djathtë. Ndonjëherë madje kam patur frikë se kisha harruar gjithçka që kisha mësuar. ‘Ti je i vetmi që mund ta bësh’, më thoshte. Por unë ndihem një mbrojtës krahu dhe gjithmonë do të jem një mbrojtës krahu”.
Ndërkaq, nga Italia, miku i tij Briegel e pati këshilluar të transferohej në Serie A. Pika që derdhi gotën ishte humbja në finalen e Kupës së Kampionëve kundër Portos, në të cilën Andi luajti me numrin e paprecedentë 11 mbi supe dhe nga trajneri iu drejtua gishti si njërit prej përgjegjësve të humbjes.
Tepër edhe për të, i cili pas pushimeve në Itali së bashku me gruan shtatzënë Pilar, do të blihet nga Interi.
ZBARKIMI TE INTERI DHE SKUDETO E REKORDEVE
Presidenti nerazzurr Ernesto Pellegrini e mori atë me një çmim të zbritur pasi miku Matthäus mbështeti lëvizjen. Klubi milanez shpenzon një miliard e 800 milionë lira. Në këtë mënyrë kënaqet edhe Giovanni Trapattoni, i cili dëshiron të ndërtojë një Inter të ri ‘të stilit gjerman’.
“Lothar i bindi shpejt drejtuesit e nerazzurrëve që të nënshkruanin edhe mua. – deklaroi ai për ‘Mondo Sportivo’ në një intervistë të gushtit 2020 me gazetarin Fabio Ornano – Mjaftoi një telefonatë e tij dhe menjëherë fillova të paketoja valixhen time”.
Për t’u zhytur menjëherë në realitetin e ri, Andy paraqitet paraqitet madje para kohe në shtëpinë e re. Mirëpo gazetarët italianë thuajse e injorojnë, duke ia dedikuar faqet e para vetëm mikut Lothar. Atij aq i bën, punon shumë në verë dhe kur në fund të gushtit nis sezoni zyrtar me grupet e Kupës së Italisë, tashmë është gati.
Fillimisht Trap mendoi për Giuseppe Baresin, i cili u bë kapiten pas shitjes së Altobellit, si mbrojtës i majtë, me Brehme në mesfushë, Matthäus si mesfushor të majtë dhe Matteoli si rezervë të Lothar. Megjithatë, kur ky i fundit arrin formën e tij më të mirë, ai ka një intuitë të madhe: jashtë Baresi, Brehme në të majtë i lirë për të shtyrë, e krosuar për sulmuesit dhe në veçanti për qendrën Serena dhe për të përfunduar në portë, dhe Matteoli organizator i tërhequr.
Kthesa vjen në ditën e dytë të kampionatit, më 16 tetor. Nerazzurrët janë nën 1-0 në shtëpi kundër Pizës së Bolchi, dhe pas pushimit midis pjesëve Trapattoni prish rangjet dhe ndjerr në fushë pikërisht mesfushorin sard në vend të Baresit, duke e zhvendosur Brehme në rolin e tij të pëlqyeshëm si anësor të majtë. Ndeshja përfundon 4-1 me një revansh të nerazzurrëve, me gjermanin që shënon me një të djathtë të tmerrshme në ajër nga jashtë zonës golin e 1-1.
“Është e qartë, mund të luaj kudo – do të deklarojë ish Bayerni – por kur mund të mbuloj dhe të kundërsulmoj ndihem vërtetë i fortë. Trapattoni më ka thënë se do të më lërë të luaj në fashën e majtë”.
Nga ndeshja e ardhshme, Brehme do të luajë gjithmonë në korsinë e majtë. Lind kështu Interi i rekordeve, ai që kapërceu çdo rekord në kampionatet me 18 skuadra dhe në fund të sezonit fitoi me meritë një Skudeto historike, të 13-tën në historinë e klubit milanez. Brehme është protagonist me 31 paraqitje, me 3 gola dhe shumë asiste dhe krosime e u bë mbrojtësi i majtë më i mirë i atij kampionati.
Nevjitej edhe asisti për Serenën në ndeshjen e hakmarrjes së Mynihut në Kupën UEFA kundër Bayernit, por dalja e tij nga fusha për shkak të dëmtimit në ndeshjen e kthimit në Milano përkoi me eliminimin e nerazzurrëve nga turneu. Sezoni 1998/89 është padyshim më i bukuri i karrierës së gjermanit, i cili përkon edhe me lindjen e të birit Ricardo.
Andy qëndron në Milano deri më 1992. Në sezonin e dytë, të karakterizuar nga ardhja te nerazzurrët e gjermanit të tretë, Jurgen Klinsmann, ai mban një performancë shumë të lartë dhe fiton Superkupën Italiane. Dhe së fundi, në vitin e tretë, i fundit me Trapattonin në pankinë, ngriti në qiell Kupën UEFA duke mposhtur Romën në finalen e dyfishtë. Ndërkohë që veçanërisht i trazuar do të ishte sezoni i fundit, 1991/92, i shënjuar nga dështimi në pankinë i Corrado Orrico-s.
Pas 155 paraqitjeve në total dhe 12 golave, Andy, bashkë me mikun e tij Lothar do të largohen nga klubi milanez që i kishte parë si protagonistë të mëdhenj.
KAMPION BOTE ME GJERMANINË PERËNDIMORE

Krahas nivelit në klube, karriera e Andreas Brehme është plot kënaqësi edhe në kombëtare. Pasi pati luajtur për ekipin e Gjermanisë Under 21 në kohërat e Saarbrücken, Andy mori pjesë në Olimpiadën amerikane të 1984 me Gjermaninë Perëndimore, në të cilën u eliminua në çerekfinale nga Jugosllavia.
Në të njëjtin vit thirret në kombëtaren e të rriturve dhe merr pjesë në Evropianin e 1984. Luan në nivele të larta, e pavarësisht eliminimit të parakohshëm të gjermanoperëndimorëve në grup, Brehme renditet në top 11-shen e turneut.
Por viti i skenës ndërkombëtare ishte 1986-a, me lojtarin nga Hamburgu protagonist në Botërorin meksikan. Brehme luan në mesfushë dhe shënon një gol të rëndësishëm kundër Francës në gjysmëfinale, por Gjermania Perëndimore humbet në finalen e madhe 3-2 kundër Argjentinës së Maradonës. Është në skuadër edhe në Evropianin e 1988 që u luajt në Gjermaninë Perëndimore (shënon kundër Italisë së Vicinit)
Por ashtu siç i ndodhi te Inter, kthesa e Brehme në Kombëtare ia beh kur trajneri Franz Beckenbauer vendos ta përdorë si mbrojtës të majtë. Është pikërisht në atë rol që Brehme bëhet një nga shtyllat e skuadrës që në Botërorin e Italia ’90 u dëshmua të ishte vërtetë shumë e madhe.
Më 24 qershor, në stadiumin e tij, Meazza të Milanos, merr të gjithë vëmendjen mbi vete duke mposhtur portierin e Holandës, Van Breukelen, me një të djathtë kirurgjikale që përfundon në cepin më të largët të portës. Është rrjeta e sigurisë për skuadrën teutonike, që në fund të ndeshjes pëson golin e 2-1 nga Ronald Koeman me penallti dhe vazhdon më turje turneun.
Gjermania Perëndimore eliminoi edhe Çekosllovakinë dhe Anglinë në gjysmëfinale, duke fituar me penallti të drejtën për të luajtur titullin kundër Argjentinës së Maradonës, kampione në fuqi, në një remake të finales 4 vjetëve më parë. Por, krahasuar me finalen e Azteca-s, ajo e Romës është shumë e ndryshme. Një ndeshje shumë taktike dhe e mërzitshme, e mangët nga emocione të mëdha. Megjithatë, 6 minuta nga fundi, ndodh episodi që vendos ndeshjen: arbitri akordon një penallti për gjermanët për shkak të një kontakti mes Sensinit dhe Völler në zonën argjentinase.
Të gjithë presin që të godasë kapiten Matthäus, por Lothar ia lë nderin dhe barrën e Botërorit mikut të tij Andy.
“Merre topin dhe fitoje këtë Botëror”, i thotë numri 10, të cilit në pjesën e parë iu desh të ndërronte këpucën e djathtë që iu prish dhe nuk ka besim të shkelmojë me të këpucën e re.
E teksa argjentinasit protestojnë në mënyrë të ashpër, në kokën e tij Brehme përjeton momente shumë delikate. Përballë ka Sergio Goycochea, ‘vrasësin’ e Italisë së Vicinit në gjysmëfinale.
“A kisha frikë? Frika është një ndjenjë që nuk më përket. Të paktën në fushë – siguron gjermani duke kujtuar atë situatë. – Kur mendon shumë është gjithmonë e vështirë. Pastaj, Goycochea kishte pritur shumë. Por unë nuk e mendoja. Qëndro i qetë… Përqendrohu te gjuajtja…”.
Brehme mund të godasë me të dyja këmbët, dhe kjo mund të jetë një problem më shumë për portierin kundërshtar.
“Por penalltitë i kam goditur gjithmonë me të djathtën – nënvizon. – E megjithatë në Meksikë 1986 kisha goditur me të majtën. Goditja e penalltive është një art. Duket e lehtë, por kur shkon te pika e bardhe porta bëhet e vogël e vogël. Forca ime është ftohtësia”.
Kur arbitri, pasi i qetësoi gjakrat në fushë, i bie bilbilit, e gjithë Gjermania mban frymën. Brehme godet me të djathtën dhe e shpie topin një cepin anësor të të djathtës së Goycoechea-s. Portieri argjentinas, i cili deri në atë moment pati fituar skenën e Botërorit, e kuptoi krahun, por nuk mund ta arrinte dot. Është gol. Argjentina nuk arrin të barazojë dhe me bilbilin e fundit Gjermania Perëndimore është Kampione e Botës falë ftohtësisë së Andy-t nga pika e bardhë e 11-metërshit. Mbrojtësi i krahut u përfshi në Top 11-ështen e Botërorit dhe në fund të vitit u rendit i 3-ti në klasifikimin e Topit të Artë.
“Fitorja e Kupës së Botës përbën ende, brenda meje, momentin më të bukur të karrierës sime si futbollist – siguron Brehme. – Në korrik të 2020 organizuam disa evente festive në Gjermani, për të kujtuar së bashku atë triumf. Një prej tyre, u mbajt në tarracën e shtëpisë sime”.
Pasi fitoi Botërorin, që e bëri një legjendë, Brehme luajti një ndeshje të fundit miqësore me fanellën e asaj që është quajtir Gjermania Perëndimore, plus 28 paraqitje dhe një gol me Gjermaninë e bashkuar, për gjithsej 86 ndeshje dhe 8 gola. Më 1992 mori pjesë në Evropianin e tretë të karrierës së tij (vendi i dytë pas surprizës Danimarkë), dhe më 1994 në Botërorin e tij të tretë dhe të fundit në Shtetet e Bashkuara, që i pa gjermanët të eliminuar në çerekfinale.
VITET E FUNDIT, PASKARRIERA DHE TELASHET
Më 1992, pas një sezoni të trazuar, që kulmoi me dorëheqjen e Corrado Orrico dhe me besimin e Skuadrës së Parë tek Luis Suarez dhe me një vend të 8-të zhgënjyes në kampionat, si dhe me dështimin për t’u kualifikuar në Kupat e Europës, Brehme dhe Matthäus u largua nga Milano nerazzurre.
Andy e provon fatin në Spanjë me Real Zaragoza, por në Aragon përjeton një vit negativ (24 paraqitje dhe një gol), gjë që sugjeron një tërheqje të afërt nga futbolli i luajtur. Por në vend të tërheqjes, karriera i rezervon një rini të dytë: mbrojtësi i majtë ndjek zemrën dhe kthehet në Kaiserslauternin e tij, ku qëndron madje edhe për 5 vjet të tjera e ku rigjen një nivel shumë të lartë performance.
Skuadra bie në Kategorinë e dytë më 1995/96, por Brehme, me shiritin e kapitenit në krah, e rikthen në Bundesligë së bashku me shokët e skuadrës sezonin e ardhshëm dhe më 1997/98 kurorëzon një karrierë të jashtëzakonshme duke fituar sërish madje edhe Kampionatin Gjerman, 11 vjet pas herës së parë, me Djajtë e Kuq.
Në përfundim të atij kampionati, në të cilin zbriti në fushë vetëm 5 herë (plus një herë në Kupën e Gjermanisë) në moshën 37-vjeçare, tërhiqet zyrtarisht nga futbolli i luajtur. Aventura në Kaiserslautern mbyllet me 319 paraqitje dhe 53 gola në total në 10 vjet pjesëmarrje.
“E njoh prej 20 vjetësh dhe ende nuk e di nëse është djathtosh apo mëngjarash”, ka thënë duke folur për të Beckenbauer.
“Ka qenë futbollisti më i mirë me të cilin kam luajtur”, e vlerëson miku Matthäus.
Varur këpucët në gozhdë, ai drejton Kaiserslautern nga 2000 më 2002, pastaj Unteraching nga 2002 në 2004. Dhe së fundi zëvendës i Trapattonit në Stuttgart në sezonin 2005/06, e më pas zhduket plotësisht nga radarët. Dhe për ish Interin nisin telashet.
Fillimisht një hetim për drejtim mjeti në gjendje të dehur zgjidhet… me asgjë, pastaj prishet martesa e tij me Pilarin dhe më 2010 çifti divorcohet. Andy duhet të paguajë alimentacionet për ish gruan e tij dhe nisin për të problemet financiare. Nuk njihet dinamikat e sakta, por brenda pak vitesh praktikisht pasuritë e tij janë zeruar, duhet të hipotekojë shtëpinë në Monte Karlo dhe ka borxhe për më shumë se 200 mijë euro.
Atëherë merr pjesë në një reality show televiziv në përpjekje për të fituar disa para. Kishte nevojë për ndihmë, por nuk ka guximin ta kërkojë. Për të e bën Franz Beckenbauer, që fton zyrtarisht DFB-në t’i japë një dorë.
“Duhet të ndihmojmë Brehme, e kemi për detyrë t’i rikthejmë një pjesë të asaj që i ka dhënë futbollit gjerman”.
Humnera e jetës është një hap larg. Është madje edhe një ish shok skuadre, Oliver Straube, i cili në mënyrë provokative i ofron një punë në kompaninë e tij si pastrues banjosh.
“Jemi gati ta punësojmë Brehme në kompaninë tonë, kështu që do të dijë se çfarë do të thotë të pastroni banjat dhe shërbimet higjenike. Mund të lajë tualetet, kështu që do ta kuptojë vërtet se çfarë do të thotë të punosh dhe çfarë është jeta reale.”
Andy reziston, merr kohë. Dhe një litar shpëtimi i vjen pikerish nga ai Bayern München, me të cilin, si futbollist, nuk kishte pasur një marrëdhënie të mirë. Falë presidentit të nderit Beckenbauer, të cilit i kishte dhuruar gëzimin e titullit Botëror, ai u punësua si vëzhgues i klubit bavarez. E luan këtë rol për disa vite, në të cilat mundi t’i shlyejë të gjitha borxhet.
Sot nuk e mban më atë pozicion, por më e keqja është tani pas krahëve. Heroi i Gjermanisë në Italia ’90, që herë pas here rikthehet në fushë me legjendat e Bayern dhe me ato të Interit, mund ta shikojë të ardhmen e tij me paksa qetësi.