Më 24 shkurtin e kaluar, nën shenjën e Virgjëreshës, ndodhi fenomeni i Hënës së plotë
Për shekuj me rradhë, Hëna dhe efektet e saj tek njerëzit kanë qenë në qendër të mitologjisë dhe folklorit në mbarë botën. Edhe sot, ekzistojnë shumë besime popullore se si Hëna e plotë dhe cikli hënor mund të ndikojnë gjithçka, që nga cilësia e gjumit e deri te shëndeti mendor. Edhe pse shumë nga këto besime janë diskredituar nga mjekësia moderne, ka studime që kanë vërtetuar të vërtetën e të tjerave.
Jeni kurioz? Vazhdo më poshtë për të zbuluar se çfarë kanë zbuluar studiuesit në lidhje me efektet e Hënës në trupin dhe sjelljen e njeriut.
Të jesh hënor
Për shekuj me radhë, mjekët dhe filozofët i kanë atribuar ndryshimet në sjellje Hënës së plotë. Në fakt, termi “moody” “hënor” rrjedh nga ideja se ndryshimet e gjendjes mendore ishin të lidhura me ciklet hënore.
Besim i vjetër
Lidhja midis Hënës dhe ndryshimeve në gjendjen mendore është mbështetur edhe në traktatet ligjore historike. Për shembull, juristi britanik William Blackstone argumentonte se njerëzit fitonin dhe humbisnin aftësinë për të arsyetuar në bazë të fazave hënore.
Shëndeti Riprodhues
“Efekti hënor” bazohet në besimin se shëndeti dhe sjellja ndryshojnë gjatë fazave specifike të ciklit hënor. Madje ka dhe nga ata që thonë se Hëna e Plotë mund të ndikojë në gjithçka, që nga shëndeti riprodhues e deri te cilësia e gjumit tuaj.
Fenomen natyror
Besimi se fazat hënore influencojnë edhe mbi qeniet njerëzore rrjedh kryesisht nga ndikimi i Hënës mbi fenomenet natyrore, si batica. Por këto besime të vazhdueshme janë kryesisht të gabuara.
Besëtytnitë
Ideja se Hëna ndikon në aspekte të caktuara të shëndetit fizik dhe mendor mund të ngjitet që nga Greqia dhe Roma e lashtë dhe mendimtarët klasikë si Aristoteli dhe Gaius Lucilius.
Aristoteli dhe Hëna
Edhe krizat ciklike të epilepsisë i janë atribuar gjithashtu ndikimit të Hënës. Filozofi grek Aristoteli besonte se gjatë Hënës së plotë fëmijët ishin më të ndjeshëm ndaj krizave epileptike.
Fuqia e lashtë e Hënës
Mjeku i lashtë grek Hipokrati propozonte se “kush preket nga terrori, frika dhe çmenduria gjatë natës, vizitohet nga Perëndesha e Hënës”.
Baticat biologjike
Në vitet 1970, psikiatri Arnold Lieber teorizonte se Hëna ndikonte në “batica biologjike” të trupit.
Teoria e Liber
Lieber sugjeroi se meqenëse trupi njerëzor është i ndërtuar prej rreth 70% nga uji, qeniet njerëzore eksperimentojnë spostimet e baticave të shkaktuara nga fazat hënore. Ai argumentonte se, në prani të Hënës së plotë, dukuritë e vrasjeve, vetëvrasjeve, sulmeve të rënda, urgjencave psikiatrike dhe aksidenteve fatale me makinë shtoheshin në mënyrë dramatike.
Edhe pse teoria e Lieber fillimisht ngjante e arsyeshme, ajo u hodh shpejt poshtë nga ekspertët. Një studim ka pohuar se tërheqja gravitacionale e Tokës është 5012 herë më e fortë se ajo e Hënës, tërheqja gravitacionale e së cilës nuk e kalon peshën e një pleshti. Pra, teksa Hëna mund të rregullojë baticat të mëdha ujore të hapura, ajo nuk do të ndikonte mbi një gotë me ujë apo mbi një vaskë, e lëre më ujin që përbën trupin njerëzor.
Hëna dhe ciklet menstruale
Hënës i duhet rreth një muaj për t’u rrotulluar qark Tokës. Meqenëse shumë cikle menstruale kanë të njëjtën kohë, është krijuar një lidhje midis të dy gjërave. Por studimet kanë demonstruar se në realitet nuk janë të sinkronizuara.
Thuhet edhe se gratë shtatzëna kanë më shumë gjasa të lindin me Hënë të Plotë, por provat shkencore janë të paplota.
Hëna e plotë, gjumi dhe efektet e mundshme
Disa studime kanë zbuluar se Hëna mund të ndikojë në gjumin. Një studim i vitit 2021, në veçanti, ka zbuluar se njerëzit flinin më vonë dhe më pak netët para Hënës së plotë.
Studime të tjera sugjerojnë se Hëna e plotë mund të shoqërohet edhe me shtimin e latencës së lëvizjeve të shpejta okulare (REM).
Latenca e gjumit është periudha ndërmjet momentit kur bini në gjumë dhe atij kur hyni në fazën e parë të gjumit REM. Një rritje e latencës do të thotë se duhet më shumë kohë për të arritur gjumin REM. Edhe apnea e gjumit, alkooli dhe disa ilaçe mund të shkaktojnë vonesë të gjumit REM.
Një studim tjetër, që daton më 2013 dhe mat aktivitetin e trurit, ka sugjeruar që sasia e gjumit të thellë të përjetuar ulet me 30% gjatë Hënës së Plotë.
Kërkime të mëtejshme
Sidoqoftë, nevojiten kërkime të mëtejshme, pasi studimet nuk e kanë monitoruar gjumin e pacientëve individualë për një muaj të tërë hënor apo për shumë muaj. Gjëja më e mirë për të bërë do të ishte regjistrimi i të njëjtit individ në mënyrë të vazhdueshme gjatë fazave të ndryshme.
Hëna e plotë ndikon ndryshe në gjumin e burrave dhe të grave
Një studim i vitit 2015 ka zbuluar se shumë gra flinin më pak dhe kishin më pak gjumë REM kur faza e Hënës së Plotë ishte afër. Burrat në studim kishin më shumë gjumë REM afër Hënës së plotë.
Hëna e plotë dhe fëmijët
Më 2016, një grup studiuesish ekzaminuan ciklet e gjumit të 6000 fëmijëve në 12 shtete. Rezultatet kanë zbuluar se kohëzgjatja e gjumit ishte rreth 1% më e shkurtër gjatë Hënës së plotë në krahasim me Hënën e re. Pavarësisht këtij fakti, ata nuk arritën të gjejnë asnjë lidhje midis këtij ndryshimi të gjumit dhe ndryshimeve në sjellje gjatë të njejtës periudhë.
Humori, shëndeti mendor dhe ritmet kardiake
Trupi njerëzor është përshtatur ndaj ekspozimit ndaj dritës së ditës dhe errësirës për shekuj me radhë. Kjo ka zhvilluar ritme cirkadiane që kanë ndikuar në shëndetin tonë fizik dhe mendor.
Por përdorimi i gjerë i dritës elektrike do të thotë që shumë nga ritmet tona ciklike po përshtaten me modelet e reja të dritës dhe errësirës. Kur ritmet ciklike ndryshojnë, mund të shtohen çrregullimet e shëndetit mendor, siç ankthi dhe depresioni.
Por, hëna e plotë a ka ende fuqi për të ndryshuar ritmin tonë ciklik? Duke qenë se ndriçon qiellin e natës, mund të mendohet se po dhe se është e lidhur edhe me ndryshime në humor dhe shëndetin mendor.
Lidhje e pavërtetuar
Sidoqoftë, kërkimet shkencore thonë jo. Një studim i vitit 2017 që ka analizuar regjistrat e urgjencës ka zbuluar se numri i njerëzve që kanë shkuar aty për shkak të një gjendje psikiatrike ishte thuajse i njëjtë me atë të të gjitha fazave të hënës.
Ndikimi në mendje
Ekziston, megjithatë, një përjashtim. Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit që vuajnë nga çrregullimet bipolare mund të influencohen nga ndryshimet e ciklit hënor.
Një studim i vitit 2018 ka shqyrtuar 17 njerëz, çrregullimi bipolar i të cilëve prirej të përparonte më shpejt nga depresioni në mani.
Studimi tregoi se stimuluesi i ritmit ciklik, një grup i vogël nervash, në këta individë sinkronizohej me modelet hënore. Duke sjellë ndryshime në gjumë, të cilat shkaktonin një zhvendosje nga simptomat e depresionit në ato të manisë.
Në një rast studimi të vitit 2019 mbi një grua me çrregullim bipolar, studiuesit sugjeruan se kjo mund të trajtohej duke ndryshuar disa medikamente, veçanërisht medikamentet për tiroidet dhe ato kundër depresionit. Është sugjeruar edhe përdorimi i terapisë së dritës.
Hëna e plotë dhe dhuna
Për shekuj me radhë është vazhduar të besohet se përgjatë periudhave të Hënës së plotë kanë ndodhur më shumë agresione, dhunë dhe vetëvrasje. Megjithatë, shumë studiues kanë zbuluar se Hëna e plotë nuk shkakton shtim të këtyre sjelljeve.
Si përmbledhje
Po zhvillohen ende studime mbi faktin se si Hëna mund të ndikojë mbi sisteme të ndryshme fiziologjike dhe psikologjike. Për momentin, megjithatë, efekti i Hënës në trup besohet të jetë më pak i fuqishëm sesa mendohej dikur.
Burimet: (BBC) (Healthline) (Cleveland Clinic)
Përgatiti Dardan MITROVICA