Afro 1 milion euro blerje. Rama: “S’i vesh Erioni”. Veliaj: “Janë blerë për artistët”
Ndonëse SPAK, sipas zakonit, ka vijuar me metodën e damkosjes së personalitetit të atyre që bien pre e tij, Rama dhe Veliaj kanë nxituar të bëjnë të kundërtën. Ata janë përpjekur me çdo çmim ë shfryjnë zëmëratën popullore për daljen e shifrave marramendëse të blerjeve të gruas së kryebashkiakut.
Në komunikatën zyrtare të nxjerrë të hënë, për arrestimin e Veliajt dhe masën arrest shtëpie të bashkëshortes Ajola Xoxa, falë transaksioneve dhe pagesave që shkonin tek kjo e fundit në komunikatë u përmenden edhe shpenzimet e saj për plaçka dhe bizhuteri. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, ose rreth 880 mijë euro. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”, shkruhej aty. Një ditë më pas dalja e e vendimit të plotë të gjykatës i detajoi ato.
Ky pohim për afro 220 mijë euro ne vit blerje këpucëssh çantash bizhuterish vjen pas akuzës së Arben Ahmetajt për shishet e verës 33600 euro copa që konsumon kryeministri në zyrën e tij. Ato dëshmojnë për botën ireale ku jetojnë prej kohësh hierarkët e rilindjes.
Qoftë edhe për këtë Kryeministri i ka dalë në mbrojtje Ajolës duke vërejtur se është absurde “Të thuash 800 mijë euro blerje online për bizhu dhe fustan ndërkohë që kryetari i bashkisë nuk vesh fustan e nuk përdor bizhu dhe për këtë të marrësh një njeri të zgjedhur që ka një kontratë me qytetarët dhe ta mbyllësh në dhomë paraburgimi”. Më pas Rama shtoi se “hedhja e kësaj shifre në mexhelis është absolutisht e qëllimshme për të ekzaltuar masën që kërkon gjah dhe nga ana tjetër për të krijuar një situatë ku të jetë e pamundur që të diskutosh”.
Rama i mbajti këto qëndrime një ditë pasi në një deklaratë nga burgu Veliaj u mundua ti shpjegone ato që u quajtën si shpenzimet marramendës të bashkëshortes së tij, duke pretenduar se ato ishin blerë për artistët e kontraktuar nga Harabel. “Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal”. Ai e akuzoi prokurorin Olsi Dado se nuk i pati marrë parasysh këto pretendime: Kur i thosha se kjo ishte e vërteta dhe kur në fakt, në shtëpinë tonë nuk ka gjetur as fustane mijëra eurosh, as bizhuteri me ndonjë vlerë të veçantë, ai zvarranik si i dalë nga qenefët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit zgërdhihej dhe më tregonte se si i binte violinës kur ishte i vogël”.
Por në fakt Lapsi.al, ka lexuar dosjen e vendimi të Gjykatës për arrest me burg për Veliajn dhe me arrest shtëpie për Ajola Xoxën. Nga faqja 110 deri në faqen 124 të saj janë të detajuara, një për një, faturat e blerjeve, ç’doganimet e atyre që ishin bërë online dhe kartat e kreditit, shpëesh të personave të tretë, që i kanë kryer ato.
Një ekspert i fushës i pyetur nga Lapsi.al tha në kushtet e anonimatit se është absurde të pretendohet që për një shfaqe të blehet për protagonistës veshje Gucci, Prada ose Luis Vuitton. “Nëse do ndodhte kështu kostot e eventeve do ishin marramendëse” tha ai. Pra përpos Alibisë së Ramës se Erioni nuk vesh fustane dhe nuk vë bizhu shifrat e blerjeve të çmendura kërkojnë shpjegim më serioz.